Roy Porter
-Trupi-
Unë pretendoj të nxë dhe të jap dije mbi anatominë jo përmes librave por përmes prerjeve; jo prej doktrinave filozofike por prej strukturës bazike të natyrës.
William Harvey
Trupi është i mbarsur me kuptime simbolike të thella, jashtëzakonisht të ngarkuara dhe shumë kundërthënëse. Për të krishterët tradicionalë, për shembull, duke qenë se është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit, trupi është tempull. Megjithatë, që nga Rënia dhe përzënia prej kopshtit të Edenit, trupat kanë qenë të “ndyrë”, dhe mishi diçka e dobët dhe e degjeneruar. Kështu, trupi i krishterë është njëkohësisht i shenjtë dhe i shpifur. Besimet mjekësore gjithmonë i kanë rrënjët tek qëndrimet dhe vlerat kulturore të lidhura me mishin.
Që nga lashtësia, të gjitha shoqëritë kanë pasur njëfarë njohurie solide për organet e brendshme, sidomos për shkak të therjes së kafshëve dhe kurbaneve. Kultura egjiptiane e perfeksionoi artin e balsamimit. Por hapja e kufomave njerëzore për të çuar përpara dijen nuk ka qenë praktikë mjekësore universale. Ajo nuk ka qenë pjesë e mjekësisë hipokratike – meqë respekti për dinjitetin e njeriut, këtij mikrokozmosi të natyrës, ka qenë shumë i fuqishëm në mesin e grekëve; e nuk ka qenë as baza e mjekësisë tradicionale në Indi ose Kinë. Diseksioni i njerëzve të vdekur – dhe ndoshta edhe eksperimentimi me skllevër të gjallë – u zhvillua fillimisht në Aleksandrinë Helenike: shteti, dhe shërbyesit e tij mjekë, kishin më shumë fuqi atje. Ai është i asociuar me Herofilin (rreth 330-260 p.e.r.) dhe bashkëkohësin e tij Erasistratin – shkrimet e të cilëve kanë mbijetuar vetëm përmes gojëdhënave. Si duket Herofili hapte kufomat në publik; ai zbuloi dhe u dha emrin prostatës e duodenumit (zorra dymbëdhjetë-gishtore në greqisht, sipas gjatësisë së zorrës që zbuloi ai). Si duket ai është gjithashtu njeriu i parë që e kuptoi se arteriet janë të mbushura me gjak e jo me ajër (siç besohej atëherë). Por arritja më e spikatur e tij në diseksion ishte përvijimi i nervave. Duke demonstruar se burimi i tyre gjendej në tru, ai arriti në përfundimin se ato e kryenin funksionin të cilin mendimtarët e mëhershëm ua kishin atribuuar arterieve – pra, transmetimin e impulseve motorike nga shpirti (qendra e inteligjencës) drejt gjymtyrëve.
Ndërsa Erasistrati eksperimentonte me kafshë të gjalla e mbase edhe me njerëz. Hulumtimet e tij kryesore përqendroheshin tek truri, të cilin, sikur Herofili, por në kundërshti me Aristotelin, doajenin e natyralistëve grekë, ai e konsideronte si qendrën e inteligjencës. Pak më vonë, Galeni dhe bashkëkohësit e tij hapnin trupat e kafshëve të vdekura dhe eksperimentonin me kafshë të gjalla. Supozimi i tyre se njerëzit janë anatomikisht identikë me kafshët qe arsyeja e disa gabimeve – për shembull, që mëlqia ka pesë lobe dhe zemra tri barkushe.
Diseksioni i njerëzve nuk ishte i lejuar në Islam, ndërsa besimi i Krishterë mbi shenjtërinë e trupit (ai i takon Zotit, jo njeriut) bëri që Vatikani të krijojë rregulla rreth trajtimit të kufomave. Megjithatë, në vitin 1482, Papa Siksti i IV-të deklaroi që nuk ka ndonjë ndalesë për diseksion, me kushtin që kufoma të jetë e një krimineli të ekzekutuar të cilit i janë dhënë ritet e krishtera të varrimit. Përkundër kësaj, opinioni publik ka shprehur rezerva rreth kësaj teme për një kohë të gjatë: armiqësia ndaj diseksionit – i urrejtur si profani mjekësore – ishte e pranishme në Britani për një kohë të gjatë, duke u shprehur më së voni në vitin 1832 përmes Aktit mbi Anatominë, çka nuk është befasuese duke marrë parasysh aktivitetet e hajnave të varreve (dhe të Burke e Hare) të cilët siguronin ilegalisht kufoma për anatomistët.
Udhëtimi në thellësitë e mishit njerëzor i cili fillon me prerje është ajo që e bën unike mjekësinë perëndimore. Ai ka mirëmbajtur besimin frytdhënës se çelësi i shëndetit dhe sëmundjes gjendet tek hulumtimi i detajuar i mishit, edhe pse kjo gjithashtu e ka inkurajuar tendencën për reduksionizëm miop i cili harron tërësinë duke u përqendruar ekskluzivisht te pjesët.
