Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Uverturë në teorinë e zhurmës

Uverturë në teorinë e zhurmës

Zjarr Bujari

Zhurma në kuptimin vernekular të fjalës, është gjithmonë e keqe. Zhurma e shoqëron çdo manifestim të jetës sonë.[1] Ajo çka unë do të tentoj të elaboroj këtu, është se zhurma është shumë më shumë se “e keqe”.

Së pari do të bëj dallim në mes të dëgjuarit dhe të ndierit. Ky dallim është thelbësor sepse përnjëherë na e jep një ide të përgjithshme të temës së diskutimit. Pastaj do të flas për rëndësinë e zhurmës në përdorimin dhe krijimin e pushtetit. Do të shohim se si Attali flet për tingullin si një mjet të pushtetit. Gjithashtu do të flasim për muzikantin, i cili në të njëjtën kohë është ai që e luan muzikën dhe ai që e profetizon atë. Muzika sipas Attalit është e lidhur ngushtë me ritualin e sakrificës, lidhje në të cilën njëra e bën tjetrën. Pra muzika është shndërruar në një komoditet i cili dita ditës po bëhet edhe më i përhapur dhe më lehtë i qasshëm. Sot unë dëgjoj muzikë në telefon, në kompjuter, në internet apo në hard disqet e mija të mbushur plot e përplot me muzikë. Është heshtja ajo çka neve po na ikë ditëve të sotme. Natyra është e qetë, por ne jemi të zhurmshëm.

I: Zhurma: Të Dëgjuarit

“… kur Brian Eno e aplikoi termin “muzikë e ambientit” në aktivitetet e tij, ai e ndërroi theksimin prej të bërit muzikë drejt të fokusuarit në aktin e të dëgjuarit” [2]

David Toop, Ocean of Sound

Kur flasim për muzikën, zhurmën dhe heshtjen, sigurisht që duhet të shqyrtohet edhe të dëgjuarit. “‘Të dëgjosh do mund,’ Igor Stravinsky thotë, ‘ ndërsa vetëm të ndiesh nuk është punë e madhe. Edhe rosaku ndien.’”[3]. Pra ne kemi të bëjmë me të dëgjuarit aktiv, dhe jo vetëm me të ndierit shqisor e pasiv. Por pse të dëgjuarit mund të ketë kaq shumë rëndësi? Jacques Attali konsideron se kultura perëndimore e ka keqkuptuar të njohurit e botës, sepse në fakt, ajo nuk konsiston në atë çka shihet-lexohet, por në të dëgjuarit. Mund të themi se të dëgjuarit është madje përvoja e parë e njeriut me botën. Jeta padyshim fillon me të dëgjuarit e tingujve. Ta marrim shembullin e foshnjave paranatale dhe përplasjen e tyre të parë me botën, që sipas Sloterdijk është e dyfishtë:”… : së pari, tingujt e zemrës së nënës që vendosin tempon e rrahjeve ekzistenciale si një ritëm konstant i përsëritshëm; dhe, së dyti, zëri i saj që prodhon prozë të lirë që e ngjizë veshin foshnjor me një dialekt melodik”.

