Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Ç’është filozofia?

Ç’është filozofia?

Gilles Deleuze dhe Félix Guattari

Ja pra pyetja…

Ndoshta, pyetjen Ç’është filozofia? mund t’ia drejtojmë vetes vetëm vonë, kur mbërrin pleqëria, koha e të folurit konkret. Në fakt, bibliografia për këtë gjë është e pakët. Një pyetje e tillë mund të na hamendet gjatë trazimeve intime në mesnatë, kur s’ke ç’pyet tjetër. Dikur shtrohej e madje pa reshtur, por në mënyrë tepër të tërthortë ose të pjerrët, tepër artificiale, tepër abstrakte, duke e shpallur më shumë për ta dominuar kalimthi sesa për t’u përfshirë prej saj. Nuk ishim aq delikatë. Dëshira e madhe për të filozofuar nuk lejonte të kërkohej se ç’ishte filozofia, e po të ndodhte, qe veç për ushtrim stili; s’kishim mbërritur ende në atë kulm jo-stili nga ku mund të pyetet më në fund: po ç’është kjo gjë që kam ushtruar tërë këtë jetë? Nuk mungojnë rastet kur pleqëria, pa të dhënë një rini të përjetshme, të jep përkundrazi një liri sovrane, një domosdoshmëri të kulluar ku çasti që ndan jetë e vdekje dëshirohet, dhe ku të gjitha pjesët e makinës kombinohen për me dërgu në të ardhme një shenjë që tejshkon moshat: Tician, Turner, Monet[1]. Turneri plak ka fituar apo marrë të drejtën ta endë pikturën në një udhë të shkretë e pa kthim që nuk shquhet hiç prej pyetjes së fundit. Ndoshta Jeta e Ransesë shënon njëherazi pleqërinë e Chateaubriandit dhe fillimin e letërsisë moderne[2].

Edhe kinemaja na jep asi dhuratash prej moshe të bardhë, prej ku Ivensi, për shembull, përzjen të qeshurën e tij me atë të magjistricës nën erën e harbuar. Po njësoj në filozofi, Kritika e gjykimit të Kantit është vepër pleqërie, vepër e harbuar pas së cilës kuturisin pa fund pasardhësit: të gjitha aftësitë e shpirtit tejkalojnë vetveten, kufijtë që Kanti i kishte përcaktuar me aq kujdes në librat e tij të pjekurisë.

Ne nuk mund ta pretendojmë një status të tillë. Për ne ka ardhur thjesht koha të pyesim se çfarë është filozofia. E drejtuam pa u lodhur pyetjen më parë për një përgjigje që s’ndryshoi kurrë: filozofia është arti që formon, që shpik, që fabrikon koncepte. Por nuk mjafton vetëm që përgjigjja të strehojë pyetjen, ajo duhet të zgjedhë orën, rastin, rrethanat, peizazhin dhe personazhet, kushtet dhe të panjohurat e pyetjes. Do të duhej të mundje ta shtroje «mes miqsh», si sekret a besim, apo përballë armikut si sfidë, dhe po aty t’ia mbërrish asaj ore të dritës së pabesë të muzgut, kur s’i zë dot më besë as mikut. Erdhi ai çast kur mund të thuhet: “kjo është, por nuk e di nëse e thashë qartë dhe as nëse isha bindës”. Dhe kuptojmë aty për aty se pak rëndësi ka ta thuash mirë e të jesh bindës, sepse sido që të jetë u tha tashmë.

