VIKTIMIZIMI DHE NEGLIZHENCA
Donjet Doblibara
Në këtë ese do të mundohem të sqaroj problematiken e mosnjohjes së viktimizimit të pas luftës dhe qasjes së gabuar që i kanë dhënë ndërkombëtarët në Kosovë, institucionet tona dhe ne vetë si shoqëri. Pra qëllimi nuk është ta analizojë atë se çfarë ndodhi, por që sadopak të analizohet ajo periudhë kohore që vetë ne e “errësuam”, nga padituria, nga mos-përfillja, nga problemet e shumta socio-ekonomike dhe krejt në fund edhe nga imponimi politik ndërkombëtar që na është bërë.
Me të drejtë kishte konstatuar autori i mirënjohur kroat i viktimologjisë, Zvonimir Šepareviq se: “I tërë koncepti i të drejtave të njeriut ka qenë i përshkruar me gjithfarë garancish të mundshme për delinkuentin potencial apo real, se ai nuk do të ndalohet apo arrestohet në mënyrë arbitrare, se nuk do të izolohet apo persekutohet pa baza ligjore, se nuk do t`i nënshtrohet trajtimit jo human, se do të ketë mbrojtje adekuate gjyqësore, se do ta gëzoj të drejtën që të konsiderohet i pafajshëm derisa nuk dëshmohet fajësia e tij, të drejtën e azilit, të drejtën për mbrojtje dhe shprehje të mendimit të vet të lirë, etj. Mirëpo për të drejtat e viktimave është folur pak ose fare pak.”[1] Pra viktimat, pothuajse në të gjitha vendet neglizhohen, ku më shumë e ku më pak, gati çdo kund gjendet hapësirë për neglizhenca nga më të ndryshmet.
I shtyrë nga përvoja dhe problematikat e kohës të cilat na përcjellin dhe do të na përcjellin si shoqëri, unë do të përpiqem që sado pak të hedh dritë mbi çështjen e viktimave nga lufta e fundit, problematikë kjo e cila u ngjason “numrave kriminologjikë”. Në Kriminologji, njihen numrat e “errët” dhe të “përhimët” kriminologjik. Përderisa tek numri i “errët”, përfshihen rastet kur krimi ka ndodhur, por organet shtetërore nuk kanë dijeni se ai krim është kryer dhe kryerësi është i panjohur, tek numri i “përhimët” organet shtetërore kanë dijeni se është kryer krimi, por krimi nuk është ndriçuar deri në fund.
Te krimet e luftës, numri i “errët” zakonisht është më i vogël sepse ka njohuri të mjaftueshme mbi krimin; dihet lokacioni, viktima, mënyra e vrasjes, mjetet me të cilat janë kryer veprat penale (corpa delicta), koha e vrasjes, kryesi i veprës, formacionet e rregullta ushtarake apo policore, grupet vullnetare, varrezat masive, varrosja – ekshumimi dhe rivarrosja e kufomave, autopsitë, ekzaminimet mjeko -ligjore të viktimave, etj. Kurse tek numri i “përhimët” i krimit, vështirësia më e madhe qëndron tek identifikimi i kufomave, sidomos në ato raste kur kufomat digjen, hidhen në humnera, lumenj, gjymtohen dhe përdoren kimikate të ndryshme për asgjësimin e trupave. Në raste të caktuara, nuk mundet të përcaktohet koha e vdekjes, nëse viktima më parë është torturuar ose jo, nëse po, sa herë dhe për sa kohë. Vështirësi të tjera tek kjo kategori e krimeve të kryera është edhe procesi i ngadaltë i ekshumimit dhe identifikimit të kufomave, mos kompletimi i mbetjeve mortore, mos identifikimi i kryerësve të krimeve, arratisja dhe shpallja me procedurë të rregullt për të vdekur e kryerësve të krimeve, bartja dhe ri- varrosjet e shumta të kufomave.
