Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Fotografia: Associated Press (AP)

Ideologjia e së djathtës ekstreme

Ideologjia e së djathtës ekstreme

Kur mendojmë për të djathtën ekstreme (far-right), mendja na shkon tek tipare ideologjike si antisemitizmi dhe racizmi si dhe tek çështjet politike si imigracioni dhe siguria. Edhe pse lëvizja e së djathtës ekstreme është tejet e larmishme edhe përbrenda dy nën-grupeve të saj (të djathtës radikale [radical right] dhe ekstremit të djathtë [extreme right])[1], këto grupe dhe parti megjithatë kanë një sërë tiparesh ideologjike dhe kauzash politike të përbashkëta. Ky kapitull, fillimisht do të diskutojë ideologjitë kyçe brenda ekstremit të djathtë, respektivisht fashizmin dhe Nazizmin, si dhe veçoritë kryesore të së djathtës radikale (populiste), përkatësisht: nativizmin, autoritarizmin dhe populizmin.[2] Më pas do të vijojë duke shqyrtuar atë se si këto tipare ideologjike manifestohen në raport me çështjet kryesore të së djathtës ekstreme të valës së katërt: imigracionin, sigurinë, korrupsionin dhe politiken e jashtme. 

Ideologjitë

Ideologjitë e ekstremit të djathtë besojnë se pabarazitë janë të natyrshme dhe se ato nuk janë në dorë të shtetit. Në këto ideologji, dallimet dhe hierarkia kremtohen, ndërkaq elitizmi është veçori thelbësore e cila mbështetë idenë se disa grupe dhe individë janë superiorë karshi të tjerëve dhe rrjedhimisht duhet të kenë pushtet më të madh. Grupet dhe idetë e së djathtës ekstreme janë të shumta dhe të ndryshme, dhe shpesh papajtueshmëritë e tyre janë më të mëdha sesa pajtueshmëritë. Për shembull, monarkistët absolutist dhe racistët pajtohen se baza e pushtetit është gjaku, por të parët i referohen ekskluzivisht trashëgimisë (linjës) mbretërore, ndërkaq të dytët u referohen dallimeve të supozuara raciale. Disa teokratë besojnë se pushteti më i lartë buron nga “Libri i Shenjtë”, si Bibla apo Talmudi, ndërkaq fashistët e shohin atë tek personi i liderit. Në këtë libër, unë fokusohem ekskluzivisht në grupet e së djathtës ekstreme të cilat bazojnë identitetin e tyre në kategori etnike dhe raciale, që do të thotë se këtu nuk do të diskutohet për ato grupe të cilat janë në thelb monarkiste dhe fetare dhe për të cilat dallimet etnike dhe raciale janë dytësore apo të parëndësishme.

Ideologjia më e rëndësishme e së djathtës ekstreme është fashizmi, një ideologji sinkretike e cila merr (inspirohet) nga tradita të ndryshme anti-demokratike të së majtës dhe të së djathtës. Fashizmi historik italian, të cilit shpesh i referohemi si Fashizëm me “F” të madhe, mbante qëndrimin se pushteti qëndron tek lideri i cili ishte mishërimi i kombit dhe shtetit. Për fashistët, shteti nuk është thjeshtë një institucion juridik, ai është një entitet etik, organik e shpirtëror i cili kërkon lojalitet dhe nënshtrim të plotë ndaj tij. Në esencë, fashizmi është totalitar në kuptimin se synon kontroll të plotë të shoqërisë. Çdo aspekt i jetës duhet kontrolluar nga partia/shteti dhe s’ka absolutisht fare hapësirë pavarësie. Nuk është hiç e habitshme që fashizmi refuzon demokracinë. Hitleri pati thënë se “demokracia është rruga e ndryrë dhe hileqare e komunizmit”, ndërsa Musolini e refuzonte atë si “elektoralizëm.”

Në vend të kësaj fashizmi propozon “Rrugën e Tretë”, e cila shkon përtej liberalizmit dhe socializmit. Kjo pasqyrohet në doktrinën e tij ekonomike të korporatizmit, në të cilën shoqëria organizohet në grupe korporatash, siç janë ato të agrikulturës dhe ushtrisë, të cilat duhet të punojnë së bashku dhe në një mënyrë organike, në dobi të shtetit. Fashizmi dëshiron të realizojë “rilindjen” kombëtare dhe të krijojë “njeriun e ri” i cili është fizikisht i mirë-ndërtuar (i shëndoshë) dhe ideologjikisht i pastër, i çliruar nga hierarkitë e vjetra të klasës dhe trashëgimisë. Si ideologji, fashizmi po ashtu beson në primatin e veprave mbi fjalët, dhe të luftës mbi paqen. Beson se dhuna është pushtet dhe se lufta jo vetëm se është një gjendje e natyrshme e jetës por se ajo e fisnikëron dhe e ripërtërin kombin dhe shtetin.

Fashizmi gjerman, i njohur më mirë si Nacional Socializëm apo Nazizëm, ka të përbashkët me Fashizmin (italian) shumë nga tiparet themelore të tij por është haptazi dhe thellësisht më antisemitik dhe racist. Aty ku fashistët shohin si entitetin kryesor shtetin, një kategori juridike, Nazistët shohin racën, një kategori e supozuar biologjike. Nazistët besojnë se ka disa raca të ndryshme dhe se raca Ariane është superiore karshi krejt të tjerave. Në këtë këndvështrim, i takon superiorit, Übermenschen (mbinjeriut), që të dominojë, e madje të shfarosë inferiorin, Untermenschen (nën-njeriun). Në botëkuptimin Nazist, hebrenjtë shihen si moralisht dhe fizikisht inferiorë, por ekonomikisht dhe politikisht të fuqishëm. Nazistët pretendojnë se veprat dhe idetë – dhe veçanërisht “komplotet” – e “hebrenjve” infektojnë racën Ariane me sëmundje morale dhe raciale – prej nga edhe portretizimi i tyre (hebrenjve) në propagandën naziste si minj (i.e. parazitë), siç është rasti me filmin famëkeq të vitit 1940 Der Ewige Jude (The Eternal Jew; Hebreu i Përhershëm/Përjetshëm.)

Është e rëndësishme që racizmin Nazist ta vendosim në kontekstin e tij historik. Në fillimin e shekullit të 20-të, antisemitizmi dhe racizmi ishin përgjithësisht të pranueshëm brenda shoqërive gjermane dhe evropiane e edhe brenda komunitetit shkencor. Pas tmerreve të Luftës se Dytë Botërore racizmi u bë përgjithësisht i papranueshëm, dhe në disa vende u bë ilegal, ndërsa i tërë koncepti i “racës” dhe ekzistenca e “racave” të ndryshme kryesisht u hodh poshtë. Në vend të kësaj, përkatësia përkufizohej çdo ditë e më shumë në terma jo-biologjik, sidomos në “grupe etnike” apo “kombe”, që të dyja kategori kulturore. Një grup kryesisht francez i aktivistëve të së djathtës radikale, i njohur si nouvelle droite (e djathta e re), zhvilloi një ideologji të re të cilën e quajtën etnopluralizëm. E refuzuar nga kritikët si thjesht një “racizëm i ri,” etnopluralizmi argumenton se njerëzit janë të ndarë në grupe etnike të cilat janë të barabarta por që duhet të qëndrojnë të segreguara (ndara) njëra nga tjetra. Në mënyrë implicite apo eksplicite, etnopluralizmi është bërë njëri nga tiparet themelore të grupeve më relevante të së djathtës radikale evropiane sot. 

