Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Çka la pas vetes Bobby Mcilvaine (III)

Çka la pas vetes Bobby Mcilvaine (III)

Jennifer Senior

Jen Cobb, tani Middleton, tash i mbanë flokët e gjata, jo si dikur të shkurta, por stili dhe sjellja e saj kanë mbetur të njëjtat. Ende është e gjallë, ende e këndshme, ende e bukur për t’u parë; kur ngjitem lart te dera e saj në Washington, DC, më përshëndet me përqafim të gjatë. Brenda janë qentë e adoptuar nga strehimorja, dhoma të mbushura me dritë, kuzhina thua se ka dalur nga filmi i Nancy Meyers. (Prisja vetëm që edhe Meryl Streep të dalë nga kuzhina me një tabaka me kifle të papjekura).

Sipas pamjes së jashtme, Jeni ka ndërtuar jetë të këndshme. Por iu ka dashur ta përmbledhë atë jetë tullë më tullë, dhe përpiqet me zell t’i mbajë nyjet bashkë që të mos shpartallohen.

Kur bisedova me Helenën për Jenin, ajo e bëri një vrojtim të mprehtë: Jeni vinte nga një familje me shumë para por pak dashuri, ndërkohë që McIlvainet kishin shumë dashuri por pak para. Jeni thotë po, ky vrojtim është pjesërisht i saktë, ndonëse nëna e saj ishte shpirt i dashur; por ja që ajo nuk kishte jetuar sa duhet me Jenin. Susan E. Cobb kishte vdekur me 20 prill, 2001, më pak se pesë muaj para se të vdiste Bobby, nga një lloj kanceri që fillimisht u shpërnda ngadalë, e pastaj furishëm.

Që do të thotë: Më 11 shtator, Jeni tashmë ishte hije e vetvetes.

Babai i Jenit, prindi i vetëm i saj i gjallë, ishte shumë i suksesshëm por mendjengushtë, bullist që ulërinte. Kjo situatë kishte pasoja të parashikueshme për jetën e saj romantike: Jeni kërkonte kontroll të plotë. Nuk mund të duronte më ta ketë dikë mbi kokë.

Dhe atëherë u paraqit Bobby, që kërkonte më shumë ndjeshmëri dhe vendimmarrje të përbashkët për jetët e tyre. Disi, ajo i besoi. Herën e parë qenë takuar para disa viteve, te kompania e reklamave Burson-Marsteller, ku ai njihej si djali i mirë që i bënte të gjithë të ndihen të rëndësishëm. Si romantik i papërmirësueshëm, ai e bëri atë të ndihet e rëndësishme, duke e pyetur për familjen e saj pyetje pas pyetjeje, duke i shkruar letra dashurie pa ndonjë arsye të veçantë. Për ditëlindjen e 27-të të Jenit, më 6 dhjetor, 2000, ai kërkoi nga vëllai im që të zhdukej dhe pastaj i riaranzhoi mobiliet në apartamentin e tyre në formë restoranti ku ai i shërbeu asaj një darkë tri-orëshe.

Jeni do ta kuptonte më vonë që darka ishte provë për t’i propozuar martesë. E rezervoi sallën në Ritz-Carlton në Philadelphia për datën 20 tetor, 2002.

Kur i vdiq e ëma, Jeni mezi funksiononte. Nëna e saj ishte ajo që e mbronte nga stuhitë e tërbimit të babait të saj; ishte ajo që fliste me të natën vonë pasi Jeni kthehej nga zbavitja me shoqe. Megjithatë Bobby qëndroi pranë saj i palëkundur duke e bërë të patolerueshmen të dukej e mbijetueshme. Do të qëndronte me të në çdo hap. Ajo ende do të merrte dashuri.

Pastaj Bobby vdiq. Bota u bë vend i poshtër, i pasigurt. “Nuk kishte asgjë të vetme që mund ta kontrolloja,” thotë ajo. “Asgjë të vetme.”

Jeni i mban gjësendet e Bobbyt në një arkë në nënçatinë mbi garazhin e saj. Në prag të ardhjes time, ajo i kishte sjellë gjërat e tij brenda shtëpisë në një çantë pëlhure ngjyrë të bruztë. Filloi të shoshiste nëpër të. “Ja ditari,” më thotë, duke bërë me gisht. “Kjo gjë që shkaktoi tërë atë rrëmujë.”

Dy ditarët tjerë të Bobbyt i kishin qindra faqe. Ky, do ta zbuloja pas pak, i kishte vetëm 17 faqe shënime. Tërë ajo bujë për një gjë që mezi përbënte një pamflet.

Por, në fakt, ishin 17 faqe të dendura.