Siç do të shohim, koncepteve u nevojiten personazhet konceptuale që ndihmojnë në përkufizimin e tyre. Miku është një personazh i tillë, madje për të mund të thuhet se dëshmon origjinën greke të filo-sofisë: qytetërimet e tjerë kishin të Urtë, ndërsa grekët paraqesin këta «miq» që nuk janë të urtë thjesht më modestë. Duket se janë grekët ata që ligjëruan vdekjen e të Urtit për ta zëvendësuar me filozofët, miq të urtësisë, të cilët e kërkojnë urtësinë pa e pronësuar kryekëput[3]. Dhe nuk ka vetëm ndryshim gradësh, vetëm shkallëzim, mes filozofit e të urtit: plaku i urtë i ardhur nga Lindja mendon ndoshta nëpërmjet Figurës, ndërkohë që filozofi shpik dhe mendon Konceptin. Urtësia ka ndryshuar shumë. Është po aq e vështirë të dish se çfarë do të thotë «mik» për grekët, dhe sidomos për ta. Miku ndoshta lokalizon një intimitet të specializuar, një lloj shijeje materiale dhe fuqishmërie e potencialiteti si ajo e zdrukthtarit për drurin: a është zdrukthtari i mirë potencialisht prej druri[4], a është mik i drurit? Kjo pyetje është e rëndësishme, pasi miku, i tillë siç shfaqet në filozofi, nuk përshenjon një personazh të jashtëm, një shembull a një rrethanë empirike, por një prani në brendësi të mendimit, një kusht mundësie të vetë të menduarit, një kategori të gjallë, një jetesë transhendentale. Nëpërmjet filozofisë, grekët e shtyjnë mikun prej të qenit në raport me dikë tjetër te marrëdhënia me një Entitet, një Sendësi ose Objektitet, një Thelbësi. Miq të Platonit, por akoma më shumë miq të urtësisë, të së vërtetës ose të konceptit, Filalet apo Teofil… Filozofi merr vesh nga konceptet si dhe nga mungesa e tyre, ai shquan ata që nuk mund të përshtaten, ata që janë të dhunshëm apo të paqëndrueshëm, ata që s’rezistojnë qoftë edhe një çast, ata që përkundrazi janë ndërtuar aq mirë sa dëshmojnë krijimtari plot ankth e rrezik.

Ç’kuptojmë me mik kur ai bëhet personazh konceptual ose kusht për ushtrimin e mendimit? Apo me dashnor, pasi ndoshta është më tepër i tillë? A nuk ndërfut koncepti i mikut deri në mendim marrëdhënien jetike me Tjetrin, gjë që deri tanimë e kishim besuar të përjashtuar nga mendimi i kulluar? Apo ndoshta flasim për diçka që s’është e ndryshme nga miku dhe i dashuri? Sepse, nëse filozofi është mik apo i dashur i urtësisë, a nuk ndodh kështu vetëm sepse e pretendon urtësinë, duke u përpjekur veç në potencë dhe jo duke e zotëruar në akt? Miku do të ishte po aq pra pretendent, ndërsa ajo së cilës do i deklaronte miqësinë do të ishte Sendi ku zbatohet pretendimi, dhe jo një person i tretë që do të kthehej përkundrazi në rival? Miqësia do të derdhte mbi rivalin konkurrencë besëpakë, po aq sa mbi objektin e dëshiruar tension dashurie. E kur miqësia të kthehej kah thelbësia, dy miqtë do të qenë pretendent e rival (kush do të mund të shquante atëherë cili është njëri e cili tjetri?). Nën këtë trajtë të parë filozofia shfaqet si send grek e përputhet me atë çka sollën qytezat greke: ato formuan shoqatat e miqve ose të barabartëve, por gjithashtu nxitën mes tyre dhe madje brenda secilës rivalitete, duke kundërvënë pretendentë në çdo fushë, në dashuri, në lojëra, në gjyqe, në prokurori, në politikë, e deri në mendim, i cili, për të ekzistuar nuk do të kish si kusht vetëm figurën e mikut, por dhe pretendentin e rivalin (dialektika e përkufizuar nga Platoni si amfisbetesis). Rivaliteti i njerëzve të lirë është një atletizëm i përgjithësuar: agôn[5]. I përket miqësisë të pajtojë tërësinë, integritetin e esencës me rivalitetin e pretendentëve. A s’bëhet fjalë atëherë për një detyrë madhore?

Ç’vlerë do të kishte një filozof për të cilin do të thoshim: ai s’krijoi koncept, ai s’krijoi konceptet e tij?

