Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

E dashura Xhulia

E dashura Xhulia

Daniel Arasse 

 

Mund të të duket e befasishme, mbase edhe ndopak irrituese, kjo letër disi e gjatë. Shpresën e mbaj që të mos inatosesh, ama më duhet të ta shkruaj. Siç ta pata thënë njëherë prerazi, s’e di sesi nganjëherë  e sheh pikturën në mënyrë të atillë që të mos rrokësh çka piktori dhe piktura dëshirojnë të të tregojnë.

Ndajmë të njëjtin pasion për pikturën, por pse vallë, kur vjen puna tek interpretimi i disa veprave, interpretimet tona janë kaq të ndryshme? Nuk po them se veprat e artit kanë vetëm një kuptim apo se ka vetëm një interpretim të “mirë” të tyre. Këtë e ka thënë Gambriçi (Gambrich), dhe ti e di se çfarë mendoj unë për këtë çështje. Jo, jo; ajo që më preokupon është lloji i perdes (përbërë nga tekste, citime e referenca të jashtme) që ti duket se dëshiron të vësh – me çdo çmim – midis vetes dhe veprës, një lloj pëlhure mbrojtëse për t’u mbrojtur nga vepra, si krem që mbron nga rrezet e diellit dhe që të shërben për të ruajtur zakonet e përbrendësuara për të cilat komuniteti ynë akademik bie dakord dhe te të cilat ai gjen veten. Kjo nuk është hera e parë që qëndrimet tona nuk na përputhen, por kësaj here po të shkruaj. Jo edhe aq me shpresën për të të kthyer kah pikëpamja ime, sesa – mbase – për të të nxitur t’i vësh në dyshim besimet e tua të patundura dhe t’i shkundësh ca nga bindjet, të cilat, mendoj unë, të kanë qorruar. 

Nuk do të flas për Amore e Psiche të Jakopo Zukit (Jacopo Zucchi). Siç mund ta imagjinosh, ka shumë gjëra që do të mund të thuheshin edhe për këtë pas interpretimit që ti propozove muajin që shkoi. Ndoshta do ta bëj ndonjëherë tjetër. Dua të përmend vetëm ligjëratën tënde për Marsi dhe Venera të zënë në befasi nga Vullkani, të Tintoretos.[1] Disa herë në atë ligjëratë e ke rrokur shumë mirë dhe më ke bërë ta shoh atë që nuk e kisha vërejtur më parë. Për shembull, ke të drejtë kur thua se Vullkani[2], përkulur mbi trupin e zhveshur të Venerës mbi shtrat, të kujton satirin që i avitet nimfës. Më pëlqen ideja e dëshirës së paparashikueshme të burrit kur sheh trupin e bukur të gruas së tij. Por përfundimet që unë nxora nga kjo nuk janë të njëjta me tuat. Gjithashtu, ti vëren diçka interesante kur thua se erotika e këtij trupi, përfushur bujarisht për vështrim, i nxitë gratë që shikojnë atë që të identifikohen me perëndeshën e dashurisë. Megjithatë, kur nën pretekstin se vetëm Vullkani është i denjë për respekt, ndërsa Venera turpërohet dhe Marsi është qesharak, ti e interpreton këtë të nënkuptojë se ky inkurajim është moral, dhe se Tintoretoja e përdorë fuqinë e pikturës dhe furçën e tij joshëse për të përçuar dëshirën femërore (anipse këto nuk janë saktësisht fjalët tua, por përafërsisht) këtë s’ma kap rradakja. 