Jenit nuk i kujtohet që e ka marrë ditarin nga Bob plaku. Por, i kujtohet që e ka lexuar menjëherë, duke mos u ngopur, çdo natë. Edhe asaj i kujtohet se si Helena e kishte kërkuar, ndonëse tensionimi nuk kishte nisur menjëherë. Fillimisht, çdo gjë ishte në rregull. Helena ia kishte dhënë unazën e fejesës të cilën Bobby e kishte blerë për të. Kishte qenë moment i vështirë dhe i paceremoni – “Ai do të donte ta kesh” – Jeni u tregua falënderuese për gjestin duke e bartur unazën me vete me muaj të tërë.

Në një moment, Helena filloi të bëhet më e zëshme për atë ditar. “Shikuar nga kjo prizëm, nuk e di ku e kisha hallin,” thotë Jeni. “Sigurisht kam qenë në dhimbje dhe kam pasur nevojë të kem kontroll mbi diçka dhe kam dashur të kem diçka që askush tjetër nuk e kishte. Tani më duket qesharake. Kështu jam ndier atëherë – që ky është i imi dhe që doja të ishte vetëm i imi e nuk kam dashur ta ketë dikush tjetër. Sigurisht jam ndier që ishte e vetmja gjë që më kishte mbetur.”

Çfarë i qe dashur të kuptonte për ato ditë të tmerrshme, të zymta, thotë Jeni, është se jo vetëm që kishte qenë në depresion. Ishte shterur – “ishte dyfish në zi”, siç thotë ajo, për nënën e saj dhe për bashkëshortin. Kur nëna e saj dhe Bobby vdiqën njëri pas tjetrit, ajo u fut në depresion të thellë, ndonëse po bënte çmos që ta fshihte. Ende përjeton sulme ankthi. “Kur diçka më shqetëson,” thotë ajo, “e marr shpejt teposhtën.”

Është e nënkuptueshme, them unë. E vetmja gjë që e kam të pamundur ta kuptoj është pse kishte refuzuar t’i transkriptojë pjesët jopersonale të ditarit të Bobbyt për Helenën. Nuk është veprim i personit në depresion apo personit që mban zi. Është veprim i dikujt që është i hidhëruar. Duhet të ketë qenë e nervozuar me Helenën për ndonjë arsye, apo jo?

Këtu Jeni bën pauzë. Pastaj fillon t’i peshojë fjalët. “Kjo nuk është goditje ndaj Helenës,” më thotë. “E kam tejkaluar. Por në atë kohë e mbaj mend që hidhërohesha kur më thoshte ‘Do të jesh ok, sepse je e re.’” Jeni e kuptonte se kishte dallim ndërmjet humbjeve të tyre. “Por u ndjeva sikur më thoshte që mërzia ime është më pak e rëndësishme se e saj. Unë isha në një pikë të dhimbjes ekstreme, por më kujtohet se mendoja me vete, Si e di ajo që do të jem ok? Çka nëse nuk jam ok? Çka nëse kam një mënyrë tjetër të të mosqenit ok?”

Një gjë që nuk ia thua personit që mban zi, më thotë Jeni, është të mos i thuash që do të jetë ok. Ndoshta do të duhej të shtonte: këtë nuk duhet t’ia thuash as personit në depresion. Depresioni e bën këtë gjë – të bindë që kurrë nuk do të jesh ok. 

“Tash e kuptoj,” më thotë ajo. Sepse natyrisht që Helena kishte të drejtë. Jeni gjeti dashurinë sërish. Por në atë kohë, ajo ishte e bindur që nuk do ta gjente. Kishte konsideruar t’i ngrinte vezoret. Njëherë, në një moment paniku si në halucinacione, ishte hamendësuar nëse mund të mbetej shtatzanë me ADN-në nga fijet e flokëve të Bobbyt të mbetura në krehësin e tij.

“Do të kishte mjaftuar sikur të thoshte: ‘Është situatë e tmerrshme për ty. Dhe më vjen keq. Gjasat janë që do ta takosh dikë tjetër.’ Mbase kishte një formë më të mirë për ta thënë,” thotë ajo. “Sido që e ka thënë më ka qitë prej vetes. Kjo për shkak të barrës time personale.”

E pyes a është e mundur që Helena t’i ketë thënë këto gjëra, ndonëse është e mundur t’i ketë thënë ca gjëra të pagdhendura gjithashtu. Ndoshta Jeni nuk i kishte vërejtur – ose ka dëgjuar në vend të tyre fyerje që nuk ishin paramenduar si të tilla – ngase ishte rritur në një shtëpi ku kërkohej vëmendje shtesë për të perceptuar kërcënimin për shkak të temperamentit të babait të saj.

“Njëqind për qind,” thotë ajo. “Me siguri isha unë ajo që po kthehesha në një fëmijë të vogël zemërak. Isha e hidhëruar me botën. Natyrisht që qëllimi i saj nuk ishte të më lëndonte. Është njeriu më i mirë.”

