Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Teatri i vërtetë i kohërave moderne

Teatri i vërtetë i kohërave moderne

Alban Goranci

Natyra njerëzore është një mozaik kompleks, i ndërtuar nga disa faktorë qenësor siç janë: kujtesa, emocionet, perceptimet, motivet, mendimet, ndijimet, reagimet. Të gjitha këto komponente janë të ngjizura qysh në krijimin e embrionit dhe si të tilla i japin autenticitet qenies sonë.[1] Secili njeri ndryshon nga njeriu tjetër, pavarësisht karakteristikave të përbashkëta që mund t’i kenë, andaj diversiteti është një vlerë e veçantë e cila i ka dhënë dimension të jashtëzakonshëm ekzistencës së njerëzve nëpërmes lindjes së mendjeve krijuese, që e kanë pasuruar jetën tonë me shpikje të shumta. Përveç shkencës me rolin e saj të pamohueshëm në zhvillimin tonë, arti në të gjitha format e tij e ka iluminuar shpirtin tonë. Në këtë ese do ndalem të flas për artin dramatik, më konkretisht për një përshtatje të teatrit modern me kohën në të cilën jetojmë, gjithmonë nga pikëpamja ime personale mbi këtë temë. 

Teatri rrjedh nga jeta e përditshme dhe nëse dikur në kohërat e lashta shprehej në formën e ritualeve që zhvilloheshin në nderim të perëndive më të rëndësishme të Greqisë së lashtë, me kohë teatri si shprehje e lartë artistike, u transformua konform periudhave në të cilat praktikohej. Veçoria e tij kryesore megjithatë, nuk humbi asnjëherë, sepse spektatori qëndroi në një linjë emocionale me aktorin në skenë, kjo në kuptimin e bashkëndjesisë, përjetimit të drejtpërdrejt dhe njohjes së detajuar të personazhit: peripecitë e tij, vuajtjet, gëzimet, hidhërimet, dashuritë, mendimet e liga, etj. Shkenca e cila ka një lidhje fundamentale me artin dramatik, më konkretisht me aktorin, është Psikologjia. Duke e njohur atë, ne i kuptojmë më saktësisht tiparet dalluese e ndërtuese të aktorit, si një person i gjallë në skenë, e jo thjesht sikur një performues që hipnotizon spektatorin me një sërë truqesh e teknika mashtrimi, vetëm e vetëm për të ngjallur një argëtim pa kuptim. 

Bertolt Brecht, një praktikues teatri me një stad të lartë te mendimit kritik, solli një frymë e filozofi të re sa i përket domethënies dhe funksionit të teatrit. Shtylla qendrore e mendimit të tij ishte se “teatri është një riprodhim në tablo të gjalla të disa ngjarjeve reale ose të trilluara, në të cilat shtjellohen marrëdhëniet reciproke të njerëzve, një prodhim që ka për qëllim zbavitjen”[2]. Pra baza kryesore është te dhënia e kënaqësisë. Publiku është krejtësisht i çliruar nga tensioni emocional, apo iluzioni se ajo që po ngjanë në skenë është ngjarje e vërtetë. Sipas tij, spektatori i pranishëm në sallë duhet të jetë i vetëdijshëm se shfaqja është lojë, zbavitje që shërben si mjet kënaqësie për ta. Filozofia e tij konsistonte në “aktin e paraqitjes”[3], e kundërta e “aktit të përjetimit” të Stanislavskit. Nëse Stanislavski thoshte se aktori duhet të mishërohet me personazhin që e interpreton në skenë, duke bërë që spektatori për një fragment të caktuar kohor, të krijojë përshtypjen se ajo që po ndodhë në skenë është e vërtetë, Brecht e thotë të kundërtën, pra aktori thjesht duhet t’i paraqesë para publikut mendimet e personazhit, duke evituar tërësisht anën emocionale.[4] E gjitha kjo krijon një distancë të spektatorëve kundrejt aktorëve, por lind mendimi kritik personal mbi veprën e personazhet, raportet dhe marrëdhëniet e personazheve, motivet e veprimeve të tyre etj.