Edhe pse sipas filozofit antik Heraklitit “Sytë janë dëshmitarë më të sigurt se veshët”[4], veshët janë dëshmitarët e parë, dhe mund të jenë të sigurt vetëm për ata që dinë çka dhe si të dëgjojnë. Por dëgjimi shpesh herë del të jetë aktivitet i vështirë, madje ndoshta edhe më i vështirë se shikimi. Dëgjimi është, mbase gjithmonë, nën ndikimin e një force sonike të cilën Attali e quan zhurmë, e cila është e dhunshme dhe e cila pengon. Don Ihde na jep një shembull shume të bukur për ndikimin e zhurmës në të dëgjuarit: “Për shembull, paramendoni një dhomë të ditës ku një altoparlant po luan muzikë. Fillimisht, duke u munduar të koncentrohemi sa me veçanërisht në muzikë, në bëhemi të vetëdijshëm se një shumësi e zhurmave të tjera na pengojnë në këtë përpjekje. Vetë kjo përpjekje e jona i bën zhurmat të dalin në pah në atë mënyrë, sa që prej prezencës së tyre të rëndomtë, më parë kuptojmë se ato kanë qenë gjithmonë aty. Fokusi i vëmendjes mbi muzikën i bën zhurmat tjera të dalin si shpërqendrime — por ato edhe bien në sy shumë më shumë. Në përpjekje për ta dëgjuar vetë muzikën, ne bëhemi më shumë të ndjeshëm ndaj zhurmave. Si puristë, çdo hutim i vogël del në pah, çdo gërvishtje, çdo zhurmë e jashtme e shtrembëron muzikën”[5] Pra krejt kjo ndërhyrje e dhunshme e bën më të vështirë dëgjimin, dhe sa më shumë që mundohemi të koncentrohemi në muzikë, aq më shumë vërejmë zhurmën përreth. Por Ihde e vlerëson këtë koncentrim si: “Vëmendje-drejtimi i koncentruar i të dëgjuarit është një gjest drejt heshtjes”. Po kjo zhurmë nuk mund të themi se është krejt e panevojshme dhe keqbërëse. Attali, i jep rëndësi të dyfishtë zhurmës, edhe si njëfarë lloj hypokeimenon-i[6] pa të cilin “…asgjë esenciale nuk ndodhë”[7], por edhe si çrregullim dhe ndotje që ndërhyn dhe shkatërron. “Zhurma është e pakuptimtë: mungesë e kuptimit, ndërhyrje në kuptim, ose fryrje e kuptimit përtej pikës së kuptueshmërisë”[8]. Zhurma, i paraqitet vetëm shqisës së dëgjimit, si ngacmim ndërhyrës por në të njëjtën kohë është ajo çka neve na bën të mendojmë për tingullin, dhe të shpresojmë për qetësi.

Mirëpo le të kthehemi tek foshnjat paranatale të Sloterdijk-ut për të cilat folëm më lartë. Në mitrën e ngrohtë nën muzikën e zemrës dhe zërit të nënës, gjithçka është e lehtë. Po çka ndodhë kur foshnja del nga barku i nënës? Këtu është përballja e parë pas-muzikore (pa muzikë) me botën e jashtme, e cila është e tejmbushur me zhurmë “… për njerëzit, prej momentit të parë, të qenit në botë përfshin kërkesën e paarsyeshme që ne të vazhdojmë pa vazhdimësinë sonike të asaj intimacie të parë”[9]. Pra të qenit në botë është gjithmonë ikja nga zhurma dhe dëshira e pashtershme për t’iu kthyer asaj lidhjes së parë me muzikën. Për më tepër, mund të themi se bota është vetë zhurma, dhe Geworfenheit-i i Heidegger-it është të hedhurit në zhurmë.

1.1: A thua ka pushtet tingulli? Noise Control

“Të dëgjuarit e muzikës është të dëgjuarit e krejt zhurmës, duke kuptuar se përvetësimi dhe kontrolli janë refleksione të pushtetit, dhe që në thelb është politik”[10].