Ajo dhe Helena janë më të ngjashme sesa që ato e kuptojnë. Sikur Helena, edhe Jeni besonte atëbotë se duhet ta fshehë mërzinë. Si Helena, edhe ajo sot ngushëllohet me faktin që shpirti i Bobbyt është diku përreth. “Po e nxjerrë në pah anën time paranormale,” thotë ajo, “por mendoj që do të kthehet, dhe që unë do të kthehem, dhe do ta kryejmë punën që na ka mbetur pakryer.”

Dhe mu sikur Helena, edhe ajo ka mësuar që disa gjëra t’i lëshojë teposhtë. Ky është njëri nga mësimet më të pashpirta që t’i mëson trauma: që nuk je në kontroll. E vetmja gjë që mund ta kontrollosh është reagimi yt ndaj çfarëdo granate që gjithësia e marrë ta hedhë para këmbëve. Duke filluar me dilemën a të ngrihesh nga shtrati. “Dhe pikërisht aty e filloja ditën, në kuptimin e plotë të fjalës” thotë ajo. Me vite.

Sot, derisa po dilja nga dera që të nisesha për New York, Jeni vendosi të ma japë ditarin e Bobbyt. Nuk ngurron fare. Thotë se dëshiron ta mbajë origjinalin, por nuk ka nevojë për nxitim; McIlvainet janë të mirëseardhur ta lexojnë të tërin, të lirë ta fotokopjojnë sa të duan.

“Do ta kisha bërë para shumë vitesh,” më thotë ajo. “Mendoj për ta tërë kohën.”

Para se të largohesha, e pyeta nëse i kujtohet prej nga ka ardhur fjalia Jeta vazh-don. Më shikon si e habitur. “As nuk më kujtohet ta ketë thënë ndonjëherë. A mos është nga ndonjë libër që i ka pëlqyer apo diçka ngjashëm?” E kam provuar, i them. Kam kërkuar në Google Books. Jo. “A mos ka qenë himn?” Himnet nuk i njoh mirë, por nuk ma merr mendja. I them që McIlvainet janë të sigurt që Bobby e kishte shkruar diku, por nejse, nuk është problem i saj. Do të vazhdoj ta kërkoj.

Kujtimet nga përvojat traumatike janë interesante. Disa janë të qarta; disa më të zbehta; por pothuajse të gjitha në një formë apo tjetër janë të korrigjuara. Nuk ka rimë as logjikë në mënyrën se si i kurojmë. E mbajmë mend trivialitetin dhe e harrojmë specialen. Mendja jonë e ka me të vërtetë një mendje të veten.

Jeffi, për shembull, e mban mend që Jeni ka qëndruar në shtëpinë e prindërve të tij pas vdekjes së Bobbyt nja gjysmë viti, ndërkohë që Helena thotë se qëndroi një javë, e Jeni mendon që bëhet fjalë për dy muaj.

Apo një shembull tjetër: Jeni e mban mend që Jeffi flinte trimërisht në dhomën e fëmijërisë së Bobbyt për sa kohë ajo qëndroi me ta, në mënyrë që ajo të mos traumatizohej duke u zgjuar në prani të gjërave të Bobbyt, ndërkohë që Jeffi e mban mend që ajo flinte në dhomën e Bobbyt, dhe që trimërisht zgjohej çdo ditë e rrethuar me gjërat e Bobbyt.

Por ndoshta më e çuditshmja: ndonëse askujt nuk i kujtohet se nga rridhte thënia Jeta vazh-don, të gjithë – dhe e them të gjithë pa përjashtim (Jeni, Jeffi, Bob plaku dhe Helena) – dikur e dinin prejardhjen.

Ishte nga eulogjia e Jenit. E cila ishte bazuar në ditarin e Bobbyt. Ditarin që e kishte mbajtur për 20 vjet.

“Këtë javën e fundit jam vënë në kërkim të një ngushëllimi për të më ndihmuar ta përballoj tronditjen për humbjen e dashurisë së jetës time,” u tha ajo njerëzve të mbledhur në Kishën Mbretëresha e Paqes. “Më ra në dorë njëri nga ditarët e Bobbyt dhe derisa po e hapja, i thashë vetes, ‘përgjërohem të gjej diçka që do të më ngushëllojë.’” Pastaj e përshkroi si e gjeti këtë pasazh, të cilin Bobby e kishte shkruar kur asaj po i vdiste e ëma. E lexoi me zë.

Është OK që njerëzit të vdesin. Dhemb, dhe humbja është e thellë, por është ok. Jeta vazh-don. Mos kini frikë për ata që janë duke vdekur. Tregoni mirësi ndaj tyre. Dhe kujdesuni për ta.

