SUPEREGO E PERSONAZHEVE
Albulena Krasniqi
Në qoftë se ideali teorik i Xhejms Xhojsit, ishte një rrëfim ku gjithçka i nënshtrohet psikologjisë së personazheve, është vështirë të injorohet ekzistenca e një tradite të tërë letrare, në të cilën veprimet synojnë të jenë “ilustrim” i personazhit, por përkundrazi, personazhet i nënshtrohen veprimit: dhe nga ana tjetër, fjala personazh dallon nga koherenca psikologjike apo nga përshkrimi i karakterit.
Pikëpamja teorike për personazhet do të kalojë në një rikrijim të teorisë për personazhin jo tradicional apo hero të tregimeve. Në tekstin e Pashkut ky rikrijim merr kuptim në disa faza të tregimit. Këto faza fillojnë në hyrje të tregimit deri tek krijimi i një ngjarjeje konstante. Në këtë pikë, ne si lexues kemi krijuar një përshtypje të leximit të parë dhe të dytë njëkohësisht për personin për të cilin rrëfehet dhe rolin e tij në ngjarjen e rrëfyer. Zhvillimi i mëtejmë i ngjarjeve dhe veprimeve të personave në tregim krijon në mënyrë relevante fazën e dytë të rikrijimit teorik me disa pikëpamje për karakterin e personave në tregim, qoftë vetëm një person apo dy persona.
Në të gjitha tregimet e Pashkut, teksti na jep hapësirë për disa ide teorike që mund t’i shfaqim si konkludime kognitive për personazhin dhe veprimin në rrëfim. Në njërën anë, krijohet hapësira për karakterin e personazhit, kurse në anën tjetër ligjërimi i tij në rrëfim apo gjatë rrëfimit. Por, ajo që krijon hipoteza jo të sigurta tek ne si lexues, është karakteri i personazheve, jo për faktin se karakteret ndryshojnë apo ndërtohen gjatë rrëfimit, por ato i vë në funksion veprimi nën ndikimin psikologjik. Sepse, rrëfimet në tregime janë të bazuara në të kaluarën, rrëfimi ndodh në kohën e tashme; ato bazohen në ëndrra dhe personazhi është ligjërues i saj, gjuha e folur e tij është jo e zakontë; të gjitha këto krijojnë mënyrën si ka zgjedhur Pashku t’i krijojë personazhet e tij dhe nga çfarë ndikohen ata në veprime dhe në të folur apo ligjërim. Ky fakt thyen traditën, sa i përket personazhit hero.
Një situatë e tillë krijohet në tregimin Xixëllonjat (1961), personazhi i të cilit shkon në luftë, por nuk kthehet. Dhe, ky krijim i situatave të tilla shpjegon qartë idenë pashkiane në lidhje me ndërtimin e personazheve, duke i ikur traditës, dhe duke u mbështetur në çështje të pa trajtuara, apo të trajtuara më pak. Lufta dhe vdekja është në njërën anë , kurse jeta e mbijetesa në anën tjetër. Dy horizonte të gjera të ndara nga një distancë e afërt me një simbolikë të përbashkët filozofike.
Ai u fut në lumë. Ujin e çante ngadalë, pa zhurmë. Pas pak s’u duk më. Nuk vonoi shumë dhe matanë, në bregun tjetër, u ndez zjarri. Qielli u mbush me fushqeta, me dritën e tyre, me ngjyrat e tyre të ndryshme. Të dukej se je në pikë të ditës. Ishte një ferr i vërtetë.
Nuk u takuan më. Kjo e kërkoi gjatë, shumë gjatë, por nuk u takuan më. (Xixëllonjat, faqe 62).
Është i qartë ndikimi i Pashkut nga shkrimet moderne dhe teknikat e shkrimtarëve modern në tregimet e tij të kësaj periudhe. Shkrimtarët më në zë për tregimet moderne, sidomos ato të shkurtra, përdorën disa teknika që i vunë ato në një rend të ri të shkrimtarëve me ide moderne. Në çështjen e ndërtimit të personazheve dhe funksionit të tyre në rrëfim, Anton Çehov, në letrën dërguar E.M.Sh Melikhovo-s, (17 nëntor, 1895), në një mënyrë jep sugjerime për mënyrën se si duhej të funksionojnë personazhet në rrëfim:
Më e mira është shmangia e përshkrimit të gjendjes shpirtërore të personazhit, duhet të provoni ta ndani nga veprimet e heroit. Nuk është i nevojshëm portretizimi i shumë personazheve. Qendra e vëmendjes duhet të jetë në dy persona: atij dhe asaj.
Si mund të jetë kjo gjendje shpirtërore e personazheve? Ato, veprojnë në mes dy gjendjeve: realitetit dhe ëndrrës, realitetit dhe kujtimeve; ky është një manipulim apo lojë pashkiane për të arritur realizimin e idesë së tij. Tregimi Anija e dehur (1964), realizohet me dy persona që kujtojnë dhe ëndërrojnë, ai dhe ky. Veprimet e tyre janë të ndara nga gjendja shpirtërore dhe kanë ndikim të madh nga ajo. Derisa profesori, rrëfen historinë e tij, veprimet e tij nuk janë të shumta, kurse kur rrëfimi kthehet në ëndërr, veprimet e tij janë të pazakonta, sepse kjo kalon përtej realitetit.