Diseksioni i parë publik që është shënuar u realizua në Bolonja rreth vitit 1315 nga Mondino de’ Luzzi, dhe libri i tij Anatomia mundini u bë teksti standard mbi këtë temë. Duke qenë manual i shkurtër dhe praktik, Anatomia e Mondinos ishte shkruar për t’u lexuar gjatë orës së anatomisë. Ai adresonte pjesët e trupit në përputhje me rendin sipas të cilit ato do të trajtoheshin gjatë diseksionit, duke filluar me ato që kalben të parat e që gjenden në zgavrën abdominale. Duke shikuar përmes syzeve galenike, ai përsëriti të njëjtat gabime të vjetra të cilat vinin nga diseksionet e kafshëve.
Deri atëherë, anatomia nuk kishte pasur ndonjë rol të rëndësishëm në arsimimin mjekësor. Por që nga koha e Mondinos, mjekë të ditur filluan ta konsideronin atë si bazë esenciale. U ndërtuan teatro të anatomisë dhe shfaqje publike të diseksionit njerëzor jepeshin rregullisht nga profesorët. Nga Bolonja, kjo praktikë u shpërnda me shpejtësi nëpër Itali – duke përfshirë edhe artistët, si Leonardo da Vinçi – megjithëse mësimi i anatomisë me kufoma njerëzore nuk u bë rutinë në Angli e Gjermani para vitit 1550.
Njëkohësisht spektakël, instruksion dhe edukim, diseksioni publik performohej gjatë dimrit, ashtu që të vonohej kalbja dhe, si një ndëshkim i fundit simbolik, kufoma përzgjidhej prej kriminelëve të ekzekutuar. Në ilustrime të hershme shihet mjeku veshur me mantelin akademik, i ulur në fron, duke lexuar me zë nga një tekst akademik (me gjasë i Mondinos) ndërkohë që kirurgu shihet duke prerë me bisturi kufomën, dhe një asistent tregon me shkop pjesët relevante. Një anatomi e tillë me bazën te librat – demonstrime të asaj që dihej, brenda kornizës teorike galenike – ofronte udhëzim për studentin, i cili nuk do të kishte mundësinë të merrte në dorë briskun e as të shihte procesin me sytë e vet.
Vesali duke dhënë leksion anatomie. Andreas Vesalius, 1543.
Pika e kthesës erdhi me Vesalin. I lindur në vitin 1514, i biri i një farmacisti në Bruksel, Vesali studioi në Paris, Louvain dhe Padovë, ku diplomoi në mjekësi në vitin 1537 dhe njëherësh u bë profesor. Në vitin 1543 ai botoi kryeveprën e tij me ilustrime të detajuara, De Fabrica Corporis Humani (Mbi Ndërtimin e Trupit Njerëzor), ku sillte përshkrime dhe ilustrime të sakta të skeletit dhe muskujve, të sistemit nervor, organeve të brendshme dhe enëve të gjakut. Duke vlerësuar vëzhgimin direkt, Vesali sulmoi mësimet ortodokse në disa seksione të librit dhe qortoi Galenin që bazohej te trupat e kafshëve e jo të njerëzve. Edhe pse nuk përmbante ndonjë zbulim befasues, De Fabrica krijoi një klimë të re të hulumtimit: dogmat e lashta u sfiduan dhe pasardhësit e Vesalit u bënë vëzhgues të përkushtuar, duke u përpjekur t’ia kalojnë njëri-tjetrit me zbulime të reja.
Në vitin 1561 Gabrielle Falloppio, studenti dhe pasardhësi i Vesalit në Padovë, publikoi një vëllim të vëzhgimeve anatomike me studime të reja të strukturave në kafkë, vesh dhe në gjenitalet femërore. Ishte Falloppio ai që e krijoi termin vaginë, e përshkroi klitorin dhe tubat që çojnë prej vezores te mitra. Megjithatë, ironikisht, ai nuk e kuptoi funksionin e atyre që më vonë do të quheshin tubat fallopiane: do të kalonin edhe dy shekuj para se të kuptohej se vezët formohen në vezore dhe kalojnë nëpër këta tuba për të mbërritur te mitra. Ishte më e lehtë të bëheshin zbulime anatomike sesa të kuptoheshin funksionet e tyre fiziologjike.
Në fund të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, anatomia sipas metodës së Vesalit po jepte fryte të shumta. Bartolommeo Eustachio zbuloi atë që prej atëherë do të njihej si tubi eustakian (prej fytit deri te veshi i mesëm) dhe valvulën eustakiane të zemrës. Në vitin 1903 pasardhësi i Falloppios në Padovë, Girolamo Fabrizio (Fabricius ab Aquapendente), identifikoi valvulat e venave, zbulim ky që do të jetë qenësor për William Harvey-n. Pak më vonë, Gaspare Aselli, gjithashtu nga Padova solli vëmendjen tek enët lakteale, duke nxitur kështu studime të mëvonshme të stomakut dhe tretjes. Kështu, thika po zbulonte një botë të re të organeve trupore, megjithëse hartëzimi i përmirësuar i strukturave vazhdonte të ishte një hap përpara të kuptuarit të saktë të funksioneve: anatomia pas-vasaliane ende mendonte kryesisht përbrenda termave të fiziologjisë galenike.
Portret i Vesalit i gdhendur në dru. Andreas Vesalius, 1543
Megjithatë, anatomia po e merrte primatin si fusha më e avancuar e shkencës mjekësore, dhe me kohë familjariteti që u krijua pas diseksioneve i detyroi studiuesit që ta rimendonin trupin dhe çrregullimet e tij – madje, edhe vetë natyrën e sëmundjes. Teoritë tradicionale të humoreve (sisteme kimike që rregullojnë sjelljen njerëzore[1]) i shihnin shëndetin dhe sëmundjen përbrenda kornizës së balancit të lëngjeve sistemike. Ky model gradualisht u zëvendësua me një interesim të ri për mekanizmat dhe strukturat anatomike lokale – “trupat e ngurtë”. “Kutia e zezë” e trupit po shpalosej para syrit mjekësor.
