Jennifer Senior
Në mëngjesin e 11 shtatorit, Helena, figura më stoike në mesin e McIlvainëve, ishte e vetmja që kishte bërë panik. Jeffi e dinte që vëllai i tij nuk punonte te Kullat Binjake. Bob plaku, i cili atë ditë ligjëronte në njësitin psikiatrik për adoleshentë pranë spitalit lokal, e trajtoi djegien makabër të kullave si ngjarje mediatike dhe bashkë me të gjithë të tjerët filloi ta përcjellë mbulimin televiziv.
Helena, në anën tjetër, e pa televizorin dhe iu desh të ulej. E dinte që ishte qesharake, besëtyte, por kur kishte folur me Bobbyn një natë më herët kishte harruar ta përfundonte bisedën ashtu siç e përfundonte çdo herë: “Bëj kujdes.” Ia kishte thënë ato fjalë më vonë pranë arkivolit derisa po e fusnin në varrin e tij.
Pasi askush nuk kishte arritur të lidhej me Bobbyn, në mesditë secili anëtar i familjes ndjehej si Helena. E vërtetë, rrjeti i celularëve në Manhattanin e Ulët kishte rënë dhe telefonat po punonin në mënyrë sporadike, por natyrisht që Bobby do të gjente mënyrë t’i thërrasë prindërit e tij sepse ai dinte të fliste në telefon me ta me orë (Si është e mundur që keni aq shumë gjëra për të biseduar? gjithmonë e pyesnin shokët). As Xheni nuk ishte dëgjuar me të, gjë që njëmend nuk shkonte. Bobby sapo e kishte pyetur babain e saj para dy ditëve për leje për t’i propozuar martesë.
Pasdite, Andre, shoku i tij i ngushtë dhe ish-shoku i dhomës, më në fund kishte rënë në kontakt me një grua në Merrill Lynch e cila me siklet i kishte treguar që Bobby dhe një koleg kishin qenë të planifikuar të merrnin pjesë në një konferencë në mëngjes në Windows of the World, restorantin në Kullat Binjake, dhe që atëherë askush nuk ishte dëgjuar me ta. Andre u telefonoi McIlvaineve.
“Ajo natë e parë ndoshta ishte më e zorshme se kur e morëm vesh sigurt që kishte vdekur,” thotë Jeffi, “ngase nuk kishim ide se çfarë kishte ndodhur. Nuk më hiqej nga mendja – që ai ishte gjendur aty, e kupton?”
Të tretë fjetën së bashku. Jeni qëndroi e vetme në dhomën e saj të ditës atë natë, e ngjitur për televizor.
Të mërkurën në mëngjes, Jeffi dhe Bob plaku qenë tepër të trazuar që të rrinin në Oreland. I hipën trenit për New York dhe më kot shkuan nëpër qendrat e ndihmës së parë të qytetit. Asgjë. Vëllai im qëndronte në radhë pranë qendrës për të zhdukurit; Andre udhëhiqte një qendër komande nga banesa e tij duke telefonuar gjithandej dhe duke gjurmuar secilin kontakt të tij; Jeffi i kontrollonte të gjitha faqet e internetit që i gjente. Përditëso, përditëso, përditëso.
Jeni rrinte ulur dhe priste.
Bob plaku e kaloi të mërkurën mbrëma në banesën e vëllait tim dhe Bobbyt, duke fjetur në shtratin e djalit të tij.
Të nesërmen, Departamenti i Policisë së New Yorkut i telefonuan Andreut, kësaj here me lajmin e zymtë: Të gjithë duhej të shkonin menjëherë në avenynë e Lexingtonit pranë shtabit të Gardës Kombëtare.