Për shembull, ti thua se Venera e zënë në flagrancë orvatet të mbulojë trupin e saj të zhveshur. Por çfarë të bën të mendosh se ajo nuk po bën pikërisht të kundërtën, se ajo po përpiqet të zbulohet për të joshur Vullkanin? Pse të mos ketë pak humor në këtë pikturë? Nganjëherë më behet sikur ti – kaq gazmore sa je – nuk është se ke dashur të “bësh” histori arti hareshëm. A thua se e ke detyrë profesionale të mos qeshësh, madje as të mos buzëqeshësh sepse kjo nuk do të ishte “serioze”. Serio laudere, “luaj seriozisht”: megjithatë ti e njeh ketë proverb të Iluminizmit dhe shijen që ky kishte për të qeshurën dhe paradoksin. A thua se për t’u marrë seriozisht në punën që bën, t’u dashka të marrësh edhe veten seriozisht, të jesh seriosa, dhe jo seria siç thua ti në italisht, në mënyrë që t’u dëshmosh kredencialet tua këtyre rojtarëve varrezash të cilët fshihen pas petkut të të ashtuquajturit dinjitet i disiplinës, dhe që në emër të një dijeje të zymtë, nuk donë që të qeshim kur shikojmë mbi një pikturë. Ti, Xhulia, seriosa? Aman!

Nëse tashmë nuk e ke hedhur këtë letër, po vazhdoj. Pajtohem se në këtë pikturë, Tintoreto ka një qasje papritmas të re ndaj temës së shumëpërfolur të pikturës “Marsi dhe Venera të kapur në befasi nga Vullkani”. Zakonisht, Marsi dhe Venera janë të zhveshur, të shtrirë në shtratin e kurorëshkeljes, të zënë në rrjetën që Vullkani, i paralajmëruar nga Apolloni, hedh mbi ta. Asgjë nga kjo nuk gjendet në pikturën që gjendet në Munih.[3] Vërtetë Venera është e zhveshur dhe e shtrirë mbi shtrat, ama është vetëm. Marsi fshihet nën tavolinë, i veshur me rroba ushtarake, me helmetë në kokë, ndërsa Vullkani, me njërin gju mbi shtrat, tërheq pëlhurën e tejdukshme që mbulon seksin e së shoqes. Pranë tij, në një djep nën dritare, Kupidi fle në gjumë të thellë. Tema nuk është trajtuar kështu ndonjëherë më parë, e as që do të trajtohet në të ardhmen. Sipas teje, në këtë shfaqje paradoksale, duke dredhuar, Tintoretoja dëshironte t’u bënte elozhe meritave të besnikërisë bashkëshortore. Kjo nuk do të ishte hera e parë që tradhtia e Venerës shfrytëzohet për të frikësuar të porsamartuarit.

E pranoj! Për të mbështetur tezen tënde, ti citon disa vepra të botuara në Venedik të cilat dënojnë tradhtinë bashkëshortore dhe imazhet erotike. Tashti, jam pak i hutuar! Nëse këto tekste ekzistojnë apo janë botuar në të njëjtën kohë kur është pikturuar piktura, kjo nuk do të thotë se ato domosdoshmërish kontribuojnë në shpjegimin e saj. Do të ishte shumë e thjeshtë meseleja kështu. Qëndrimet dhe pikëpamjet kundërthënëse mund të bashkëjetojnë njëkohësisht në një shoqëri të caktuar. Edhe ti, edhe unë e dimë këtë. Në vazhdën e argumentit për të mbështetur qëndrimin tënd, ti shkove aq larg sa të sugjerosh se piktura mund të jetë aluzion për një fragment nga jeta private e Tintoretos, kushtuar gruas së tij të re. Ama këtu e hedh gurin bajagi larg. Pikë së pari, ne nuk ia kemi haberin për ndonjë ngjarje të tillë në jetën private të Tintoretos dhe, nëse piktura mund të datohet diku rreth vitit 1550 (dhe ti vetë e ke propozuar këtë), ky ndoshta ishte viti kur Tintoretoja qe martuar: ai ishte tridhjetedy vjeçar. Nëse Tintoreto do t’i përngjajë Vullkanit të pikturës dyzet vjet më vonë kjo s’do të thotë se ti duhet të shohësh një autoportret të maskuar, apo shëmbëlltyrën e Tintoretos në të. Në rregull?

