Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Nga Spektakli Publik te Regjimet Disiplinore

Nga Spektakli Publik te Regjimet Disiplinore

Jona Bahtiri

Burgjet moderne të cilat zakonisht nuk kanë për qëllim ta prekin trupin e të burgosurve, karakterizohen me metoda përmirësimi, rregullim specifik të hapësirës, përditshmëri rutinore dhe përgjithësisht hapësira në të cilat sjellja e të burgosurve duhet të jetë konform rregullave dhe pritshmërive të paracaktuara. Karakteri i lirisë individuale është disi i vagët, përderisa të burgosurit nuk u ikin normave të përcaktuara ata kanë lirinë të bëjnë ç’të duan faktikisht. Por a ekziston liria jashtë normave në të cilat jemi të kushtëzuar?

Për dallim nga mënyrat e zakonshme të konceptimit të teknologjisë – si diçka e cila na tjetërson ontologjikisht siç presupozonte Heidegger-i, presupozim prej të cilit nisen shumica e filozofëve që kundërshtojnë teknologjinë – këndvështrimi i Foucault-së për teknologjinë na ofron mënyra të reja për të lexuar teknologjitë në saje të raportit pushtet-dije. Në veprën “Disiplinë dhe ndëshkim – lindja e burgut” përmes shembujve historik, analizës së hapësirës dhe një analize të thelluar të raporteve mes pushteteve, Foucault synon ta konkretizojë ndikimin e teknologjive disiplinuese për përndritjen e mekanizmave të ri të pushtetit. Përgjatë tërë veprës e veçanërisht në kapitujt e parë të saj, Foucault fokusohet tek një aspekt thelbësor në lindjen e këtyre mekanizmave; lindjen e institucioneve disiplinuese përgjatë reformave revolucionare të shkencës. Është interesante sesi Foucault përmes shembujve të ekzekutimeve publike paramoderne si formë ndëshkimi, në kontrast me mekanizmat modern të ndëshkimit penal kapë një moment tejet të rëndësishëm për t’u identifikuar: zhvendosjen e kthetrave të mekanizmave ndëshkues në një realitet “jo-trupor”. Përderisa në rastet e ndëshkimit paramodern vihet në pah haptazi lufta e hapur e autoritetit ndaj trupave të individëve që rrezikonin rendin shoqëror i cili përmes spektaklit të torturës kishte për synim riafirmimin e pushtetit të sovranit, në rastin e zhvendosjes së këtyre praktikave në forma të reja të manifestimit të pushtetit na shfaqet një dije e re të cilës Foucault i referohet si “teknologji politike e trupave”. Kjo teknologji nxit transformimin e atyre praktikave të bujshme të ndëshkimit në ato të disiplinimit që kanë qëllim rregullimin e sjelljeve dhe trupave të individëve, krijimin e normave mbi ta dhe ekzaminimin e tyre. Rrjedhimisht, thelbi i dënimit penal nuk është më ndëshkimi por përmirësimi i të dënuarit. Në gjykimin penal pushteti ndahet në funksionarë të shumtë që tashmë përveç dënimit synojnë ekzaminimin e shpirtit të kriminelit dhe përmirësimin apo edhe shërimin e tij. “Ajo që duhet të largojë njerëzit nga krimi nuk është tashmë pamja e teatrit të mizorisë, porse siguria se dënimi është i pashmangshëm” (Foucault, 2005).

Por a mund të themi se këto praktika të reja të pushtetit të këtij realiteti “jo-trupor” nuk kanë ndikim në trupat tonë? Kjo është dilema që parashtron Foucault dhe përgjatë tërë veprës argumenton se si faktikisht disiplina vepron kryesisht në trup, trupi trajtohet si një objekt për t’u analizuar e ndarë në pjesët përbërëse të tij e me këtë logjikë disiplina përshkon poashtu të gjitha indet e trupit social.

Ajo që konsiderohet se është tejet e rëndësishme për t’u kapur, se pse Foucault e sheh të nevojshëm një “gjurmim” të tillë historik është qëndrimi i tij ndaj relacionit pushtet-dije i cili na shpaloset në konceptin e aparatusit. Sipas Foucault-së, pushteti dhe dija implikojnë drejtpërsëdrejti njëri tjetrën, në pikëpamjen e Foucault-së dija në vetvete nuk është objektive por e formësuar nga dinamikat e pushtetit, disa forma të njohurive janë të privilegjuara ndërsa të tjera janë të margjinalizuara, ndërsa prodhimi i njohurive shërben për të përforcuar strukturat veçse ekzistuese. Strukturat konceptuale janë të përcaktuara historikisht dhe rrjedhimisht konstrukte sociale të cilat mund edhe të çndërtohen dhe të dekonstruktohen. Duhet të theksohet se Foucault pushtetin si te tillë nuk e sheh thjesht si forcë represive, por argumenton se pushteti operon përmes teknikave dhe diskurseve që formësojnë norma shoqërore, institucione dhe individë.