Në shumë raste, viktimat e dhunës seksuale janë në heshtje të pjesshme ose të plotë, sidomos në ato raste kur supozohet se janë dhunuar seksualisht dhe pastaj trupat janë dëmtuar në përmasa të mëdha, si pasojë e asgjësimit me kimikate apo dekompozimit kufomor. Mungesa e dëshmitarëve okularë e bënë edhe më të vështirë zbulimin e krimeve. Shumë nga dëshmitarët kanë informacion të dorës së dytë dhe përvetësojnë rrëfime të rrëfyera nga të tjerët. Të gjitha këto e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë procesin e zbulimit të krimeve të luftës.
A i njohim viktimat?
Me viktima është i njohur secili nga ne, qofshin të luftës, kriminalitetit, aksidenteve në komunikacion apo në vendet e punës. Secili nga ne në një formë apo tjetër është përballur me viktimizim dhe me pasojat e saj. Vitet e 90-ta të shek. XX, shkaktuan numër të madh viktimash të shumëfishta, nga të gjitha etnitë e ish-Jugosllavisë. Popuj të shumtë, kush më shumë e kush më pak, të gjithë u preken nga rastet e viktimizimit dhe viktimizuesve. Për që kemi njohuri për viktimat e të tjerëve, kjo nuk diskutohet, por sesa kemi ndjeshmëri ndaj të gjitha viktimave, kjo lë shumë për të dëshiruar.
Në çdo vend të botës, gjaku dhe loti i viktimës është i njëjti, vuajtjet dhe poshtërimet e tjera post-konflikt gati se janë të njëjta. Vuajtjet e viktimave, “nuk kanë afat skadence”; ato janë të përhershme, vetëm se ato mund të lehtësohen varësisht prej tretmanit që i bëhet viktimës, shkallës dhe llojit të viktimizimit, nivelit intelektual të atij komuniteti, dhe ambientit social, aty ku jeton dhe vepron viktima. Në vendet me arsimim të lartë, tretmani ndaj viktimave dallon dukshëm në krahasim me vendet e varfra të botës së tretë. Procesi i rehabilitimit në aspektin psiko-social është shumë më i lehtë në vendet e zhvilluara me një afinitet të lartë intelektual. Në vendet tjera të varfra, rehabilitimi i viktimave nuk është i plotë dhe adekuat si pasojë e varfërisë dhe shkallës së ulët të arsimimit. Në shumë raste, viktimat e luftës në veçanti migrojnë në vendet tjera të zhvilluara në kërkim të një jete me dinjitet. Por në praktikë ndodhin edhe rastet e rrejshme viktimizuese, si p.sh. shtetas të një Shteti që nuk është në luftë, paraqiten kinse janë nga vendet e përfshira në luftë për të përfituar azil e leje qëndrimi në vendet perëndimore, këto situata të tilla të rrejshme viktimizuese qojnë në rritjen jo reale të numrit të refugjatëve dhe azilantëve nga vendet e përfshira në luftë.
Sistemi i Heshtjes
Disi u ndërtua gradualisht nga një “dorë e padukshme”, duke kontribuar secili prej nesh nga pak për këto 23 vite të pas luftës, gjithnjë duke e zbatuar në përpikëri postulatin se “koha i shëron plagët”. Çuditërisht është ndërtuar një sistem i heshtjes, kush më shumë e kush më pak i ka kontribuar, si ndërkombëtarët për qëllime të caktuar politike që donin paqe me çdo kusht, si Serbia për ta shmangur përgjegjësinë penale ndërkombëtare dhe reparacionet e luftës, poashtu edhe ne shqiptarët duke u munduar që viktimat dhe kategorizimet e viktimave t`i përdorim si mjet empatie të përhershme karshi ndërkombëtarëve. Heshtja e viktimave të dhunës seksuale nga shoqëria, dhe vetë viktimat e dhunimeve që për shkaqe psikologjike dhe tradicionale – patriarkale kanë heshtur, paradoksalisht të gjithë kemi kontribuar në mosnjohjen e viktimave të dhunimeve gjatë luftës. Sot kemi përfunduar në një situatë ku asnjëri popull nuk ia njeh tjetrit viktimat e luftës.