Që nga kohët e lashta, gjaku është çmuar si lëngu i jetës: ai është konsideruar si ushqim i trupit ose, kur ishte i çrregulluar, si burim i inflamacionit dhe etheve. Edhe këtu, si gjithmonë, Galeni ishte autoriteti. Sipas tij, venat që bartnin gjakun e kishin burimin në mëlqi, përderisa arteriet e kishin në zemër. Gjaku “përgatitej” (fjalë-për-fjalë gatuhej) në mëlqi; pastaj rridhte jashtë saj përmes venave, si uji që vaditë arën, nëpër pjesët e ndryshme të trupit ku përcillte materiet ushqyese dhe konsumohej (harxhohej). Pjesa e gjakut që dilte prej mëlqisë drejt anës (barkushes) së djathtë së zemrës, degëzohej në dy rrjedha. Një rrjedhë e vogël kalonte përmes arteries pulmonare drejt mushkërive për t’i ushqyer, tjetra përshkonte zemrën përmes poreve ndërseptale drejt barkushes së majtë, ku përzihej me ajrin, nxehej dhe vazhdonte drejt periferisë.
Ky model mbizotëroi për gati një milenium e gjysmë. Por, pas vitit 1500, si pjesë e frymës së re kërkimore të Renesancës, mësimet e mjeshtrit u vunë në pikëpyetje. Michael Servetus, teolog dhe mjek spanjoll, spekuloi një “qarkullim më të vogël” i cili kalonte nëpër mushkëri: përkundër autoritetit të Galenit, gjaku nuk mund të rridhte përmes septumit (murit) të zemrës – i cili ishte i ngurtë! – do t’i duhej ta gjente rrugën nga ana e djathtë e zemrës tek e majta përmes mushkërive. Në vitin 1559 qarkullimi “pulmonar” i Servetus-it mori mbështetje të fuqishme empirike nga anatomisti italian Realdo Colombo.
I lindur në Kent dhe i biri i një pronari të vogël tokash, William Harvey studioi mjekësinë në Kolegjin Caius në Universitetin e Cambridge-it. Pas diplomimit në vitin 1597, ai ndoqi studimet e mëtejme nën tutelën e Fabrizios në Padovë. Pas pesë vitesh, ai u vendos si mjek në Londër, duke u zgjedhur anëtar i Kolegjit Mbretëror të Mjekëve në vitin 1607; dy vite më vonë mori pozitën e mjekut në Spitalin e Shën Bartolomeut. Ndërsa studionte në Itali, Harvey i filloi hulumtimet e tij mbi funksionimin e zemrës, dhe, duke filluar nga viti 1603 ai u ndje i trimëruar të pohojë se “lëvizja e gjakut ndodhë vazhdimisht në mënyrë qarkore dhe është rezultat i rrahjeve të zemrës”. Ligjëratat e dhëna në Londër në vitin 1616 tregojnë se ai e kishte konfirmuar punën e Colombo-s mbi tranzitin pulmonar. Aty ai konkludon se zemra funksionon si muskul, ku barkushet nxjerrin gjakun në kontraksione sistolike në vend se ta thithin gjatë diastolës (relaksimit), siç mësohej deri atëherë. Arteriet pulsonin për shkak të valës së shokut nga rrahjet e zemrës, jo për shkak të “vetisë pulsative” që supozohej të ishte pjesë e natyrës së tyre.
Frytet e këtyre ideve të reja u botuan më në fund në vitin 1628 nën titullin Exercitatio Anatomica de Motu Cordis et Sanguinis (Trajtesë Anatomike Mbi Lëvizjet e Zemrës dhe Gjakut), një punim që mori namin e merituar si një prej klasikëve të hulumtimeve mjekësore. Harvey e hapë këtë trajtesë duke vënë në pah gabimet e Galenit. Përmes diskutimit të veprimeve të aurikulave dhe barkusheve të zemrës, ai demonstroi tranzitin pulmonar të gjakut të teorizuar nga Colombo, duke u mbështetur te viviseksionet që kishte kryer në bretkosa. (Fakti që zemrat e tyre rrahin më ngadalë sesa ato të kafshëve me gjak të ngrohtë mundësoi eksperimentet me shpejtësi të ngadalësuar).