Përtej kësaj, racizmi nuk ka vdekur. Ai vazhdon të peshojë rëndë në mesin e grupeve të ekstremit të djathtë (p.sh. neo-Nazistët apo supremacistët e bardhë), madje edhe politikanët e së djathtës radikale kohë pas kohe shkasin në diskurse raciale dhe raciste. Për shembull, Martin Helme, i biri i liderit estonez të Partisë Popullore Konservative Estoneze (EKRE, Eesti Konservatiivne Rahvaerakond; Estonian Conservative People’s Party) dhe ministër i tanishëm i financave, duke folur në një emision në Tallin TV në lidhje me trazirat dhe përplasjet etnike të kohëve të fundit në Suedi pati thënë se: “Politikat tona të imigracionit duhet të kenë një rregull të thjeshtë: nëse je i zi, kthehu prapa.” Ai po ashtu tha: “Dua që Estonia të jetë vend i bardhë.” Ngjashëm, Thierry Baudet, lideri i partisë së re holandeze Forumi për Demokraci (FvD, Forum voor Democratie; Forum for Democracy), në një diskutim për “krizën e refugjatëve” të vitit 2015, tha: “Nuk dua që Evropa të afrikanizohet” dhe “do doja vërtetë që Evropa të mbetet mbizotërueshëm e bardhë dhe kulturalisht e tillë siç është tani.”

Qoftë e inspiruar nga racizmi apo nga etnopluralizmi, njëri nga tiparët ideologjik themelor të së djathtës ekstreme dhe tipari dominues i së djathtës radikale populiste, është nativizmi, një kombinim i nacionalizmit me ksenofobinë. Nativizmi është ideologji e cila mban qëndrimin se shtetet duhet të banohen (popullohen) ekskluzivisht nga anëtarët e grupit nativ (kombëtar)[3] dhe se  elementet jo-nativë (apo “alienët”)[4], qofshin persona apo ide, janë thellësisht kërcënues për homogjenitetin e shtetit-kombëtar. Ideja qendrore e nativizmit përmblidhet më së miri në parullën famëkeqe “Gjermania për gjermanët, të huajt jashtë,” e cila që nga fillimet e viteve 1990 është bërë çirrje e shpeshtë tubimesh, hera-herës të dhunshme, kundër refugjateve.

Qëllimi themelor i së djathtës radikale populiste është etnokracia, që nënkupton një demokraci në të cilën shtetësia bazohet në përkatësinë etnike. Ajo dëshiron të (ri)krijojë këtë shtet monokulturor (një-kulturor) duke i mbyllur kufijtë ndaj imigrantëve dhe duke iu dhënë “alienëve” zgjedhjen (ultimatumin) midis asimilimit dhe riatdhesimit. Ata të cilët nuk dëshirojnë të asimilohen, d.m.th., që nuk dëshirojnë të bëhen ‘nativë’, duhen dëbuar në vendin prej nga ata (apo të parët e tyre) kanë ardhur. Megjithatë, grupet e së djathtës radikale populiste kanë mospajtime rreth shtrirjes së asimilimit. Disa nga to besojnë se vetëm grupet etnike “të përafërta” mund të asimilohen – për shembull, vetëm evropianët e tjerë (të bardhë) mund të bëhen gjermanë apo hungarezë – ndërkaq të tjerët mbajnë kryesisht qëndrimin se Islami është i papajtueshëm më kombin e tyre, duke nënkuptuar se myslimanët nuk mund të asimilohen në shoqëritë “perëndimore.”

Përbrenda horizontit të nativizmit, antisemitizmi dhe islamofobia luajnë rol veçanërisht të rëndësishëm. Antisemitizmi, apo armiqësia e paragjykimi kundrejt hebrenjve, ishte paragjykimi kryesor i së djathtës ekstreme në fillimet e shekullit të njëzet dhe vazhdon të mbetet qendror për shumë nga grupet e ekstremit të djathtë edhe sot. Megjithatë, shumë populistë të grupeve dhe partive të së djathtës radikale, sidomos në Evropën Perëndimore, nuk janë antisemitë dhe madje janë kthyer në filosemitike (pro-hebrenj), duke parë Izraelin si shembull etnokracie ideale dhe hebrenjtë si aleatë të natyrshëm në luftën kundër Islamit. Islamofobia, frika irracionale nga Islami dhe myslimanët, është bërë tashmë paragjykimi përkufizues i të djathtës ekstreme të valës së katërt. Në këtë pikëpamje, Islami barazohet me islamizmin, ky i fundit është interpretim politik ekstremist i Islamit, dhe myslimanët shihen si armiqësorë ndaj demokracisë dhe të gjithë jo-myslimanëve – Islamofobët shpesh vet-deklarohen me krenari si “qafirë” apo “jobesimtarë.”

Termi autoritarianizëm përdoret shpesh për të përshkruar liderët apo sistemet politike jo-demokratike, por unë e përdorë në një kuptim tjetër, në përputhje me një traditë të gjatë në psikologjinë sociale. Këtu, autoritarianizmi i referohet besimit në një shoqëri të organizuar në mënyrë strikte në të cilën kundërvajtja ndaj autoritetit duhet dënuar rreptë. Autoritarianët shohin pothuajse çdo “problem”, përfshirë edhe varësinë nga droga apo devijimet e perceptuara seksuale, si çështje që i takojnë esencialisht ligjit dhe rendit dhe të cilat mund të kundërshtohen vetëm përmes qasjes ndëshkuese të rreptë, dhe mund të parandalohen duke (ri)kthyer edukimin “moral” apo “tradicional” nëpër shkolla.

Nga protesa në Suedi. Foto e marrë nga Associated Press

Dhe për fund, populizmi, është fjala më e popullarizuar e shekullit njëzetenjë, e popullarizuar pjesërisht edhe si pasojë e konfuzionit konceptual rreth saj. Unë e përkufizoj populizmin si një ideologji (të hollë) e cila e konsideron shoqërinë si thellësisht të ndarë në dy grupe homogjene dhe antagoniste (kundërshtare), në një anë njerëzit e pastër dhe në anën tjetër elitat e korruptuara; ideologji e cila e mbështetë idenë se politika duhet të jetë shprehje e vullnetit të përgjithshëm  popullor (volonté générale). Në esencë, populistët pretendojnë se partitë mainstream[5] punojnë së bashku me qëllim që ta mbajnë popullin – zëri i të cilit këta pretendojnë të jenë (i.e. vox populi) – larg nga pushteti. Kryeministri indian dhe lideri i Partisë Popullore të Indisë (BJP, Bharatiya Janata Party; Indian People’s Party), Nehandra Modi, pat dhënë shembull të mirë të kësaj në një fjalim të prillit të vitit 2018 kur pat deklaruar se Partia (rivale) e Kongresit është parti e elitave (namdaar) ndërkaq BPJ-ja parti e popullit (kaamdaars).

Me pak fjalë, në vija të gjera, e djathta ekstreme përbëhet nga dy grupe: ekstremi i djathtë dhe e djathta radikale, të cilat mbajnë pozita thellësisht të ndryshme rreth demokracisë. Ndërsa ekstremi i djathtë refuzon esencën e demokracisë – idenë e barazisë politike dhe qeverisjes përmes shumicës popullore – e djathta (populiste) radikale, së paku në teori, e mbështetë demokracinë por sfidon institucionet kyçe të saj si dhe vlerat e demokracisë liberale, përfshirë të drejtat e minoriteteve, sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve. Prandaj dallimi midis këtyre dyjave nuk është thjesht dallim sasior – në kuptimin se ekstremi i djathtë është më radikal/ekstrem sesa e djathta radikale – por është gjithashtu edhe dallim cilësor.