Filozofia e Brechtit për teatrin ndryshon tërësisht nga idetë e praktikuesve të tjerë të teatrit si: Jerzy Grotovski, Konstantin Stanislavski, Antonin Artaud, Stella Adler, Lee Strasberg etj. Këndvështrimi i tij është i qartë dhe i bazuar në shumë argumente legjitime dhe si i tillë është pranuar nga shumë profesionistë të fushës. Mendimi im personal mbi konceptin e Brechtit, ka të bëjë me një dimension përtej artit dramatik, me një lidhje të ngushtë me mënyrën e jetesës sonë dhe sjelljen e njerëzve të kohërave moderne. Unë si aktor që kam interpretuar vepra dramaturgjike të punuara në sisteme të ndryshme teatrore, mes tjerash edhe nga Brechti, mund të them me ironi se loja false dhe e karikuar e aktorëve, ngjanë me sjelljen dhe veprimet e një pjesë të mirë të njerëzve nga përditshmëria ime, prandaj unë kam vendosur ta quaj filozofinë e tij si- “Teatri i vërtetë i kohërave moderne”, paçka se Brechti nuk e shtrin idenë e tij përtej konturave të teatrit.

Ftohtësia e njerëzve në aspektin emocional, për mua është mëse evidente. Sot ndjej se te shumica e njerëzve është pakësuar empatia, për shkak se është rritur egoja, kjo edhe nga një mendësi kolektive që koha është e atillë që njeriu duhet të mendojë vetëm për vete. Puna, paraja, arritja e suksesit pa zgjedhur mjete, janë shtresuar thellë në qenien tonë, duke lënë pas anën shpirtërore, ndjenjat, dashamirësinë, bujarinë e dinjitetin. Një tendencë në rritje është edhe dëshira e njerëzve për t’u dukur si dikush tjetër, qoftë nga fiziku, por edhe nga sjelljet e veprimet. Origjinaliteti është zëvendësuar me “kopjet e këqija” dhe në momentin që kopjet e tilla bëhen bashkë dhe fillojnë të diskutojnë për tema të ndryshme, formojnë atë teatrin e tyre të absurdit. Natyrisht se ky është një perceptim i imi rreth shoqërisë së ditëve tona dhe nuk mund të pretendoj se kam ardhur në këtë përfundim nga ndonjë studim shkencor i stërholluar, por nga observimi im i nxitur edhe nga defekti profesional i aktorit.

Është gabim të pretendoj se trendet e lartëcekura u takojnë vetëm ditëve tona, sepse egocentrizmi i mbështjellë me kore të trasha të pushtetit ka qene karakteristikë e shumë individëve në të kaluarën. Shoqëria ndër vite i është nënshtruar zhvillimit të teknologjisë, aparaturave si: televizioni, radio, interneti, të cilat me gamën e gjerë të informacioneve herë të errëta e të pafiltruara, pjesën e pamjeve që jo gjithmonë janë të këndshme, kanë ndikuar negativisht te njerëzit, ndonëse të gjitha këto mjete informimi po të përdoren për mirë do shpërfaqin anën e mirë të secilit prej nesh. Nevoja për vëmendje e ushqyer nga konsumi i botës virtuale, tendenca “për t’u dukur” në vend se “për të qenë” dhe babëzia në rritje si rezultat i ndryshimeve nga një sistem shoqëror e politik në një sistem tjetër, ku në veçanti spikatet kapitalizmi i egër, shpjegojnë më së miri distancimin e njerëzve mes vete, ftohtësinë që përshkon raportet shoqërore të lidhura kryesisht nga interesi i çfarëdolloj forme dhe privimi i vetvetes për të qenë origjinal në jetë. Nga ana tjetër ndjenja më e fortë që ka njeriu, dashuria, ka qenë subjekt i shumë autorëve- dramaturgëve botëror, njëri prej tyre është edhe dramaturgu i madh William Shakespeare, i cili ka shkruar vepra të shumta duke vënë në fokus dashurinë, të shtjelluar në variante të ndryshme, herë në një prizëm më romantik e komik, e herë në atë tragjik. Shakespeare ishte frymëzuar nga rrëfime e histori të së shkuarës, por edhe nga ato të ditëve të tij. Pavarësisht vrazhdësisë së kohës dhe praktikave mizore të keqtrajtimit të njerëzve, ishte një ndjenjë e fuqishme, nuk e di nëse mund ta emërtoj si “magjike”, që mbretëronte në secilën periudhë të së shkuarës.

