Gilles Deleuze
Me [Marquis de] Sade-në dhe [Leopold von Sacher-] Masoch-un funksioni i letërsisë nuk është ta përshkruajë botën, meqë kjo është bërë tashmë, por ta përkufizojë pjesën plotësuese të botës që është në gjendje të nxërë dhunën dhe teprimet e saj. Është thënë se tepria e stimulimit është në një kuptim erotike. Prandaj eroticizmi është në gjendje të shërbejë si një pasqyrë e botës duke pasqyruar teprimet e saj, duke ia hequr dhunën dhe madje duke u dhënë këtyre fenomeneve një cilësi “shpirtërore” mu për shkak se i vë ato në shërbim të shqisave. (Sade, te Filozofia në dhomën e gjumit [Philosophy in the Bedroom], bën dallim mes dy llojeve të ligësisë, njëra trashanike dhe bajate, tjetra e dëlirë, e druajtur dhe meqë është e shqisëzuar [sensualized], është edhe “inteligjente.”) Po kështu fjalët e kësaj letërsie krijojnë një kundërgjuhë që ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi shqisat. Është sikur Sade ta mbante një pasqyrë perverse në të cilën pasqyrohet e tërë rrjedha e natyrës dhe historisë, që prej fillimit të kohës e deri te Revolucioni i vitit 1789. Në vetminë e vilës së tyre të largët, personazhet e Sade-së pretendojnë ta rindërtojnë botën dhe ta rishkruajnë “historinë e zemrës.” Ata mbledhin forcat e natyrës dhe traditës, prej kudo – Afrikës, Azisë, botës së lashtë – për të arritur në realitetin e tyre të prekshëm dhe parimin e pastër shqisor që është themeli i tyre. Ironikisht, ata madje përpiqen ta arrijnë një lloj “republikanizmi”, për të cilin francezët nuk janë ende të gatshëm.
Te Masoch-u gjejmë të njëjtën ambicie, për t’ia vënë përballë një pasqyrë perverse të gjithë natyrës dhe të gjithë njerëzimit, që prej zanafillës së historisë e deri te revolucionet e Perandorisë Austriake të 1848-ës – “historia e mizorisë në dashuri.” Për Masoch-un, pakicat e Perandorisë Austriake janë burim i pashtershëm tregimesh e zakonesh (prandaj edhe tregimet galike, hungareze, polake, çifute dhe prusiane përbëjnë pjesën kryesore të veprës së tij). Nën titullin e përgjithshëm The Heritage of Cain [Trashëgimia e Kainit], Masoch-u e konceptoi një vepër “universale”, historinë natyrore të njerëzimit në një cikël tregimesh me gjashtë tema kryesore: dashurinë, pronën, paranë, shtetin, luftën dhe vdekjen. Secila nga këto forca do ta rifitonte mizorinë e vet direkte fizike; nën shenjën e Kainit, në pasqyrën e Kainit, ai do të tregonte se si monarkët, gjeneralët dhe diplomatët meritojnë të rrasen nëpër burgje dhe të ekzekutohen tok me vrasësit. Masoch-u kish qejf të parafytyronte se sllavët kishin nevojë për një despote të bukur, një careshë të tmerrshme, për ta arritur ngadhënjimin e revolucioneve të vitit 1848 dhe për ta përforcuar lëvizjen pansllave. “Pak më shumë përpjekje, sllavë, nëse doni të bëheni republikanë.”