“Jeta vazh-don,” ia përsëriti turmës. “Pasi e lexova këtë, në atë çast u betova të vazhdoj të dashuroj në jetën time, njëjtë siç i kisha premtuar nënës time që kurrë nuk do të lejoj të harrohet. Ishte një mënyrë për të zgjatur një jetë të ndërprerë para kohe.”

E vetmja arsye pse e di këtë gjë është sepse vëllai im e gjeti një kopje të eulogjisë së Jenit. Ajo e kishte hedhur të veten. Nuk është, siç e thotë vet, njeri që ruan gjësende.

Disi i kishte harruar plotësisht ato fjalë, sikur që e kishte harruar edhe prejardhjen e tyre. Edhe McIlvainet e kishin harruar se prej nga kanë ardhur ato fjalë përkundër faktit që Helena i mbanë të gdhendura në byzylykun e saj e Bob plaku i ka të përjetësuara në lëkurën e tij.

Pastaj mu kujtua çka më ka thënë Helena për Jenin: Ajo është e vdekur për mua. Fjalët i mbajti, por Jenin jo. Atë vit që e varrosi djalin, Helena e varrosi edhe nusen e saj.

Helena rishtas ma rrëfeu ngjarjen e një fundjave që e kishte kaluar me Jenin, ndoshta diku 10 ditë para se Bobby të vdiste. E tërë familja ishin për pushime në Kepin May. Ajo, Bobby dhe Jeni ishin ulur në plazh dhe po sodisnin valët e detit, me Bobbyn e ulur mes atyre dyjave. Ishte çast i çiltër lumturie. Helena u kthye kah Bobby t’ia përkëdhelte flokët. Por në të njëjtin moment, në të njëjtën sekondë, Bobby u kthye t’ia përkëdhelte flokët Jenit.

Ishte ky momenti kur Helena e kuptoi që Bobby nuk ishte më i saj. “I thashë vetes, çohu shëtit, shiko shtëpitë e plazhit.”

Në ditarët e hershëm të Bobbyt, familja McIlvaine paraqitet në çdo pjesë. Por jo në këtë ditar. Ky ditar përmban dy gjëra. Dhe njëra nga to është Jeni.

18 shkurt, 2001: E dua, thellësisht. Merremi vesh shumë mirë. I zgjidhim ndasitë mes nesh shumë mirë. Dhe kjo ka shumë rëndësi.

11 prill, 2001: Më mungon Jeni. Pjesa “e madhe” e jetës time, përshkrimet se sa shumë do të thotë ajo për mua nuk mjaftojnë.

22 prill, 2001 (dy ditë pasi që i vdesë nëna Jenit): Më vjen shumë keq, Jen. Më vjen keq për lëndimin tënd. E di që është vështirë. Do të jem pranë teje – këtu për të të dashur, për të të dëgjuar, për të të mbajtur kur të kesh nevojë të qash.

Nuk është çudi pse Jeni nuk ka dashur të ndahet nga ky ditar. Apo që e ka lexuar çdo natë.

Helena menjëherë e kuptoi këtë gjë. Ia dërgova disa kopje të fotokopjuara pasi u ktheva në New York.

“Kjo pjesa me Jenin kishte rëndësi të madhe për mua,” thotë ajo kur bisedojmë. “Më mbante zgjuar deri në mes të natës: ajo e humbi një djalë të cilin e donte – dhe edhe më me rëndësi, i cili e donte atë. E tash, ku është dëshmia që ai e do? Dua të them, në rregull, nëna ia jep unazën. Mirë shumë. Por ja ku janë këto fjalët e mrekullueshme: E dua thellësisht.” Mrekullohet. “Kurrë nuk e kisha menduar këtë gjë. Kurrë. Që asaj i është dashur kjo gjë, ky vërtetim.”

Ajo poashtu e kupton se çfarë mungon në ditar. “Ai nuk shkruante, I dua prindërit e mi, gjithashtu. Shkruante që e do atë thellësisht.” Bobby ishte bërë burrë.

Helena tani ka hamendje për sjelljen e saj në ata muaj të tmerrshëm. Ka provuar t’i japë dashuri Jenit. Por ajo është nënë djemsh, nuk ka ditur si të sillet me një vajzë. Dhe ai ngurrimi që ma përshkruante më herët e që unë nuk i besoja që e kishte – në fakt ishte shumë i pranishëm. “Çfarë më ndodhë është që, nganjëherë kam tendenca por harroj t’i them fjalët,” thotë ajo. “Asaj i është dashur t’ia qëllojë se çfarë po më sillet vërdallë nëpër kokë.”

Sido që të jetë, Helena tani e ka të qartë një gjë shumë të rëndësishme. “Do të ishte përtej mundësisë së Jenit, edhe sikur ajo të ishte në disponim të mirë, të thoshte, ‘Ok, ja, po ta kthej.’ Me të vërtetë do të më duhej t’i jepja të paktën disa pjesë të ditarit, disi. Nuk ishte diçka që duhej ta kisha unë në pronësi. E them njëmend.”