Miku, i dashuri, pretendenti, rivali janë përcaktime transhendentalë, të cilët, megjithëse të tillë, nuk humbin ekzistencën e tyre intensive dhe të gjallëruar, qofshin në të njëjtin personazh apo të shpërndarë në shumë syresh. Dhe kur sot Maurice Blanchot, një prej të rrallëve mendimtarë që marrin në shqyrtim kuptimin e fjalës «mik» në filozofi, trajton sërish këtë çështje të brendshme të vetë kushteve të mendimit, a nuk fton thellë në gji të të Menduarit më të kulluar personazhe të rinj konceptualë, personazhe kësaj here pak grekë, të ardhur nga tjetër vend, tamam si të kishin përshkuar katastrofën që i shpinte kah të tjerë relacione të gjallë e të nxitur deri në statusin e karaktereve a priori: një shmangie, një lodhje, një gjendje rreziku mes miqsh që e kthen vetë miqësinë brenda mendimit të konceptit në mosbesim dhe maturi të pafundme[6]? Lista e personazheve konceptualë nuk mbyllet kurrë dhe si e tillë luan një rol të rëndësishëm në evolucionin dhe ndryshimet e filozofisë; larmia e tyre duhet kuptuar pa u reduktuar në njësinë, edhe pse tashmë komplekse, të filozofit grek.

Filozofi është mik i konceptit, ai është në fuqi koncepti. Gjë që do të thotë se filozofia nuk është thjesht art i formimit, i shpikjes, i fabrikimit të koncepteve, sepse konceptet nuk janë domosdoshmërisht forma, gjetje ose produkte. Filozofia është më saktë disiplinë që konsiston në të krijuarit e koncepteve. Ndoshta sepse miku do të ishte mik i krijimeve të veta? Apo është ndoshta akti i konceptit që na shpie drejt potencës së mikut, në unitetin e krijuesit dhe dubluesit të tij? Objekti i filozofisë është të krijojë gjithnjë koncepte të rinj. Ngaqë koncepti duhet krijuar, na adreson tek filozofi, i cili e përmban potencialisht tek filozofi që e mbart në fuqi dhe aftësi. S’mund të kundërshtojmë idenë se krijimi i përket më tepër të ndjeshmes dhe arteve, pasi arti i jep jetë entiteteve shpirtërorë, por mbetet po aq i vlefshëm fakti se konceptet filozofike janë sensibilia. Në fakt, shkencat, artet, filozofitë, janë në të njëjtën masë krijuese, megjithëse i përket vetëm filozofisë te krijoje konceptet në kuptimin e tyre të parë. Konceptet nuk po na presin aty që më parë, të fabrikuar fund e krye si trupat qiellorë. Nuk ka qiell për konceptet. Ata duhet të shpiken, të fabrikohen, apo më mirë të krijohen, e madje s’do të kishin as vlerën më të vogël pa firmën e krijuesve të tyre. Nietzsche përcaktoi njëherazi detyrën e filozofisë kur shkroi: «Filozofët nuk duhet të kënaqen me pranimin e koncepteve që u ofrohen vetëm për t’i pastruar e zbukuruar, por duhet të fillojnë t’i fabrikojnë, t’i krijojnë, t’i vendosin dhe të bindin njerëzit për përdorimin e tyre. Deri tani, përmbledhtas, secili u beson koncepteve të tij siç i besohet një dhurate të mrekullueshme të ardhur nga një botë po aq e mrekullueshme»[7]. Por, duhet zëvendësuar besimi nga mosbesimi dhe filozofi duhet të dyshojë, e sidomos në konceptet që nuk i ka krijuar vetë (Platoni e dinte këtë gjë megjithëse u shpjegonte nxënësve të tij të kundërtën…)? Platoni thoshte se duhet të soditeshin Idetë, por ishte dashur më parë që ai vetë të krijonte konceptin e Idesë. Ç’vlerë do të kishte një filozof për të cilin do të thoshim: ai s’krijoi koncept, ai s’krijoi konceptet e tij?