Partitë dhe grupet e ndryshme të se djathtës ekstreme janë në fakt të vetëdijshme për këtë dhe shpesh i amplifikojnë dallimet e tyre të brendshme në mënyrë që të bëjnë për vete ndjekës të mundshëm. Në përgjithësi, grupet e ekstremit të djathtë sulmojnë partitë e së djathtës radikale duke i cilësuar ato si të korruptuara dhe të dobëta, “borgjeze” që i kanë shitur shpirtin establishmentit politik dhe të cilat vlerësojnë më shumë pëlqimin nga establishmenti politik si dhe përfitimet materiale, sesa idealet e tyre. Në anën tjetër, partitë e së djathtës radikale denoncojnë grupet e ekstremit të djathtë si grupe përplot me të krisur të cilët janë politikisht të padobishëm dhe/ose rrezikshëm të dhunshëm. Shumë grupe të së djathtës ekstreme harxhojnë më shumë kohë duke denoncuar “konkurrentët” e tyre sesa duke u marrë me armiqtë “e vërtetë” brenda establishmentit politik.  

Rrallë herë këto dy grupe paraqesin njëra-tjetrën si dy anët e së njëjtës medalje. Në fakt, të dyja akuzojnë shoqja-shoqen për minim të përpjekjeve të drejta. E djathta radikale thotë se ekstremi i djathtë, përmes ekstremizmit ideologjik të tij dhe aksioneve të dhunshme, i diskrediton përpjekjet e përgjithshme; ndërkaq ekstremi i djathtë mendon se e djathta radikale, për shkak të përfshirjes së saj brenda sistemit, e komprometon esencën e përpjekjeve duke pranuar kompromise të cilat legjitimojnë bazat e një sistemi politik të përbuzur. 

Temat

Përgjatë valës së tretë, e djathta ekstreme qe portretizuar si lëvizje një-tematike, e preokupuar ekskluzivisht me imigracionin. Kjo është e pasaktë. Imigracioni vazhdon të jetë një nga çështjet politike kyçe për shumicën e grupeve të së djathtës ekstreme, veçanërisht në Evropën Perëndimore dhe Amerikën Veriore, por kjo është vetëm njëra nga çështjet më të cilat ata bëjnë fushatë. Ndonëse ka shumë variacione ideologjike dhe kombëtare, në përgjithësi, ka katër çështje politike të cilat janë qendrore për të gjitha grupet dhe partitë e të djathtës ekstreme nëpër botë, e ato janë: imigracioni, siguria, korrupsioni dhe politika e jashtme.

Imigracioni

Çështja e imigracionit përfshinë dy aspekte të ndryshme por të ndërlidhura: imigracionin dhe integrimin. Për një kohë të gjatë, imigracioni ka qenë njëra nga çështjet boshtore të pothuajse secilit grup të së djathtës ekstreme në Evropë dhe Amerikë Veriore, por kohë pas kohe kjo çështje luan rol të rëndësishëm edhe në disa vende në rajonet tjera (si p.sh  në Brazil apo Japoni). Partitë e djathta radikale në mënyrë tipike thonë se “imigracioni masiv” përbën një kërcënim ekzistencial për kombin dhe shtetin e tyre, ndërkaq grupet e ekstremit të djathtë janë më të shqetësuara për racën, dhe thonë se vendet perëndimore ballafaqohen më një “gjenocid ndaj të bardhëve” për shkak të imigracionit masiv dhe multikulturalizmit të sponsorizuar nga shteti.  

Në shekullin e njëzetenjë, teoria konspirative e “Zëvendësimit të Madh” (The Great Replacement) është në zemër të retorikës anti-imigracion të së djathtës radikale populiste – dhe çdo ditë e më shumë, i të djathtës mainstream. E popullarizuar nga autorë francez si Jean Raspail dhe Renaud Camus, por e inspiruar nga një traditë antisemitike dhe raciste e shekullit të nëntëmbëdhjetë, kjo tezë thotë së “Perëndimi” po gëlon nga një “baticë” e imigracionit jo-Perëndimor. Politikanët populistë të së djathtës radikale besojnë se imigracioni masiv nuk është i nxitur nga varfëria në vendet në zhvillim, por i organizuar nga politikanët progresistë në vendet e zhvilluara të cilët ose urrejnë kombin e tyre ose përpiqen të kompensojnë për elektoratin e humbur – i cili pjesërisht i është bashkuar të djathtës radikale populiste – duke “importuar” votues të rinj. Në vitet e fundit, nxitur fuqishëm nga kryeministri hungarez Viktor Orban, hebreu amerikano-hungarez George Soros është parë si gjeniu i së keqes në këtë konspiracion, si pasqyrë e versionit modern të klasikut antisemitik të Protokolleve të të Urtëve të Sionit.[6]

Qartazi, termi “nativ” dhe “alien” janë terme subjektive. Nga këndvështrimi i të djathtës ekstreme, dikush nuk konsiderohet nativ veç pse ka shtetësinë e një vendi. Në fakt, shumë nga të ashtuquajturit “alienë” janë lindur e rritur në vendin “nativ,” edhe pse në mënyrë të gabuar atyre iu referohen si “imigrantë” (dhe jo vetëm nga e djathta ekstreme). “Tjetri” kryesor i të djathtës ekstreme të shekullit njëzetenjë është “myslimani”, jo vetëm në Evropë, por edhe në Indi dhe Izrael ashtu sikurse është edhe për shumë grupe të tjera në Amerikën Veriore. Larg nga të qenit veçanti e të djathtës ekstreme, islamofobia, dhe në mënyrë specifike frika nga “islamizimi” dominon propagandën e të djathtës ekstreme në të cilën zhvillimet e brendshme dhe të jashtme kombinohen me teori konspirative të bazuara në statistika të dyshimta dhe narracione simpliste (të thjeshtëzuara).  

Ndërsa shumë politikanë populistë të së djathtës radikale përpiqen të shprehin nativizmin e tyre me termat më neutral të etnopluralizmit, pothuajse gjithmonë ajo që ata nënkuptojnë është se kultura “native” është superiore karshi asaj “aliene”. E djathta ekstreme përshkruan “alienët” pothuajse gjithmonë në terma denigrues. Për shembull, presidenti i BPJ-së Amit Shah pati thënë se imigrantët nga Bangladeshi në Indi janë “infiltrues” dhe “termit”. Ndërsa lideri i partisë Shtëpia Hebraike (HaBayit HaYehudi; The Jewish Home) dhe asokohe ministër i arsimit në Izrael, Naftali Bennett, u referohej kërkuesve të azilit si “infiltrues ilegal”, ndërsa presidenti brazilian Jair Bolsonaro i quante imigrantët (venezuelas) “llumi i tokës.”

