Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Fotografia: Piktura nga Jeton Gusia.

Herculine Barbin

Herculine Barbin

Michel Foucault

Kujtimet e një hermafroditi francez të shekullit të nëntëmbëdhjetë

A na duhet njëmend vetëm një seks i vërtetë? Shoqëritë moderne Perëndimore i janë përgjigjur kësaj pyetjeje në mënyrë afirmative me një këmbëngulje që shkon deri në kokëfortësi. Në një rend gjërash ku do të mund të supozohej se krejt çfarë vlen është realiteti i trupit dhe dendësia e kënaqësive të tij, ata me kryeneçësi kanë ngritur çështjen e “seksit të vërtetë”.

Megjithatë, për një kohë të gjatë, një kërkesë e tillë nuk u shtrua,  siç edhe dëshmohet nga historia e statusit që mjekësia dhe drejtësia ua dhanë hermafroditëve. Në të vërtetë do të kalonte shumë kohë e gjatë para se të formulohej postulati se hermafroditi duhej ta kishte një seks – një seks të vetëm dhe të vërtetë. Për shekuj të tërë, kishte pasur pajtueshmëri të gjerë se hermafroditët i kishin dy sekse.

A ishin ata përbindësha që ta fusnin tmerrin, të cilët duhet t’u nënshtroheshin torturave ligjore? Në të vërtetë, gjërat ishin shumë më të ndërlikuara. Është e vërtetë se ka dëshmi për një numër ekzekutimesh, edhe në kohërat antike e edhe në Mesjetë. Por gjithashtu ka edhe një bollëk vendimesh gjyqësore të një natyre krejtësisht tjetër.

Në Mesjetë, rregullat e të drejtës civile dhe asaj kanonike ishin mjaft të qarta rreth kësaj pike: emërtimi “hermafrodit” u jepej atyre në të cilët kryqëzoheshin të dy sekset, në proporcione që mund të ndryshonin. Në raste të tilla, ishte përgjegjësia e babait apo e kumbarës (pra e atyre që e “ia linin emrin” fëmijës) që, rreth kohës së pagëzimit, të vendoste se cilin seks do ta mbante fëmija. Nëse shihej si e nevojshme, këshillohej që të zgjidhej seksi që dukej se kishte epërsi ndaj seksit tjetër, që ishte “më potent” apo “më i ngrohtë”. Më vonë, në prag të moshës së pjekurisë, kur vinte koha e martesës, hermafroditët ishin të lirë të vendosnin vetë nëse donin ta mbanin seksin që u ishte caktuar apo nëse preferonin seksin tjetër. Imperativi i vetëm ishte që nuk duhej ta ndërronin prapë seksin që kishin zgjedhur, por ta mbanin atë deri në fund të jetës, nën kërcënimin se mund të etiketoheshin si sodomitë. Sipas shënimeve që kanë shpëtuar në Francë nga periudha e Mesjetës dhe Renesancës, nuk ishte kryqëzimi anatomik i sekseve  ai që u dha hov shumicës së dënimeve të hermafroditëve, por ndryshimi i zgjedhjes fillestare.

Teoritë biologjike të seksualitetit, konceptimet juridike të individit, format e kontrollit administrativ në kombet moderne, pak nga pak çuan deri te refuzimi i idesë së kryqëzimit të dy sekseve në një trup të vetëm e rrjedhimisht te kufizimi i zgjedhjes së lirë për individët e papërcaktuar. Ç’prej atëherë secili duhej ta kishte një seks dhe vetëm një seks. Çdokush do ta kishte identitetin e vet seksual primar, fundamental, të përcaktuar dhe përcaktues; ndërsa, sa u përket elementeve të seksit tjetër që mund të shfaqeshin, ato mund të ishin vetëm aksidentale, sipërfaqësore apo edhe thjesht të paqena.

Nga pikëpamja mjekësore kjo do të thoshte se kur doktori ndodhej përballë një hermafroditi, ai nuk ishte më i preokupuar me njohjen e pranisë së dy sekseve, të kryqëzuara apo të përziera, ose me të kuptuarit se cili nga të dy sekset e mbizotëronte tjetrin, por më shumë me deshifrimin e seksit të vërtetë që fshihej përfundi dukjeve ambivalente. Ai duhej, si të thuash, ta zhvishte trupin prej mashtrimeve të veta anatomike dhe ta zbulonte seksin e vetëm dhe të vërtetë prapa organeve, që mund të ishin maskuar në formën e seksit të kundërt. Për dikë që dinte se si të vëzhgonte dhe si ta bënte një ekzaminim, këto kryqëzime të seksit nuk ishin asgjë më shumë sesa maskime të natyrës: hermafroditët kishin qenë gjithmonë “pseudo-hermafroditë”. Kjo të paktën ishte teza që dukej se po fitonte besim në shekullin e tetëmbëdhjetë, përmes një numri të caktuar rastesh të rëndësishme dhe të argumentuara me pasion.