Pse të mos ketë pak humor në pikturë? A thua se është detyrë profesionale të mos qeshësh, madje as të mos buzëqeshësh sepse kjo nuk do të ishte “serioze”.

Tash dalim te pika kryesore. Interpretimi yt bazohet në një parim të thjeshtë, të cilin ti e ke parashtruar përafërsisht kështu: “Marsi dhe Venera të kapur në befasi nga Vullkani” i Tintoretos nuk është një paraqitje e zakonshme e temës, rrjedhimisht duhet të jetë alegori. A nuk të duket se po i pret paksa shkurt drutë? Jo çdo gjë e pazakontë, është domosdoshmërish alegorike. Mund të jetë e sofistikuar, paradoksale, parodike a kushedi çfarë tjetër. Edhe komike, për shembull. Pate vënë re se me gjysmën e trupit të fshehur dhe me helmetën në kokë, Marsi duket qesharak. Dhe pastaj, pa një, pa dy, i hodhe një petk moral kësaj situate qesharake. Sipas teje, pozicioni qesharak i Marsit e poshtëron dashnorin, me qëllimin për ta vënë theksin te dinjiteti melankolik i burrit plak të nëpërkëmbur. Cilin dinjitet melankolik? Vullkani duket po aq qesharak. Shihe edhe njëherë! Çfarë po bën në të vërtetë ky burrë i përbuzur? Çfarë po kërkon ai midis kofshëve të gruas së vet? Ç’dëshmi kërkon? Gjurmët e Marsit? Nejse, nejse. Gjesti dhe vështrimi i tij i ngultë më bën të mendoj për një shaka të prapët të Pjetro Arentionos (Pietro Arentiono) më shumë sesa ndonjë këshillë morale. Në fakt, në mënyrën qysh Tintoretoja na e paraqet, i mjeri Vullkan nuk është vetëm çalaman, por ai duhet edhe të jetë shurdhuar nga aq shumë të rrahura çekani mbi kudhër në punën e tij. Ja ku e ke dëshminë: as qenin nuk e ndien! Sado që ai po bën shumë zhurmë tek leh në drejtim të Marsit, sikur do të tregoj se ku është strukur. Një detaj i tmerrshëm ky qen! Por Vullkani nuk dëgjon gjë hiç. Dhe a e di përse? Jo edhe aq për shkak se është shurdh sesa nga fakti që në mendje i vlon diçka tjetër.

Në këtë moment specifik (dhe Tintoretoja ka bërë çdo gjë për të na treguar se po paraqet një moment të veçantë), Vullkani harron se çfarë ka ardhur të kërkojë. Është i shpërqendruar. Ajo që ai sheh midis kofshëve të gruas së tij e qorron (dhe e shurdhon) ndaj gjithçkaje përreth. Veç atë i shohin sytë, veç aty e ka mendjen tashmë. S’po e qes nga vetja këtë mesele. Shih me vëmendje në pasqyrën prapa tij që të kuptosh çfarë do të ndodhë më pas.