Deri në çfarë mase mund t’i konsiderojmë Sade-në dhe Masoch-un si ortakë ose forca përplotësuese? Njësia sadomazohiste nuk është shpikur nga Freud-i; atë mund ta gjejmë në veprën e Krafft-Ebing-ut, Havelock Ellis-it dhe Féré-së. Marrëdhënia e çuditshme mes kënaqësisë së shkaktimit dhe kënaqësisë së përjetimit të së keqes gjithmonë është ndier nga doktorët dhe shkrimtarët që kanë dokumentuarjetën intime të njeriut. “Pikëtakimi” i sadizmit dhe mazohizmit, afria që ekziston mes tyre, është e dukshme edhe në veprën e Sade-së edhe të Masoch-ut. Ka një lloj mazohizmi në personazhet e Sade-së: te Njëqind e Njëzet Ditë të Sodomit [The One Hundred and Twenty Days of Sodom] tregohen torturat dhe poshtërimet që duhet të kalojnë qëllimisht libertinët. Sadistit i pëlqen të fshikullohet po aq sa i pëlqen të fshikullojë të tjerët. Saint-Fond-i në Juliette porositë një grup burrash që ta godasin me thupra. La Borghése bërtet: “Do të doja që, si një prej krijesave më të poshtra, anomalitë e mia të ma sjellin fatin që u shkon për shtati shfrenimeve të tyre: për mua trekëmbëshi i varjes do të ishte një fron i lumnimit të përsosur.” Anasjelltas, ka një lloj sadizmi në mazohizëm: në fund të mundimeve të tij, Severini, personazhi kryesor i Venera në Pelush [Venus in Furs], vetëshpallet i shëruar dhe i përvishet fshikullimit dhe torturimit të grave. Ai e sheh veten jo më si “kudhër” por si “çekan.”
Sido që të jetë, bie në sy fakti se në të dy rastet përmbysja do të ngjajë në fund të sipërmarrjes. Sadizmi i Severinit është pikë kulmore; është sikur larja e gjynaheve dhe përmbushja e nevojës për të larë gjynahet t’i lejonin më në fund personazhit kryesor atë çfarë ndëshkimet kishin për qëllim t’ia ndalonin. Me t’u provuar, ndëshkimet dhe vuajtja bëjnë të mundur ushtrimin e të ligës që dikur e kishin ndaluar. Po ashtu “mazohizmi” i personazhit sadist paraqitet në përfundim të ushtrimeve të tij sadiste; është klimaksi i tyre, miratimi përfundimtar i poshtërimit të tyre të lavdishëm. Libertini nuk ka frikë të trajtohet ashtu siç ai i trajton të tjerët. Dhimbja që vuan është një kënaqësi përfundimtare, jo sepse e përmbushë ndonjë nevojë për të larë gjynahe apo far ndjenje faji, por sepse e miraton pushtetin e tij të patjetërsueshëm dhe i jep një siguri sipërore. Përmes ofendimeve dhe poshtërimeve, në agonitë e dhimbjes, libertini nuk është duke larë gjynahet, por sipas fjalëve të Sade-së, “atij i bëhet zemra mal që ka shkuar aq larg sa ta meritojë një trajtim të tillë.” Ky lloj paroksizmi në personazhet e Sade-së është shumë domethënës, ngaqë do të thotë se, ashtu siç vëren Maurice Blanchot, “pavarësisht ngjashmërisë së përshkrimeve, duket gjë e drejtë t’ia akordosh Sacher-Masoch-ut atësinë e mazohizmit dhe Sade-së atë të sadizmit. Kënaqësia në poshtërim asnjëherë nuk ia ha hakun mjeshtërisë së heronjve të Sade-së; përulja i lartëson ata; emocionet si turpi, keqardhja apo dëshira për ndëshkim janë krejtësisht të panjohura për ta.”
Prandaj do të ishte e vështirë të thuhet se sadizmi shndërrohet në mazohizëm dhe anasjelltas; çfarë ngjan në të dy rastet është njëfarë efekti anësor paradoksal, njëfarë sadizmi që është rezultati komik i mazohizmit, dhe njëfarë mazohizmi që është rezultat ironik i sadizmit. Megjithatë, është shumë i dyshimtë pohimi që sadizmi i mazohistit është i njëjtë me atë të Sade-së, ose që mazohizmi i sadistit është i njëjtë me atë të Masoch-ut. Mazohisti është në gjendje të shndërrohet në sadist përmes larjes së gjynaheve, kurse sadisti në mazohist me kushtin që nuk lan gjynahet. Nëse ekzistencën e saj ngutemi ta marrim si të mirëqenë, njësia sadomazohiste rrezikon të shndërrohet në sindrom të vrazhdë që dështon t’i përmbushë kërkesat e simptomatologjisë së vërtetë. Ajo më shumë bie në kategorinë e çrregullimeve të lartpërmendura të cilat janë koherente vetëm në dukje dhe të cilat duhet të zbërthehen në njësi klinike të veçanta. Nuk duhet ta trajtojmë problemin e simptomatologjisë aq përciptazi. Nganjëherë është e nevojshme të rifillojmë nga hiçi dhe ta zbërthejmë një sindrom që turbullon dhe bashkon arbitrarisht simptoma krejtësisht të ndryshme. Së këndejmi vjen propozimi ynë se Masoch-u ka qenë mjek klinik edhe më i zoti se Sade, ngase ai ofroi sqarime dhe kuptime që ndihmojnë të zbërthyerit e harmonisë së rreme sadomazohiste.