Gjithnjë na është imponuar pajtimi pa ballafaqim, duke i nxjerrë përpara problemet politike para atyre penale ne gati e kemi heshtur dhe “asgjësuar” edhe vullnetin e viktimave dhe dëshmitarëve për rrëfim. Gradualisht me ecjen e “orës biologjike”, shumë viktima e dëshmitarë tani janë të pa-arritshëm, nga vdekja, sëmundjet e ndryshme, apo prej viktimave që kanë emigruar. Në praktikat gjyqësore ndodh që edhe viktimave pas një kohe të gjatë kur ka ndodh krimi dhe nga gjykimet e ri-gjykimet u humbet vullneti që të stër-rrëfehen, para Gjykatave, mediave, konferencave të ndryshme, dhe krejt në fund as nuk është e ndershme dhe e as e moralshme t`i bëhet presion viktimës që të riviktimizohet me rrëfimin e saj pas shumë kohësh.
Në vazhdimësi, ndërkombëtarët me dinakëri kanë zbatuar një “terapi memece” duke i bërë thirrje shoqërisë kosovare të falnin, të pajtohen popujt ndër vete, duke na lajkatuar se ju botës i dhatë misionaren e humanizmit, të faljes e pajtimit, duke përdor si referencë se si u arrit pajtimi historik mes Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, që i referohen si shembull i suksesit për pajtim mes popujve. Pajtimi mes Gjermanisë dhe Francës nuk është i njëjtë me atë që kërkohet prej nesh. Pajtimi mes gjermanëve dhe francezëve nuk ka ndodhur si rezultat i një pendimi të menjëhershëm të gjermanëve, por vetëm pasi i gjithë establishmenti nazist u ballafaqua me Gjyqin e Nurembergut, dhe u dënua politika naziste, dhe më e rëndësishmja, popujt u pajtuan jo duke e anashkaluar të kaluarën dhe harruar atë, por duke u ballafaquar me të kaluarën e tyre.
I moralshëm dhe historik ishte gjykimi i udhëheqësisë naziste, kërkim falja nga ana e shtetit gjerman, pranimi i gabimit dhe reparacionet e luftës, denazifikimi i administratës gjermane. Tek pas këtyre akteve filloi bashkëpunimi me gjermanët i popullit francez. Me Serbinë u veprua ndryshe, kjo “terapi memece” ndaj zërit të viktimave që u imponua në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, solli efekte vetëm politike, por assesi nuk kontribuoi në shërimin e plagëve dhe në marrëdhënie të mira fqinjësore.
Klithmat e vetë-ngufatura
Përfundimi i luftës Kosovës i solli miliona probleme, secila ishte më urgjente se tjetra. Kthimi i robërve të luftës që mbaheshin në Serbi, identifikimi i kufomave, ekshumimi, varrosja dhe rivarrosja e kufomave që ishin pothuajse çdo kund, kthimi i refugjatëve, rindërtimi i objekteve të shkatërruara, dhe këto ishin vetëm disa nga çështjet që kërkonin zgjidhje të menjëhershme.