Dhe më lejo të them dy fjalë për këtë pasqyrë. Nuk e përmende që është e vendosur në mënyrë të çuditshme. Ajo jo vetëm që bllokon një pjesë të dritares përballë nesh, por është e vendosur shumë poshtë, mbështetur për muri, saktësisht në vijë të drejtë më shtratin e Venerës dhe më ulët sesa djepi ku po fle Kupidi. Në fakt, nëse shikon me vëmendje, ajo nuk është e varur mbi mur; do të jetë mbështetur mbi ndonjë orendi, të cilën na e fsheh nga pamja, tavolina ku përvidhet Marsi. Ç‘do ajo aty? Ç’punë ka një pasqyrë aq poshtë? Për të pasqyruar Venerën teksa bën dashuri? Mbase! Nuk dyshoj se një renditje e tillë mund të gjendej në shekullin e 16-të. Por një hipotezë e tillë na çon edhe me larg nga hamendësimi i një pikture moralizuese. Veç në mos  qoftë hiç pasqyrë. Ti me the se ka mundësi të jetë parzmorja e Marsit. Nëse është ashtu, kemi të bëjmë më një parzmore të çuditshme. Dhe nuk është vetëm madhësia e saj që më ngacmon (është shumë e madhe), por edhe fakti se mund të përdoret si pasqyrë. Mendova se mos është parzmorja e Perseut,[4] lëmuar dhe lustruar aq sa të mund të shtangte edhe vetë Meduzën. Është e vërtetë që edhe Eneu kishte një parzmore të pasqyrtë, siç na kujton Erasmus Vedigeni (Erasmus Weddigen) kur flet në lidhje me këtë pikturë. Parzmore magjike, bërë nga ciklopët, në sipërfaqen e së cilës mund të shihej fati madhështor i të ardhmes së Romës. Kjo ndërlidhje është arbitrare (dhe ti as që e ke përmendur), por është e pranueshme për mua, pikërisht për shkak të asaj që shohim në parzmoren pasqyrë të Tintoretos. Ti përmend vetëm reflektimin e një pasqyre të dytë (që vështirë se shihet), ‘offstage’ [jashtë skene], në anën tonë të pamjes. Kjo mund të jetë pasqyra e grimit të Venerës, që gjendet në qoshe të shtratit dhe që reflektohet në parzmoren e Marsit (imazh i bukur, meqë ra fjala, i dëshirës së përbashkët: pasqyra e gruas e pasqyruar në parzmoren e burrit, që e shndërron atë në pasqyrë dashurie). Edhe Vedigeni përmend këtë pasqyrë ‘offstage’, por meqë ti nuk the ndonjë gjë për tekstin e tij, atëherë po e lë anash rikonstruktimin optik të cilin ai e propozon dhe përfundimet të cilat i tërheq nga ky rikonstruktim. Përfundime shumë të ndryshme nga tuat, por ç‘rëndësi ka. Për ty, kjo pasqyrë të cilën nuk e shohim, kjo pasqyrë e fshehur, është ajo që i mundëson Venerës të shohë Vullkanin tek vjen nga pas ndërsa ajo ka shpinën e kthyer nga dera – dhe ti në mënyrë të shkëlqyer bën kontrastin midis kësaj pasqyre, instrument mashtrimi, dhe tjetrës mbështetur në mur, që zbulon të vërtetën. Të lumtë! Por për çfarë të vërtete bëhet fjalë?

Edhe ti e edhe Vedigeni flisni gjerë e gjatë për reflektimin e Venerës në parzmoren e Marsit. S’jam unë ai që do të kundërshtojë interesimin tuaj në këtë detaj që pothuajse nuk shihet. Por ju nuk thoni asnjë gjë për atë që është e qartë dhe e dukshme në po atë parzmore: Vullkan me pamje nga prapa, tek përkulet kah trupi i Venerës. Këqyre me kujdes: reflektim i çuditshëm, i pazakontë, anormal. Dhe ja përse: Nga gjesti i tij krejt afër Venerës e deri te reflektimi në pasqyrë, pozicioni i Vullkanit ka ndryshuar. Këqyre! Në plan të parë, vetëm gjuri i tij i djathtë është i vendosur mbi shtrat; këmba e majtë është e zgjatur, pak e tendosur (krejt e natyrshme, meqë është i çalë) dhe shputa e tij e majtë është mbi dysheme, goxha shmangur nga shtrati. Ndërkaq në pasqyrë, siç shihet qartë nga detaji i projektuar, gjuri i këmbës së majtë (që në reflektim është i djathti) duket tek qëndron në cep të shtratit. Unë nuk mendoj se kjo është rezultat i ngathtësisë apo pakujdesisë së piktorit. Bash përkundrazi bile! E vendosur përballë nesh, pasqyra na tregon se çfarë do të ndodhë menjëherë pas çastit të shfaqur në planin e parë: Vullkani do të ngjitet mbi shtrat – dhe lehtësisht mund të përfytyrojmë çfarë do të ndodhë më pas. A të duket e pavend dhe qesharake krejt kjo? S’duhet të të duket e tillë. Nëse vërtet bëhet fjalë për parzmore-pasqyrë të Marsit, ajo funksionon sikurse ajo e Eneut, për të na treguar të ardhmen (e afërt) të kësaj skene komike. Dhe nëse pasqyra zbulon të vërtetën, siç beson ti, ajo është treguesi i asaj se çfarë duhet të mësojmë nga skena e paraqitur, morali i tregimit. Ajo që duhet shoshitur është se me çfarë të vërtete, me çfarë morali(teti) kemi të bëjmë këtu.