Të paktën ne shquajmë atë çka nuk është filozofia: ajo s’është soditje, as reflektim, as komunikim, edhe pse ajo e besoi disi se ishte një nga këto aktivitete, gabim që ndodhi për faktin se çdo disiplinë është e aftë të ngjallë iluzione e të fshihet pas tisit që ajo vetë ngre qëllimisht. Ajo nuk është soditje, sepse soditjet janë sendet vetë, ashtu siç janë parë gjatë krijimit të koncepteve të tyre përkatës. Ajo nuk është reflektim, pasi askujt nuk i nevojitet filozofia për të reflektuar mbi çfarëdolloj gjëje: besojmë se i japim shumë të drejta filozofisë duke e konsideruar si art i të reflektuarit, por në fakt i mohojmë gjithçka, sepse matematikanët nuk pritën filozofinë për të reflektuar mbi disiplinat e tyre, as artistët për të reflektuar mbi pikturën dhe muzikën; po të thoshim se këta kthehen në filozofë, kjo do të ishte një shaka e hidhur, pasi në fund të fundit reflektimi i tyre i përket krijimit në fushat përkatëse. Filozofia nuk mund ta gjejë strehimin e vet të mbramë as në sferën e komunikimit, sepse komunikimi punon potencialisht vetëm opinionet me qëllim që të krijojë «konsensus» dhe jo koncept. Ideja e bashkëbisedimit demokratik perëndimor mes miqsh nuk prodhoi asnjëherë as më të voglin koncept; ideja e bashkëbisedimit vjen ndoshta prej grekëve, por këta duke i besuar aq pak e duke ia nënshtruar provave më të rënda, e kthyen në një zog që i llomotit vetes, ironik, që, i zhytur në këtë monolog, fluturon mbi fushën e betejës ku dergjen opinionet rivalë të asgjësuar (pjesëmarrësit e dehur të banketit). Filozofia nuk sodit, nuk reflekton, nuk komunikon, edhe pse ajo ka krijuar koncepte për këto veprime e pasione. Soditja, reflektimi dhe komunikimi nuk janë disiplina, por makineri të ndërtimit të Universalëve në tërë disiplinat. Universalët e soditjes, e pastaj ata të reflektimit, i përngjajnë dy iluzioneve që filozofia i ka përjetuar tashmë në ëndrrën e saj për të dominuar disiplinat e tjera (idealizëm objektiv dhe idealizëm subjektiv), por ajo nuk mund ta nderojë më veten duke u parë si Athinë e re, duke u rrekur nëpër Universalët e komunikimit, ofrues të rregullave për zotërimin imagjinar të tregjeve dhe mediave (idealizmi ndërsubjektiv). Çdo krijim është unik, dhe koncepti, si krijim veçanërisht filozofik, është gjithnjë përveçësi. Parimi i parë i filozofisë është se Universalët jo vetëm nuk janë të aftë të shpjegojnë, por madje ata vetë duhet të shpjegohen.

Të njohësh vetveten – të mësosh me mendu – të bësh sikur asgjë nuk bëhet vetvetiu – të habitesh, «të habitesh që qenësi është»…, kësi përcaktime të filozofisë dhe shumë të tjerë formojnë sjellje interesante, sidoqë të lodhshme kur stërhollohen, por nuk formojnë një punësim të mirëpërkufizuar apo veprimtari të saktë, qoftë edhe në këndvështrimin pedagogjik. Përkundrazi, mund të quajmë vendimtar përkufizimin e filozofisë, sipas të cilit ajo është njohje që realizohet përmes konceptesh të kulluar. Megjithatë nuk është e drejtë t’ia kundërvësh njohjen përmes koncepteve, njohjes që prodhon koncepte nisur nga përvoja e mundshme apo nga intuita. Sepse, sipas verdiktit niçean ju nuk mund të njihni kurrë nëpërmjet koncepteve nëse nuk i keni krijuar ata më parë, domethënë, nëse nuk i keni krijuar prej intuitave që u përkasin në mënyrë strikte koncepteve vetë: një fushë, një plan, një dhé që nuk përzihet me ta, por që strehon farën dhe personazhet që i kultivojnë. Konstruktivizmi kërkon që çdo krijim të jetë ndërtim mbi një plan që siguron një ekzistencë të plotë e të pavarur. Me kriju koncepte do të thotë me bë tashmë diçka. Çështja e përdorimit apo e dobishmërisë së filozofisë, ose edhe e dëmtueshmërisë (cilin dëmton filozofia?), merr një formë tjetër tani e tutje.