Krimet e luftës dhe mos-evidenca e jonë
Nuk është se deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, por jo edhe mjaftueshëm. Që nga përfundimi i luftës, askund nuk ka asgjë të sistematizuar mbi dëshmitë e shkruara të luftës. Edhe nëse kërkoni të dhëna për qëllim hulumtimi, gati se asgjë nuk do të gjeni identike, e lërë më po të duhet që të mblidhen për gjykimet e krimeve të luftës. Edhe pse janë shpenzuar shuma të mëdha parash në evidentimin e krimeve të luftës të dhënat që do të duhej të ishin institucionale janë të shkapërderdhura nëpër linka dhe ueb faqe të ndryshme, arkiva të shumta nëpër komuna, ministri, polici, gjykata, prokurori, agjenci të lajmeve, arkiva private, Tribunal të Hagës, Gjykatë Speciale dhe organe shtetërore të Serbisë. Ajo që është më tragjike, është se shumë më tepër kanë bërë organizatat jo qeveritare sesa institucionet tona shtetërore. Megjithëse në fillim menjëherë pas luftës organet shtetërore i kanë pasur kompetencat e kufizuara, prapë se prapë nuk mund të amnistohen pasi që nga viti 2000 kemi institucione lokale dhe 2002 ato qendrore.
E një rëndësie të veçantë është kjo përmbledhje e monitorimeve për gjykimet e krimeve të luftës të mbajtura nëpër gjykatat e Kosovës nga viti 1999-2018 të Fondit për të Drejtën Humanitare-Kosovë, të titulluar PASQYRË E GJYKIMEVE PËR KRIMET E LUFTËS NË KOSOVË NË PERIUDHËN 1999-2018.[2]
Lëndët 48 Të Akuzuar 111
Serbë 25 Serbë 44
Shqiptarë 19 Shqiptarë 61
Malazezë 3 Malazezë 5
RAE 1 RAE 1
Lëndët e përfunduara me Aktgjykime të plotfuqishme 30
Lëndët, Procedura Penale në vazhdim e sipër 9
Lëndët, të Akuzuarit e ikur nga Paraburgimi pas ngritjes së Aktakuzës 8
Tribunali i Hages për Krime Lufte në ish Jugosllavi për krimet e luftës në Kosovë ka akuzuar gjithsejtë 16 persona, nëntë nga ta serbë si: Sllobodan Millosheviq i cili ka vdekur gjatë gjykimit, Milan Milutinoviq – i shpallur i pafajshëm, Vllajko Stoilkoviq – i vetëvrarë para se të dorëzohet në ICTY, ndërsa të tjerët janë dënuar me aktgjykim të formës së prerë, e disa edhe e kanë pranuar fajësinë si Nikolla Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vlladimir Llazareviq, Sreten Llukiq, Vllastimir Gjorgjeviq, ndërsa u akuzuan shtatë shqiptarë si: Fatmir Limaj, Isak Musliu, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj, Idriz Balaj të cilët janë shpallur të pafajshëm, Haradin Balaj u dënua, ndërsa Agim Murtezi ishte akuzuar gabimisht.
Gjashtëmbëdhjetë serb dhe një shqiptar janë akuzuar nga Prokuroria e Gjakovës për Masakrën e Mejës, për të cilët është lëshuar Kartoni i Kuq INTERPOLIT. Nuk dihet se në çfarë rrethanash janë tërhequr (red notice) prej faqes së INTERPOLIT. I njëjti shqiptar (Marjan Abazi) është vetëvrarë në burg, ndërsa ishte në paraburgim.
Disa serbë janë arrestuar dhe liruar për mungesë të aktakuzave, si rasti i Gjilanit kur një ish- kolonel serb kishte shkuar në një fshat, ishte arrestuar dhe liruar, disa janë liruar për munges të provave, disa janë dënuar në Gjykatat e Kosovës dhe ICTY, “ndërsa” disa janë dënuar në Gjykatën e Qarkut në Beograd për Rastet Suhareka dhe Podujeva-Scorpionët. Një gjykim është mbajtur në Podgoricë ndaj disa ushtarëve malazez për vrasje të refugjatëve kosovarë në territorin e Malit të Zi, një serb është arrestuar dhe liruar (Red Notice) në Podgoricë për krime në Gjakovë, një serb është dënuar në Suedi për Masakrën e Dubravës me burgim të përjetshëm, por më vonë është liruar si i pafajshëm.