Besimi në këtë harmoni është në një masë të madhe pasojë e keqkuptimeve dhe arsyetimit shkel-e-shko. Mund të duket evidente që sadisti dhe mazohisti janë paracaktuar të puqen. Fakti se njërit i pëlqen shkaktimi e tjetrit vuajtja e dhimbjes duket provë aq e fuqishme e përputhshmërisë së tyre saqë do të ishte zhgënjyese po qe se kjo puqje nuk do të ndodhte. Një batutë popullore e tregon takimin e sadistit me mazohistin; mazohisti thotë: “Lëndomë.” Sadisti i përgjigjet: “Jo.” Kjo është një batutë shumë e trashë jo vetëm ngaqë është jo reale, por ngaqë pretendon marrëzisht se ka kompetencë të japë gjykim për botën e perversioneve. Është jo reale sepse një sadist i vërtetë kurrë nuk do të mund ta toleronte viktimën mazohiste (një prej viktimave të murgut në Justine shpjegon: “Ata duan të jenë të sigurt që krimet e tyre shkaktojnë derdhje lotësh; ata do ta largonin cilëndo vajzë që do të vinte aty me vullnetin e saj.”) As mazohisti nuk do ta toleronte një torturues vërtet sadist. Sigurisht se ai kërkon një “natyrë” të veçantë të torturueses, por ai ka nevojë ta mbrujë këtë natyrë, ta edukojë dhe ta bindë në përputhje me projektin e tij të fshehtë, i cili nuk do të mund të përmbushej kurrë me një sadiste. Wanda Sacher-Masoch-u nuk do të duhej të befasohej që Sacher-Masoch-u dështoi t’i përgjigjej njërës prej shoqeve të tyre sadiste; përkundrazi, kritikët e kishin gabim të dyshonin se Wanda po gënjente ngase ishte paraqitur me një imazh paksa të pafajshëm të vetvetes, sado me dinakëri dhe në mënyrë të ngathët. Personazhet sadiste sigurisht se luajnë një rol në situatën mazohiste si të tërë dhe, siç do të shohim, romanet e Masoch-ut ofrojnë plot shembuj të tillë. Mirëpo, roli i tyre nuk është asnjëherë i drejtpërdrejtë, dhe ai bëhet i rëndësishëm vetëm në kontekst të situatës që i paraprin paraqitjes së tyre. Torturuesja e sheh me dyshim sadistin i cili propozon ta ndihmojë, sikur ta ketë ndier paraprakisht papajtueshmërinë e synimeve të tyre përkatëse. Te Peshkatari i Shpirtrave [The Fisher of Souls], personazhi kryesor Dragomira ia shpreh këtë ndjenjë kontit mizor Boguslav Soltyk, i cili beson se ajo është sadiste dhe mizore: “Ti i bën njerëzit të vuajnë nga mizoria, kurse unë ndëshkoj dhe vras në emër të Zotit, pa mëshirë, por edhe pa urrejtje.”