Skelet. Andreas Vesalius, 1543
Mbi këtë bazë, në kapitullin 8 Harvey shpallë zbulimin e tij të qarkullimit. Ai vë në dukje se sasia e gjakut që nxirret nga zemra brenda një ore e tejkalon shumëfish vëllimin e tij në tërë trupin e kafshës. Qindra gallonë gjak dalin nga zemra brenda ditës: nuk mund të paramendohet që gjithë kjo sasi të absorbohet nga trupi dhe vazhdimisht të zëvendësohet me gjak që krijohet në mëlqi nga çilja[2]. Ky demonstrim kuantitativ dëshmoi që gjaku duhet të lëvizë vazhdimisht në qark, përndryshe arteriet do të shpërthenin nga trysnia. “Është e domosdoshme të konkludojmë që gjaku në trupin e kafshës shtyhet në qark, dhe është në një gjendje të lëvizjes së pandalshme.” Megjithatë, Harvey nuk arriti t’i paraqiste rrugët e kësaj lëvizjeje rrethore në plotësinë e tyre. Ai nuk mund të shihte me sytë e tij lidhjet shumë të imta, kapilarët, mes arterieve dhe venave – e as nuk tentoi ta bënte këtë me mikroskopin e sapo-shpikur. Por përmes një eksperimenti të thjeshtë ai vërtetoi se lidhja, edhepse e panjohur, duhet të ekzistojë. Ai lidhi një parakrah aq shtrëngueshëm sa gjaku arterial nuk mund të rridhte drejt krahut përtej lidhjes. Pastaj e liroi pak ashtu që gjaku arterial të mund të rrjedhë drejt krahut, megjithëse mbetej ende mjaft i shtrënguar që të ndalonte gjakun e venave që të lëvizte përpjetë, përtej vendit ku parakrahu ishte lidhur. Me lidhjen shumë të shtrënguar, venat në krahun nën të kishin pamje normale, por tani ato ishin fryrë, duke demonstruar që gjaku duhet të kishte rrjedhur përmes arterieve dhe pastaj ishte ngjitur drejt parakrahut përmes venave; prandaj, në gjymtyrë duhej të kishte rrugë (ende të pazbuluara) të cilat e përcillnin gjakun prej arterieve në vena. Si përfundim, Harvey demonstroi që valvulat në vena gjithmonë e drejtonin gjakun drejt zemrës. Duke kundërshtuar mësuesin e tij Fabrizio, ai tregoi se funksioni i tyre nuk ishte parandalimi i vërshimit me gjak të pjesëve të poshtme të trupit. Duke u mbështetur tek fuqia e teorisë së qarkullimit, Harvey qe në gjendje të shpjegojë disa fenomene të tjera që në të kaluarën kishin qenë misterioze – për shembull, shpërndarja e shpejtë e helmeve nëpër trup.
Dy krahë me vena të theksuara për të treguar qarkullimin. William Harvey, 1628.
Puna e Harvey-t duket shumë moderne – ai eksperimentoi dhe ndoqi urdhëresën e anatomistëve padovanë që duhet të shohësh me sytë e tu. Por kjo është e vërtetë vetëm deri në njëfarë pike. Sigurisht që ai pa me sytë e tij, por ai shpesh shihte përmes syzeve aristoteliane, duke lavdëruar përkryerjen e lëvizjes qarkore brenda idesë teleologjike të sistemit të natyrës që vinte nga ati grek i biologjisë. Siç ngjante aq shpesh në mjekësinë e Renesancës, novatorët e përforcuan poaq sa e shkatërruan, trashëgiminë e antikitetit.
Pikëpamjet e reja të Harvey-t ndezën polemika. Duke qenë të famshëm për konservatorizmin e tyre, mjekët parisienë vazhduan t’i qëndronin besnikë dogmës së Galenit për një kohë, dhe vet Harvey u ankua që “numri i pacientëve u zvogëlua shumë” – edhe ata pacientë që kishte ishin shumë dyshues përballë mësimeve të reja. Përkundër kësaj, puna e tij shteg-çelëse doli të jetë një nxitje e jashtëzakonshme për hulumtimet fiziologjike.
Një grup i hulumtuesve të rinj anglezë vazhduan me hulumtime të mëtejme mbi zemrën, mushkëritë dhe frymëmarrjen. I spikatur në mesin e Harveianëve anglezë ishte anatomisti Thomas Willis, i cili mbahet në mend për studimet e tij pioniere të trurit dhe të sëmundjeve të sistemit nervor – prej tij kemi edhe termin “neuro-logie”. Më brilanti nga të gjithë, megjithatë, ishte Richard Lower, i cili studioi në Oxford dhe e ndoqi Willis-in në Londër. Ky kornishez[3] bashkëpunoi me filozofin natyror Robert Hooke (me namin e “Ligjit të Hook-ut”) në eksperimente të cilat treguan se si ajri në mushkëri bënte që gjaku i kuq i mbyllur në vena të ndryshojë në gjak të kuq të çelët në arterie. Ai gjithashtu e meritoi pavdekësinë përmes realizimit të transfuzioneve të para të gjakut, duke transferuar gjak nga një qen te tjetri, dhe nga personi në person. Këto demonstrime u realizuan në Shoqërinë Mbretërore, një institucion ky (i themeluar në vitin 1660) i cili lehtësonte shkëmbimin e ideve dhe teknikave mes mjekëve dhe filozofëve natyrorë (të cilët më vonë do të quheshin shkencëtarë).
Një ndihmesë e re në hulumtim ishte mikroskopi, i cili u përdor nga Hooke dhe veçanërisht nga Antoni van Leeuwenhoek në Holandë. Përmes tij u zbuluan gjëra të mahnitshme: qelizat e kuqe të gjakut, spermatozoidet dhe mikro-organizma të tjerë. Kishte të tillë që besonin se në spermë mund të shiheshin burra shumë të vegjël (humunculusë), duke shpjeguar kështu zhvillimin e fetuseve.
