Marc Reichwein
Me rastin e botimit jubilar të 75 vjetorit nga botimi i parë i “Dialektika e Iluminizmit”
“Dialektika e Iluminizmit” është një nga librat më të rëndësishëm për njerëzit e maturuar. Bëhet fjalë për median, manipulimin dhe mashtrimin e masave, por edhe prirjen e njerëzimit drejt barbarisë.
75 vjet më parë, Lufta e Dytë Botërore dhe Shoah mezi ishin tejkaluar. Pastaj u shfaq një libër filozofik që shtroi thelbësisht pyetjen se si ishte e mundur të kishte ardhur deri te ky barbarizëm: “Dialektika e Iluminizmit” nga Max Horkheimer dhe Theodor Adorno u shkrua gjatë mërgimit amerikan, ku të dy shkencëtarët kishin ikur nga Frankfurti. Punën e dorëshkrimit të librit e përfunduan në qershor 1947. Vepra është edhe sot jashtëzakonisht aktuale. Disa mendime prej saj kanë shkruar historinë konceptuale dhe intelektuale për 75 vjet. Por çfarë ka në të vërtetë në libër? Çfarë termash duhet të dini nëse dëshironi të keni për të thënë diçka për veprën kryesore të teorisë kritike? Një fjalorth i vogël shpjegon shtatë konceptet më të rëndësishme nga A deri te Z, nga A për iluminizëm deri te K për industrinë e kulturës dhe M për mashtrim masiv tek Z për çarjen e civilizimit[1].
ILUMINIZËM
Për Horkheimer/Adorno, iluminizmi nuk është vetëm zgjimi i subjektit à la Kant: d.m.th çlirimi i njeriut nga pamaturia e vetëshkaktuar. Iluminizmi e ka humbur pafajësinë e tij përmes modernitetit dhe veçanërisht përmes rënies së civilizimit nga nazistët. Iluminizmi blihet nga “njohja e pushtetit si parim i të gjitha marrëdhënieve”. Për shembull, fuqia e tregut. Ose fuqia e arsyes instrumentale.
Sipas Horkheimer/Adorno, sundimi, duke përfshirë atë të arsyes, ka diçka kontradiktore, sepse ai dëshiron që arsyeja të fitojë – dhe duhet, nëse arbitrariteti nuk do të sundojë. “Iluminizmi është totalitar”, thuhet në një vend dhe diku tjetër thuhet se iluminizmi është “diktator”. E megjithatë ai duhet të sundojë nëse njerëzit nuk duan të kthehen në epokën e barbarizmit të vjetër.
DIALEKTIKË
Mbi dialektikën (që vjen nga Hegeli) mund të mbushen biblioteka të tëra. Horkheimer dhe Adorno e prezantojnë termin në një mënyrë shumë praktike, domethënë nëpërmjet një anekdote nga tregimi homerik i “Odisesë”.
Teza e “Dialektikës së iluminizmit” thotë se iluminizmi i bazuar në arsyen instrumentale nuk kthehet rastësisht në të kundërtën e tij. Përkundrazi, kthimi në anën negative është shtruar në modernitet, sepse iluminizmi si parim ka veti të caktuara që mund të jenë edhe totalitare.
INDUSTRI E KULTURËS
Kapitulli më interesant, pasi njëkohësisht më i dobëti, në “Dialektikën e Iluminizmit” është ai mbi industrinë e kulturës. Horkheimer dhe Adorno e shqyrtojnë kompleksin e mënyrës moderne të jetesës përmes kulturës masive, mediave dhe industrisë së argëtimit në mënyrë më të pamëshirshme se çdo gjë tjetër në librin e tyre. Nga këndvështrimi i tyre, kulturës si mall, e prodhuar pothuajse në mënyrë industriale, i mungon çdo pretendim për estetikë dhe individualitet.
Film, radio, revista? Një “sistem” i vetëm “që mund gjithçka me ngjashmëri”. Televizioni? Një “përmbushje tallëse e ëndrrës së Wagner-it për një vepër arti totale”. Çfarë do të kishin thënë Horkheimer/Adorno për një koncert të Rammstein ku hidhen mjete piroteknike? Sigurisht ata e dinë që slogani “bukë dhe cirk” daton që nga lashtësia, por “buka me të cilën industria e kulturës ushqen njerëzit” është “guri i stereotipive”.