Seç kemi prirje ta injorojmë këtë dallim kaq të qartë. Torturuesja e mazohizmit nuk mund të jetë sadiste pikërisht sepse ajo është në situatën mazohiste, ajo është pjesë përbërëse e saj, është përmbushje e situatës mazohiste. Ajo i përket botës mazohiste, jo në kuptimin që ajo ka të njëjtat shije si viktima e saj, por ngaqë “sadizmi” i saj është i llojit që nuk gjendet kurrë te sadisti; është me një fjalë si kopja ose pasqyrimi i mazohizmit. E njëjta vlen për sadizmin. Viktima nuk mund të jetë mazohiste, jo thjesht ngaqë libertina do të bezdisej në rast se viktima do të përjetonte kënaqësi, por ngaqë viktima e sadistit i përket krejtësisht botës së sadizmit si pjesë përbërëse e situatës sadiste. Në një mënyrë të çuditshme, ajo është homologia e torturueses sadiste (në dy veprat e mëdha të Sade-së, të cilat janë pasqyrime të njëra-tjetrës, Juliette-a dhe Justine-a, vajza e shthurur dhe vajza e virtytshme, janë motra). Sadizmi dhe mazohizmi ngatërrohen kur trajtohen si njësi abstrakte, secila ndaras prej universit të tyre të posaçëm. Me t’u shkëputur prej Umwelt-it të tyre dhe me t’u zhveshur prej mishit dhe gjakut, duket krejt e natyrshme që ata të përshtaten me njëri-tjetrin.
Kjo nuk do të thotë që viktima e sadistit është vetë sadiste, as që torturuesi i mazohizmit është mazohist. Mirëpo, po aq e papranueshme është pikëpamja e Krafft-Ebing-ut sipas së cilës torturuesi i Masoch-ut është o sadist i vërtetë o përndryshe shtiret si i tillë. Sipas mendimit tonë torturuesja i përket krejtësisht mazohizmit; pa dyshim se ajo nuk është personazh mazohist, mirëpo ajo është një element i pastër i mazohizmit. Duke veçuar subjektin (personin) dhe elementin (thelbin) brenda perversionit, jemi në gjendje të kuptojmë se si mund ta shmangë një person fatin e tij subjektiv, por vetëm pjesërisht, duke luajtur rolin e një elementi në një situatë që ka zgjedhur vetë. Torturuesja arratiset prej mazohizmit të saj duke marrë përsipër rolin aktiv në situatën mazohiste. Është gabim të mendohet se ajo është sadiste apo se shtiret ashtu. Nuk duhet të kujtojmë se është çështje fati takimi i mazohistit me sadistin. Secilit subjekt në perversion i duhet vetëm “elementi” i të njëjtit perversion dhe jo një subjekt i perversionit tjetër. Kurdo që tipi i torturueses shquhet në situatën mazohiste, bëhet e qartë se ajo nuk është as sadiste e vërtetë as pseudosadiste, por diçka krejt tjetër. Ç’është e vërteta, ajo i përket në thelb mazohizmit, por pa e përmbushur atë si subjekt; në vend të kësaj, ajo mishëron elementin e “të shkaktuarit të dhimbjes” në një situatë ekskluzivisht mazohiste. Masoch-u dhe personazhet e tij janë papushim në kërkim të një “natyre” të posaçme dhe jashtëzakonisht të rrallë femërore. Subjekti në mazohizëm ka nevojë për njëfarë “thelbi” të mazohizmit të trupëzuar në natyrën e gruas që heq dorë prej mazohizmit të saj subjektiv; ai sigurisht se nuk ka nevojë për një subjekt tjetër, d.m.th. një subjekt sadist.