Nëse ka ende kohë e vend për krijimin e koncepteve, operacioni që i realizon do të quhet gjithnjë filozofi

Shumë probleme ngërthehen përpara syve të kapitur të plakut tek sheh të ballafaqohen moria e llojeve të koncepteve filozofikë dhe personazheve konceptualë. Dhe më së pari konceptet janë dhe mbeten të firmosur, substanca prej Aristotelit, cogito prej Descartesit, monada prej Leibnizit, kushti i mundësisë prej Kantit, potenca prej Schellingut, kohërrjedhja prej Bergsonit… Ndërkohë që disa koncepte kërkojnë një fjalë të jashtëzakonshme, herë-herë barbare a shokuese, që të mundë t’i përshenjojë, të tjerë mjaftohen me një fjalë të  përditshme tepër të zakontë që fryhet nga harmonika aq të largëta që pse të tilla, rrezikojnë të jenë të paperceptueshme për veshin jofilozofik. Për disa lipsen arkaizma, të tjerë neologjizma të përshkuara tejendanë prej ushtrimesh etimologjikë pothuaj të çmendur: etimologjia, një atletizëm mirëfilli filozofik. Për secilin rast, nevoja e çuditshme për këto fjalë dhe për përzgjedhjen e tyre bëhet element stili. Pagëzimi i konceptit kërkon një shije posaçërisht filozofike që vepron dhunshëm a me dredhi, duke themeluar brenda gjuhës një gjuhë filozofike, jo vetëm fjalorin e saj, por dhe një sintaksë të aftë të kapë sublimen ose bukurinë më të lartë. Edhe pse të vulosur nga datat, të firmosur e të pagëzuar, konceptet e kanë një mënyrë për të mos vdekur, dhe prapëseprapë i nënshtrohen shtrëngesave të rinovimit, zëvendësimit, mutacionit, të cilët i japin filozofisë një histori dhe një gjeografi të shqetësuar, ku të gjithë momentet dhe vendet ruhen, por në kohë, dhe kalojnë, por jashtë kohës. Nëse konceptet nuk reshtin së ndryshuari, duhet me ditë se ç’mbetet njësi e filozofive? A ndodh e njëjta gjë me shkencat dhe artet që nuk funksionojnë nëpërmjet koncepteve? Ç’ndodh me historitë e tyre përkatëse? Nëse filozofia është ky krijim i vazhdueshëm konceptesh, lipset të pyetet atëherë se ç’është koncepti si Ide filozofike, ku përqendrohet veprimtaria e Ideve të tjera krijuese që nuk janë koncepte, por pjesë e shkencave dhe arteve, që kanë histori e të ardhme, raporte të ndryshueshëm mes tyre dhe me filozofinë? Ekskluziviteti i filozofisë, si krijuese e konceptit, i siguron asaj një funksion, por nuk i jep asnjë përparësi, asnjë privilegj, aq më tepër kur ekzistojnë shumë forma të tjera të menduari dhe të krijuari, të tjera mënyra ideimi që nuk realizohen nëpërmjet koncepteve, për shembull mendimi shkencor. Dhe do t’i kthehemi gjithnjë dobishmërisë së veprimtarisë që krijon koncepte, aty ku dallohet nga veprimtaria shkencore apo ajo artistike: pse duhet të krijojmë koncepte, gjithnjë koncepte të rinj, falë ç’domosdoshmërie dhe për hir të çfarë përdorimi? Për çfarë na duhen? Përgjigjja sipas së cilës madhështia e filozofisë qëndron në faktin se ajo s’shërben për asgjë, është një llastim që nuk zbavit më as rioshët. Sido që të jetë, s’ka përbërë kurrë problem për ne as vdekja e metafizikës, as tejkalimi i filozofisë: janë veç llomotitje të kota dhe të lodhshme. Sot flitet për dështimin e sistemeve, ndërkohë që ka ndryshuar vetëm domethënia e sistemit. Nëse ka ende kohë e vend për krijimin e koncepteve, operacioni që i realizon do të quhet gjithnjë filozofi, por, dhe nën një emër tjetër, akti i të krijuarit do të mbetej i njëjti.