Siguria

Grupet e të djathtës ekstreme janë të fiksuara me “sigurinë”, por ata e interpretojnë konceptin më gjerësisht sesa thjesht siguria fizike e individëve. Siguria u referohet individëve dhe bashkësive, zakonisht kombit dhe racës, dhe ka një komponentë kulturore, ekonomike dhe fizike. Pothuajse çdo çështje politike perceptohet nën thjerrëzën e “kërcënimit të rendit kombëtar,” duke krijuar pasiguri të cilat duhet trajtuar me një dorë të hekurt. Qoftë për çështjen e drogave, të imigracionit apo të papunësisë, zgjidhja kërkohet dhe gjendet në politika autoritare që i gëzohen dajakut, dhe kritikojnë karotën. Sidoqoftë, siguria ka pothuajse gjithmonë një komponentë nativiste në vete, meqë “alienët” shihen si burimi kryesor i pasigurisë së nativëve.

Të marrim për shembull çështjen e krimit, njëra nga temat kryesore në propagandën e tyre. Për të djathtën ekstreme, krimi para së gjithash është një problem “alienësh”, në kuptimin se pothuajse gjithmonë fokusohet vetëm në krimet (e pretenduara) të bëra nga “jo-nativët”. Një shembull eklatant i këtij fiksimi nativist mbi krimin është Zyra për Viktimat e Krimit Imigrant (Victims of Immigration Crime Engagement Office), një agjenci shtetërore e krijuar nga presidenti Trump brenda Departamentit për Siguri Kombëtare (Homeland Security) – edhe ky në vetvete një ilustrim i sekuritizimit të imigracionit që pasoi pas sulmeve të 11 Shtatorit në shumë nga vendet perëndimore. Një pjesë e konsiderueshme e propagandës së të djathtës ekstreme përmend “alienët” pothuajse vetëm si kriminelë dhe ato pak krime “native” të cilat pranohen janë kryesisht raste të korrupsionit nga elitat politike “progresiste.”

Sipas të djathtës ekstreme, krimi është i përhapur dhe në rritje për shkak të imigracionit dhe politikave “naive” apo të “buta” të politikanëve të establishmentit. Kryesisht e reflektuar nëpër gazetat dhe mediat e së djathtës, propaganda e saj është e mbushur me ngjarje selektive dhe sugjestive rreth “krimit imigrant”, apo në terma racial, “krimit të të zinjve-mbi-të-bardhët” të cilin e paraqet si maje e ajsbergut. Kur ballafaqohet me të dhënat të cilat dëshmojnë se nivelet e krimit në fakt janë në rënie dhe se janë relativisht të ulëta, siç është rasti në demokracitë perëndimore, e djathta ekstreme tenton t’i shpërfillë këto të dhëna duke i trajtuar si gënjeshtra (p.sh. “fake news” e Donald Trump) të prodhuara nga “elita e korruptuar” dhe puthadorët e tyre “politikisht korrektë” që dëshirojnë t’i mbulojnë dështimet e shoqërisë multikulturore.

Bosht i programeve të së djathtës ekstreme gjithandej globit janë çështjet e vështira të rendit dhe ligjit, një e përbashkët të cilën kjo e ndanë më grupet e djathta, sidomos me konservatorët. Për të djathtën ekstreme, krimi nuk ka të bëjë më kushtet socio-ekonomike – përveç atëherë kur ky kryhet nga “nativët” e varfër – dhe duhet konfrontuar me zbatim të rreptë të ligjit. Prandaj kjo bën thirrje për një prani më të konsiderueshme të policisë në rrugë dhe për dënime më të ashpra – por ka mospajtime rreth dënimit me vdekje – si dhe për më pak “përzierje politike” në zbatimin e ligjit. Shumë grupe po ashtu vendosin theksin mbi nevojën që shkollat tu mësojnë përsëri të rinjve disiplinën, respektin dhe “vlerat tradicionale,” sidomos rëndësinë e familjes heteroseksuale.  

Këto grupe e lidhin çështjen e sigurisë edhe me elitat (populizëm) edhe me minoritetet (nativizëm). Rinia supozohet të jetë “indoktrinuar” nga mësuesit dhe akademikët e majtë të cilët korruptojnë mendjet e tyre të pafajshme me “marksizëm kulturor” dhe “ide” të tjera çoroditëse. Krimi është përhapur dhe njerëzit ndihen të pasigurt për shkak të korrupsionit dhe dobësisë së politikanëve mainstream. Për shembull, në vitin 2018 në Indi, në shtetin e Karnatakas, Modi sulmoi degën lokale të Partisë së Kongresit duke e akuzuar për interferencë me Lokayukta, një organizatë ombudsman e anti-korrupsionit, duke e lidhur këtë direkt me sigurinë: “Në Karnataka nuk ka ligj, s’ka rend. Nëse Lokayukta nuk është e sigurt, si mund të jenë të sigurt njerëzit e zakonshëm.” Ngjashëm, në vitin 2018, gjatë fushatës së tij presidenciale, Bolsonaro deklaroi në një intervistë se: “Nëse polici vret dhjetë, apo njëzet kriminelë të dyshuar me dhjetë apo njëzet plumba secilin, atij duhet dhëne medalje, e nuk duhet persekutuar.” 

Mirëpo, sipas të djathtës ekstreme, e vetmja mënyrë për të ndalur rritjen e krimit është duke ndaluar imigracionin. Fundja, në botën e saj, krimi është pothuajse ekskluzivisht një fenomen “alienësh.” Prandaj, Trump dhe nativistë të tjerë amerikanë theksojnë rëndësinë kruciale të ndërtimit të murit në kufirin jugor me Meksikën – duke nënkuptuar kështu, në kundërshti me të dhënat empirike, se shumica e krimeve në SHBA kryhen nga imigrantët latino-amerikanë – ndërkaq në Holandë, Geert Wilders i partisë PVV (Partij voor de Vrijheid; Partia e Lirisë) bënte fushatë në vitin 2010 me sloganin “më shumë siguri, më pak imigracion.” Ilustrimi vizual më i fuqishëm, dhe më racist, i kësaj përzierjeje të autoritarianizmit dhe nativizmit është pllakati famëkeq i fushatës së partisë zvicerane SVP (Schweizerische Volkspartei; Partia Popullore e Zvicrës) ku dukeshin një grumbull delesh të bardha tek shkelmojnë një dele të zezë jashtë flamurit zviceran nën parullën “duke krijuar siguri.”

Nëse ndërlidhja midis krimit dhe imigracionit ka qenë stafetë e së djathtës ekstreme së paku qysh nga vitet 1980, ndërlidhja me çështjen e terrorizmit është një fenomen më i freskët. Në botën e pas 11 Shtatorit, terrorizmi dhe Islami janë lidhur ngushtë në diskursin e përgjithshëm e edhe në atë të së djathtës ekstreme. Grupet e së djathtës ekstreme e përdorin shumë rrallë termin “terrorizëm” për ndonjë gjë tjetër përpos për dhunën politike të Islamizmit, duke minimizuar shpesh, nëse jo edhe duke mbështetur, dhunën “anti-imigracion” – apo dhunën e inspiruar nga e djathta ekstreme kundër grupeve të tjera, përfshirë edhe përfaqësuesve të grupeve të majta dhe shtetit. Për të djathtën ekstreme, terrorizmi është ngushtë i lidhur me imigracionin dhe multikulturalizmin. Në 2017, Marine Le Pen e Francës shkoi madje aq larg sa e quajti multikulturalizmin armë në duart e ekstremistëve islamikë dhe tha se Franca (multikulturore) është bërë “një universitet për xhihadistët.”