Prapë ishte Andre ai që duhej t’ua jepte lajmin McIlvaineve. Helena veproi me qetësi ashtu si i thanë të vepronte. I trajtoi udhëzimet sikur të ishte astronaute, duke e ndërmarrë secilin hap të radhës sikur ta kishte kapluar zjarri ndonjërin nga modulet e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
Shtabi ishte një masë kaotike e të pashpresëve. Qindra familje prisnin në radhë jashtë, duke mbajtur posterë me fytyrat e më të dashurve të tyre. Një prift iu priu brenda vëllait tim, Jenit, Andresë dhe familjes McIlvaine. Helen ia dha emrin e Bobbyt. Një polic iu afrua nga qoshja e sallës. “A jeni ju nëna?”
Ajo që pasoi mbetet e mjegullt. I drejtuan drejt një dhome të veçantë ku erdhën psikologët e specializuar për raste vdekjesh. Pastaj diçka e pazakontë ndodhi: erdhi Rudy Giuliani (atëbotë prefekt i New Yorkut).
Prefekti ishte vetëm. Pa këshilltarë, pa kamera, pa asgjë. U duk sinqerisht i lehtësuar që e kishte një familje për ta ngushëlluar në atë moment kur aq shumë nju-jorkezë në zi ende po përdridheshin në pezull, duke ngjitur fotografi të të zhdukurve në shtylla publike të ndriçimit, rrethoja, mure të spitalit.
Giuliani i përqafoi të gjithë. Pastaj u ul përballë McIlvaineve. I nxori vetëm pesë fjalë: “Më tregoni për djalin tuaj.”
Nëse Bob plaku kishte zgjedhur ta ushqente mërzinë e tij, Helena kishte zgjedhur t’ia mohonte ushqimin mërzisë së saj. Fliste për pikëllimin me grupin e saj të të çalëve, për shkak se e kuptonin. Por ishte e vendosur të mos bëhej, siç thotë ajo, “të paktën nuk jam si Helena.” Ishte mjaftueshëm e zorshme të jetohej me të pamundurën. Por të gjendej në pozitë që t’i ngushëllonte të tjerët për fatin e saj të keq, apo t’ua menaxhonte sikletin, ose, më e keqja nga të gjitha, të buzëqeshte me mirësjellje derisa të tjerët tregonin keqardhje – këtë nuk mund ta përballonte. Helena ende mundet ta riprodhojë listën e gjërave qëllimmira që njerëzit ia kanë thënë por që e kanë lënduar.
Prindërit nuk duhet t’i varrosin fëmijët e tyre.
Kurrë nuk do të jesh më e njëjta.
Isha pranë fëmijëve të mi mbrëmë dhe më ra në mend që ti më kurrë nuk do ta përjetosh këtë ndjenjë.
A e kuptonin njerëzit që po ndërtonin një hendek, e jo një urë, kur thoshin gjëra të tilla? Që po i merrnin shembull kështjellat e bukura në të cilat jetonin, muret e të cilave ende ishin të mbështjella me fat?
Ai vit i parë qe brutal. Njëherë, ndërkohë që ishte ulur në një restorant me shoqe, njëra nga to filloi të fliste gjerë e gjatë për talentin muzikor të djalit të saj. “Më vinte të klithja,” thotë Helena. “U detyrova të largohem. Nuk mundja të dëgjoja dikë të fliste për fëmijën e saj. Me vite nuk mundja. Nuk mundja.”
Viti i dytë nuk qe më i mirë. Shkoi në Itali me një shoqe në vizitë për ta provuar se mos i ndihmonte. Thotë se qe dukur e ftohtë, e distancuar, e çuditshme. Druhej nga pyetja më e padëmshme: A ke fëmijë?
Puna i ndihmonte. Nxënësve të saj u duhej, dhe kolegët ishin të mrekullueshëm. “Por mua nuk më duhej ndihma e tyre, sepse ishte shumë shpejt pas asaj që kishte ndodhur,” thotë ajo. “Por disa vite më vonë, dukej thua se isha këndellur. Çfarë nuk ishte e vërtetë. Doja të flisja ndonjëherë. Por më duhej të gjeja mundësi të tjera, sepse në njëfarë forme e kisha mbyllur atë derë.”