Gjithsesi, dimë që miku ose i dashuri, si pretendentë, nuk mund të funksionojnë pa rivalët. Nëse filozofia ka origjinë greke për aq sa këmbëngulim, kjo gjë falë qytezës që, ndryshe nga perandoritë apo shtetet, shpik agonin, si rregull të brendshëm të një shoqërie «miqsh», të komunitetit të njerëzve të lirë si rivalë (qytetarë). Këtë situatë të pandryshueshme përshkruan Platoni: nëse çdo qytetar pretendon diçka, ndesh aq domosdoshmërisht në rivalë, saqë i duhet të gjykojë si plotësisht të mirëqenë pretendimet e veta. Zdrukthtari pretendon drurin, por ndeshet me rojtarin e pyllit, druvarin, karpentierin që deklarojnë secili: unë, unë jam miku i drurit. Por, nëse flasim për kujdesin kushtuar njerëzve, ata që pretendojnë të jenë miq të njeriut janë të shumtë, fshatari që e ushqen, endësi që e vesh, mjeku që e shëron, ushtaraku që e mbron! E nëse, për rastin në fjalë përzgjedhja bëhet ende në një rreth të ngushtë, në politikë gjërat s’janë aq të thjeshta, sepse demokracia e Athinës, siç e mendon Platoni, është një fushë ku cilido mund të pretendojë çfarëdo[8]. Dhe kjo përbën një arsye të mjaftueshme për Platonin kur kërkon rivendosjen e rregullit, krijimin e instancave falë të cilave mund të gjykohet mirëqenia e pretendimeve: ato instanca janë idetë si koncepte filozofikë. Por, a nuk do të ndeshim edhe këtu gjithfarëlloj pretendentësh të thonë: jam unë filozofi i vërtetë, jam unë miku i Urtësisë e i Drejtësisë? Ndeshja arrin majat kur mbërrijnë filozofi dhe sofisti e i zhvasin njëri-tjetrit kufomën e plakut të urtë? E si të dallosh atëherë mikun e vërtetë nga i rremi, apo konceptin e simulakrës? Simuluesi dhe miku: mbarë teatri platonian shumëfishon figurat konceptuale dhe i pajis me fuqitë e komikes dhe tragjikes.

Më pranë nesh në kohë, filozofia ndeshi shumë kundërshtarë të tjerë. Më së pari ishin shkencat njerëzore, sidomos sociologjia, që donin ta zëvendësonin. Por, meqë filozofia keqvlerësonte gjithnjë e më tepër prirjen e saj për të krijuar koncepte duke u strehuar tek Universalët, nuk po kuptonim më siç duhej ç’po flitej. A po hiqej dorë prej krejt krijimit të koncepteve për hir të një shkence njerëzore strikte, apo përkundrazi, po transformonim natyrën e koncepteve duke i kthyer herë-herë në përfytyrime kolektivë, herë-herë në konceptime të botës të krijuar nga popujt, nga vitaliteti historik dhe shpirtëror i këtyre të fundit? Pastaj i erdhi radha epistemologjisë, gjuhësisë, dhe madje edhe psikanalizës – dhe analizës logjike. Mes sprovash filozofia përballi kundërshtarë gjithnjë e më harbutë e më gjëmëshumë, që Platoni nuk do t’i kishte imagjinuar as në gjendjet më të mira të humorit. Por majat e turpit u kapën kur informatika, teoritë e tregut, dizajni, publiciteti, të gjitha disiplinat e komunikimit, bënë të tyren fjalën koncept dhe deklaruan: koncepti është çështja jonë, ne jemi krijuesit, ne jemi konceptuesit! Ne jemi miqtë e konceptit, ne e vendosim në kompjuterat tanë. Informacion dhe krijimtari, koncept dhe ndërmarrje: e menjëherë një bibliografi me bollëk… Marketingu ruajti idenë e njëfarë marrëdhënieje midis konceptit dhe ngjarjes; dhe ja që koncepti u transformua në bashkësi të të gjitha prezantimeve të mallit (prezantime historikë, shkencorë, artistikë, seksualë, pragmatikë…), ndërsa ngjarja u pa si ekspozimi që vë në skenë këtë larmi prezantimesh si dhe «shkëmbimin e ideve» që duhet të dalë në dritë. Të vetmet ngjarje janë ekspozitat dhe të vetmit koncepte mallrat që mund të shesim. Zhvillimet e përgjithshme që zëvendësuan Kritikën me promovimet tregtare e afektuan filozofinë. Simulakra, simulimi i një pako makaronash është shndërruar në koncept të vërtetë, dhe shfaqës-ekspozuesi i produktit, mall apo vepër arti, është bërë filozofi, personazhi konceptual ose artisti. Si u bë e mundur të rreshtohej filozofia, kjo grua e moshuar, në rangun e kuadrove të rinj për garën drejt universalëve të komunikimit për me përcaktu formën mall të konceptit, MERZ[9]? Sigurisht që është e dhimbshme të mësosh se «Koncepti» emërton një shoqëri shërbimi dhe inxhinierie informatike. Por, sa më shumë filozofia ndesh rivalë të paturpshëm e të metë, aq më shumë i zbulon ata brenda vetes, aq më vrullshëm ndjen se duhet të përmbushë detyrën e saj, krijimin e koncepteve që, më tepër se mallra, janë aerolitë. Të qeshurat e çmendura që e kapin ia mposhtin lotët. Kështu pra, çështja e filozofisë është atëherë pika e njëjësishme ku koncepti ndërlidhet me aktin e krijimit.