Me vite, Jeni është portretizuar si e keqe për shkak se e mbante këtë ditar. Por një kontestim i tillë nuk do të kishte ndodhur kurrë po të kishte qenë e martuar me Bobbyn si gruaja e tij, apo po të kishte qenë zyrtarisht e fejuara e tij. Por Jeni ishte e suspenduar mes dy botëve, pa ndikim dhe pa status. “Do të ketë qenë ndjenjë e tmerrshme,” thotë Helena.

Shënimi i fundit në ditarin e Bobbyt mban datën 6 shtator, 2001. Është i gjatë një faqe. Kur e lexova fillimisht, u çorientova. Pastaj e kuptova se për çfarë bëhej fjalë. “Ndihem plotësisht i papërgatitur. A të ushtroj?” kështu fillon.

Do të duhej ta kishte këtë renditje: A keni kohë të flasim për disa minuta? Fillimisht, dua të them që ishte kënaqësi – apo ndoshta të them përvojë e jashtëzakonshme – apo ta përmendi Jenin së pari? Apo, e kam ndërtuar një marrëdhënie të fuqishme me Jenin, dhe përgjatë kësaj kohe ka qenë kënaqësi të kaloj kohë në Michigan … OSE … po – e kam pasur rastin të afrohem me Jenin, dhe pasi e kam shqyrtuar këtë gjë, dhe pasi kam biseduar edhe me të, ndihem që është koha t’i përkushtohem. APO – pasi që kam menduar seriozisht… DHE… nga respekti për ju si kryefamiljar…

Po e lexoja një skenar. Të mbushur me mëdyshje e hezitim, por eventualisht ia kishte dalë. Bobby mezi po i gjente fjalët për t’ia thënë babait të Jenit, të cilin do ta takonte më 9 shtator, për t’ia kërkuar dorën e vajzës. 

Pak kohë pasi që Jeni ma dha ditarin e Bobbyt, ia dërgova një porosi redaktorit tim për t’i treguar që më në fund e kisha gjetur frazën e shumëkërkuar Jeta vazh-don. E fotografova atë pasazh dhe ia dërgova.

Mahnitshëm, ma ktheu mesazhin.

Por pastaj, tri pika pulsuese u paraqitën poshtë mesazhit. Po vazhdonte të shkruante.

Përpos që… Më duket (një lloj) keqkuptimi. Shiko si i ka shkruar “i”-të e  tjera. Më duket se shkruan “Jeta **vazhdon**.” Por vështirë të thuhet me saktësi…

Nuk ishte vështirë të thuhet. Kishte të drejtë. Kalova sërish nëpër ditar.  Në faqen paraprake, Bobby kishte shkruar “kam jetuar shumë gjatë pa menduar për ‘tregun’ që të më bëj përshtypje tash.” Por duket sikur e ka shkruar “kam dashur shumë gjatë…” I-të e tij duken sikur J të shkruara mbrapsht, dhe mund të duken gabimisht si O-ja, ndërkohë O-të e tij rrinë të shkëputura, si rrathë të vogla.

Ia dërgova Jenit të njëjtën fotografi si redaktorit tim. Fillimisht, nuk e pa. Pastaj e pa. Reagimi i saj fillestar ishte i njëjtë me timin: siklet, dëshpërim në formë sharjeje. Pastaj:

Ende më bën të buzëqesh.

Unë: Çka ashtu?  

Jeni: Që njerëzit e afërt me të panë dhe ndjenë atë që patën nevojë. Dhe është në rregull. E kupton?

E kuptova. Kjo frazë gjithsesi tingëllonte si diçka që Bobby mund ta ketë thënë. Përkonte me Yodën[1], dhe Bobby ishte shumë Yodë, me aforizmat e tij të vegjël për qejfet e zemrës së njeriut. Për mua, dallimi ishte mes frymës së ligjit dhe ligjit të shkruar, apo asaj që e bëjmë kur e intensifikojmë një ngjyrë në fotografinë e bërë me iPhone-in tonë. Nuk është që provojmë ta krijojmë një imazh fals; provojmë ta përshtatim imazhin me një që tashmë jeton në kujtimin tonë.

Ne vazhdimisht i shpikim dhe i rishpikim të vdekurit.

E çuditshme, por mund të argumentohet se fakti që Jeni e kishte mbajtur ditarin për vete për tërë ato vite ishte një lloj bekimi. Është e mundur që po t’ia kishte dhënë Helenës, ajo do ta kishte skajuar në kasafortën e saj për 10 vjet dhe me gjasë as që do ta lexonte, sikur që kishte bërë me dy ditarët e tjerë. Ose mbase do ta kishte lexuar, por nuk do ta kishte lexuar gabimisht.