Nuk arrij të vendos se a përputhet ky rrëfim me Helen të cilën tash e njoh. Ndoshta?
Helena: bën pak makiazh, ose aspak. Është gjithmonë e disponuar mirë. Gjithmonë është e mbushur me pyetje për jetën tënde. Është asi njeriu që i përshtatet çfarëdo plani dhe mund t’i kalojë 20 minuta me ty në ndonjë farmaci duke provuar syze qesharake leximi.
E kemi bërë së bashku një gjë të tillë para pak vitesh në Florida. Kishim shkuar për ta vizituar nënën time në të njëjtën kohë.
Andaj kjo drojë që po e përshkruan është pak e panjohur për mua. “Kam personalitet të çuditshëm,” më thotë. “Ndodhë që qaj për një bluzë që e kam dëmtuar në rrobalarëse dhe pastaj të jem stoike për diçka …” Përhumbet, por besoj që fjala të cilën po e kërkon është të madhe.
Por me Bobbyn…! Bobby arrinte të nxirrte në pah pjesën e saj emocionale, sepse ishte djalosh shumë i ndjeshëm. “Njëherë, pasi e kisha dëgjuar për gjysmë ore tek vajtonte për njërën nga të dashurat e tij, i thashë ‘a e kupton që unë jam e martuar me babanë tënd që 30 vite dhe kurrë nuk kam menduar kaq shumë për të?’” Natyrisht që ajo e kishte shijuar secilën minutë të asaj bisede.
Hera e fundit kur e kishte parë Bobbyn ishte dy net para se ai të vdiste. Rreth një orë më herët, ai kishte kërkuar leje nga babai i Jenit që të martohej me vajzën e tij; tani dy familjet po darkonin në një restorant në Lambertville, New Jersey, ku Jeni kishte një apartament. Helena e shikoi djalin e saj dhe ia pa ballin që ende po i vezullonte nga djersa. E futi dorën nën tavolinë për t’ia gjetur dorën. Ai e kryqëzoi gishtin e tij të vogël me gishtin e saj. I mbajtën gishtat e lidhur mes vete derisa erdhi darka.
Në prag të dhjetëvjetorit të 11 shtatorit, Helena e kuptoi që nuk ishte fort mirë. E kishte humbur fëmijën e saj, ndoshta kështu qe shkruar të ishte jeta e saj: jo mirë. Por nuk ishte e bindur për këtë gjë. Përgjatë kësaj rruge, qëndresa e saj, refuzimi i saj i patundur për t’u shndërruar në viktimë – iu hakmor. “E pashë vetën që u bëra shpirtngushtë. Dhe grindavece. E pashë veten që nganjëherë bëhesha pak si shumë llafazane.”
Kurrë nuk e kam dëgjuar Helenën të thotë fjalë të keqe për ndokënd. Edhe kur e përmendi që së shpejti do ta takoj Jenin, reagon me siklet, por jo me zemërim. Nuk dëshiron të hapë plagë të vjetra. Të dyja kanë qenë duke vuajtur tmerrshëm në atë kohë; asnjëra nuk ishte personifikimi më i mirë i vetes.
Në rregull, po çka nëse ma huazon ditarin? e pyes unë.
“O zot. A martohesh me mua?”
Por kjo është Helena e tanishme. Helena e para një dekade vendosi që ajo nuk ishte kush ajo dëshironte të ishte. Terapia të cilën po e vijonte kishte ngecur. Kishte vështirësi ta menaxhonte zemërimin e saj. “Jeta ime është plotësisht jashtë ekuilibri,” kishte shkruar me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit.
Kishte mbajtur shumë brenda vetes, dhe tani po piqej në yndyrën e vet.