Çfarë po i ndodhë Vullkanit në të vërtetë? Ai ka ardhur që të ndërpresë ende të panisurën dashuri-bërje mes Venerës dhe Marsit, por në vend se të dëgjojë qenin, ai shkon të kërkojë të vërtetën e fatkeqësisë së tij të presupozuar në mes të kofshëve të gruas së tij. Nga ajo që na tregon pasqyra, ajo çfarë ky sheh, e bën të harrojë çdo gjë. Ka rënë pre e magjisë së seksit të gruas së tij dhe – siç thua ti – epshi i është ngjallur si satirit kur i avitet nimfës. Vedigeni, në pikëpamjen e tij, sugjeron Tarkuinin tek gatitet të përdhunojë Lukrecian. Në dukje, ky krahasim është kundërthënës – fundja, Vullkani dhe Venera janë të martuar dhe e pabesa këtu është Venera. Por, në fakt, paralelja është boll mjeshtërore, sepse vrulli i pasionit seksual që ka kapluar Vullkanin është shumë i qartë në studimin fillestar të bërë për pikturën që gjendet në Berlin:[5] Nëse heq Marsin, Kupidin dhe qenin, Venera duket sikur dëshiron t’ia mbathë, ndërsa Vullkani i ngjan tërësisht një përdhunuesi që përgatitet të hidhet në sulm. Në pikturë, konteksti e bën pozën të humbasë dimensionin eksplicit të dhunës: (në plan të parë) Vullkani nuk është tjetër veçse një plak ende viril (në pasqyrë). Në këndvështrimin tim, ky boshllëk (i rrallë) midis skenës dhe reflektimit të saj është thelbësor për të kuptuar idenë që kishte Tintoretoja me pikturën e tij, inversioni (risia) i tij – siç quhej – që kondenson qendrën komike të pikturës me moralin që mund të nxirret nga skena komike e imagjinuar nga Tintoretoja, që merr për pikënisje Ovidin.

Sepse kjo pikturë është zbavitëse, prandaj.  Më ndje që po i bie kaq fort, por më duhet ta them, sepse ty as të kishte shkuar ndër mend – dhe më fal nëse po tregohem i rreptë këtu. Marsi është qesharak, fshihet nën tavolinë sikur dashnori në dollap. Vullkani është komik, bie përsëri në grackën e vrimës së Venerës. Qeni i vogël spurdhjak është po ashtu komik, leh furishëm por kot. Edhe Kupidi është qesharak: i lodhur nga përpjekjet e veta, e mund vetveten (jo Omnia vincit Amor por Amorem vincit Amor).[6] Vazoja e xhamtë në parvazin e dritares është më delikate sepse pa dyshim është më irrelevante: duhet buzëqeshur me të, sepse paevitueshëm të kujton transparencën e vazos së virgjër të Marisë “që asnjëherë nuk njohu një burrë”.[7] Madje edhe vendosja në perspektivë mund të luajë një rol të heshtur komik: e dramatizon skenën duke na tërhequr vëmendjen kah dera prej ku ka hyrë Vullkani, por në të njëjtin shikim, lëvizja e theksuar e gishtit tregues të Marsit na orienton sytë kah kovaçhana tashmë dukshëm e ftohur.  Por e kujt është kjo “kovaçhanë”? E Vullkanit? Apo e Venerës, të cilën Vullkani e ka lënë të shuhet për faj të vetin, dhe duhet të përpiqet ta ndezë sërish?