Krejt këto të dhëna i gjeni të shkapërderdhura në Internet, e jo në një platformë të veçantë shtetërore. FDH posedon material të shumtë të grumbulluar për luftën në Kosovë, por jo edhe institucionet tona, të cilat janë të thirrura në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe luftës diplomatike në tavolinë me shtetin serb. Ky është trajtimi i jonë si shoqëri ndaj viktimave të së shkuarës. Neve gjithnjë ka për të na mbetur më i madh pretendimi sesa argumentimi për të kaluarën. Tash mund edhe të marrim me mend se kush na trajton me seriozitet në kërkesat tona për tribunale ndërkombëtare dhe gatishmërinë për t`i gjykuar krimet e luftës nga shteti i jonë. Nuk jemi krejt pa faj edhe vetë ne si shoqëri, pasi dalë ngadalë i mbyllëm sytë.
Përfundimi
Të gjitha viktimat janë produkt i së njëjtës çmenduri politike, ideologjike apo interpretimeve të gabuara religjioze, edhe pse ne jetojmë në epokën e digjitalizimit dhe globalizmit, prapë se prapë mbetet utopi se një ditë do të mbarojnë vuajtjet njerëzore si pasojë e etnisë, racës, religjionit, bindjeve filozofike, politike, orientimeve gjinore.
Me trajtimin e viktimave janë marrë një numër i madh i organizatave të ndryshme qofshin ato qeveritare, jo qeveritare apo ndërkombëtare në këto 30 vitet e fundit. Ndërkohë që disa qytetarë kanë marrë kompensim material prej Serbisë, ne akoma nuk e dimë saktësisht se sa prej viktimave janë kompensuar, si Grupi 145 i Gjakovës që është kompenzuar nga Serbia, sa persona janë dënuar, sa kallëzime penale janë ngritur nga Natasha Kandiq në Prokuroritë e Serbisë, etj.
Mungesa e databazës
Ne ende nuk kemi një databazë ku do t`i kishim të sistematizuara statistikat për dëmet materiale, cilat kategori tek dëmet materiale kanë qenë objekt i sulmit, për vlerën monetare të dëmeve materiale tek pasurit e luajtshme dhe të paluajtshme, tek pasuria historike, kulturore, dhe religjioze, për viktimat që kanë humbur jetën, për të kompensuarit, sa qytetarë janë kompensuar dhe sa është vlera monetare, për minimumin dhe maksimumin e moshës së viktimave, për grup moshën e viktimave se cila ka qenë më e atakuar, për gjininë e viktimave se cila më tepër ka pësuar, për viktimat e arrestuara dhe privuara pa ligjshëm nga liria, për viktimat e deportuara dhunshëm, për viktimat e dhunës seksuale dhe të shumëfishtë seksuale cila ka qenë më e atakuar, për viktimat e plagosura, zhdukura, vrara dhe viktimat që kanë mbetur me aftësi të kufizuara përjetësisht, për kriminelët që kanë vdekur, për të dyshuarit, të akuzuarit, të dënuarit, për të përmendurit se kanë qenë pjesëmarrës në Krime, të cilët viktimat apo dëshmitarët i kanë identifikuar plotësisht, por që nuk ka asnjë procedim penal ndaj tyre.
[1] HALILI, Ragip VIKTIMOLOGJIA, Prishtinë 2011.
[2] HLC Kosovo “PASQYRË E GJYKIMEVE PËR KRIMET E LUFTËS NË KOSOVË NË PERIUDHËN 1999-2018” https://www.hlc-kosovo.org/storage/app/media/HLC-Kosovo-An-overview-of-war-crime-trials-in-Kosovo-1999-2018.pdf
Donjet Doblibara ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Fakultetin Juridik dhe Financiar në Universitetin e Prishtinës „HASAN PRISHTINA“. Është i specializuar në Financa, ka ndjekur shumë trajnime e konferenca për të drejtat e njeriut dhe ballafaqimin post-konflikt në Kosovë dhe jashtë.