Pas pak kohe, filloi të shkonte te një terapiste tjetër. Kjo e reja ishte më spirituale. Dhe perspektiva e re ndryshoi shumëçka. “Ajo vërtetë beson që ne nuk i shohim të gjitha.”
Edhe para se të vdiste Bobby, Helena ishte fanse e librave për fuqizim personal. Por pas 11 shtatorit, i blinte me shumicë, thithte çdo gjë që gjente për humbjen. E konsideron të pazëvendësueshme Elisabeth Kübler-Rossin – jo aq shumë për shkrimet e saj rreth pesë fazave të mërzisë, sa për shkrimet e saj rreth jetës pas vdekjes.
Kübler-Rossi dikur e konsideronte besimin në jetën pas vdekjes si formë të mohimit. Por diku rreth mesit të 70-tave, ndryshoi mendje, duke mbledhur mijëra dëshmi nga ata që kishin pasur përvoja buzë vdekjeje për të treguar që shpirti ynë vazhdon të rrojë më gjatë se ne.
“I shikoja librat për jetën pas vdekjes, por të gjithë ishin shumë të bazuar në fe,” thotë Helena. “Doja të besoja në atë që më kishin mësuar në edukimin tim katolik. Por çfarë më pëlqente te Kübler-Ross ishte fakti që ajo kishte shkollim shkencor.”
Ishte pikërisht fakti që bëhej fjalë për shkencëtare, që kolegët mjekë të Kübler-Rossit ishin kaq të tronditur nga kjo kthesë e çuditshme në interesimet e saj. E konsideronin të marrë dhe jorigoroze, si njollë mbi punën e saj. Ia them këto Helenës. Qeshet. “Vë bast që ata nuk kanë shitur miliona libra.”
Kübler-Rossi kishte përdorur një metaforë paksa patetike por intuitive për t’i përshkruar trupin dhe shpirtin: Trupat tonë janë mbështjellësit tonë të vdekshëm, “gëzhojat” tona; kur vdesim i flakim tutje dhe shpirtrat tonë – “fluturat” tona – lirohen në gjithësi. Helena e çmon këtë ide. Ishte nocion që mund të shpengonte një jetë befas dhe dhunshëm të shkurtuar. “Një ditë në fakt kam menduar, Çka nëse ka një hierarki dhe Bobby është pjesë e saj, dhe ai ka ardhur poshtë në formë njeriu vetëm për pak kohë?”
Ajo dhe Bob plaku filluan t’i shikonin serialet “Supernatural” dhe “Buffy the Vampire Slayer,” seriale që s’e kishin imagjinuar se do t’i shikonin ndonjëherë.
Dhe këtu në këtë botë, Helena e kuptoi gradualisht që nuk përfiton asgjë nëse e mban mërzinë brenda vetes. Në moshën 60 vjeçare filloi të vraponte, jo vetëm për shkak se e bënte të ndihej mirë por sepse e lejonte të qajë. Filloi të shprehej më shumë. Një ditë e vërejti që stuhitë e ankesave që i zbrazte në ordinancën e terapistes së saj qenë krejt triviale, shumë shpirtngushta, krejt të kota. Pse po zemërohej kaq shumë?
Tani po e bën atë që librat për vetëfuqizim të porosisin ta bësh: të heqësh dorë nga gjërat. Më tregon për një shoqe shprehia e së cilës për t’u marrë me veten e tërbonte. Por së fundmi, foli me të në telefon dhe vendosi që t’i shijojë vetëm gjërat e mira.
Uau, i them. Çfarë të bën kaq zemërbutë?
“Nuk më bënte mirë.”
A e di çfarë nënkupton pranim radikal? Të jetosh me një burrë që ia ka kushtuar jetën përhapjes së teorisë që Shtetet e Bashkuara e kanë orkestruar qëllimisht kolapsin e Kullave Binjake dhe pastaj kanë marrë pjesë në komplotin për ta fshehur atë. Harroji shkrimet me këshilla se si ta mbijetosh Ditën e Falënderimeve me dajën që e përkrahë Trumpin. Si ta mbijetosh martesën shumë-dekadëshe pas vdekjes së djalit, kur bashkëshorti yt zgjohet çdo ditë i skuqur si plagë e hapur i vendosur që ta ekspozojë të vërtetën?