Korrupsioni

Ndërsa propaganda e të djathtës ekstreme ka për cak kryesor “Tjetrin”[7] etnik dhe racor, qoftë ky i brendshëm apo i jashtëm, çështja e korrupsionit në anën tjetër është ekskluzivisht e lidhur me njerëzit e sojit të vet (që i përkasin grupit). Korrupsioni është shpesh i përzier me autoritarizmin, nativizmin dhe veçanërisht me populizmin. Një “elitë” e veçantë është e lidhur me korrupsionin. Në një anë, të fuqishmit, sidomos politikanët mainstream, por shpesh edhe elitat ekonomike, janë ata që akuzohen për vjedhje të popullit. Në anën tjetër, është elita politike, e paraqitur gjerësisht si “e majta,” ajo e cila akuzohet për korruptimin e kombit me idetë “postmoderniste” dhe “marksizmin kulturor” – të dyja këto terma, por sidomos i fundit, kanë tone të forta antisemitike. Siç thoshte tweet-i i UKIP-it (UK Independence Party/Partia e Pavarësisë MB) britanik: “Kujdes, Bashkimi Evropian do që të kontrollojë mendimet e juaja përmes fjalëve tuaja që të shpërndajë ideologjinë e tij neomarksiste postmoderniste.”

Sigurisht, në vende të ndryshme korrupsioni financiar nga elitat ekonomike dhe politike është real dhe paraqet problem serioz. Për shembull, partive populiste të së djathtës radikale të Bullgarisë apo Italisë nuk u duhet fare të shpikin skandale meqë vendet e tyre për kohë të gjatë tashmë janë të zhytura dhe notojnë në korrupsion. Në të njëjtën kohë, edhe në këto vende shumë politikanë nuk janë të korruptuar – ndërkaq shumë parti populiste të së djathtës ekstreme (p.sh. LN [Liga Norde e Italisë] apo RN [Ressemblement National e Francës]) dhe politikanë të tyre (p.sh. Bolsonaro dhe Trump) kanë qenë të zhytur vet në afera korrupsioni. Grupet e të djathtës ekstreme po ashtu pretendojnë se përmes mashtrimit elektoral, “elitat” e korruptojnë sistemin politik. Për shembull, edhe presidenti i BJP-se, Shah, e edhe presidenti i SHBA-ve, Trump, kanë bërë deklarata të pambështetura duke thënë se miliona “imigrantë ilegal” kanë votuar në zgjedhjet e vendeve të tyre përkatëse.

Elitat janë fajësuar gjithashtu për korruptim të mendjeve të njerëzve, veçanërisht të grave dhe të rinisë. Politikanët e së djathtës ekstreme nga të gjitha anët kanë akuzuar akademikët, artistët dhe gazetarët jo vetëm duke i cilësuar si elitist apo të majtë, por edhe si “anti-kombëtar”: d.m.th., tradhtarë të kombit, fyerja më e rëndë për një nacionalist. Për ilustrim, politikanët e partisë Shtëpia Hebraike (Jewish Home), rregullisht sulmojnë  organizatat e shoqërisë civile progresiste siç janë New Israel Fund, ndërsa BPJ herë pas herë ka sulmuar OJQ-të vendore dhe të jashtme, duke përfshirë Ford Foundation dhe Greenpeace, dhe ka akuzuar profesorët e majtë për “okupim” të akademisë dhe për kthim të rinisë kundër kombit. Politikanët e ekstremit të djathtë përpiqen të zëvendësojnë racën me kombin, megjithatë bëjnë deklarata të ngjashme, edhe pse këta kanë një mani të veçantë për “përzierjen raciale” të cilën e konsiderojnë si formë të gjenocidit. Një rol i veçantë në teorinë konspirative të “gjenocidit ndaj të bardhëve” u rezervohet pothuajse gjithmonë hebrenjve, të cilët dyshohen se janë truri orkestrues prapa të gjitha komploteve dhe intrigave të tilla, që synojnë të nënshtrojnë racën e bardhë nën pushtetin e tyre.

Politika e Jashtme

E djathta ekstreme jeton në një botë ku njeriu për njeriun është ujk, botë në të cilën marrëdhëniet ndërkombëtare janë një lojë që rezulton me zero, pa fitues të vërtetë (zero-sum game): secili lufton për suksesin e vet dhe kështu kur njëri fiton, të tjerët humbin. Kjo nuk do të thotë se ajo e kundërshton bashkëpunimin ndërkombëtar, apo se nuk merakoset për vendet (apo kombet) tjera, por kjo është gjithmonë, në rastin më të mirë, dytësore karshi interesit kombëtar (apo racor) – prandaj, politika e Trump-it, “America First”, ka variante të ndryshme kombëtare. Për më tepër, organizatat supranacionale (mbi kombëtare), nga BE-ja e fortë deri tek më e dobëta, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), janë parë gjithmonë me sy të dyshimtë, apo armiqësor, nga grupet e të djathtës ekstreme. Por po aq sa e kritikojnë rendin botëror ekzistues, po aq edhe u mungon ndonjë vizion alternativ i qartë, e leje më ndonjë vizion i unifikuar.

Një rol të rëndësishëm në programin politik të shumë grupeve të së djathtës ekstreme luan irredentizmi, apo pretendimi mbi ndonjë territor “të humbur,” veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku në shekullin e kaluar, kufijtë kanë ndryshuar vazhdimisht. Për shembull, më Traktatin e Trianonit të vitit 1920, Hungaria humbi pothuajse dy të tretat e territorit të saj – rikthimin e të cilave e kanë obsesion të gjitha organizatat e të djathtës ekstreme atje. Nga Fidesz deri tek 64 Counties Youth Movement, e djathta ekstreme pretendon të përfaqësojë të gjithë “hungarezët etnik” – përfshirë edhe miliona folës të hungarishtes në Rumani, Serbi, Sllovaki dhe Ukrainë – dhe orvatet t’i bashkojë të gjitha territoret hungareze.

Ngjashëm, lufta për Izraelin e Madh (Eretz Yisrael) është në zemër të pothuajse të gjitha grupeve të së djathtës ekstreme izraelite, ndërkaq organizatat e të djathtës ekstreme në Indi dhe Japoni janë të fokusuara në mosmarrëveshjet kufitare me Pakistanin dhe Kinën, përkatësisht. E djathta ekstreme veçanërisht në Rusi ka një mori fantazish verbuese irredentiste, që radhiten nga Perandoria Lindore deri tek ripërtëritja e Bashkimit Sovjetik nën udhëheqjen e Rusisë. Më e skajshmja nga këto fantazi është ajo e Vladimir Zhirinovsky-t, liderit më jetëgjatë të një partie të së djathtës ekstreme në botë, që mban emër tmerrësisht të gabuar: Partia Demokratike Liberale e Rusisë. Në një moment, ky pati deklaruar se ëndërron për kohën “kur ushtarët rusë do të mund të lajnë çizmet e tyre në ujërat e ngrohta të Oqeanit Indian.”