Më në fund, Venera është e vetmja e cila nuk shfaq gjë qesharake. Pa dyshim që ajo e gjen veten në një pozitë të palakmueshme: për pak sa të poshtërohej e të bëhej gazi i botës. Po e përsëris se, ndryshe nga ç’thotë Ovidi, ajo do t’ia dali mbanë me të gjitha vetëm më një përpjekje të vockël dhe me çmim të papërfillshëm. Sa kushton të flesh me Venerën? Çfarë dhurate do t’i bëjë burri i saj i kënaqur? Sido që të jetë, nuk është ky episodi në të cilin Vullkani do ta kapë gruan e tij me pelë për dore dhe ta bëjë atë gaz për zotat. Ai do të jetë aq i zënë sa të mos shoh dhe dëgjojë Marsin tek ecë në uniformën e tij duke dalë jashtë. Pra, nëse kjo fabul ka një moral (seksist dhe shovenist, sigurisht) atëherë është kjo: gratë janë njësoj: lavire, joshëse bishtpërdredhura që na tradhtojnë neve burrave, shfrytëzojnë verbërinë tonë, luajnë me ne dhe ndjenjat tona, na tërheqin për hunde (apo, mbase, për seksi) dhe na ngrehin zvarrë deri në derexhenë e të riut që detyrohet të fshihet nën tavoline apo atë të brinarit të kënaqur. 

Hajde ta provojmë një hipotezë tonën: po sikur të jetë pikturuar për ndonjërën nga kurtizanet e mëdha të Venedikut me kërkesë nga ndonjëri prej dashnorëve?

Kështu pra, përfundimet e mija janë thelbësisht ndryshe nga tuat. Ndoshta do të thuash se krejt kjo që kam thënë është zbavitëse, e shkathtë, e mprehtë dhe dandi, por se është vetëm interpretimi im subjektiv, dhe se nuk kam tekste për të mbështetur atë që them. E ke gabim! Për shkakun tënd, falë teje, duke u përgatitur të të shkruaj dhe me qëllim që ti të më marrësh seriozisht, kam bërë edhe kërkime mbi literaturën. Nuk më mori shumë kohë për të gjetur mbështetje për atë që them. Dorën n‘zemër, nderi nuk më takon mua. I takon Beverli Luis Braun (Beverly Louise Brown), e cila ka përmendur një sërë tekstesh kundër martesës të botuara në atë kohë në Venedik, në traditën e Juvenalit, Bokaçios (Boccacio) dhe Erasmusit. Ajo citon Anton Francesko Donin (Anton Francesco Doni), Ludoviko Dolçen (Ludovico Dolce), shfaqjet komike (farsat), tregimet, dhe të tjera commedia erudita, personazhet e të cilave janë çifte të papërshtatshme, burra të tradhtuar dhe brinar qesharak. Artikulli i saj është i përkryer dhe sinqerisht, konteksti që ajo ofron është më me vend dhe më i besueshëm sesa referencat që ti ke përdorur. Ama hollë e hollë, ç’rëndësi ka. Ajo që më duket më e rëndësishme është se nuk më duhen tekstet për të parë çfarë po ndodhë në pikturë. Mund ta dëshmojnë këtë studentët e mi: ka kohë që unë flas për pikturat në këtë mënyrë. Kjo mbase është gjëja kryesore që na bën ne të dyve ndryshe nga njëri tjetri. Ti sikur  nisesh nga literatura, ke nevojë për tekstet që të interpretosh pikturat, sikur nuk u beson as syve të tu që shohin pikturat e as pikturave të të tregojnë ty atë që piktori dëshironte të shprehte. 