Ai e sheh pushtetin si gjenerues, jo thjesht si diçka të imponuar “nga lart”, pushteti, sipas tij, prodhon dhe mbështet forma të njohjeve e njohurive, disiplinon individët dhe krijon rendin shoqëror përmes teknikave si mbikëqyrja, klasifikimi dhe normalizimi, dhe kështu, njëkohësisht, dija nuk është e ndarë nga pushteti, por e ngulitur brenda marrëdhënieve të pushtetit. Pushteti vepron duke prodhuar dhe kontrolluar njohuritë, ndërsa dija shërben si mjet për të ushtruar pushtetin. Foucault ishte i vetëdijshëm për ndërtimin kompleks të pushtetit dhe në leximin e studimit të Foucault-së pushteti duhet parë si i tillë, këtë qartazi ai na pohon duke shpjeguar si “marrëdhëniet e pushtetit nuk janë univoke, por kalojnë në pika të panumërta përplasjesh, vatra paqëndrueshmërie që bartin secila konflikte, luftëra dhe përmbysje, së paku kalimtare të raportit të forcave (Foucault, 2005, p. 29)”, duke shtuar se “studimi i kësaj mikrofizike kërkon që pushteti i ushtruar të mos shihet si pronë apo veti, por si strategji.”

Sa i përket konceptit të aparatusit, megjithëse është koncept bosht i tij, Foucault nuk dha definicion strikt mbi atë se çka është aparatusi, por në përdorimin e këtij termi na shfaqet një konsistencë që mbështetet në qëndrimet e Foucault-së për raportin pushtet-dije. Ndoshta një definicion më të kapshëm për atë se ç’është aparatusi mund ta gjejmë në esenë e Giorgio Agambenit “What is An Apparatus”. Aparatusi konsiston në një set heterogjen që instalon të gjithë regjistrat diskursiv, institucionet, ligjet, propozicionet shkencore e qëndrimet morale e filozofike… Aparatusi vetë është rrjetëzimi i themeluar nëpërmjet këtyre elementeve. Ai ka funksion strategjik dominues, dhe me këtë nënkuptojmë se po flasim për relacione forcash konkrete, racionale dhe intervenuese të pushtetit. Një aspekt tjetër përmbledhës që duhet potencuar për aparatusët është karakteri determinues i tyre: brenda aparatusit të gjitha elementet e lartpërmendura janë të shtëpizuara por përbrenda këtyre relatave.

Përgjatë kapitujsh investigimi në mënyra konkrete se si aparatusët veprojnë përbrenda relacioneve,  mekanizmave dhe roleve të pushtetit, Foucault ndalet tek manifestimi i pushteteve në hapësirë dhe veçanërisht i kushton rëndësi Panoptikonit, projekt arkitekturor i sugjeruar për burgun, nga Jeremy Bentham. Ideja e Bentham për këtë dizajnim burgu paraqitej në formën e një kulle të lartë maja e së cilës lejonte observimin e secilit të burgosur që ndodhej në qeli, të vendosura në mënyrë që të jenë përherë transparente në sytë e vëzhguesit. Ky dizajnim poashtu ishte i dizajnuar në atë mënyrë që të burgosurit të mos ishin asnjëherë të sigurt se a janë apo nuk janë nën mbikëqyrje dhe kjo pasiguri i detyronte ata të silleshin sikurse do të silleshin po ta dinin se janë nën kontroll të vazhdueshëm. Çfarë është e rëndësishme për Foucault-në është aftësia e Bentham-it që përmes këtij dizajnimi burgu ai përvijon një model të tërë social. Nga instancat e këtyre manifestimeve të teknologjive të disiplinimit në hapësirë mund të marrim duke filluar nga ato më të dukshmet në shoqëritë bashkëkohore, si mjetet e survejimit, rregullimi i hapësirës nëpër shkolla, biblioteka, spitale e deri tek hapësirat më private në zona publike, si tualetet, dyert e të cilave nuk janë të mbyllura plotësisht në rast se individi ka nevojë të mbikëqyret. Këtu nuk na pohohet se disiplinimi qëndron faktikisht tek hapësira, por se hapësira është thjesht manifestim, mjet gjenerues i pushtetit që prodhon disiplinën përmes dijes. Njësoj siç ligjërimet janë mjet për të legjitimuar një objekt të dijes përmes radhitjes së propozicioneve, edhe hapësirat përmes radhitjes së trupave krijojnë mekanizmat disiplinues.