Siç e kam përmendur në hyrje, tingujt kanë ndikim të madh në shoqëritë tona. Ata shpeshherë i paraprijnë dhe janë lajmëtarë të shoqërisë njerëzore. Siç e pohon shumë thjeshtë Jacques Attali: “Rëndësia madhore e muzikës për lajmërimin e një vizioni të botës nuk është asgjë e re”.[11] Pra në njëfarë mënyre, muzika mund të quhet edhe profeci. “Me zhurmën lind çrregullimi dhe e kundërta: bota. Me muzikën lind pushteti dhe e kundërta: subverzioni. Në zhurmë mund të lexohen kodet e jetës, relacionet në mes njerëzve”[12]. Muzika dhe zhurma jo vetëm se na ndikojnë shoqërinë në përgjithësi, por edhe individin. Po prej kujt e merr tingulli tërë këtë pushtet? Prej zhurmës. Sipas Attalit, zhurma është mjaft subversive dhe kontroverse, dhe kontrollimi i saj shpërfaq pushtet. Nuk është çudi të themi se zhurma është një lloj aftësie për të heshtur të tjerët. Ajo çka kontrollimi i zhurmës tenton të bëjë është ta mirëmbajë tonalitetin tradicional, ta refuzojë abnormalen dhe t’i frikësohet të resë. Heshtja e njeriut dhe kontrollimi i zhurmës, ose specifikisht monopolizimi i zhurmës, e përzgjatë pushtetin. Në një dialog me Pierre Boulez, Foucault pohon:“Ajo çka vendoset në dispozicionin e publikut është ajo çka publiku dëgjon. Dhe çka publiku e gjen veten duke dëgjuar, atë të ofruarën, përforcon një shije të caktuar, vendos në pah limitet e një kapaciteti dëgjues të mirë-definuar, dhe definon gjithnjë e më shumë, ekskluzivisht, një skemë të të dëgjuarit”.[13] Mund të vërejmë linjën e ngjashme të mendimit në mes Foucault dhe Attali, pikërisht tek kontrolli i zhurmës dhe heshtja përmes monopolizimit të zhurmës. Attali konsideron se muzika: “është, përmes prezencës së vet, një mënyrë e komunikimit në mes njeriut dhe mjedisit të vet, një mënyrë e të shprehurit dhe kohëzgjatjes sociale, është terapeutike, kulluese, përqafuese, çliruese; është e rrënjosur në një koncipim të hollësishëm të njohurisë për trupin, në një përpjekje për ekzorcizëm përmes zhurmës dhe valles”[14]. Përveç si pushtet, ajo është edhe “pasqyrë e realitetit”[15]. Ndonëse muzika është pasqyrim i realitetit, ajo me siguri duhet ta ketë një njeri prapa, i cili e shtyn dhe e krijon atë. Kemi të bëjmë me muzikantin. Muzika, siç përmenda edhe më lartë, është edhe lajmëtare edhe krijuese – e për këtë e ka fajin kryesor muzikanti. Përmes muzikës ai e shndërron një botë të dëgjueshme në një botë të dukshme. Nietzsche tek libri “Lindja e Tragjedisë” flet gjerë e gjatë për muzikantin dhe rëndësinë e muzikës, madje ai konsideron se: “tragjedia ka lindur nga muzika”[16]. Nietzsche gjithashtu na konfirmon edhe pohimin e Attalit që muzika është lajmëtari i botës, duke thënë se: “Fjala, figura, nocioni kërkojnë të shprehen në analogji me muzikën, në këtë e sipër e ndiejnë fuqinë e saj”[17]. Tingulli para dukjes, muzika para botës dhe muzikanti para vetes.

1.2 Musicus and Cantor

“(Artisti) është në të njëjtën kohë poet, aktor dhe spektator.”[18]

Friedrich Nietzsche

Pohimi i Nietzsche-s për artistin mund të gjejë kuptim veçanërisht edhe për muzikantin. Muzikanti si krijues dhe interpretues i muzikës, është në të njëjtën kohë musicus dhe cantor. Musicus, si ai që riprodhon – shkruan, kompozon – dhe Cantor – si ai që predikon. Muzikanti këtu merr rolin e dyfishtë dhe mbase të paqartë. Ky poet, prift, lajmëtar e shaman është, njëkohësisht, edhe brenda shoqërisë, e cila e mbron dhe financon, edhe jashta saj, kur ai e kërcënon shoqërinë me vizionet (apo më mirë të themi tingujt) e tij. Po kur muzikanti bëhet aq subversiv, thotë Attali, “kur ai flet me shumë zë, atëherë pushteti e hesht”[19]. Këtu shohim edhe një këndvështrim të kontrollimit të zhurmës për të cilën fola më lartë, që është më individual, ku tanimë muzikanti është ai që kontrollohet ose kontrollon, dhe përmes këtij kontrolli bota “bëhet”. Muzikanti “dyfytyrësh” është historiani i shoqërisë, “është refleksioni i vlerave shoqërore më të thella. Ai në të njëjtën kohë flet edhe për shoqërinë, edhe kundër saj”.[20] Zhurma kanalizohet përmes muzikantit, i cili është ai që zhurmon dhe jehon, jehona e të cilit shpeshherë nuk kuptohet fare, gjë që s’është çudi duke e marrë parasysh edhe Cristoph Cox kur thotë se “Noise is nonsense” [Zhurma është e pakuptimtë][21]. Por edhe pse themi se ajo është e pakuptimtë, gjithsesi ajo në anën tjetër interpretohet si: “whereas this noise communicated to the faculties is generally suppressed as interference, it is actually the very ground of the thought of sound” [ndërsa kjo zhurmë që u komunikohet kapaciteteve/fakulteteve përgjithësisht ndrydhet si ndërhyrje, në fakt është vetë baza e mendimit të tingullit]. Po ky i njëjti muzikant është ai që e shpreh pikëllimin e tij nëpërmjet zhurmës. Zhurma jehon. Në mes kësaj zhurme dhe heshtjeje, Attali konsideron se është muzika.