Vetëm pedagogjia mund të pengojë rënien nga majat enciklopedike në mjerimin absolut të formimit prej tregtari, mjerim absolut për mendimin.

Filozofët nuk janë marrë sa duhet me natyrën e konceptit si realitet filozofik. Kanë parapëlqyer ta konsiderojnë si një njohje ose një përfytyrim të dhënë që shpjegohej me zotërimin e aftësive për ta formuar (abstragimi ose përgjithësimi) ose për ta përdorur (gjykimi). Por koncepti nuk është një e dhënë, ai është krijuar, ai është për t’u krijuar; ai nuk është formuar, por vendoset vetë në vetvete, vetëpohim. Krijimi dhe vetëpohimi implikojnë njëri-tjetrin, sepse krijesa e vërtetë, duke nisur nga e gjalla e duke shkuar te vepra e artit, gëzon për të njëjtat arsye vetëvendosjen dhe karakterin autopoietik, prej ku dhe e shquajmë si të tillë. Sa më shumë koncepti krijohet, aq më shumë vendoset. Çdo gjë që varet nga aktiviteti i lirë krijues vendoset në vetvete, pavarësisht dhe domosdoshmërisht: më subjektivja është dhe më objektivja. Postkantianët janë ata që i dhanë më shumë rëndësi konceptit si realitet filozofik, veçanërisht Schellingu dhe Hegeli. Hegeli përkufizoi fuqimisht konceptin nëpërmjet Figurave të tij të krijimit dhe Momenteve të tij të vetëvendosjes: figurat janë përkatësitë e konceptit sepse ato përbëjnë anën sipas së cilës koncepti është krijuar nga ndërgjegjja dhe në ndërgjegje, falë trashëgimisë së shpirtrave, ndërkohë që momentet përbëjnë anën ku koncepti, duke u vendosur, bashkon shpirtrat në absolutin e Vetes. Hegeli tregoi në këtë mënyrë se koncepti s’ka të bëjë aspak me ide të përgjithshme ose abstrakte, dhe as me idenë e një Urtësie të pakrijuar e të pavarur nga filozofia. Por çmimin e rëndë e paguante në këtë rast qarkullimi i pavarur i shkencave dhe arteve, sepse për shkak të shtrirjes së papërcaktuar të filozofisë me prirjen për të ndërtuar universalë nisur nga momentet e saj, personazhet e krijimtarisë së vet ajo i mpakte në figurantë fantazma. Post-kantianët i vinin rrotull bërjes së një enciklopedie universale të konceptit, gjë që e shihte krijimin e tij si subjektivitet të kulluar, në vend që të merrnin përsipër një detyrë më të thjeshtë, pedagogjinë e konceptit, që ka për qëllim të analizojë kushtet e krijimit si faktorë momentesh gjithnjë singularë[10]! Nëse tri moshat e konceptit janë enciklopedia, pedagogjia dhe formimi profesional tregtar, vetëm pedagogjia mund të pengojë rënien nga majat enciklopedike në mjerimin absolut të formimit prej tregtari, mjerim absolut për mendimin, çfarëdo qofshin përfitimet sociale nga këndvështrimi i kapitalizmit universal.