Nga pikëpamja ligjore kjo qartazi nënkuptonte zhdukjen e zgjedhjes së lirë. Nuk ishte më në dorën e individit të vendoste se cilit seks dëshironte t’i përkiste, qoftë nga aspekti juridik apo ai shoqëror. Tash ishte në dorën e ekspertit të thoshte se cilin seks e kishte zgjedhur natyra për të dhe të cilit, si rezultat, shoqëria do të duhej t’i kërkonte që ai t’i përmbahej. Ligji, nëse ishte e nevojshme të thirreshe në të (si për shembull kur dyshohej se dikush nuk po jetonte në përputhje  me seksin e tij të vërtetë, apo që ishte martuar papërshtatshëm) duhej ta vendoste ose rivendoste legjitimitetin e një shtatformimi seksual që nuk ishte njohur mjaftueshëm. Por nëse edhe natyra, përmes fantazive dhe aksidenteve të saj, mund ta “mashtrojë” vëzhguesin dhe ta fshehë për një kohë seksin e vërtetë, atëherë edhe individët gjithashtu mund të dyshohen se kanë fshehur njohuritë e tyre më të thella rreth seksit të tyre të vërtetë dhe se kanë përfituar nga disa çudi të caktuara anatomike në mënyrë që t’i përdorin trupat e tyre sikur t’i përkisnin seksit tjetër. Me një fjalë, fantazmagoritë e natyrës mund t’u shërbejnë sjelljeve të shthurura, kësisoj edhe interesi moral përçohet në diagnozat mjekësore të seksit të vërtetë.  

Jam krejt i vetëdijshëm se mjekësia në shekujt tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë ka përmirësuar shumë gjëra në këtë stër-thjeshtësim reduktues. Sot askush nuk do të thoshte se të gjithë hermafroditët janë “pseudo” edhe nëse do ta ngushtonim në mënyrë të konsiderueshme hapësirën në të cilën dikur, llojet e ndryshme të anomalive anatomike pranoheshin pa diskriminim. Gjithashtu ka pajtueshmëri, edhe pse me shumë vështirësi, se është e mundur për një individ ta adoptojë një seks që nuk është seksi i tij biologjik.

Megjithatë, ideja se njeriu në fund njëmend duhet ta ketë një seks të vërtetë nuk është as afër së zhdukuri tërësisht. Cilido qoftë opinioni i biologëve rreth kësaj pike, ideja se ekzistojnë marrëdhënie të ndërlikuara, të turbullta dhe qenësore midis seksit dhe të vërtetës, gjendet jo vetëm në psikiatri, psikanalizë dhe psikologji – të paktën në formë të përgjithshme – por edhe në opinionin aktual. Patjetër se jemi më tolerantë ndaj praktikave që shkelin ligjin. Por vazhdojmë të mendojmë se disa nga këto praktika janë ofenduese ndaj “të vërtetës”: mund ta pranojmë se burri “pasiv”, gruaja me “potencë”, njerëzit e të njëjtit seks që e dashurojnë njëri-tjetrin, nuk e rrezikojnë seriozisht rendin e vendosur; por jemi krejt të gatshëm të besojmë se ka diçka si njëlloj “gabimi” rreth asaj se çfarë bëjnë ata. “Gabim” [error] siç kuptohet në kuptimin më tradicional filozofik: formë e sjelljes që nuk është në përputhje me realitetin. Parregullsia seksuale konsiderohet se i përket, pak a shumë, sferës së trilleve. Prandaj shumë më lehtësisht çlirohemi nga ideja se këto janë krime, por më vështirë çlirohemi nga dyshimi se janë fiksione të cilat, qoftë të pavullnetshme apo nga vetëkënaqësia, janë të padobishme dhe të cilat do të ishte më mirë sikur t’i zhbënim. Zgjohu rini, nga kënaqësitë e tua të rrejshme; hiqi maskat dhe kujtohu se çdokush prej jush e ka një seks, një seks të vërtetë.