Edhe diçka. Doje që më çdo kusht të gjeje një temë martesore për këtë pikturë. Epo mirë, pse jo? Të pikturosh një pikturë kundër martesës është prapëseprapë temë martesore. Por ti dëshiron një pikturë “martesore” që ekzalton martesën. Kjo s’është gjë tjetër veçse një ide e marrë nga jashtë, pasojë e manisë (anglosaksone fillimisht, besoj unë) për të parë “portrete martesash” pas çdo pikture më gra të zhveshura. Në fillim kjo hipotezë nuk ishte e gabuar dhe çoi tek disa rezultate të vlefshme. Në fund të fundit, në shoqërinë e Iluminizmit të krishterë martesa qe ajo që përligjte seksualitetin. (Margarat de Navarr [Margaruete de Navarre] thotë se ishte “hi syve.”)

Në mitologji, është martesa ajo që autorizon lakuriqësinë për sytë. (Aq pak, sa mezi duket… ) Por nuk thjeshtëzohet çdo gjë kësisoj. Më 1550 nuk ishte e pazakontë që në pikturë të shohësh një grua të zhveshur. Kjo është edhe arsyeja përse Kisha kishte filluar të shqetësohej. Pastaj kur bëhet fjalë për këtë pikturë, ku e dimë kujt i drejtohej? Ti vet ke thënë kështu: nuk dimë asgjë për origjinën dhe rrethanat e porositjes së kësaj pikture (komisionimit). Është datuar në vitin 1550 për shkak të stilit të saj, por ende nuk e dimë për kë dhe më kërkesën e kujt u pikturua. Sa për Kupidin, pozicioni i tij aludon në njërën nga skulpturat e Mikelanxhelos që i përkiste Gonzaga di Montaves (Gonzaga di Mantua) dhe mendohet se piktura ishte destinuar për Gonzagon, por ja që nuk ishte pjesë e koleksionit të tij kur ky u shit me 1623, dhe kjo hipotezë vazhdon të mbetet e luhatshme. Në të vërtetë, ne nuk dimë asgjë për pikturën përpara se ajo të shitej në Angli me 1682. Për më tepër, siç thekson edhe Beverli Luis Braun nuk është se ka lënë ndonjë gjurmë në veprat e artistëve bashkëkohës. Më fjalë të tjera, sapo ishte pikturuar kishte humbur nga radari, gjë që është e habitshme për një vepër të një mjeshtri të tillë. Hajde të provojmë një hipotezë tonën: po sikur të jetë pikturuar për ndonjërën nga kurtizanet e mëdha të Venedikut me kërkesë nga ndonjëri prej dashnorëve, kushedi, nga Gonzaga rinor? Kur ta pata përmendë këtë hipotezë nuk dëshiroje ta konsideroje. Por përse? Të dytë e dimë se në Venedik disa kurtizane nderoheshin, admiroheshin e respektoheshin – me përjashtim të Kishës pa dyshim, por jo edhe të të gjithë klerikëve. A duhet të imagjinojmë se ato jetonin nëpër lagje shërbëtorësh, bordele të errëta? Se nuk kishte piktura në dhomat ku ato u uronin mirëseardhjen miqve, apo ku ndonjëherë organizonin edhe pritje? Jam duke menduar për të bukurën Tullia d’Aregona, dhe besoj se piktura e Tintoretos do të rrinte shumë mirë në sallonin e saj, në dhomën e fjetjes, në paradhomë, aq sa të përshtatej, siç thuhej, me ‘dekorin’, dhe se çdokush do ta kishte vërejtur menjëherë brumin komik të saj.

E di që ti s’pajtohesh me këtë ide dhe unë nuk kam as tekste e as dokumente arkivash për të mbështetur atë që them dhe krejt kjo mbetet joserioze, në pikëpamje historike. Por kam frikë se togfjalëshi “historikisht serioze” ka filluar të bëhet përditë e më shumë sikur “politikisht korrekte” dhe mendoj se duhet të luftojmë kundër kësaj vije mendimi që pretendon të jetë “historike” ndërkaq na pengon nga të menduarit, duke na bërë të mendojmë se s’ka pasur kurrë piktor “të gabueshëm”. Ky është një parim i ikonografisë klasike pa të cilin ajo do të ishte në qorrsokak. Zhan Uirth (Jean Wirth) ka shkruar disa gjëra të mençura për këtë në hyrje të librit të tij Image medievale.