Muzika si mjet i pushtetit ka tre përdorime: “T’i bëjë njerëzit të Harrojnë, të Besojnë, të Heshtin.”[22]. Të harrojnë dhunën e përgjithshme, të besojnë në një harmoni dhe rregull të premtuar, dhe të heshtin dhe t’u mbyllet goja – kontrolli i zhurmës. Në këto tri raste, muzika është mjet i pushtetit.

II: Muzika si simulakrum i sakrificës

“Në paradën e Karnavalit, muzikanti, tragjik dhe shqetësues në maskën që e shpërfytyron, qëndron në mesin e njerëzve duke luajtur me zarë. Harmoni dhe Disonancë. Rregull dhe Trazirë”[23].

Attali po flet për një pikturë të Brueghel[24], e cila është edhe në kopertinën e librit Noise: The Political Economy of Music. Këtu shohim si muzikanti është gjithmonë ai i veçueshmi në mesin e njerëzve të rëndomtë dhe e bën të dëgjueshëm një meditim mbi zhurmën e konflikteve njerëzore. Vlen të theksohet se kjo vepër e Brueghel është pikturuar tre shekuj pasi kisha e ndalon muzikantin “zhongler” amator të atyre kohëve në mbledhi të kishës dhe ditë të shenjta[25], sepse tashmë kisha e kishte monopolizuar muzikën e saj dhe profesionalizuar atë, dhe si pasojë këtu bëhet ndarja në mes të muzikës profesionale dhe asaj amatore të rrugës. Muzikanti zhongler gjithsesi nuk zhduket po pëson një metamorfozë ku prapë si kontrovers që është, gjendet gjithkund, edhe në mbledhi serioze, edhe në festivale të rëndomta të fshatarëve. Attali në stilin arkeologjik të filozofit francez Michel Foucault, shumë bukur e gjen një përshkrim intrigues të një zhongleri të atëhershëm të kthyer në minstrel (ministër në kuptimin tekstual të fjalës, po që në këtë kontekst merr kuptimin e shndërrimit të muzikantit amator rrugaç në muzikant profesional të pallateve mbretërore dhe domenit kishtar) me emrin Johann Joachim Quantz[26]. Kisha mesjetare e përndjek muzikantin thotë Attali: “duke e bërë këtë dëbim në heshtje, duke i zbutur muzikantët (kontrolli i zhurmës për të cilin kam folur në 1.1), dhe duke iu imponuar zhurmat e veta. Duke filluar prej shekullit të shtatëmbëdhjetë, mekanizmat ekonomikë e thyejnë heshtjen e tyre dhe ua ndalojnë njerëzve të flasin. Prodhimi bëhet i zhurmshëm; bota e shkëmbimit monopolizon zhurmën dhe muzikanti hyn në botën e parasë”.[27] Pra shohim se si muzikanti nisë të kontrollohet nga pushteti, dhe duke hyrë në botën e parasë, e gjen veten në botën e çudirave. Attali po na flet pikërisht për këtë muzikë që dita e ditës po kontrollohet dhe sfidat e muzikantit gjatë historisë, të cilat shumëfishohen kur ai përballet me paratë dhe ekonominë politike. “Pra piktura e Brueghel-it, në të cilën muzikanti mezi shihet, në mënyrë misterioze vë në pah dimensionin thelbësor të përballjes me paratë dhe ekonominë politike. Së pari, muzika – kanalizuese e dhunës, krijuese e dallimeve, lartësim i zhurmës, atribut i pushtetit – krijon në festival dhe ritual një rregullsi të zhurmave të botës”[28]. “Muzika është vetëm në dritë” thotë Attali “afër ndonjë faltoreje, simulakrumi i maskuar i altarit pagan. Aty afër zareve dhe lojës me letra: muzika është rendi fragjil i ritualit dhe lutjes, rend jostabil në kufi me rastësinë, harmoni në kufi me dhunën. Gjetkë, heshtje. Përveç nëse të penduarit janë të shoqëruar nga Vajtimet, ose aty është ndonjë muzikant i fshehur që i jep ritëm valles rrumbullake”[29].

Piktura e Brueghel na përfaqëson një vizion të së kaluarës së muzikës të ndryshëm nga ditët e sotme, ku muzika dhe muzikanti i janë nënshtruar dhe janë veçse mjete të pushtetit.