Dhe pastaj, po ashtu e pranojmë se të vërtetat më të fshehta dhe më të thella rreth individit duhet t’i kërkojmë në sferën e seksit, e pranojmë se aty mund ta zbulojmë më së miri se çka është individi dhe çka e përcakton atë. Dhe nëse për shekuj është besuar se është e domosdoshme t’i fshehim çështjet seksuale sepse janë të turpshme, tani ne e dimë se vetë seksi i fsheh pjesët më sekrete të individit: strukturën e fantazive të tij, rrënjët e egos së tij, format e marrëdhënieve të tij me realitetin. E vërteta gjendet në fund të seksit.

Pikërisht në kryqëzimin e këtyre dy ideve –– që ne nuk duhet ta mashtrojmë veten në lidhje me seksin tonë dhe që seksi ynë strehon të vërtetën tonë më të madhe –– psikanaliza ka rrënjosur energjinë e saj kulturore. Në të njëjtën kohë ajo na e premton seksin tonë, seksin tonë të vërtetë dhe gjithë të vërtetën për veten tonë, e cila ruhet fshehurazi në brendi të seksit.

*

Ja një dokument i nxjerrë nga ajo histori e çuditshme e seksit tonë “të vërtetë”. Nuk është unik, por është mjaft i rrallë. Është ditari apo, thënë më mirë, kujtimet e një prej atyre individëve, të cilët mjekësia dhe ligji i shekullit të nëntëmbëdhjetë i morën në pyetje pamëshirshëm rreth identitetit të tyre të vërtetë seksual.

E rritur si vajzë e varfër dhe e urtë në një mjedis që ishte pothuajse ekskluzivisht femëror dhe fuqishëm fetar, Herculine Barbin, të cilën familjarët e saj e quanin Alexina, u njoh përfundimisht si një djalë i ri “i vërtetë”. I obliguar që pas procesit gjyqësor ta ndryshojë seksin ligjërisht dhe ta modifikojë statusin e tij civil, ai e pati të pamundur të adaptohej me identitetin e ri dhe përfundimisht bëri vetëvrasje. Do të priresha ta quaja banal këtë rrëfim sikur të mos ishin dy apo tri gjëra që i japin një thellësi të veçantë.

Data, pikë së pari. Periudha midis viteve 1860 përafërsisht e deri në vitin 1870 ishte pikërisht një nga ato periudha kur kërkimet mbi identitetin seksual po kryheshin me intensitetin më të madh, në përpjekje për ta përcaktuar jo vetëm seksin e vërtetë të hermafroditëve, por edhe për t’i identifikuar, klasifikuar, dhe karakterizuar llojet e ndryshme të perversioneve. Shkurt, këto kërkime merreshin me problemin e anomalive seksuale të individit dhe të racës. Question d’identité [Çështje identiteti] që u botua në vitin 1860 në një zhurnal mjekësor, ishte titulli i studimit të parë mbi Alexinën; dhe ishte në librin e tij Question médico-légal de l’identité [Çështja mjeko-ligjore e identitetit], ku Auguste Tardieu e botoi pjesën e vetme që mund të gjendej nga kujtimet e saj. Adélaïde Herculine Barbin, ose Alexina Barbin, apo Abel Barbin, e cila në tekstin e tij herë quhej Alexina, e herë Camille, qe një nga ata heronjtë e pafat të kërkimeve mbi identitetin.

Me atë stil elegant, afektiv dhe aludues që është paksa i fryrë dhe i dalë mode – që për shkollat konviktore të asaj kohe nuk ishte vetëm mënyrë shkrimi por edhe mënyrë jetese – rrëfimi i saj turbullon çdo përpjekje të mundshme për identifikim. Me gjasë askush në rrethin femëror të Alexinës nuk deshi ta luante lojën e vështirë të së vërtetës, të cilën doktorët më vonë e imponuan mbi anatominë e tij të paqartë, derisa nuk ndodhi një zbulim përfundimtar, të cilin të gjithë e frenuan për aq sa qe e mundur, nga dy burra: një mjek dhe një prift.