Sigurisht që edhe aty kanë të drejtë në një anë, ne e dimë “skematizmin si shërbim ndaj klientit” ku ende lansohet në televizion iks Talk dhe Kuiz-emisioni. Por uniformiteti nuk është aspak i kufizuar në industrinë e argëtimit. Edhe kultura e lartë mund të jetë tmerrësisht pa imagjinatë. Mendoni vetëm për peizazhin teatror shumë të subvencionuar dhe marifetin Ame të cilin teatrot kanë përshtatur romanet për skenë vitet e fundit.
Horkheimer/Adorno janë veçanërisht dyshues ndaj industrisë së kulturës kur ajo shërben thjesht për relaksim dhe “strehë nga jeta e përditshme”. Ky është “mashtrim masiv dhe grabitje masive” në një “sferë estetike konformiste”. Ndoshta është vetë bashkëkohësia e tyre me fashizmin pse Horkheimer/Adorno e ndjejnë vetëm manipulimin kudo ku masat mund të kënaqen? Ata thjesht nuk e njihnin kulturën pop në kuptimin e mëvonshëm.
Për shkak se konstrukti i industrisë së kulturës është – në mënyrë implicite – i bazuar në dallimin e vjetër dhe ndoshta edhe shumë gjerman midis U dhe E, kapitulli duket paksa fyes në përgjithësi. Megjithatë, ka vetëm një pikë në të cilën konsideratat në lidhje me industrinë e kulturës ende duken të vlefshme. Fakti që argëtimi, propaganda dhe marketingu po shkrihen gjithnjë e më shumë, është me të vërtetë problem në epokën e një kulture interneti të mbytur me reklama, që thith të dhëna, në të cilën faktet dhe lajmet e rreme, informacionet, mitet dhe teoritë e konspiracionit janë të përziera në mënyrë subtile dhe shpesh perfide.
MASHTRIMI I MASAVE.
Kolektiviteti i manovruar dhe instrumentalizimi i masave të pamaturuara në shërbim të sundimit – si me ekuipazhin e Odiseut – ky është thelbi i përparimit për Horkheimer/Adorno, pavarësisht nëse ky përparim karakterizohet nga makineria apo tregjet. Dy autorët e “Dialektikës së Iluminizmit” janë tërësisht marksistë këtu, për aq sa e përkufizojnë parimin e tregut si përdorimin e forcës.
Në kapitalizëm Horkheimer/Adorno shohin nga njëra anë “bekimin që tregu nuk pyet për lindjen”, por nga ana tjetër edhe “unitetin e kolektivit të manipuluar”, “mohimin e çdo individi”.
ODISEU
Odiseu shfaqet me emër më shumë se 80 herë në “Dialektikën e Iluminizmit”. Horkheimer dhe Adorno përdorin shembullin e tij për të shpjeguar lidhjen midis mitit dhe iluminizmit. Para së gjithash, ata përshkruajnë hilen me të cilën ai thyen fuqinë e sirenave. Odiseu urdhëron tapa veshësh për ekuipazhin e tij, kështu që njerëzit e tij mbrohen kolektivisht nga këndimi erotik i sirenave. Ai vet i mban veshët të lirë, por lidhet në direk. Kur kënga e sirenave e dobëson me bukurinë e saj dhe i urdhëron shokët ta zgjidhin, ata nuk e besojnë. Por muzikën që e josh, ata nuk mund ta dëgjojnë fare.
Horkheimer/Adorno i lexojnë “masat e marra në anijen e Odiseut përballë sirenave” si “alegori parandjenjëse e dialektikës së iluminizmit”. Sepse çfarë përfaqëson skena? Se njerëzit mund të manipulohen kolektivisht. Vetëm Odiseu mund ta dëgjonte këngën, vetëm ai e shijonte kulturën. Është leximi marksist i manipulimit masiv që Horkheimer/Adorno i referohen jo vetëm ndaj fashizmit dhe barbarizmit të tij, por edhe ndaj tregut dhe shoqërisë moderne industriale.