[1] Shih L’oeuvre ultime, nga Cézanne tek Dubuffet, Fondacioni Maeght, parathënie e Jean-Louis Prat.

[2] Barbéris, Chateaubriand, Botimi Larousse: «Rancé, libër mbi pleqërinë si vlerë e pamundshme, është libër i shkruar mbi pleqërinë në pushtet: është libër rrënojash universale ku shfaqet vetëm pushteti i shkrimit.»

[3] Kojève, Tyrannie et sagesse, fq. 235 (në Leo Strauss, De la tyrannie, Gallimard)

[4] Këtë pyetje mund ta përkthejmë nga gjuha frënge dhe në formë më të thjeshtë: “A gjendet zdrukthtari i mirë në fuqitë e drurit?” Kam preferuar formën e dytë që është më e fortë dhe më thelbësore (shënim i përkthyesit)

[5] Shembulli i Ksenofonit, République des Lacédémoniens, IV, 5. Detienne dhe Vernant analizojnë këto aspekte të qytezës.

[6] Mbi lidhjen e miqësisë me mundësinë e të menduarit në botën moderne, shih Blanchot, L’amitié, dhe L’entretien infini (dialogu i dy të lodhurve), Gallimard. Gjithashtu Mascolo, Autour d’un effort de mémoire, Bot. Nadeau

[7] Nietzsche, Vepra postume 1884-1885, Œuvres Philosophiques XI, Gallimard, p. 215-216 (mbi e artin e mosbesimit »).

[8] Platon, Politique, 268, 279a.

[9] Term i marrë nga një titull vepre i Kurt Schwitters, “Komerz und Privatbank”. (shënim i përkthyesit)

[10] Frédéric Cossuta, me dashje në mënyrë shkollareske, propozon nje pedagogii interesante të konceptit në Eléments pour la lecture des textes philosophiques, Botimi Bordas.

FILLO BASHKËPUNIM ME BRITMI

Regjistrohu. Ne do të ju kontaktojmë!

Duke u regjistruar, ju konfirmoni se keni lexuar kushtet e përdorimit. Për më tepër lexoni rregullat tona të privatësisë.

Autor: Gilles Deleuze dhe Félix Guattari

Përkthimi: Përktheu nga frëngjishtja: Elvis Hoxha

Rreth artikullit: Marrë nga libri i Gilles Deleuze dhe Félix Guattari Ç'është filozofia? (Qu'est-ce que la philosophie?). Përkthyer nga origjinali Elvis Hoxha. Botues në shqip Zenit, Tiranë, botim i dytë (2017).

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

4 Tetor, 2021
Postime të ngjashme
Temperamente Filozofike: Nietzsche
Një kokëçarës për demokratët dhe një i marrë për profesorët, emri Friedrich Nietzsche ende i bën zemrat e artistëve dhe revizionistëve të rrahin më shpejt. Arsyen për pabarazinë e fateve të perceptimit të tij e
Shëndeti: Koncept popullor dhe pyetje filozofike
“Cili prej nesh nuk ka folur për atë se çfarë është e shëndetshme e çfarë e dëmshme përpara ardhjes së Hippocrates-it?” Kështu argumenton Epictetus, në Discourses, për përdorimin popullor të një nocioni apriori të së
Gjithçka që duhet të dini për “Dialektika e Iluminizmit”
Me rastin e botimit jubilar të 75 vjetorit nga botimi i parë i “Dialektika e Iluminizmit” “Dialektika e Iluminizmit” është një nga librat më të rëndësishëm për njerëzit e maturuar. Bëhet fjalë për median, manipulimin
Kush është Subjekti i Të Drejtave të Njeriut?
Qysh e dimë, pyetja e ngritur nga titulli im e mori një kthjelltësi të re gjatë dhjetë viteve të fundit të shekullit njëzet. Të Drejtat e Njeriut apo të Drejtat Humane[1] sapo ishin përtërirë në
A e përplotësojnë Sade dhe Masoch njëri-tjetrin?
Me [Marquis de] Sade-në dhe [Leopold von Sacher-] Masoch-un funksioni i letërsisë nuk është ta përshkruajë botën, meqë kjo është bërë tashmë, por ta përkufizojë pjesën plotësuese të botës që është në gjendje të nxërë