Të kthehemi përsëri te një hemisferë tjetër e filozofisë së Bertolt Brecht, për të cilën mendoj se nuk përputhet me mendimet e mia që i kam parashtruar deri më tash. Ai thoshte se aktorët janë të gjithë të njëjtë dhe për të nuk ekzistonin aktorët “yje”, ku gjithçka sillet rreth tyre. Kur jemi te ndërtimi i rolit, Brecht nuk e hidhte poshtë artin e përjetimit, pra sipas tij aktori fillimisht duhet ta përjetojë rolin me të gjitha emocionet e ndjesitë e gjalla dhe më pas kur ta krijojë figurën e saktë të personazhit, të gjitha emocionet e ndjesitë t’i shfaqë në formë mekanike apo të ftohtë, që përfundimisht të dominojnë mendimet e personazhit[5]. Këto pika të konceptit të tij nuk përputhen me ato që unë kam shkruar më lartë, por sa u përket elementeve të tjera unë gjej shumë ngjashmëri me aktualitetin.

Bertolt Brecht me konceptin e tij prek pothuajse çdo element që i takon artit skenik-teatror. Ai besonte se arti skenik evoluon me kohën dhe audienca më ndryshe e kupton një ngjarje me tematikë nga shekulli i 17, se një ngjarje nga ditët tona dhe e kundërta, spektatorët nga shekulli i 17 ndryshe do ta kuptonin një shfaqje nga ditët tona, krahasuar me një shfaqje nga ditët e tyre. Teatri i Brechtit përpos dhënies së kënaqësisë, synonte në masë të madhe ngritjen intelektuale të individit, fuqizimin e mendimit kritik e analitik dhe thyerjen e standardeve të përgjithshme, kolektive të shoqërisë njerëzore. Qëndrimet e Brechtit shkojnë fiks me kohën kur ai ka jetuar dhe vepruar. Ato përmbajnë një arsyetim të fortë logjik që përputhet me epokën e re që po lindte dhe duhet cekur se ai thjesht po bënte një analogji mes teatrit dhe realitetit ekzistues, pa i dhënë ndonjë ngjyrim negativ. Eseja ime ka të bëjë me pikëpamjen time personale për një fraksion të idesë së tij të përgjithshme, pra më shumë me aktorin e Brechtit dhe simetrinë që ai ka me njeriun e shoqërinë moderne, cikli i së cilës sipas mendimit tim ka filluar nga gjysma e parë e shekullit të 20 e vazhdon deri në këto ditë që po jetojmë.

“Zhvillimet në teatër kanë ardhur si shkak i ndryshimeve sociale, estetike e politike”[6]. Unë besoj se personalitete të reja, më një formim e përgatitje të sofistikuar artistike e intelektuale, do të shpikin ide inovative për teatër, koherente me kohën, që mund të përplasen edhe me idetë e vjetra dhe nga ky ballafaqim i shëndetshëm, mund të ngrihet edhe më tej kualiteti i artit skenik.


Alban Goranci është aktor i diplomuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe ka studiuar Komunikim Masiv dhe Gazetari në Kolegjin AAB. Aktualisht është i angazhuar si aktor i pavarur në teatër, film dhe produkte televizive.

[1] Psikologjia 11-  Pajazit Nushi, Neki Juniku, Dashamir Bërxulli, Shtëpia botuese Libri Shkollor, Prishtinë 2019, fq. 167

[2] Dialektika në Teatër- Bertolt Brecht, Rilindja Redaksia e Botimeve, Prishtinë 1973, fq 45

[3] Dialektika në Teatër- Bertolt Brecht, Rilindja Redaksia e Botimeve, Prishtinë 1973, fq 43

[4] https://www.epokaere.com/teatri-epik-brehtit/

[5] Daring to Play a Brecht Companion- Manfred Wekwerth, Routledge, New York 2011, fq. 27

[6] The Art of Theater- James R. Hamilton, Blackwell Publishing Ltd, New Jersey2007, fq. 3, 4

Shpërndaje:
17 Mars, 2022

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

Artikuj të ngjashëm