TEZA MBI ANTISEMITIZMIN
Kapitulli rreth 40 faqësh i titulluar “Elemente të Antisemitizmit. Kufijtë e Iluminizmit” konsiderohet si një vepër pioniere e kërkimit modern antisemitist. Horkheimer dhe Adorno as nuk debatojnë si judaistë apo historianë, por ata e drejtojnë pikëpamjen e tyre – të frymëzuar nga Sigmund Frojdi – më shumë se kushdo para tyre në mënyrë psikanalitike ndaj anti-judaizmit të krishterë. Publicisti Micha Brumlik thekson në “Manuali-Adorno” (botuar nga Metzler) se arritja origjinale e Horkheimer dhe Adorno ishte që ata kishin përpunuar një lloj parahistorie filozofike të antisemitizmit.
Në parathënien e botimit jubilar të “Dialektika e Iluminizmit”, filozofja Eva von Redecker thekson se konjunktura aktuale e atributeve antisemitike nuk është rastësi. Ajo sugjeron se teza e Horkheimer/Adorno e “karikaturës së sundimit të errët” është ende e vlefshme: aty ku tregjet anonime dhe strukturat komplekse të pushtetit nuk kuptohen, ka një rikthim në projeksionet e para iluminizmit: oktapodi me tentakulat e tij mbytëse të forta që arrijnë kudo, është një klishe e tillë antisemitike që përdoret vazhdimisht.
Merimanga, të cilën shkrimtari Joseph Roth e letrarizoi për rrjetet terroriste antisemite të Republikës së Vajmarit në romanin e tij “Rrjeti i merimangës”, trajton gjithashtu një emblemë të përhapur. Mbetet për t’u parë nëse argumenti marksist i Horkheimer/Adorno, sipas të cilit projeksionet antisemitike janë kryesisht produkt i një rendi shoqëror të rremë (kapitalist), u bën ballë njohurive shumë-kauzale të kërkimit të sotëm mbi antisemitizmin.
ÇARJA E CIVILIZIMIT
Çarja e civilizimit nuk është term që shfaqet tek vetë Horkheimer/Adorno. Nëse “çarja e qytetërimit” (Dan Diner) përdoret sot si një kod i mësuar për “Aushvicin”, atëherë një konceptim i tillë duket se arrin deri në “dialektikën e iluminizmit”. Sepse “civilizimi” është koncept absolutisht qendror për Horkheimer/Adorno. Kur ata shkruan dorëshkrimin e librit të tyre në azilin amerikan nga fillimi i viteve 1940, ata ishin nën efektin e nacionalsocializmit të ashpër në Gjermani. Kështu ata folën për “kolapsin aktual të civilizimit borgjez” dhe shkrimi i tyre nxitej nga pyetja “pse, në vend që të hyjë në një gjendje të vërtetë njerëzore, njerëzimi po zhytet në një lloj të ri barbarie”.
Në vitin 1969, njëzet vjet pas daljes së botimit të parë, doli një botim i ri i “Dialektikës së Iluminizmit”. Në të, Horkheimer dhe Adorno, tani në ditët e Luftës së Ftohtë, nuk panë absolutisht asnjë arsye për kalim rreziku: “Konfliktet në Botën e Tretë, rritja e përtërirë e totalitarizmit nuk janë aspak incidente historike siç nuk ishte dikur, sipas ‘dialektikës’, as fashizmi”.
Në botimin jubilar të botuar së fundmi të “Dialektika e Iluminizmit”, Eva von Redecker sheh shumë pika lidhëse sa i përket rëndësisë së librit në të tashmen. Në veçanti, mitet e konspiracionit dhe topojat antisemitike kanë përjetuar një konjunkturë të re të frikshme në vazhdën e pandemisë së koronës. Për të mos përmendur Putinizmin dhe propagandën e tij të luftës.
Linku i tekstit origjinal
[1] Shën. i përkth.: në gjermanisht, Aufklärung, Kulturindustrie, Massenbetrug, Zivilisationsbruch.