Etja më kishte rrokur. Kurse ujë, lum çuni, s’kishte… Jo, s’kishte! Në të vërtetë, e dëgjoja duke rrjedhur në lavabo. Uji rridhte, ujë kishte, por gota nën kanjelë nuk mbushej… Ah, mendova, a është e mundur kjo gjë? ( Anija e dehur, faqe 144).
Tregimi Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapelë (1964) në titull të tij asociohet objektivi i rrëfimit. Gjatë rrëfimit të tij ambienti apo hapësira është e përzier, realitet dhe ëndërr, kurse veprimet shkaktohen nga një gjendje psikike e influencuar nga e kaluara, sepse e tashmja është hapësirë për t’u rrëfyer.
Në tregimet moderne, veprat e këtij zhanri janë shquar për të ashtuquajturën manipulim me fabulën (Poe), me mendimet (Xhojs), me gjendjen shpirtërore (Çehov), me këto teknika, këta autorë kanë ndërtuar një poetikë të veçantë të krijimit dhe kanë arritur të realizojnë veprat e tyre në një stil të ri. Në tregimet e tij, Pashku kombinon me të gjitha këto teknika, por, teknika e tij i ngjan më shumë asaj të Çehovit, sepse, personazhet e tij cilësohen apo karakterizohen sipas gjendjes shpirtërore.
Në disa tregime tjera të shkurtra, manipulimi me fabulën realizohet ngjashëm si rrëfimet e Poe-s; p.sh. tregimet Një pjesë e lindjes, Klithma, Dikush trokiti ngadalë, Në stuhi, krijojnë gjendje tmerri, frike, në të njëjtën kohë krijohen idetë filozofike në bazë të rrëfimit dhe objektivit të këtyre ngjarjeve.
Në tregimin Floçka (1963), përmes iluzionit që përcjell personazhi në tregim, trajtohet tema e së paarritshmes e kombinuar me të mrekullueshmen dhe të bukurën.
Sa e madhërishme iu kishte dëftuar në ëndërr! Kurrë vashë më të bukur nuk ka parë syri i tij! (Floçka, faqe 66).
Proza moderne me qëllim të tejkalimit kohor dhe hapësinor qëndron mes së shkuarës dhe të ardhmes.
Kur kishte zënë të ngjitej nëpër atë përpjetëze- thotë përralla për të, përralla për të dhe tërë dashurinë e tij jo të rëndomtë- kishte pasë rënë terri. (Floçka, faqe 63).
Prandaj, ky tregim qysh në titull lidhet me të kaluarën, me mitet e së kaluarës dhe qëllimi i rrëfimit nuk është interpretimi i një miti të lashtë apo shpërfaqja mitologjike në një tekst, por, me këtë trajtesë, autori modern, në këtë rast Pashku, ka krijuar idenë e tij që prek kufijtë universal. Personazhi i këtij tregimi ëndërron, paramendon dhe imagjinon brenda një hapësire të natyrës, një tjetër element frymëzimi që na kujton romantizmin, por me elemente moderne. Këto elemente krijojnë një bosht ideor ku në qendrën e tij vendoset individi, mendja e tij, ëndrrat, kujtimet, e kaluara, dëshirat, dështimet.
Sytë i kishte gjithnjë kah drita. Atë tash e shihte si nëpër ag, sepse prej mundit edhe shikimi iu kishte turbulluar; por e shihte dhe në atë vend, ku ndodhej ajo, kishte vendosur të arrijë gjithsesi. Shkonte kah ajo herë barkas, herë në këmbë, por shkonte, dhe i afrohej asaj drite, e cila nuk luante nga vendi i vet. (Floçka, faqe 68).
Në këtë rast, në tekstin e Floçkës janë të renditura sipas veprimeve të personazhit në tregim, i cili, vlen të theksohet që nuk ka emër, është vetëm Ai. Sepse, për shkrimtarët modern, e rëndësishme është qenia e njeriut, vlera e tij në univers, jo roli në shoqëri apo në pushtet. Në tekstin e Pashkut për ta vënë në rolin e objektivit të rrëfimit, Floçka, mund të përfaqësojë disa qëllime njerëzore, ajo mund të jetë: vajza që dashurojmë, liria që kërkojmë, hapësira që ëndërrojmë ta jetojmë, pra mund të jetë një ëndërr e gjithsecilit. Por, kush e kërkon Floçkën? Mund ta kërkojë unë, mund ta kërkosh ti, mund ta kërkojë edhe ai tjetri në fund të botës.
Karakteristikat e tilla me të cilat ‘luan’ Pashku në tregimet e tij, i japin rol më të madh idesë për superegon e personazheve, mendjes së individit dhe influencave të tij në botën që e rrethon.
__________________________________________________________________________________
This material/production has been financed by the Swedish International Development Cooperation Agency. Responsibility for the content rests entirely with the creator. SIDA does not necessarily share the expressed views and interpretations.
Foto kredit: Pawel L. https://www.pexels.com