Ndërsa Jeni e kishte lexuar gabimisht, e kishte thurur eulogjinë rreth asaj thënieje, dhe ia kishte dhuruar familjes McIlvaine moton për zinë e tyre për 20 vitet në vijim.

Kam pasur dilema nëse duhej ta ndaja këtë zbulim me McIlvainet. I keni parasysh byzylykun, tatuazhin. Por në një bisedë telefonike me Helenën, e ndjeva një mundësi për t’ia thënë. I thashë që nuk jam e sigurt nëse do të shkruaja për Jeta vazh-don.  Menjëherë ndjeu që diçka nuk shkon. “Ngase dikush tjetër e ka thënë?” pyeti ajo.

Ashtu disi, i thashë. Dhe ia sqarova.

Helena ishte në rregull me këtë shpjegim. E shihte bukurinë e rastësishme të këtij keqkuptimi, dhe mbase edhe faktin që ishte si dhuratë për ta. Por ende mendon se ka gjasa që kjo frazë ekziston diku. Asaj, për shembull, i kujtohet në formën Jeta me të vërtetë vazh-don. Dhe ka gjasa që unë ia kam huq teksa përshkoja qindra faqe të dy ditarëve të parë të Bobbyt. Sigurisht ka edhe ditarë të tjerë që mungojnë – pse e ka ndërprerë mbajtjen e ditarit në vitin 1995, për ta rifilluar më 2001?

Andaj, si ta dimë?

Se a është Jeta vazhdon, apo Jeta vazh-DON – për mua është e parëndësishme. Ekzistojnë observime shumë më të bukura në atë ditar të fundit sesa kjo, dhe janë më parashikuese, më të frikshme — shumë më relevante për rrëfimin e McIlvaineve prej kur Bobby nuk është më.

Ngase gjëja e dytë me të cilën merret ditari është pikëllimi.

Në këtë mënyrë, ditari nuk është vetëm kapsulë kohe. Është top kristali. Përmes një kthese të jashtëzakonshme fati, Bobby i kaloi muajt e fundit të tij duke menduar se çfarë do të thoshte të jetosh me humbjen. Ai pa, përmes Jenit, që mund të të shndërrojë në njeri të zemëruar, të irrituar, të ndjeshëm si pa lëkurë. E pa që pikëllimi mund të të hajë për së gjalli. Hamendej se çfarë qëllimi i shërbente i tërë ky trishtim, tërë kjo vuajtje.  Përse duhet të jemi kaq të lënduar? shkruante ai. A është kjo gjendja që personi që e kemi humbur do ta dëshironte?

Në një pikë, ai si me faj dëshiron që Jeni të zgjedhë t’i marrë nën kontroll gjërat që mund t’i kontrollojë.

Por diku në mesin e atyre pasazheve plot pezëm e frikë – shumë prej tyre janë goxha të detajuara – Bobbyt i hapen sytë ndaj diçkaje më të madhe. Është një epifani, që më duket se ia ka bërë të mundshme t’i përmbahet planit që t’i kërkojë leje babait të Jenit për t’u martuar me të, ndonëse gjatë këtyre muajve ai e vë seriozisht në mëdyshje këtë plan sepse nuk është i sigurt nëse ajo është e gatshme. Mban datën 20 gusht, 2001. 

Ka njerëz të cilëve iu duhem. Dhe kjo, më vete, është jeta. Ka njerëz që ende nuk e dinë që iu duhem. Kjo është jeta.

Për mua, ky është citati më i thellë nga ditari i rigjetur. Ky citat është Bobby në rolin e Yodës. Ky citat është Bobby në gjendjen e tij më të mirë, më njerëzore, i pjekur. Ai e kuptoi që përkushtimi ynë ndaj njëri tjetrit është arsyeja e qenies tonë – që ky fakt, më vete, është vet jeta. Edhe atëherë kur këto përkushtime janë të vështira. Edhe atëherë kur na shkaktojnë dhimbje.

Njeriu heziton ta thotë këtë. Por nëse ka ekzistuar një rrugë për familjen McIlvaine që të ecin tutje, ajo rrugë patjetër se do të kalonte përmes Jeffit. Helena është kujdesur që kurrë mos ta ngarkojë me pritjet për martesë apo fëmijë – “Nuk guxon ta ngarkosh me asgjë fëmijën e mbetur,” më thotë ajo – dhe ai ishte falënderues për këtë gjë. Por duke iu falënderuar Jeffit, mendoj unë, Bob plaku dhe Helena filluan ta nxjerrin veten nga errësira. Kishte njerëz që ata ende nuk i njihnin të cilët kishin nevojë për ta. Në mesin e atyre njerëzve ishin katër nipat e mbesat e tyre. Nipin e madh e quajnë Bobby.