Pa dyshim se termi sadomazohizëm nuk nënkupton thjesht një ngjarje të jashtme të takimit të dy personave. Megjithëkëtë, çështja e takimit shpesh mbijeton [si temë] qoftë edhe në formën e një “shakaje të hollë” që pluskon në pavetëdije. Kur Freud-i trajtoi dhe riformuloi çështjen e sadomazohizmit, ai filloi me arsyetimin se sadomazohizmi vepron përbrenda një dhe të vetmit individ, që përfshin instinkte dhe shtysa të ndryshme: “Një person që ndien kënaqësi në të shkaktuarit dhimbje ndaj dikujt tjetër në marrëdhënie seksuale është gjithashtu i aftë të ndiejë kënaqësi në çdo dhimbje që ai vetë mund ta përftojë prej marrëdhënieve seksuale. Sadisti është gjithmonë njëkohësisht mazohist, ndonëse ai mund ta ketë më fort të zhvilluar në vete ose aspektin aktiv ose atë pasiv të perversionit e cila mund të jetë forma e tij mbizotëruese seksuale.” Gjykimi i dytë është se ka një identitet të përvojës: sadisti, si i tillë, është në gjendje të ndiejë kënaqësi në të shkaktuarit e dhimbjes vetëm sepse në të kaluarën ai ka përjetuar një lidhje mes kënaqësisë së tij dhe dhimbjes që ka ndier. Ky argument është edhe më interesant ngase shtrohet në pikëpamjen e tezës së parë të Freud-it, ku sadizmi i paraprin mazohizmit. Mirëpo, Freud-i dallon dy tipe të sadizmit: i pari është krejtësisht agresiv dhe synon vetëm dominimin; i dyti është hedonist dhe synon të prodhuarit e dhimbjes tetë tjerët. Përvoja mazohiste e një lidhjeje mes kënaqësisë dhe dhimbjes vetjake përket në mes këtyre dy formave të sadizmit. Sadistit nuk do t’i binte në mend kurrë të gjejë kënaqësi në dhimbjen e njerëzve të tjerë po të mos kishte përjetuar së pari vetë përvojën mazohiste të një lidhjeje mes dhimbjes dhe kënaqësisë. Prandaj modeli i parë i Freud-it është më i ndërlikuar se ç’duket dhe nënkupton sekuencën e mëposhtme: sadizmi agresiv – kthimi i sadizmit ndaj vetes – përvoja mazohiste – sadizmi hedonist (përmes projektimit dhe regresit). Vini re se marrja parasysh e identitetit të përvojës yshtet prej libertinave të Sade-së, të cilat së këndejmi i kontribuojnë idesë së një njësie sadomazohiste. Noirceuil-i shpjegon se përvoja e dhimbjes e libertinit ndërlidhet me një stimulim të “lëngut nervor” të tij; prandaj nuk është fare e habitshme që një njeriu me dhunti të tilla “t’i shkojë mendja se mund ta lëvizë objektin e kënaqësisë së tij me po ato mjete që e afektojnë atë.”
Argumenti i tretë ka të bëjë me transformimet: qëllimi është të tregojë se si instinktet seksuale kanë prirje të shkrihen në njëra-tjetrën ose të transformohen drejtpërdrejt, sa u përket qëllimeve të tyre por edhe objekteve të tyre (kthimi në të kundërtën, kthimi ndaj vetvetes). Përsëri ky argument është i çuditshëm meqë qëndrimi i Freud-it ndaj teorive të transformimit është jashtëzakonisht i përmbajtur. Në njërën anë, ai nuk beson në prirje evolucionare; në anën tjetër, dualizmi të cilin e ka mbajtur gjithnjë në teorinë e tij të instinkteve vë kufij të qartë mbi mundësinë e transformimeve, meqë sipas kësaj teorie ato nuk mund të ndodhin mes njërit grup të instinkteve dhe një tjetri. Prandaj, te Egoja dhe Idi, Freud-i refuzon shkoqur hipotezën e transformimit të drejtpërdrejtë të dashurisë në urrejtje dhe anasjelltas, për shkak se këto agjenci varen prej instinkteve të ndryshme nga pikëpamja cilësore (Erosit dhe Thanatosit). Në të vërtetë, Freud-i shfaq afri shumë më të madhe me Geoffroy Saint-Hilaire-in sesa me Darwin-in. Kur Freud-i thotë se nuk bëhemi perversë por thjesht dështojmë ta tejkalojmë fazën perverse të foshnjërisë, ai përdorë një formulë që i afrohet vërtet shumë asaj të përdorur nga Geoffroy në lidhje me të përçudshmit. Konceptet kyçe të fiksimit dhe regresit janë të së njëjtës prejardhje me teratologjinë e Geoffroy-t (të zhvillimit të pezulluar dhe prapavajtjes [degjenerimit]). Pikëpamja e Geoffroy-t përjashton të gjithë evolucionin përmes transformimit të drejtpërdrejtë: ka vetëm hierarki të tipave dhe formave të mundshme, ndërsa zhvillimi brenda kësaj hierarkie ndalon pak a shumë në një fazë të hershme, ose “retrogradimi” është pak a shumë i rëndë. Të njëjtin koncept e gjejmë te Freud-i: kombinimet e ndryshme të dy tipave të instinkteve përbëjnë një hierarki të tërë formash në të cilat mund të fiksohet individi ose në të cilat mund të prapakthehet. Është edhe më e jashtëzakonshme që në trajtimin që Freud-i u bën perversioneve duket se e pranon një sistem polimorf me mundësi të evolucionit dhe transformimit të drejtpërdrejtë, por të cilin e konsideron të papranueshëm në fushën e formimeve neurotike dhe kulturore.