Helena do të gënjente po të thoshte që kjo gjë nuk ka shkaktuar fërkime.
“Ka pasur shumë momente kur kam thënë me vete, Oh, të lutem,” thotë ajo. Ishte krejt e hapur ndaj disa gjërave që i thoshte Bob plaku. “Por shumë prej tyre ishin gjëra emocionale, dhe shumë prej tyre nuk mund t’i gjurmoja e t’i zbuloja as vet, dhe unë nuk jam njeri që kërkon përgjigje në internet. Nuk kam dashur t’ia shpërthej ballonin duke i thënë vazhdimisht, ‘A e ke kontrolluar, a është uebfaqe valide?’”
Mbase sfida më e madhe, në kontekstin e të mirave e të këqijave të një martese, ishte ndërveprimi ditor. Fokusi i vetëm i Bob plakut nënkuptonte që çdo bisedë pa paralajmërim do të kthehej te 11 shtatori. Helena do të zbriste nga kati i sipërm poshtë për t’i thënë se po mendonte ta blejë një xhemper të ri; ai do të përgjigjej duke e pyetur nëse e dinte që qeveria kishte gënjyer për datën e vdekjes së Osama bin Laden.
“A ma ka zënë rrugën,” pyet ajo. “Po, shumë herë. Niseshim për të shkuar diku, dhe i thoja ‘Bob, nuk mund të flasësh për 11 shtatorin.’ Ai më thoshte, ‘paj, po më pyesin për të.’ U mashtrova me këtë pohim 99 herët e para derisa terapistja më tha, “nuk mjafton.’ Kur dalim, atëherë kemi dalë. Nuk dua që të jem përherë viktimë, viktimë, viktimë.”
E tash si e trajton, e pyes, kur e ndjen që edhe një monolog është në përgatitje e sipër?
“Tani i them, ‘Bob, po ta shoh në fytyrë pamjen që thotë unë nuk flas për asgjë tjetër pos për 11 shtatorin.’ Kemi ardhur në pikën kur mund të bëjmë shaka për këtë.”
Helena do që unë ta kuptoj: Janë disa aspekte të obsesioneve të Bob plakut që ajo nuk është se thjesht i toleron, por në fakt i përkrahë plotësisht. Para dy vitesh, e kishte dëgjuar një prezantim të Arkitektëve dhe Inxhinierëve për të Vërtetën e 11 Shtatorit dhe iu duk bindës. Janë pjesë të tjera të narracionit të tij, të cilat vazhdimisht evoluojnë, që nxjerrin fije të reja. “Po të isha në vendin e tij, do të merresha vetëm me Kullat,” thotë ajo. E pyes a është e njoftuar me teorinë e tij më të re, me arin japonez. E tund kokën. “As nuk e dëgjoj,” thotë ajo. “Po e mbroj njeriun, jo këndvështrimin.”
Para shumë kohësh, Helena e kishte kuptuar që “e vërteta e 11 shtatorit,” siç i pëlqen Bob plakut ta quaj, ia kishte futur grepin burrit të saj, dhe ajo nuk kishte menduar kurrë që është punë e saj ta heqë atë grep. “Jam shumë protektive ndaj tij,” thotë ajo. “Nëse ai vendos të bëhet striptist në shtëpi të pleqve, në rregull jam me këtë vendim. Le të jetë ai që do të jetë, sepse dreqi e marrtë, kjo ka ndodhur, e di? Dhe nëse e ngushëllon –“
E ndërprenë veten, dhe buzëqeshë me siklet. “Hiqe atë pamje nga koka.”