Në moshën 22 vjeçe, Jeffi pat një vrojtim të thellë. “Më kujtohet tek mendoja atë ditë të parë: nuk mund të lejoj që kjo gjë të më shkatërroj. Ngase çfarë do të mendonte Bobby pastaj? Imagjinoje po ta dinte që prindërit dhe vëllai i tij nuk do të jenë në gjendje ta rimarrin veten, të shërohen. Paramendoje sa keq do të ndihej për këtë gjë.”

Ai po i përgjigjej si me refleks pyetjes që Bobby e kishte bërë ndërkohë që e shihte Jenin në betejë me pikëllimin e saj: Përse duhet të jemi kaq të lënduar? A është kjo gjendja që personi që e kemi humbur do ta dëshironte? Jeffi e kishte përgjigjen shumë të qartë: Jo. E kishte tërë jetën e tij përpara. “E dija që nëse unë e shkatërroja jetën time, e tërë jeta e tij ishte e pavlerë,” thotë ai. “Doja të sigurohesha që do të angazhohesha fuqishëm që të kisha jetë të mirë.”

Në fillim ishte shumë vështirë. “E mbaj mend që kisha përgjegjësi të mos vdisja, ndjenjë e çuditshme,” më thotë. Në të njëjtën kohë, ai ndihej fajtor që ishte fëmija i cili nuk vdiq, shpesh duke e menduar sekuencën e ëndrrës në filmin “Stand by Me” (Qëndro Pranë Meje) ku babai i bërtet djalit që ishte gjallë “Ti duhej të kishe vdekur.” Në punën e tij të parë nuk i kishte treguar askujt që vëllai i kishte vdekur me 11 shtator, ngase shumë njerëz ishin të gatshëm t’i ndanin budallallëqet e tyre të asaj dite, gjithmonë me përfundime të gëzueshme. Me vite kjo ia kishte frenuar mundësinë që të mbante zi. 

Por eventualisht ai e ndërtoi një jetë të pasur, të përmbushur. U martua me një grua që jo vetëm ia zbuti dhimbjet por edhe që hyri në një ekosistem të tërë zie. I lindën katër fëmijë – katër! dy djem, dy vajza – dhe oh, çfarë lehtësie të mos përqendrohej te vetja.

E pyes nëse do të kishte aq shumë fëmijë sikur Bobby të mos kishte –

“Jo. Nuk ma merr mendja.” Jeffi e humbi vëllain e vetëm. Nuk dëshiron që asnjëri nga fëmijët e tij të jetë në atë pozitë po që se godet rrufeja sërish. “Kur kalon nëpër diçka të këtillë,” thotë ai, “e kupton që familja – është e vetmja gjë.”

Këta fëmijë tash janë epiqendra e jetëve të McIlvaineve – edhe për Bob plakun, i cili ka zgjedhur rrugën e vuajtjes së përditshme. Ndërkohë që po përmbyllja bisedën tonë, më tha diçka që më la pa fjalë: Ky 20 vjetor — përvjetor i madh për njerëzit përbrenda botës së tij, i mbushur me intervista televizive e konferenca – ndoshta është i fundit i aktivizmit të tij rreth 11 shtatorit.

Nuk jam e sigurt nëse i besoj për këtë. Vazhdoj të jem e pasigurt. Ka jetuar me këtë gjë që 20 vite. Mirëpo: Ndoshta është koha për ndryshim. “Jam lodhur nga të qenit i hidhëruar,” më thotë ai. “Kjo është e mira e jetës time tash. Mund t’i ndaj gjërat me të vërtetë. Të dal për drekë me Penelopen…”

Penelope është mbesa e tij më e vogël. Para pandemisë, Helena dhe ai drekonin me te çdo të mërkurë pas mësimit në parashkollore. Jeffi dhe gruaja e tij dhe fëmijët mbështeten aq shumë tek Bob plaku dhe Helena sa që së fundmi ata janë detyruar të marrin me qira një banesë pesë minuta larg Jeffit, ndonëse jetojnë më pak se një orë larg.

Helena i gëzohet shumë pranisë së vajzave të vogla në jetën e saj. Sa shumë pyetje që bëjnë! Ende bie në depresion nganjëherë. E përjeton ndonjë moment të bukur, e pastaj i bie në mend që Bobby nuk është i pranishëm ta ndajë këtë moment me të. “Por pastaj më kalon,” thotë ajo. “Dua të them, kur kanë nevojë për ty —jo të gjithë i kanë katër nipa e mbesa.”

Po. Kur kanë nevojë për ty. Është e tëra që të duhet.