Obsesioni i dytë i shumicës se grupeve të së djathtës ekstreme janë organizatat supranacionale (mbi kombëtare) të cilat shihen si hapi i parë (kozmopolit) drejtë një qeverie botërore. Derisa shumica e grupeve të së djathtës ekstreme nuk janë të marrosura pas OKB-së, pothuajse vetëm grupet në SHBA bëjnë dramë të madhe në raport me këtë organizatë të madhe, por të pa takat. Teoritë konspirative për planet sekrete të pushtimit dhe okupimit të SHBA-ve – nga Agjenda 21 deri tek helikopterët e zinj – shtrihen deri në thellësi të lëvizjes konservatore atje, ndërsa grupet e të djathtës ekstreme, pas gafës së ish presidentit George H.W. Bush në një fjalim më 1992, shohin lindjen e një “Rendi të Ri Botëror.” E djathta ekstreme e Izraelit e konsideron OKB-në si një organizatë antisemitike, të dominuar nga shtetet arabe, e cila ka për qëllim shkatërrimin e shtetit të Izraelit. Në fjalimin inaugurues në parlamentin australian në vitin 2016, senatori australian i ONP-së (One Nation Party), Malcolm Roberts, i bëri thirrje shtetit të tij që të braktisë OKB-në “socialiste, monolitike.”

Jo rastësisht, BE-ja e fuqishme paraqet shqetësim të madh për të djathtën ekstreme evropiane e cila e konsideron atë si kërcënim për sovranitetin kombëtar. Kur euroskepticizmi filloi të përhapet nëpër publikun evropian në vigjilje të Traktatit të Maastricht-it më 1992, pjesa dërrmuese e grupeve dhe partive të së djathtës ekstreme u bënë më të zëshme dhe më radikale në opozitën e tyre ndaj BE-së. Kjo opozitë vetëm sa është rritur pas të ashtuquajturës “kriza e refugjatëve” e 2015-ës, teksa qëndrimi pro-refugjatëve i kancelares gjermane Angela Merkel dhe planit (të pasuksesshëm) të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve, pezmatoi të djathtën ekstreme. Ky sentiment është shprehur qartë në tweet-in e vitit 2018 nga Santiago Abascal, lideri i partisë Vox në Spanjë, ylli më i ri ne qiellin e së djathtës radikale populiste të Evropës, i cili çirrej kundër “oligarkisë globaliste, zhvatëse e buxhetit publik, e cila shpreson t’i imponojë popullit modele të dështuara, [dhe që] tani i është përkushtuar djallëzimit të demokracisë dhe sovranitetit të kombeve.”

Përgjatë valës së tretë, shumica e populistëve të partive të së djathtës radikale ishin në defensivë në raport me integrimin evropian. Vetëm disa prej tyre bënin thirrje që vendet e tyre të dalin nga BE-ja, por pothuajse të gjitha partitë besonin se procesi i integrimit kishte shkuar shumë larg, sidomos pas nënshkrimit të Traktatit të Maastricht-it, dhe donin të kthenin mbrapsht iniciativat e reja dhe të ndalonin procesin e mëtutjeshëm të integrimit. BE-ja shihej si një burokraci armiqësore dhe e largët në të cilën forcat nacionaliste nuk kishin peshë dhe zë. Si pasojë e sukseseve elektorale në rritje dhe rëndësisë politike të valës së katërt, partitë populiste të së djathtës radikale janë bërë më ambicioze dhe më të guximshme në raport më BE-në. Kjo është sidomos e vërtetë për liderët populistë të së djathtës radikale në Evropën Qendrore dhe Lindore të cilët shohin vendet e tyre si “mburojë e krishterimit” (lideri i partisë PiS polake [Prawo i Sprawiedliwość; Law and Justice], Jaroslaw Kaczynski) dhe “e ardhmja e Evropës” (lideri i Fidesz-it hungarez, Viktor Orban).

Sot, disa nga partitë populiste me peshë të së djathtës radikale ende dëshirojnë të dalin nga BE-ja. Edhe Marine Le Pen edhe Geert Wilders patën ndryshuar qëndrim duke dalë pro braktisjes së BE-së në vitin 2013, por hoqën dorë nga ky qëndrim më vonë – pjesërisht për shkak të reagimit të ashpër të Evropës ndaj trajtimit jo kompetent të Brexit-it nga qeveria britanike. Shumica e partive populiste të së djathtës radikale mbesin euroskeptike, megjithatë, ato dëshirojnë të “reformojnë” BE-në duke e bërë atë një organizatë më të çliruar dhe më demokratike e cila ua kthen sovranitetin shteteve të saja anëtare. Prapëseprapë, këto grupe dallojnë rreth natyrës fondamentale të së ardhmes së Evropës. Partitë etno-nacionaliste si Vlaams Blok (VB) e Belgjikës dëshirojnë një “Evropë të Kombeve,” por partitë nacionaliste shtetërore si RN e Francës apo Vox e Spanjës, nga frika e separatizmit të brendshëm në shtetet e tyre preferojnë një “Evropë të Atdheve” (d.t.th. të shteteve të tanishme). Ndërsa Fidesz dhe PiS bëjnë thirrje për një ”Evropë të Krishterë”, shumica e partive populiste të së djathtës ekstreme në Evropën Perëndimore janë shumë më pak rehat me idenë e një kontinenti i cili definohet në terma haptazi fetar.

Për fund, partitë e të djathtës ekstreme janë thellësisht të ndara mbi atë se si duhet rregulluar bota. Gjatë Luftës së Ftohtë, shumë parti të së djathtës radikale, si me inat patën mbështetur aleancën perëndimore të NATO-s, ndërsa shumica e grupeve të ekstremit të djathtë propozuan një Rrugë të Tretë post-fashiste. Sot, edhe nën presidentin Trump, shumë nga to shqetësohen nga një botë unipolare të dominuar nga SHBA-të dhe rroken krah për krah për një Rusi më të fortë e cila i bën ballë hegjemonisë së SHBA-ve. Besnike ndaj vizionit të një France madhështore, Marine Le Pen ka propozuar një bosht nacionalist Uashington-Paris-Moskë midis saj, Trump-it dhe Putin-it. Por shumë nga grupet e të djathtës ekstreme në Evropën Lindore, si EKRE e Estonisë dhe PiS e Polonisë, janë thellësisht rusofobe dhe preferojnë një botë të dominuar nga SHBA-të. Ngjashëm, Modi në Indi duket dukshëm mbështetës për një SHBA dominuese, ndërsa Bolsonaro i Brazilit është betuar të punojë me Trumpin, sidomos në kundërshtim të pushtetit në rritje të Kinës.

Roli i fesë

Ideologjitë e së djathtës ekstreme mund të kombinohen më të gjitha fetë sikurse mund të jenë të kombinuara më pozicione jo-fetare e madje anti-fetare. Fashizmi italian ishte fillimisht anti-fetar por pas marrëveshjes pragmatike me Vatikanin qëndrimi i tij ndryshoi në favor të një pozite jo-fetare. Shumica e grupeve populiste të së djathtës ekstreme janë, në rastin më të mirë, kulturalisht të krishtera, në kuptimin se e konsiderojnë krishterimin apo ndonjë nën-degë të veçantë të tij (p.sh. Katolicizmin roman) si pjesë përbërëse të kulturës kombëtare. Disa shkojnë një hap më tutje duke argumentuar se kombi ka një fe specifike. Për shembull, programi i partisë daneze DF (Dansk Folkeparti; Partia e Popullit e Danimarkës) thotë se “Kisha Daneze Evangjelike Luterane është Kisha e popullit danez,” ndërkaq lideri i partisë suedeze SD (Sverigedemokraterna; Demokratët Suedezë), Jimmie Akesson ka thënë se Kisha e Suedisë duhet të rikthehet si kishë e shtetit. Në pikëpamje të rëndësisë së islamofobisë në rritje, shumë parti populiste të së djathtës radikale janë bërë në dukje më të krishtera, duke përqafuar krishterimin apo në terma më të gjerë “vlerat judeo-krishtere,” pa u bërë ndërkaq parti me të vërtetë fetare. Për shembull, FPO (Freiheitliche Partei Österreichs; Partia e Lirisë) e Austrisë e cila qe krijuar si një parti anti-klerikale, kohët e fundit është shndërruar në mbrojtëse të flaktë të katolikëve ortodoksë si ish-peshkopi i St.Polten-it, Kurt Krenn, kundërshtar i zëshëm i islamit dhe imigracionit mysliman.