Ndikim kishin edhe inovacione radikale konceptuale në filozofinë natyrore të cilat u zhvilluan në këtë periudhë. Siç promovohej nga Dekarti, Boyle, Hooke dhe të tjerët, filozofia e re apo mekanike propozonte makinën si model për të kuptuar trupin. Mekanistë të tillë sulmuan teoritë e shkollave të lashta me bisedat e tyre mbi virtytet dhe shpirtrat, si gjepura të cilave u mungon baza materiale e zbuluar përmes vëzhgimit dhe eksperimentit, dhe në vend të tyre promovuan një të kuptuar hidraulik apo hidrostatik mbi kanalet, enët dhe tubat, levat, dhëmbëzorët dhe makaratë e trupit. Ata gjithashtu e çmonin matjen dhe kuantifikimin. Në Padovë, kolegu i Galileos, Sanctorius Sanctorius (1561-1636) zhvilloi një termometër për matjen e temperaturës trupore dhe “pulsilogiumin” (matës pulsi), dhe rekomandonte matjen e rregullt të peshës trupore për të monitoruar shëndetin.
Ideja e “trupit makinë” i dha hov hulumtimit. Në Itali, Marcello Malpighi realizoi një seri mbresëlënëse të studimeve mikroskopike mbi strukturën e mëlçisë, lëkurës, mushkërive, shpretkës, gjëndrave dhe trurit. Giovanni Borelli nga Pisa dhe iatro-fizikanët (ata që e promovojnë fizikën si çelësin e mjekësisë) studiuan sjelljen e muskujve, sekrecionet e gjëndrave, veprimet e zemrës, frymëmarrjes dhe reaksionet nervore. Libri i tij De motu animalium (Mbi Lëvizjen e Kafshëve) i botuar në vitin 1680, solli vëzhgime mbresëlënëse të kontraksioneve muskulore, mekanikën e frymëmarrjes, fluturimin e zogjve, notin e peshqve e një sërë temash të ngjashme, dhe interpretoi funksionet trupore kryesisht përmes nocioneve të fizikës. Për shembull, frymëmarrja ishte një proces krejtësisht mekanik që sillte ajrin në gjak përmes mushkërive. Në punën tejet inovative të Borellit, shkencat fizike premtonin të zbulonin sekretet e jetës. Bashkëkohësi i tij më i ri, Giorgio Baglavi, profesor i anatomisë në Romë, përfaqësonte kulmin e këtij programi iatrofizik. “Sa u përket veprimeve të tij natyrale,” pohonte ai “trupi njerëzor vërtetë nuk është asgjë tjetër pos një kompleks lëvizjesh kimiko-mekanike të cilat mbështeten në parime krejtësisht matematikore”.
Një tjetër tentim inovativ për ta analizuar trupin në terma shkencorë gjendej tek iatrokimia (kimia mjekësore). Këtu, themeltare ishin teoritë e mjekut zviceran ikonoklast Theophrastus Philippus Aureolus Bombastus von Hohenheim (rr. 1493-1541), i cili ishte shpërfillur si sharlatan nga shumica por që respektohej nga disa, dhe teoritë e ndjekësit të tij holandez Johannes Baptista van Helmont (1579-1644). Paracelsus, siç i pëlqente të parit ta quante veten – që do të thotë “ai që ia kalon Celsusit”, autoritetit mjekësor romak – zëvendësoi katër humoret me tre elemente kimike fundamentale: kripë, sulfur dhe merkur. Duke e vënë në pikëpyetje nocionin e Paracelsusit mbi një arkeus (ose shpirt banues) të vetëm, van Helmont konsideronte që secili organ kishte blasin (shpirtin) e vet individual që e rregullonte veprimtarinë e tij. Koncepti i tij i shpirtit nuk ishte mistik por material: të gjitha proceset vitale ishin kimike, secila vinte si pasojë e veprimit të një fermenti apo gazi me kapacitetin për ta konvertuar ushqimin në mish të gjallë. Temperatura trupore ishte nënprodukt i fermentimeve kimike. Kështu kimia, në kuptim të gjerë, ishte çelësi i jetës. Qëndrime të tilla ishin radikale. Kështu, rreth vitit 1700, avancimet që ishin bërë në anatominë dhe fiziologjinë bazike po ndiznin shpresat e një të kuptuari vërtet filozofik të strukturave dhe kimisë së trupit. Hulumtimet e shekullit pasardhës realizuan disa prej këtyre qëllimeve, por gjithashtu sollën frustrime në pritshmëritë e zbatimit të tyre përbrenda terapive.
Në epokën e Iluminizmit, hulumtimet anatomike vazhduan përgjatë linjave vesaliane dhe shumë atlase të shkëlqyeshme anatomike e përforcuan aleancën mes artit dhe anatomisë. Anatomisti holandez Herman Boerhaave (1668-1738), profesor në Leiden dhe mësimdhënësi më i madh i mjekësisë në kohën e tij, modeloi sistemin e trupit si një tërësi të integruar e të balancuar ku trysnitë dhe rrjedhat e lëngjeve janë në baraspeshë dhe gjithçka e gjen nivelin e vet. Duke e hedhur poshtë modelin e trupit “si orë” të Dekartit si të pasofistikuar, Boerhaave e trajtoi si një rrjet tubash dhe enësh, të cilat përmbanin, kanalizonin dhe kontrollonin lëngjet trupore. Shëndeti mirëmbahej prej lëvizjes së lirë dhe energjike të lëngjeve në sistemin vaskular, ndërsa sëmundja shpjegohej përmes bllokadave, shtrëngimeve dhe stagnimit. Theksi i vjetër humoral tek balanca ishte ruajtur por qe përkthyer në gjuhë mekanike e hidrostatike.