Për këtë arsye, po ta shohim konceptin e njësisë sadomazohiste nga pikëpamja e argumenteve të Freud-it do të ndeshim një problem. Madje edhe nocioni i një instinkti përbërës është i rrezikshëm në këtë kontekst, meqë na bën ta injorojmë veçantinë e tipave të sjelljes seksuale. Kemi prirje të harrojmë se e gjithë energjia e disponueshme e subjektit vihet në lëvizje në shërbim të perversionit të tij të veçantë. Sadisti dhe mazohisti mund të jenë duke vënë në skenë drama të ndara, secila e plotë në vetvete, me grupe të ndryshme personazhesh dhe pa mundësi komunikimi mes tyre, as prej brenda as prej jashtë. Vetëm normalët “komunikojnë” – pak a shumë. Në sferën e perversioneve është gabim të ngatërrohen formacionet, manifestimet konkrete dhe të posaçme, me një “rrjet” abstrakt, athua se një lëndë e përbashkët libidinale rrjedhë sa në njërën formë sa në tjetrën. Na thuhet se disa individë kanë provuar kënaqësi edhe në të shkaktuarit e dhimbjes edhe në të ndierit e saj. Për më tepër, na thuhet se personi që kënaqet duke shkaktuar dhimbje përjeton në thellësinë e qenies së tij lidhjen që ekziston mes kënaqësisë dhe dhimbjes. Mirëpo çështja është në janë këto “fakte” abstraktime të pastra, në po abstraktohet lidhja kënaqësi-dhimbje prej kushteve formale konkrete mbi të cilat ngrihet. Kompleksi kënaqësi-dhimbje konsiderohet si një lloj i lëndës neutrale i përbashkët edhe për sadizmin edhe për mazohizmin. Lidhja specifikohet edhe më tej duke iu mveshur një subjekti të posaçëm, dhe pritet të përjetohet njëlloj dhe në mënyrë identike nga subjekti sadist dhe mazohist, pa marrë parasysh format konkrete prej të cilave rrjedh në secilin rast. Të pretendosh se ka një “lëndë” të përbashkët të nëntëshme që shpjegon paraprakisht të gjithë evolucionet dhe transformimet do të thotë padyshim të veprosh përmes abstraktimit. Ndonëse sadisti mund patjetër të përjetojë kënaqësi duke u lënduar, nuk do të thotë se atij i pëlqen në të njëjtën mënyrë si mazohistit; njëlloj, kënaqësia e mazohistit kur shkakton dhimbje nuk është domosdoshmërish e njëjtë me atë të sadistit. Pashmangshëm kthehemi te problemi i sindromeve: disa sindroma thjesht u mbivendosin një etiketë të përbashkët çrregullimeve krejtësisht të ndryshme. Biologjia na paralajmëron kundër pranimit të ngutshëm të ekzistencës së një zinxhiri evolucionar të pandërprerë. Fakti se dy organe janë analoge nuk do të thotë se ka një lidhje evolucionare mes tyre. Duhet të shmangim “evolucionizmin” që i rreshton në një zinxhir të vetëm rezultatet që kanë vazhdimësi të përafërt, por të cilat përfshijnë formime të patkurrshme dhe heterogjene. Syri, për shembull, mund të prodhohet në disa mënyra të pavarura, si rezultat i sekuencave të ndryshme, produkt analog i mekanizmave krejtësisht të ndryshëm. Propozimi im është që kjo është e vërtetë edhe për sadizmin dhe mazohizmin si dhe për kompleksin kënaqësi-dhimbje si gjoja organi i tyre i përbashkët. Konvergjimi i sadizmit dhe mazohizmit është në thelb vetëm konvergjim analogjish; proceset e tyre dhe formimet e tyre janë krejtësisht të ndryshme; organi i tyre i përbashkët, “syri” i tyre, sheh vëngër dhe prandaj duhet të na ngjallë dyshim.