Si mundësi përmbyllëse konsideroj se tregimi i Jorge Luis Borges, “The Library of Babel”, ofron një analogji me konceptin e Foucault-së për aparatusin dhe panoptikonin. Ndonëse biblioteka nuk merret në mënyrë të drejtpërdrejtë si metaforë për të trajtuar teknologjitë e survejimit apo ato disiplinuese, temat e saj kanë kumbim të mekanizmave dhe implikimeve të diskutuara nga Foucault. Në tregimin e Borges-it, biblioteka e madhe, e përbërë nga një numër i pafund dhomash gjashtëkëndore të ndërlidhura, të mbushura me libra, vazhdimisht të reflektuara në pasqyra, paraqet një sistem labirint njohurish dhe mbikëqyrjeje. Biblioteka na shërben si një panoptikon metaforik, ku individët janë edhe vëzhgues edhe të vëzhguar brenda një sistemi gjithëpërfshirës. Librat e pafund simbolizojnë grumbullimin e pafund të informacionit dhe njohurive, të ngjashme me sasitë e mëdha të të dhënave të mbledhura në sistemet bashkëkohore të mbikëqyrjes. Ashtu si kulla qendrore e panoptikonit që lejon vëzhgimin e vazhdueshëm, edhe ndërlidhja e dhomave të bibliotekës nënkupton natyrën e përhapur të mbikëqyrjes ku individët janë gjithmonë subjekt ekzaminimi. Të kurthuar brenda një sistemi infinit dijesh ata që kërkojnë ta lokalizojnë dhomën brenda së cilës ndodhet libri që përmbledh gjithë të tjerët qorrazi kërkojnë “dhomën sekrete” brenda së cilës ata faktikisht janë të shtëpizuar.


Jona Bahtiri ndjek studimet për filozofi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Ky botim përkrahet nga European Endowment for Democracy (EED). Përmbajtja e tij nuk pasqyron domosdoshmërish opinionin zyrtar të EED. Përgjegjësia për informacionin dhe pikëpamjet e shprehura në këtë publikim i takon tërësisht autorit(ve).

This publication has been produced with the support of the European Endowment for Democracy (EED). Its contents do not necessarily reflect the official opinion of EED. Responsibility for the information and views expressed in this publication lies entirely with the author(s).

Shpërndaje:
1 Qershor, 2023
Artikuj të ngjashëm
Me qenë tru: Bërja e Subjektit Cerebral
Si u bë e mendueshme ideja se njerëzit në thelb janë truri i tyre? Pse duhet të konsiderohet si “kredo” dhe jo si artikulim apo rrjedhojë e një “fakti shkencor” të vërtetuar? Përmes çfarë nocionesh
Shkenca Gazmore
Këtij libri mund t’i duhet më shumë sesa një parathënie, dhe në fund prapë do të kishte hapësirë për të dyshuar nëse dikush që nuk ka kaluar nëpër përvoja të ngjashme do të mund të
Pas stuhisë
Progresi dhe marrëzia e dëlirësisë historike Në nëntorin e vonë të vitit 1939, shkrimtari i papunë hebre, Vallter Benjamin (Walter Benjamin), i cili asokohe po banonte në Paris, qe liruar nga një kamp burgimi për
Të plaguarit e rinj
Ajo mund t’mendojë se e kam harruar që kur vdiq, sa e vetmuar dhe e braktisur duhet të ndihet! Oh! Duhet vrap të shkoj e ta shoh pikërisht në këtë minutë, mezi pres të vijë
Seksi që nuk është (një)
Seksualiteti femëror gjithmonë është konceptuar në bazë të parametrave mashkullorë. Prandaj, vënia e aktit klitoral “mashkullor” aktiv kundrejt atij vaginal “femëror” pasiv, që Frojdi – si shumë të tjerë – i shihte si etapa, apo