Prania e ndonjë lloj shpirti ishte e padiskutueshme si burim jete por Boerhaave ishte i matur në gjykimin e tij se zhbirimi i sekreteve të jetës ishte përtej kompetencave të mjekësisë. Ishte më mirë që shpirti i krishterë i pavdekshëm t’u lihej priftërinjve dhe metafizikanëve: mjekësia duhet të studiojë shkaktarët dytësore e jo primarë, si-në e jo pse-në dhe shkaqet e funksioneve trupore.
Themeluesi i shkollës së shquar të mjekësisë në Universitetin e Halle, Georg Ernst Stahl (1660-1734) nuk u pajtua me këtë, dhe propozoi pikëpamje anti-mekaniste. Veprimet e qëllimshme njerëzore nuk mund të shpjegoheshin plotësisht përmes reaksioneve zinxhirore mekanike – si topa që vërtiten rreth tavolinës së bilardos. Sipas tij, ato presupozonin një shpirt jomaterial (anima), që kuptohej si një fuqi udhëheqëse dhe mbështetëse brenda organizmave. Më shumë se sa “fantazma në makinë” e Dekartit (që do të thotë një prezencë e cila është esencialisht e ndarë prej trupit), shpirti sipas Stahl-it ishte agjenti përherë-aktiv i vetëdijes dhe rregullimit fiziologjik, një truprojë konstante kundër sëmundjes. Friedrich Hoffmann, kolegu i tij më i ri në universitetin prusian, i shihte më pozitivisht teoritë e reja mekanistike të trupit. “Mjekësia”, deklaroi ai te Fundamenta medicinae (Themelet e Mjekësisë) (1695) “është arti i përdorimit të duhur të parimeve fiziko-mekanike, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të njeriut apo të rikuperimit të tij nëse humbet”
Por, a është trupi i njeriut thjesht një makinë apo diçka më shumë? Kjo ishte pyetja që u testua në mënyrë eksperimentale në vitin 1712, kur natyralisti francez René Réaumur demonstroi kapacitetin e panxhave dhe luspave të gaforreve që rriten prapë pasi këputen; në vitet e 1740-ta, Abraham Trembley i ndau polipet apo hidrat dhe zbuloi që prej copave u rritën individë të rinj të plotë. Qartazi, krijesat ishin më shumë sesa dhëmbëzorët dhe penjtë që lejon teoria ekstreme karteziane. Prandaj, debati mbi “natyrën e jetës” nuk ishte thjesht spekulim i thatë kolltuku: aty përfshiheshin hulumtime eksperimentale në trupat e njerëzve dhe kafshëve, të cilat i testonin supozimet. A realizohej tretja prej një force vitale të brendshme? Nga veprimet kimike të acideve gastrike? Ose nga aktivitetet mekanike të tundjes dhe bluarjes që bëjnë muskujt e stomakut? Tretja ishte ndër proceset që iu nënshtruan eksperimentimeve të sofistikuara në shekullin e tetëmbëdhjetë.
Eksperimentimi krijoi pikëpamje të reja mbi natyrën e vitalitetit – dhe, rrjedhimisht, mbi relacionet mes trupit dhe mendjes (ose shpirtit). Vigani i kësaj fushe ishte poliedri zviceran Albrecht von Haller, i cili shkroi një tekst pionier, Elementa Physiologiae Corporis Humani (Elementet e Fiziologjisë së Trupit të Njeriut) (1759-66). Aty përfshihej edhe një demonstrim që irritueshmëria (kontraktueshmëria) është tipar i qenësishëm i fibrave muskulore, ndërsa ndjeshmëria (aftësia për të ndier) ishte cilësi ekskluzive e fibrave nervore. Ndjeshmëria e nervave bazohej në reaktivitetin e tyre ndaj stimujve të dhimbjes; irritueshmëria e muskujve është karakteristika e kontraktimit si reagim ndaj stimujve. Kështu, Haller mund të shtynte përpara një shpjegim fiziologjik – i cili mungonte te Harvey – se pse zemra pulsonte: ajo është organi më i “irritueshëm” në tërë trupin, i cili hiperstimulohej nga rrjedha prurëse e gjakut dhe që përgjigjej me kontraktime sistolike. Këto koncepte të irritueshmërisë dhe ndjeshmërisë i vunë themelet e neurofiziologjisë moderne. Sikur Newton-i me gravitetin e Boerhaave me shpirtin, ai konsideronte se shkaqet e forcave të tilla vitale ishin përtej shkencës.
Në shkollën e mjekësisë në Universitetin me nam të Edinburgut, po merrte formë një shkollë e “ekonomisë së kafshëve” (emri tradicional për fiziologjinë), e themeluar në vitin 1726.