Helena nuk e sheh as ëndërr braktisjen e këtij njeriu të dashur. Ai ishte trajneri i Bobbyt në Ligën e fëmijëve. Ishte ai që organizonte gara rreth e përqark shtëpisë kur fëmijët ishin të vegjël, duke përdorur një shirit ngjitës si vijë finishi. Bob plaku ishte vardisësi i vetëm i saj që i kishte sugjeruar të angazhohen në sporte bashkërisht – të tjerët mendonin që sportet ishin vetëm për burrat.
Dhe tani ai është i vetmi njeri në botë që e kupton ndjenjën se si ishte ta rrisësh Bobby McIlvainein dhe pastaj ta humbësh.
Më çon te muri me një poster gjigand të futur në kornizë që e kishte punuar enkas për burrin e saj para pesë vitesh. Është një tabelë periodike e Bob plakut, një duzinë fotografish të tij, të gjitha të vendosura në një tabelë. Bob plaku duke biseduar me Rosie O’Donnell. Bob plaku duke u intervistuar nga televizioni francez. Bob plaku duke folur në një forum për raportin e Komisionit të 11 shtatorit, të transmetuar nga kanali C-SPAN. “Ia kam bërë dhuratë për ditëlindjen e 70-të,” thotë ajo. Hyri në internet, e kërkoi me Google emrin e tij, dhe ja. Galeria e heroit. “Më pëlqen ta shikoj.” Ai u bë superylli, që çuditërisht, djali i tij nuk e pati shansin të bëhet.
Kryqëzata e Bob plakut mund t’iu duket të tjerëve si çmenduri. Helena e sheh si gjest dashurie. “Është sikur ka shkuar në luftë për djalin e tij,” më thotë. “Po e luan rolin e babait në formën më të mirë që di. Si mundem mos t’ia lejoj një gjë të tillë?”
Shumica e teorive mbi mërzinë, sidomos ato që merren me fazat e pikëllimit, janë më shumë letrare se të fjalëpërfjalshme. Njerëzit nuk mbajnë zi në formë sekuencash, dhe as nuk mbajnë zi me ndonjë logjikë të caktuar. Por është një aspekt i një modeli të cilit i kthehem vazhdimisht sa herë që mendoj për Mcilvainet. Është kjo faza e “mallit dhe kërkimit,” që fillimit është përshkruar nga dy psikiatër britanikë Colin Murray Parkes dhe John Bowlby gjatë viteve 1960. “Përmes kërkimit,” shkruan Parkes, “personi në zi ndjehet dhe vepron sikur personi që ka pësuar mund të ngjallet, ndonëse është i vetëdijshëm që një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.”
Se si Bob plaku kërkon është e qartë. Por pasi fola me Helenën e kuptova që ndoshta preokupimi i saj disavjeçar me ditarin e fundit të Bobbyt ishte ekuivalent me obsesionet e Bob plakut. “Po!” përgjigjet kur e ngrit këtë mundësi. “Po, po. Është sikur ‘nëse nuk mund ta kem këtë, atëherë më duhet ta kem atë’.”
Ndonëse një gjë ma ngacmon kureshtjen. Helena i ka dy ditarë të mëhershëm të Bobbyt. Poashtu e ka edhe një grumbull fletoresh me shkrimet e tij, shumë prej të cilave kanë shënime të ngjashme me stilin e ditarit. Por pothuajse fare nuk i ka shfletuar.
Njëra arsye është praktike. Janë vështirë të deshifrueshme. Dorëshkrimi i Bobbyt është pedant, por i imtë dhe paksa i veçantë. Tjetra arsye është instinktive: për një kohë të gjatë Helena është frikësuar se leximi i tyre do të ishte shkelje e një kufiri të shenjtë, “sikur t’i hysh dikujt në dhomë pa trokitur.” Ndërsa një arsye krejt tjetër ka të bëjë me dhimbjen që ia shkakton asaj. “Kam provuar sot prapë,” shkruan në përkujtimin me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së Bobbyt. “Mendova, ‘nëse nuk i shfletoj unë tani para se të vdes, kush do t’i shfletojë?’” Duroi vetëm 10 minuta. Bob plaku nuk i ka shikuar fare.