Bobby do t’i mbushte 46 vjet këtë shtator. Jeffi dikur e shihte në ëndrra të qarta si kristali, dhe oh, sa shumë i donte ato ëndrra. Ishin sërish vëllezër, që thjesht bisedonin, dhe u ktheheshin ritmit dhe zakoneve të tyre të vjetra. Por tani rrallë sheh aso ëndrrash. “Nuk e kam parë që 20 vjet, e di?”

Thotë që nganjëherë gati se lutet që ta shkëmbejë mirëqenien e tij për vuajtjen që e kishte përjetuar 20 vite më parë, ngase në atë kohë ishte shumë më lehtë ta kujtoje Bobbyn, sepse kujtimet për të ishin të freskëta. “Pavarësisht se sa dhembje na kishte sjellë 11 shtatori,” sqaron ai, “sapo e kisha parë me 6 shtator.”

Ky është mallkimi më i madh: Të vdekurit të braktisin ty; pastaj me kalimin e kohës, ti i braktisë të vdekurit.

Nuk është aspak befasuese që Jeffi e ka këtë përfytyrim kohë pas kohe, që ta shkëmbejë lumturinë e tij për një shans të vetëm që ta shohë Bobbyn sërish në nuancë më të zdritur. Siç kishte shkruar Bobby në ditarin e tij të fundit, vuajtja, apo ideja e saj, është çmimi që jemi të gatshëm ta paguajmë për lidhjet që i ndërtojmë.

Helena e zuri vetën para një përfytyrimi të ngjashëm. Së fundmi, gjatë një takimi me grupin e çalë, derisa shikonte përreth tryezës, duke i parë me mirënjohje tërë ato gra që kanë qenë shtyllë për të gjatë 20 viteve të fundit, i ra në mend diçka. “Pyeta veten, çka nëse Zoti më thotë, ‘ok, na duhet ta kthejmë kasetën prapa këtu.’ A do të kalonim nëpër të tërën sërish?”

A do të ishin të gatshme t’i jetonin të njëjtat jetë, t’i lindnin të njëjtit fëmijë, të dashuroheshin në ta dhe pastaj t’i humbnin për herë të dytë? “E di që secila prej tyre do të thoshte prerazi po.”

Për Helenën, asgjë në këtë botë nuk krahasohet me përvojën e rritjes së dy djemve të saj. Njëri nga ta, Robert George McIlvaine, vdiq para se t’i fillonte jeta tamam. Por çfarë do të kishte bërë ajo pa të, apo ai pa të? Për plot 26 vjet ajo pati rastin ta njohë këtë djalosh, të kujdeset për të, ta dojë. Ishte privilegj. Ishte dhuratë. Ishte sakrificë e hidhur. Dhe kjo më vete, është jeta.


Reportazhi origjinal: Grief and Conspiracy 20 Years After 9/11 – The Atlantic


[1] Karakteri Yoda nga filmi Star Wars që është simbol i mençurisë, apo dikujt që i din gjërat.

# Humbja

Autor: Jennifer Senior

Përkthimi: Përkthim nga Garentina Kraja.

Marrë nga: Jennifer Senior është shkrimtare e rregullt te The Atlantic. Është fituese e çmimit Pulitzer për vitin 2022. This article appears in the September 2021 print edition with the headline “Tëenty Years Gone.”

Publikuar nga:

10 Qershor, 2022
Postime të ngjashëme
Kush është Subjekti i Të Drejtave të Njeriut?
Qysh e dimë, pyetja e ngritur nga titulli im e mori një kthjelltësi të re gjatë dhjetë viteve të fundit të shekullit njëzet. Të Drejtat e Njeriut apo të Drejtat Humane[1] sapo ishin përtërirë në
Gjithçka që duhet të dini për “Dialektika e Iluminizmit”
Me rastin e botimit jubilar të 75 vjetorit nga botimi i parë i “Dialektika e Iluminizmit” “Dialektika e Iluminizmit” është një nga librat më të rëndësishëm për njerëzit e maturuar. Bëhet fjalë për median, manipulimin
Ideologjia e së djathtës ekstreme
Kur mendojmë për të djathtën ekstreme (far-right), mendja na shkon tek tipare ideologjike si antisemitizmi dhe racizmi si dhe tek çështjet politike si imigracioni dhe siguria. Edhe pse lëvizja e së djathtës ekstreme është tejet
Përçudnimet e të Drejtave të Njeriut
Shpallja e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë qe pikë kthese në histori. Ajo nuk nënkuptonte asgjë më shumë e as më pak sesa që prej atij momenti e
Çka la pas vetes Bobby McIlvaine (I)
Pikëllimi, teoritë konspirative dhe kërkimi i një familjeje për domethënie dy dekada pas 11 shtatorit Kur Bobby McIlvaine vdiq më 11 shtator, 2001, tavolina në dhomën e tij ishte si një studim pllakash tektonike në