William Cullen (1710-90), profesori më i shquar i këtij universiteti, e avancoi punën e filluar nga Haller. Sipas Cullen, vet jeta ishte funksion i fuqisë nervore dhe ai theksoi rolin kyç të sistemit nervor në shkaktimin e sëmundjeve, sidomos të sëmundjeve mendore. Ndjekësi i tij i cili më vonë u kthye në kundërshtar, John Brown, një personalitet impozant i cili vdiq si alkoolist, e reduktoi tërë punën e shëndetit dhe sëmundjes në variacione përreth irritueshmërisë halleriane, edhe pse e zëvendësoi idenë që fibrat janë “të eksitueshme”. Animimi duhej të kuptohej si produkt i veprimeve të jashtme mbi një trup të organizuar. Jeta, shpalli Brown, ishte një “gjendje e imponuar”; sëmundja ishte çrregullim i funksionimit normal të eksitimit; dhe sëmundjet duhej të trajtoheshin si “stenike” apo “astenike”, varësisht se a ishte trupi i sëmurë mbi apo nën nivelin normal të eksitimit. Sasi të mëdha të alkoholit apo opiumit rekomandoheshin për këto gjendje. Mjekësia “Brunoniane” kishte një thjeshtësi tërheqëse.
Në Francë, ishin profesorët e Universitetit Montpellier, gjithnjë më përparimtarë se parisienët, ata që i prinin debatit mbi vitalitetin. Boissier de Sauvages mohonte që një mekanizëm à la Boerhaave mund të shpjegonte origjinën dhe lëvizjen e qëllimshme në trup. Ajo që ishte e nevojshme qe studimi fiziologjik i trupit të gjallë (jo të disektuar), që ka dhuntinë e shpirtit. Më vonë, mësimdhënësit në Montpellier, veçanërisht Theophile de Bordeu, i dhanë vitalizmit një kahje më materialiste; duke adresuar rolin e organizimit fizik, ata hodhën poshtë idenë e shpirtit të implantuar dhe theksuan kapacitetet dhe energjitë qenësore të trupave të organizuar.
Linja paralele të hulumtimit u ndoqën edhe në Londër. Skocezi John Hunter (1728-93), i cili ishte trajnuar në shkollën e anatomisë së të vëllait William, propozoi një “parim-jete” i cili do të shpjegonte cilësitë që i ngritin organizmat e gjallë mbi materien jo të gjallë: kjo forcë-jete gjendej te gjaku. Kështu, teoritë e guximshme por reduktive të periudhës së Dekartit që ishin ndërtuar rreth konceptit “makina trupore” (machina carnis) u lëshuan udhë ideve më dinamike mbi cilësitë vitale apo vitalizmin. Nuk është e rastësishme që vet termi “biologji” u shpik rreth vitit 1800.
Kjo fiziologji e re përfitoi shumë prej shkencave të tjera që dolën nga Revolucioni Industrial. Bashkëkohësi i Cullen, kimisti Joseph Black formuloi idenë e nxehtësisë latente dhe identifikoi “ajrin e fiksuar”, një zbulim kyç për të kuptuarit e mëtejmë të frymëmarrjes që u zhvillua nga Lower. Kimisti francez Lavoisier (i cili e humbi kokën në Revolucion pasi ishte pasuruar si mbledhës taksash gjatë periudhës para-revolucionare të ancien régime) e shpjegoi kalimin e gazrave nëpër mushkëri. Ajri i marrë konvertohej dhe nxirrej si “ajri i fiksuar” i Black – pra, sipas nomenklaturës së re të francezit, dioksid karboni. Brenda trupit të gjallë, frymëmarrja ishte analog i djegies në botën e jashtme: të dyjat merrnin oksigjenin dhe nxirrnin dioksidin e karbonit dhe ujin. Kështu, ishte Lavoisier ai që vërtetoi se oksigjeni është i domosdoshëm për jetë.
Një entuziast i kësaj kimie të re të gazrave, mjeku bristolian Thomas Beddoes ëndërronte shërimin e shumë sëmundjeve, duke përfshirë tuberkulozin, përmes administrimit të oksigjenit dhe gazrave të tjera te pacientët. Në këtë proces ai zbuloi oksidin e azotit (gazi i të qeshurës) edhe pse nuk i zbuloi cilësitë e tij anestetike.
Përparimet e bëra në shkenca të tjera gjithashtu premtonin përfitime për mjekësinë, veçanërisht elektrofiziologjia, e shtyrë përpara nga Luigi Galvani. Në librin e tij De Viribus Electricitatis in Motu Musculari (Mbi Forcat Elektrike në Lëvizjet e Muskujve) (1792), natyralisti italian përshkroi eksperimente ku këmbët e bretkosave të vdekura ishin varur nga një ballkon hekuri përmes një teli bakri. Kur kjo bënte që gjymtyrët e prera të përpëliteshin, Galvani erdhi në përfundim që elektriciteti ishte i përfshirë – madje që ishte i domosdoshëm për forcën jetësore. Eksperimentet e tij u avancuan nga Alessandro Volta, profesor në Pavia. Në librin e tij Letters on Animal Electricity (Shkrime mbi Elektricitetin e Kafshëve) (1792), Volta demonstroi se duke përdorur stimulimin elektrik, mund t’i bëje muskujt të kontraktohen. Lidhjet mes jetës dhe elektricitetit që u zbuluan përmes këtyre eksperimenteve, dolën të jenë fundamentale në neurofiziologji. Ato qenë gjithashtu edhe një prej frymëzimeve për librin fanta-shkencë Frankenstein, të shkruar në vitin 1818 nga Mary Shelley, një rrëfim gotik mbi krijimin e jetës tek një përbindësh i krijuar nga njeriu përmes metodave fiziko-kimike, i menduar si paralajmërim për keqpërdorimet e fuqisë prometeane.