“Por diku i kam gjetur fjalët Jeta vazh-don,” më thotë Helena.
Kam dashur ta pyes për këtë, sepse tani po i lexoj ditarët dhe fletoret e shënimeve të Bobbyt, dhe nuk po e gjej askund këtë fjali. A vazhdon të mos e dijë se nga ka ardhur?
Nuk e dinte. Mendonte që Bobby e kishte shkruar për një të afërm të familjes që kishte vdekur, por e kishte gabim. I them që do të vazhdoj ta kërkoj.
E marr njërin nga dy ditarët me vete në dhomën time të hotelit atë natë. Dhe derisa po e lexoja e kuptova edhe një arsye tjetër pse Helena ndoshta kurrë nuk ka tentuar t’i shikojë imtësisht këta ditarë. Janë të kohës kur Bobby po e vijonte vitin e parë dhe të dytë të studimeve, kur ende ishte një proto-njeri, realisht ende ishte fëmijë. Qartazi disa nga shënimet e hedhura në fletoret e verdha i kishte bërë kur ishte më i vjetër, por ato shënime ishin kaotike dhe pa datë. Vetëm ditarët mund të menaxhohen dhe janë kronologjik, dhe lexohen sikur përsiatje të një djaloshi në fund të adoleshencës – ekstravagant, me shpirt plot, paksa sentimental. Nuk tingëllon aspak si Bobby i 11 shtatorit, 2001, i cili ishte gati 27 vjeç.
Megjithatë ende më argëtojnë ditarët, dhe ato fletore kaotike shënimesh, sidomos pjesët mbi shkrimin. Edhe si 19 vjeçar, Bobby po mundohej ta gjente zërin e tij, nganjëherë duke kaluar nga veta e parë në veten e tretë për të parë se cilën e preferonte (dhe duke e theksuar një gjë të tillë në margjinat e fletores – eksperimenti me vetën e tretë!). Ato janë të mbushura me këshilla dhe përkujtues vetvetes: më duhet t’i rri besnik zërit tim, çfarëdo qoftë ai. Shkruaj gjëra të tmerrshme me zërin e njerëzve të tjerë! Dhe ajo që e kam favorite: Shpresa është edhe më e rëndësishme se talenti.
Brenda tyre ka një ton gjërash të bukura për familjen e tij. Ndoshta kjo pjesë më mahnit më së shumti, duke pas parasysh që Bobby ishte në adoleshencën e vonshme, periudhë kjo kur shumica e fëmijëve transformohen në shpartallues të pashpirt të familjes. Por ja që ai u kushton faqe të tëra dashurisë dhe admirimit për Helenën, Bob plakun dhe Jeffin. Në maj të vitit 1995, për shembull, shkruan se si e kishte kuptuar që babai i Bob plakut kishte qenë alkoolist. Bobby nuk e kishte pasur idenë. Ai nuk më shiti dushk për gogla, Bobby kishte shkruar për babanë e tij.
U sigurua që unë të kem diçka më të mirë, dhe nga unë ka kërkuar vetëm të përpiqem. Kjo është e tëra që ai ka kërkuar nga unë. Kjo është e tëra që nëna ime ka kërkuar nga unë. Dhe unë dua shumë që t’i bëj krenarë, edhe më krenarë se që janë. E meritojnë krenarinë. Meritojnë më shumë se që unë mund t’iu jap ndonjëherë, por ja që kurrë nuk kërkojnë asgjë më shumë se mua. I dua shumë.
Nuk mund ta fajësosh Helenën për dëshirën që të dëgjojë se çfarë ka pasur për të thënë kur është bërë djalë i rritur.