Kushdo që e shikonte si duket nuk ishte në dijeni të trupit të tij paksa kaba, të pa-hir, i cili u bë gjithnjë e më anormal në shoqërinë e atyre vajzave mes të cilave u rrit. E megjithatë, ai trup e ushtronte mbi të gjithë, ose thënë më saktë mbi çdo femër, njëfarë fuqie magjepsëse, që ua mjegullonte sytë dhe ndalonte çdo pyetje në buzët e tyre. Ngrohtësia që kjo prani e çuditshme ua dhuronte atyre me të cilët ishte në kontakt, ledhatimet, puthjet që përshkonin lojën e atyre vajzave adoleshente, pranohej nga të gjithë me aso ndjeshmërie që bëhej edhe më e madhe ngase nuk ishte e përzier me kurrfarë dyshimi. Vajza kinse naive, mësues të vjetër që mendonin se ishin të zgjuar –  të gjithë qenë po aq të verbër sa personazhet e një fabule greke kur, pa e kuptuar, panë këtë Akil të vocërr, të fshehur në shkollën e tyre konviktore. Krijohet përshtypja, të paktën nëse i besojmë rrëfimit të Alexinës, se gjithçka ndodhi në një botë ndjenjash – entuziazmi, kënaqësie, pikëllimi, ngrohtësie, ëmbëlsie, athtësie – ku nuk kishte rëndësi identiteti i partnerëve dhe madje as personazhi enigmatik përreth të cilit sillej çdo gjë. Ishte një botë kënaqësish të çiltra.

Alexina i shkroi kujtimet e asaj jete atëherë kur u zbulua dhe përcaktua identiteti i saj i ri. Identiteti i saj “i vërtetë” dhe “përfundimtar”. Por është e qartë se ajo nuk i shkroi ato nga perspektiva e seksit i cili, si dukej, qe nxjerrë në dritë. Nuk është burrë ai që po flet, që përpiqet t’i rikujtojë ndjenjat dhe jetën e tij ashtu siç ishin atëherë kur ai ende nuk ishte “vetvetja”. Kur i shkroi kujtimet e saj, Alexina nuk qe larg vetëvrasjes; sa i përkiste asaj, ajo ende nuk kishte seks përfundimtar, por asaj i qenë mohuar kënaqësitë, që i përjetonte sepse nuk kishte seks, ose sepse nuk e kishte seksin tërësisht të njëjtë me vajzat mes të cilave jetonte dhe të cilat i donte dhe i dëshironte aq shumë. Dhe çfarë ajo rikujton nga e kaluara e saj është lumturia e jo-identitetit, që në mënyrë paradoksale mbrohej nga jeta e këtyre shoqërive të mbyllura, të kufizuara dhe intime ku njeriu ka lumturinë e çuditshme, edhe pse njëkohësisht të detyrueshme dhe të ndaluar, të të qenit i njohur me vetëm një seks.[1]

Në shumicën e rasteve, ata që flasin për ndryshim seksi i përkasin një bote gati krejtësisht biseksuale; dhe parehatia e tyre rreth identitetit të tyre shprehet përmes dëshirës për të kaluar në anën tjetër – në anën e seksit, që ata duan ta kenë dhe në botën e së cilit do të donin të përkonin. Në këtë rast, monoseksualiteti i lartë i jetës fetare dhe shkollore i yshtë kënaqësitë e ëmbla që jo-identiteti seksual i zbulon dhe i zgjon kur përhumbet midis gjithë atyre trupave që janë të ngjashëm me njëri-tjetrin.

*

As rasti i Alexinës dhe as kujtimet e saj nuk duket se kishin zgjuar shumë interesim në atë kohë. Në inventarin e tij masiv të rasteve të hermafroditizmit, Neugebauer e jep një përmbledhje të tij dhe një citat goxha të gjatë.[2] Shkrimtari i gjithanshëm i tregimeve aventureske dhe romaneve mediko-pornografike të llojit që ishin shumë popullorë në atë kohë, A. Dubarry, qartazi ka huazuar disa elemente nga historia e Herculine Barbin për librin e tij Hermaphrodite.[3] Por ishte në Gjermani ku jeta e Alexinës bëri bujë të madhe, në një tregim nga Oscar Panizza, i quajtur A Scandal at the Convent [Skandal në manastir].

Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme pse Panizza kishte njohuri mbi tekstin e Alexinës përmes veprës së Tardieu: ai ishte psikiatër dhe kishte jetuar në Francë në vitin 1881. Atje ai ishte më shumë i interesuar rreth letërsisë sesa mjekësisë, por libri Question médico-légale de l’identité duhet t’i ketë rënë në dorë atëherë, përveç nëse e kishte gjetur në bibliotekë në Gjermani ku ishte kthyer në 1882 dhe për një kohë e ushtroi profesionin e tij të psikiatrit. Megjithatë ka diçka befasuese rreth këtij takimi imagjinar në mes të vajzës së vogël provinciale franceze me seks të paqartë dhe psikiatrit të tërbuar, i cili do të vdiste më vonë në azil në Bayreuth. Në njërën anë kemi kënaqësi të fshehta, të paemra që lulëzojnë në gjirin e institucioneve katolike dhe shkollave konviktore për vajza; në anën tjetër, kemi zemërimin antiklerikal të një njeriu në të cilin pozitivizmi agresiv kombinohej në mënyrë të çuditshme me maninë e persekutimit që përqendrohej rreth figurës dominuese të William-it të II. Në njërën anë, dashuri të pazakonshme, të fshehta, të cilat një vendim i doktorëve dhe gjykatësve do t’i bënte të pamundura; në anën tjetër, një doktor i dënuar me një vit burg sepse kishte shkruar librin The Council of Love [Kuvendi i Dashurisë], një nga tekstet antifetare më “skandaloze” të një periudhe që gëlonte me tekste të tilla; doktor i cili më vonë qe përzënë nga Zvicra, ku kishte kërkuar strehim, pas një “indinjate” ndaj një femre të mitur.

Rezultati është vërtet mahnitës. Panizza i mbajti disa elemente të rëndësishme të çështjes: vetë emrin e Alexinës, skenën e ekzaminimit mjekësor. Për arsye, që e kam të vështirë t’i kuptoj, ai i ndryshoi raportet mjekësore – ndoshta sepse, duke u mbështetur në kujtesën e leximit të tij, pa e pasur librin e Tardieu në dorë, ai e shfrytëzoi një studim tjetër të një rasti të ngjashëm, të cilin e kishte në dispozicion. Por ndryshimet më radikale qenë ato që ai i bëri në të gjithë rrëfimin. E zhvendosi kohën; i ndryshoi shumë elemente materiale dhe krejt atmosferën; dhe, mbi të gjitha, e nxori nga mënyra subjektive dhe e vendosi si rrëfim objektiv. Bëri çdo gjë sipas njëfarë mënyre të “shekullit-tetëmbëdhjetë”: Diderot dhe vepra e tij Religieuse kanë shumë afërsi me tekstin e tij. Ka një manastir të pasur për vajzat e aristokracisë, një kryemurgeshë sensuale që shfaqë dashuri të paqartë për mbesën e saj, intriga dhe rivalitete mes murgeshave, një abat erudit dhe skeptik, një prift fshatar mendjelehtë dhe fshatarë që ndjekin djallin me tërfurqit e tyre. Përgjatë tërë tekstit, ka një shthurje deri në lëkurë dhe një lojë gjysmë naive të besimeve jo krejtësisht të pafajshme, të cilat janë po aq larg nga serioziteti provincial i Alexinës, sa edhe nga dhuna baroke e The Council of Love.

Por duke e krijuar gjithë këtë peizazh të aventurave perverse [perverse gallantry], Panizza e lë qëllimisht në qendër të rrëfimit të tij një zonë të gjerë hijeje, dhe mu aty ai e vendos Alexinën. Motër, zonjë, nxënëse e trazuar, engjëll i humbur, dashnore meshkujsh dhe femrash, faun që vrapon në pyll, inkubus që përvidhet konvikteve të ngrohta, satir këmbëleshët, demon i ekzorcuar – Panizza e paraqet atë vetëm në profilet kalimtare që shohin të tjerët. Ky djalë-vajzë, ky kurrë-i-përhershmi mashkullor-femëror, nuk është asgjë më shumë sesa çfarë na fanitet natën në ëndrra, në dëshirat, dhe frikërat e secilit prej nesh. Panizza vendosi ta bëjë atë figurë të mugët, pa identitet dhe pa emër, e cila zhduket pa gjurmë në fund të rrëfimit. Ai madje vendosi as mos ta ngurtësojë atë me vetëvrasje, ku ajo do të shndërrohej në kufomë, si Abel Barbin, të cilit në fund mjekët kureshtarë ia njohën realitetin e seksit joadekuat.