Lidhja midis të djathtës ekstreme dhe krishterimit është më e theksuar në SHBA, së paku në rendet e të djathtës radikale populiste. Politikanë si Pat Buchanan apo Sarah Palin kanë përkufizuar SHBA-në si një “komb i krishterë” dhe kanë vënë në dukje rëndësinë e krishterimit në politikë. Në krahun e të djathtës ekstreme, KKK (Ku Klux Klan) ka qenë gjithmonë thellësisht fetare, duke ndryshuar nga të qenit ekskluzivisht Protestante në të qenit më inkluzivisht krishtere. Megjithatë, shumë grupe të së djathtës ekstreme janë vetëm nominalisht të krishtera apo ndonjëherë haptazi anti-krishtere, duke argumentuar së krishterimi është “hebraik”. Për shembull, grupe të tilla si Aryan Nation, që është pothuajse në zhdukje, përqafojnë Christian Identity, një formë antisemitike dhe raciste e krishterimit në të cilën thuhet se në të vërtetë, janë të bardhët ata që janë “Populli i Zgjedhur” dhe të gjithë ata që nuk janë të bardhë shihen si “njerëz balte” që s’kanë shpirt.

Përtej SHBA-ve, disa grupe dhe politikanë të së djathtës ekstreme janë haptazi të krishterë në kuptimin fetar. Bolsonaro bëri fushatën e tij me sloganin inicial “Brazili mbi të gjitha dhe Zoti mbi të gjithë ne.” Partia PiS e Polonisë është thellësisht katolike dhe është e lidhur dhe bashkëpunon ngushtë me elementet më nacionaliste dhe ortodokse të Kishës Katolike të Polonisë. Ajo ka deklaruar se “Kushtetuta Evropiane” duhet të përfshijë referencën ndaj “Zotit” dhe ka përvetësuar interpretimin ortodoks të katolicizmit si parim udhëzues të shumë prej politikave të saj për arsimin, familjen dhe shëndetësinë. Grupi i vogël neo-fashist i Italisë, New Force, është grup fundamentalist katolik i cili përpiqet paepur të “rikthejë fetarinë krishtere” dhe “besimin në Kishën Katolike.”

Në përgjithësi, lidhjet midis së djathtës ekstreme dhe fesë janë më të forta në vendet Ortodokse, nga Greqia deri tek Rusia, meqë shumica e kishave ortodokse janë kisha kombëtare dhe kanë traditë të fortë nacionaliste. Në Rumani, grupet e vogla neo-Guardiste i qëndrojnë besnike një kombinimi ezoterik të misticizmit me Ortodoksinë – besim i cili në fillimet e shekullit të njëzet definonte Legjionin e hershëm të Engjëllit Mikael i njohur më shumë si Iron Guard. Në Ukrainë, disa grupe të së djathtës ekstreme si Svoboda apo C14 mbështesin Kishën Ortodokse skizmatike të Ukrainës, e cila më 2018 u nda nga Kisha zyrtare Ortodokse e Ukrainës, degë autonome e Kishës Ortodokse Ruse.

Në kontrast me këtë, brenda të djathtës ekstreme evropiane ekziston po ashtu një rrymë shumë e fuqishme pagane, haptazi anti-krishtere. E djathta e re franceze është zyrtarisht pagane dhe deklaron se “monoteizmi i judeo-krishterë” është shekullarizuar. Duke ndjekur filozofin gjerman Friedrich Nietzsche, mendimtari kryesor i saj, Alain de Benoist, në librin e tij On Being a Pagan (1981) thotë se krishterimi duhet shkatërruar dhe se duhet krijuar një paganizëm i ri “indo-evropian.” Grupe të ndryshme të ekstremit të djathtë po ashtu u kthehen besimeve (të supozuara) të para-krishtere, përfshirë edhe format e ndryshme të Ásatrú (heathenry; hedhenizmit)[8]. Nga fundi i shekullit të njëzet, në mesin e disa grupeve neo-naziste, u popullarizuan Odinizmi (Odinism), sidomos në formën e tij raciale, dhe Voltanizmi (Woltanism), i cili adhuron zotat nordikë si Odin dhe Thor. Elemente të Voltanizmit mund të gjinden edhe në disa grupe të Christian Identity si dhe në lëvizjen tashmë të shuar “Creativity,” ndërsa disa grupe të tjera të së djathtës ekstreme praktikojnë edhe Satanizmin.

Mbase përzierja më e përkryer e nativizmit me fenë është ajo e ideologjisë Hindutva. Duke iu referuar teksteve klasike si Essentials of Hindutva (1923) me autorë Vinayak Damodar Savarkar, kjo ideologji zëvendëson fenë Hinduiste me atë nacionaliste të Hindu Rashtra, që nënkupton, kombin Hindu. Meqë Savarkar ishte thellësisht i influencuar nga fashizmi evropian, veçanërisht Nazizmi, fillimisht, kjo ideologji kishte edhe një komponent të fuqishëm racist duke iu referuar Arya-së (racës Hinduse). Ndërkaq grupet bashkëkohore të Hindutvas siç janë BJP dhe RSS nuk mbështesin më (haptazi) fashizmin apo racizmin biologjik, ata qëndrojnë të përkushtuar ndaj nacionalizmit Hindus, fort ksenofob. Me përjashtim të disa grupeve specifike të cilat shihen si pjesë e vëllazërisë hinduse (p.sh. Budistët apo Sikhët), grupet Hindutva i konsiderojnë grupet tjera jo-hinduse, si të krishterët apo myslimanët, si kërcënim për kombin Hindu dhe si pengesë drejt shtetit të dëshiruar Hindu (Hindustan).

Për një kohë të gjatë Budizmi është parë si një fe e veçantë, e papërlyer nga fanatikë fetarë apo nacionalistë të dhunshëm. Ky portret u lëkund nga ngjarjet e kohës së fundit në Birmani. Përderisa qeveria dhe ushtria e arsyetojnë shtypjen brutale të Rohingave myslimanë me pretekstin e sigurisë kombëtare, grupet e së djathtës ekstreme siç është lëvizja e decentralizuar 696 dhe Organizata për Mbrojtjen e Racës dhe Fesë (Organization for the Protection of Race and Religion), si dhe liderë ekstremistë sikurse murgu Ashin Wirathu, dëshirojnë të ndëshkojnë këdo që “fyen” Budizmin. Kjo përfshinë në vet përkufizimin e saj njerëzit e feve të tjera. Budistët e të djathtës ekstreme nuk kanë qenë të përfshirë vetëm në pogromet e dhunshme ndaj komunitetit Rohinga, por kanë vënë po ashtu në shënjestër edhe grupet e të drejtave të njeriut duke i cilësuar dhe akuzuar ato si “tradhtare të çështjeve kombëtare” dhe si të mbështetura nga grupet e huaja.