Nuk e di a ke mbërritur me lexim deri këtu, por shpresoj që po. Ti je i vetmi person të cilit mund t’i dërgoj një letër të tillë. E di që të pëlqen të hetosh idetë e qepura – edhe kur janë tuat. A të kujtohet diskutimi ynë për Camera degli Sposi të Mantenjas (Mantegna)? As për atë nuk qemë pajtuar. Mos vallë është martesa ajo që po na mbanë të ndarë?

Con tanti abbracci vigorosi.


[1] Shën. i përkth.: “Marte e Venere sorpresi da Vulcano”, piktura që është bosht i esesë, është vepër e Jacopo Tintoretto (1518-1594), nganjëherë e referuar si “Venere, Vulcano e Marte” (Venera, Vullkani dhe Marsi). Ajo është e ekspozuar në muzeun e artit Alte Pinakothek, në qytetin e Munihut në Gjermani.

[2] Shën. i përkth.: Vullkani i mitologjisë romake, në mitologjinë greke është Hefesti, zoti i zjarrit, farkëtar i zotave. I biri i Zeusit dhe Herës.

[3] Shën. i përkth.: Piktura e Tintoretos e referuar më sipër.

[4] Në mitologjinë greke, Perseus është biri i Zeusit me Danaen.

[5] Shën. i përkth.: Fjala është për pikturën e Pierro di Cosmo-s “Venera, Marsi dhe Kupidi” që gjendet në muzeun e artit  Gemäldegalerie ne Berlin,  Gjermani.

[6] Shën. i përkth.: Omnia vincit Amor, (Dashuria triumfon mbi të gjitha), është shprehje latine që ka origjinën në vargjet e poetit romak, Virgjilit. Amorem vincit  Amor (Dashuria triumfon mbi dashurinë).

[7] Shën. i përkth.: Vazoja të cilës i referohet autori aludon në vazon e pikturës “Madonna with Vase” të Leonardo da Vincit që gjendet po ashtu tek galeria Alte Pinakothek në Munih të Gjermanisë.

Autor: Daniel Arasse 

Përkthimi: Përktheu nga anglishtja: Arbër Fetiu.

Rreth artikullit: Marrë nga libri i Daniel Arasse Take a Closer Look (On N y Voit Rien/Kqyre më mirë), (trans. Alyson Waters) Princeton University Press (2013).

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

10 Tetor, 2021
Postime të ngjashme
Kundër interpretimit
Përmbajtja është një copëz e beftë e diçkaje, një takim si një blic. Një përmbajtje e vogël, shumë e vogël.  WILLIAM DE KOONING, në një intervistë. Vetëm njerëzit e cekët nuk gjykojnë nga pamja e
Si mund të mendohet arti në hapësirat jashtëperëndimore?
Përse në arealin jashtëperëndimor intelektualët kanë kaq pak interesim për artin? Ose të pyesim më drejt kështu: përse estetika nuk zë vend në orbitën e tyre të interesimeve? Natyrisht nuk është se po themi se
Letërsia dhe Çmenduria
Nuk ka shoqëri pa çmenduri. Jo se çmenduria është e pashmangshme apo domosdoshmëri e natyrës, porse ndarja gjendet në të gjitha kulturat. Me këtë dua të them se një kulturë dallohet jo thjesht në raport
Taibi
Me të nisur vendosjen në Soliterin e Kuq, në Prijedor, në pranverën e hershme të vitit 1975 një grumbull i madh fëmijësh ulërinin në livadhin midis dy soliterësh, dy ndërtesa minatorësh. Bënin njeriun prej bore
Tri gjendje të një trupi në derdhje
Ftoh fytin tim të ngrohtë me verë. Tymi i cigares ngrihet në rrathë të ngadaltë. E shoh tek zbehet në zhdukje. E zhytur në moment, në momentin tonë, harroj se edhe kjo do të zbehet