I solla bashkë këto dy tekste  me mendimin se e meritojnë të botohen pranë njëri-tjetrit, së pari për shkak se të dy i përkasin fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, atij shekulli që u përndoq aq fuqishëm nga tema e hermafroditëve – pak a shumë siç qe përndjekur shekulli i tetëmbëdhjetë nga tema e transvestitëve. Gjithashtu edhe se të dy na lejojnë të shohim se çfarë mbrese arriti të lë prapa kjo kronikë e shkurtër provinciale, mezi skandaloze, në kujtimet e palumtura të personazhit të saj kryesor, në dijen e doktorëve që duhej të intervenonin, dhe në imagjinatën e një psikiatri i cili shkoi rrugës së çmendurisë së tij sipas mënyrës së vet.

Michel Foucault, janar 1980.


[1] Në përkthimin anglisht të tekstit, është e vështirë të rikrijohet loja me mbiemrat mashkullorë dhe femërorë që Alexina ia jep vetes. Ata janë, të shumtën e kohës, femërorë para se ajo ta posedonte Saran dhe pastaj bëhen mashkullorë. Por ky sistematizim, i cili është i shënuar përmes përdorimit të shkronjave italike, nuk e përshkruan vetëdijen e të qenit grua e cila shndërrohet në vetëdije të të qenit burrë; në të vërtetë është përkujtues ironik i kategorive gramatikore, mjekësore e juridike që gjuha duhet t’i përdorë por të cilat bien ndesh me përmbajtjen e rrëfimit. Redaktorët e botimit anglisht kanë ndjekur sistemin e Herculine-s aty ku ka qenë e mundur, duke i bërë italik emrat femërorë që ajo i përdor kur i referohet vetes.

[2] F.L. von Neugebauer, Hermaphroditismus beim Menschen (Leipzig, 1908), p.748.

[3] A. Dubarry shkroi një seri të gjatë rrëfimesh të titulluara Les déséquilibres de l’amour. Si për shembull Le Coupeur de nattes; Les Femmes eunuques; Les Invertis (vice allemand); Le Plaisir sanglant; L’Hermaphrodite.

FILLO BASHKËPUNIM ME BRITMI

Regjistrohu. Ne do të ju kontaktojmë!

Duke u regjistruar, ju konfirmoni se keni lexuar kushtet e përdorimit. Për më tepër lexoni rregullat tona të privatësisë.

Përkthimi i artikullit është pjesë e projektit që realizohet nga Britm i Parë  në bashkëpunim me  HumanRightivism që mbështetet nga Embassy of Sweden in Pristina nëpërmjet Community Development Fund - CDF

# Trupa dhe kënaqësi

Autor: Michel Foucault

Përkthimi: Përktheu nga anglishtja: Alban Bokshi.

Marrë nga: Kjo hyrje është marrë nga libri i përgatitur për botim nga Michel Foucault: Herculine Barbin - BEING THE RECENTLY DISCOVERED MEMOIRS OF A NINETEENTH-CENTURY FRENCH HERMAPHRODITE

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

5 Maj, 2023
Postime të ngjashëme
Pas stuhisë
Progresi dhe marrëzia e dëlirësisë historike Në nëntorin e vonë të vitit 1939, shkrimtari i papunë hebre, Vallter Benjamin (Walter Benjamin), i cili asokohe po banonte në Paris, qe liruar nga një kamp burgimi për
Mbi pafundësinë e botës
Përderisa gurthemel i subjektit modern na jepet ndarja në subjekt dhe objekt dhe përderisa kemi diferencim të vazhdueshëm të këtij dualizimi sforcuar edhe nga diktati i përvojës psikanalitike që thellon këtë ndasi, atëherë si postulohet
Deluzioni si dobi
Shumëkush mendonte se babai im jetonte vetëm. Ai nuk jetonte vetëm. Jetonte me Zotin dhe me aktoren franceze Catherine Deneuve. Ata ekzistonin jashtë tij, por disi ia projektonin zërin e tyre në mendje.  Përgjatë adoleshencës
Vdekja e autorit
"Vdekja e autorit" është një ese e vitit 1967 nga kritiku letrar dhe teoricieni francez Roland Barthes. Eseu e Barthes-it argumenton kundër praktikës së kritikës letrare tradicionale për t'u mbështetur në synimet dhe biografinë e
Feminizmi ‘kritik ndaj gjinisë’ = konservatorizëm ndaj gjinisë
Vërejtje mbi përmbajtjen: shkrimi i mëposhtëm përfshin një diskutim mbi transfobinë dhe transmizogjininë. Si ndodhi që gjinia u bë harta e një momenti? Pse kaq shumë lëvizje e prezantojnë veten si kundër konceptit të gjinisë?