“… statusi fundamental i muzikës duhet të deshifrohet përmes statusit të zhurmës: Zhurma është armë dhe muzika, fillimisht, është formacioni, zbutja, dhe të bërit rituale të kësaj arme si simulakrum për vrasje rituale.”[30] Attali vazhdon të pohojë se muzika si zbutje e zhurmës dhe në të njëjtën kohë si burim i pasurisë është kumtesë e “… shkatërrimit të kodeve”[31]


[1] Russolo, “The Art of Noises”, 9.

[2]Toop, “Ocean of Sound”, 40.

[3] Toop, “Sinister Resonance”, X.

[4] Kahn, “The Art and Thought of Heraclitus” Fragmenti XV

[5]Ihde, “Listening and Voice”, 221-222.

[6] Koncept i greqishtës antike që ka kuptimin e “ajo që është përfundi” si një substrat ose bazament.

[7] Attali, “Noise: The Political Economy of Music”, 2.

[8] Cox, “Sonic Flux”, 46.

[9] Sloterdijk, “World of Sound”, 6.

[10] Attali, “Noise: The Political Economy of Music”, 6.

[11] Ibid.

[12] Attali, “Noise: The Political Economy of Music”, 6.

[13] Foucault, Boulez, Rahn, “Contemporary Music and the Public”,  9.

[14] Attali, “Noise: The Political Economy of Music”, 9.

[15] Nietzsche, “Lindja e Tragjedisë”, 141.

[16] Ibid. 6.

[17] Ibid. 64.

[18] Ibid, 61.

[19] Attali, “Noise: The Political Economy of Music”, 11.

[20] Ibid. 11.

[21] Cox, “Sonic Flux”, 46.

[22] Attali, “Noise: The Political Economy of Music”, 19.

[23] Attali, “Noise: The Political Economy of Music”, 21.

[24] Pieter Brueghel the Elder, “The Battle Between Carnival and Lent,” 1559

[25] (Council of Avignon, 1209)

[26] Attali, “Noise: The Political Economy of Music”, 16-17.

[27] Ibid. 22.

[28] Attali, “Noise: The Political Economy of Music”, 23.

[29] Ibid. 23.

[30] Ibid. 24.

[31] Ibid. 24.


Zjarr Bujari është student i filozofisë i cili vijon studimet master në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtines. Gjithashtu është muzikant aktiv në skenën kosovare. Foto nga Zjarr Bujari.

Ky botim përkrahet nga European Endowment for Democracy (EED). Përmbajtja e tij nuk pasqyron domosdoshmërish opinionin zyrtar të EED. Përgjegjësia për informacionin dhe pikëpamjet e shprehura në këtë publikim i takon tërësisht autorit(ve).

This publication has been produced with the support of the European Endowment for Democracy (EED). Its contents do not necessarily reflect the official opinion of EED. Responsibility for the information and views expressed in this publication lies entirely with the author(s).

Shpërndaje:
31 Maj, 2023

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

Artikuj të ngjashëm
Ecja halucinative nëpër Paris që i frymëzoi Deleuze dhe Guattari
Në librin “Anti-Oedipus”, polemikën me ndikim kundër psikanalizës së organizuar, teoricienët francezë u mbështetën në rrëfimin e një episode skizofrenike të kompozitorit Jacques Besse. Në mëngjesin e vonë të së hënës së Pashkëve të vitit
Gjithçka që duhet të dini për “Dialektika e Iluminizmit”
Me rastin e botimit jubilar të 75 vjetorit nga botimi i parë i “Dialektika e Iluminizmit” “Dialektika e Iluminizmit” është një nga librat më të rëndësishëm për njerëzit e maturuar. Bëhet fjalë për median, manipulimin
Dhuna (jo)seksuale dhe kënaqësia sistemike
Është një fjalë e urtë, që i atribuohet Oscar Wild-it, e cila po bëhet gjithnjë e më relevante kohëve të fundit: “Gjithçka ka të bëj me seksin, përveç seksit. Seksi ka të bëjë me pushtetin”.
Uverturë: Rikthimi i përjetshëm
Ora është saktësisht katër. Numrat digjitalë në orën time të alarmit, 16:00 (katër në katror!), ndrisin kuq. Kanë kaluar katër orët e para të pasdites. Dielli e ka përshkuar një pjesë të qarkut të vet
Të tjerët metamorfikë dhe subjektet nomade
Nuk jemi të gjithë njerëz, ose jo njerëz në shkallë të njëjtë, jo nëse me “njeri” mëton t’i referohesh vizionit mbizotërues të Subjektit si i bardhë, mashkullor, heteroseksual, i urbanizuar, trup-aftë, që flet gjuhën standarde