Këto hulumtime mekanistike dhe eksperimentale e transformuan të menduarit mbi sëmundjen. Studimet e anatomisë strukturore pas Vesalit e kthyen vëmendjen drejt lidhjeve mes sëmundjeve tek të gjallët dhe shenjave patologjike që u vëzhguan tek kufomat.
Bindja çdoherë e më e fuqishme se hulumtimi post-mortem ishte çelësi i ndryshimeve fizike që sjellë sëmundja – sidomos kur bëhej fjalë për shkakun e vdekjes – u kap nga Giovanni Battista Morgagni (1682-1771), profesor i anatomisë në Padovë. Libri i tij De sedibus et causis morborum (Mbi vendet dhe shkaqet e sëmundjes) (1761) nxori përfundime nga gjetjet e hiç më pak se 700 autopsive që demonstrojnë se si organet trupore shfaqin gjurmët e sëmundjeve.
De sedibus adreson me radhë sëmundjet e kokës, gjoksit dhe barkut. Anamnezat e tyre, të cilat flasin detajisht mbi simptoma dhe rezultate befasuese të autopsive, ndiqeshin prej një sqarimi të marrëdhënieve mes rastit dhe anatomisë morbide. Zbulimet e Morgagnit ishin të shumta. Ai përshkruante dekompozimin anatomik që vëzhgohet gjatë sëmundjes angina pectoris dhe degjenerimit miokardial, dhe mpiksjet fibroze që gjendeshin në zemër pas vdekjes; ai e asoconte cianozën (kaltërsinë e lëkurës) me stenozën muskulore (ngurtësimin e arterieve).
Kështu, hulumtimet e Morgagnit nxisnin një lëvizje prej një teorie fiziologjike (sëmundja është një gjendje anormale e tërë organizmit) drejt një teorie ontologjike të sëmundjes (sëmundja është një entitet i lokalizuar në një pjesë). Duke menduar në mënyrë anatomike, ai dëshmoi se sëmundjet janë të lokalizuara në organe specifike, se simptomat përkojnë me lezione anatomike dhe se këto lloj ndryshimesh morbide në organe janë përgjegjëse për sëmundjet. Në këtë mënyrë, patologjia bashkë me anatominë kishin marrë karakter shkencor.
Rëndësia e jashtëzakonshme e punës së Morgagnit u mirënjoh dhe u zhvillua më tej prej të tjerëve. I organizuar sipas organeve, libri “Morbid Anatomy of Some of the Most Important Parts of the Human Body” (Anatomia morbide e disa prej pjesëve më të rëndësishme të trupit të njeriut) (1793) e Mathew Baillie përmban disa përshkrime klasike, duke përfshirë emfizemën dhe cirrozën e mëlçisë, të cilën ai e lidhi me alkoolin. Duke e zhvilluar idenë e “reumatizmit të zemrës” (etheve reumatike) në botimin e dytë (1797), Baillie kontribuoi për studimin e hershëm të sëmundjeve të zemrës.
Një tjetër arritje e patologjisë ishte publikimi i Traité des Membranes (Trajtesë mbi membranat) nga Marie François Xavier Bichat. I biri i një mjeku nga Jura, Bichat u zhvendos në Paris dhe u bë asistent i krye-kirurgut, Pierre-Joseph Desault. Duke u përqendruar tek strukturat e krahasueshme në teksturë të cilat janë të pranishme në organe të ndryshme, ai përshkroi njëzet e një inde të tilla, duke i dalluar sipas pamjes dhe cilësive vitale. Më të përhapurat ishin indet qelizore, nervat, arteriet, venat, enët frymëmarrëse dhe frymënxjerrëse. Njëjtë sikur elementet në kiminë e re të Lavoisier, për Bichat, këto inde ishin njësitë analitike bazike të anatomisë, fiziologjisë dhe patologjisë, dhe ai vendosi të hulumtojë strukturën e tyre, cilësitë vitale, reaktivitetin dhe anormalitetet.
Së këndejmi, sipas tij, sëmundjet duhet të shihen si lezione të indeve specifike e jo (siç mendonte Morgagni) të organeve. “Sa më shumë që observojmë sëmundjet dhe kufomat e hapura”, deklaroi ai, “aq më shumë bindemi për nevojën që sëmundjet t’i konsiderojmë jo nga aspekti i organeve komplekse por nga aspekti i indeve individuale.”
Duke e parë kështu patologjinë me sy të freskët, Bichat vuri themelet e mjekësisë klinike të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Dhe, siç do të shohim në kapitullin e radhës, anatomia patologjike për të cilën Parisi mori nam, nuk u krijua vetëm në bazë të patologjisë së tij të indeve, por ndoqi direktivën e tij. “Ju mund të merrni shënime pranë shtratit të të sëmurit nga mëngjesi deri në darkë për njëzet vite,” mësoi ai, “dhe e gjitha do të jetë vetëm një pështjellim simptomash … një varg fenomenesh jokoherente.” Por filloni t’i hapni trupat dhe, me të bërë këtë, “paqartësia do të zhduket shumë shpejt”. Ja ku ishte mjekësia e vështrimit të gjithëfuqishëm, që sheh – gati se me rreze rëntgeni – tejpërtej pacientit deri te sëmundja në bazë. Syri anatomizues po vazhdonte marshin përpara.
[1] Shënim i përkthyeses
[2] Çilja është lëng qumështor i përbërë prej qelizave të dhjamit dhe limfës..
[3] Person nga Cornwall-i