Jo çuditërisht, lidhja me fenë është shumë e fortë tek e djathta ekstreme hebraike, duke pasur parasysh përkufizimin etno-fetar që i bëhet kombit. E djathta ekstreme hebraike kombinon nacionalizmin me judaizmin fetar, me përjashtim të disave – veçanërisht partia Israel Our Home [Yisrael Beiteinu], e cila mbledhë rreth vetes kryesisht imigrantë laikë nga Rusia. Krahu i partisë Nacional Fetare (Miflaga Datit Leumit; National Religious Party) i cili përfaqësohet kryesisht nga Shtëpia Hebraike (HaBayit HaYehudi; Jewish Home) dhe grupi i ndarë rishtas nga ky, e Djathta e Re (HaYamin HeHadash; New Right), për një kohë të gjatë i kanë mbështetur përpjekjet për të aneksimin e territoreve të “Judeas dhe Samaras” (në Bregun Perëndimor) në argumentin biblik se Zoti i ka dhënë Tokën e Izraelit Popullit te Tij të Zgjedhur (hebrenjve). Përzierja më skajshme e nacionalizmit izraelit dhe fesë hebraike është Kahanizmi, i cili kombinon fashizmin me fundamentalizmin fetar. Sipas rabinit Meir Kahane, Izraeli jo vetëm se duhet të pushtojë të gjithë “Tokën e Izraelit”, por në të duhet të jetojnë vetëm dhe vetëm hebrenjtë (e vërtetë), ndërsa të gjithë jo-hebrenjtë duhet të dëbohen (me forcë).

Njëri nga rastet më të qarta të një lëvizjeje të së djathtës ekstreme myslimane, në kuptimin esencial të nativizmit siç është definuar këtu, është partia turke Partia e Aksionit Nacionalist (MHP, Milliyetçi Hareket Partisi; Nationalist Movement Party). Fillimisht një parti laike, më vonë, në vitet 1970, ajo rroki për krahu Islamin duke thënë se “Ne jemi aq Turq sa është edhe mali Tengri, dhe aq myslimanë sa është edhe mali Hira. Të dyja këto filozofi përbejnë principet tona.” Në vitet 1980, një fraksion idealist i saj u shkëput dhe krijoi Partinë e Bashkimit të Madh (BBP, Büyük Birlik Partisi; Grand Unity Party), e cila ndërthurë nacionalizmin turk me islamizmin. Islami luan një rol qendror edhe në nacionalizmin Malaj të Malajzisë[9]. Edhe pse ish partia udhëheqëse, Organizata e Bashkuar Kombëtare e Malajëve (United Malays National Organization) kombinon nacionalizmin malaj me shoqërinë multikulturore, pas dekadash me politika raciale, ajo çdo ditë e më shumë lufton me nacionalistët malajë më radikal, të cilët besojnë se vetëm myslimanët mund të jenë malajë të vërtetë dhe të cilët sulmojnë jo-myslimanët (posaçërisht kinezët, të krishterët dhe hindusët).


[1] Shënim i përkthyesit. Siç shpjegon vet autori më tutje në tekst, dallimi i dy nëngrupeve që përfshihen në termin e djathta ekstreme është si vijon: “…në vija të gjera, e djathta ekstreme përbëhet nga dy grupe: ekstremi i djathtë  dhe e djathta radikale, të cilat mbajnë pozita thellësisht të ndryshme rreth demokracisë. Ndërsa ekstremi i djathtë refuzon esencën e demokracisë – idenë e barazisë politike dhe qeverisjes përmes shumicës popullore – e djathta (populiste) radikale, së paku në teori, e mbështetë demokracinë por sfidon institucionet kyçe të saj si dhe vlerat e demokracisë liberale, përfshirë të drejtat e minoriteteve, sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve”, në mungesë të një terminologjie përkatëse në shqip, termi përfshirës “far-right” është përkthyer si “e djathta ekstreme” ndërkaq termi për nëngrupin “extreme right” është përkthyer si “ekstremi i djathtë”. Prandaj, në përkthimin që keni në dispozicion, kur i referohemi “të djathtës ekstreme” kjo nënkupton se bëhet fjalë për të dyja nëngrupet.

[2] Për një shtjellim të mëtutjeshëm, shih. C. Mudde, Populist Radical Right Parties in Europe, Cambridge University Press, 2007

[3] Shën. i përkthyesit: grupit vendas, grupit “autokton”.

[4] Shën. i përkthyesit: siç iu referohen të huajve.

[5] Shën. i përkthyesit: partitë dominuese, ose që kanë dominuar skenën politike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

[6] Shen. i përkthyesit: Protokolet…është një vepër fiktive, teori komploti, e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë e shkruar fillimisht në frëngjisht nga një aktivist antisemit (historianët kanë identifikuar se paku dy autorë të mundshëm: Mathieu  Golovinski dhe Édouard  Drumont), e përkthyer dhe botuar për herë të parë në rusisht ne vitin 1905. Disa vite me pas, vepra u përkthye në disa gjuhë të tjera dhe u prezantua si me përmbajtje të vërtetash.

[7] Shën. i përkthyesit: Në shkencat shoqërore, koncepti i “Tjetrit”, zakonisht me “T” të madhe, përdoret për të shpjeguar një individ, grup apo edhe ide, që në imagjinaren e një individi apo grupi tjetër qëndron si thellësisht i ndryshëm, i tëhuajtur, i përjashtuar, i papajtueshëm etj. nga apo me sojin, dhe përmes të cilit një individ apo një grup, duke mbi-theksuar dallimet e spekuluara, e ndërton vetveten. 

[8] Shën. i përkthyesit: lëvizje fetare bashkëkohore e paganizmit; neopaganizëm.

[9] Shën. i përkthyesit: malajët janë grupi etnik mbizotërues në Malajzi. Ata janë po ashtu të pranishëm në vendet përreth.

This material/production has been financed by the Swedish International Development Cooperation Agency. Responsibility for the content rests entirely with the creator. SIDA does not necessarily share the expressed views and interpretations.

# Seria e shkrimeve për te drejtat e njeriut

Përkthimi: Përktheu nga anglishtja: Arbër Fetiu

Marrë nga: Marrë nga libri: Mudde, C. (2019). The Far Right Today (E Djathta Ekstreme Sot). United Kingdom: Wiley. Kapitulli II

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

10 Maj, 2022
Postime të ngjashëme
Përtej të drejtave të njeriut
Në vitin 1943, Hannah Arendt botoi një artikull me titull ‘Ne refugjatët’ në revistën Menorab, botim i vogël hebre në gjuhën angleze. Në fund të kësaj copëze të shkurtër, por domethënëse, ajo ktheu përmbys gjendjen
Përçudnimet e të Drejtave të Njeriut
Shpallja e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë qe pikë kthese në histori. Ajo nuk nënkuptonte asgjë më shumë e as më pak sesa që prej atij momenti e
Çka la pas vetes Bobby Mcilvaine (III)
Jen Cobb, tani Middleton, tash i mbanë flokët e gjata, jo si dikur të shkurta, por stili dhe sjellja e saj kanë mbetur të njëjtat. Ende është e gjallë, ende e këndshme, ende e bukur
Gjithçka që duhet të dini për “Dialektika e Iluminizmit”
Me rastin e botimit jubilar të 75 vjetorit nga botimi i parë i “Dialektika e Iluminizmit” “Dialektika e Iluminizmit” është një nga librat më të rëndësishëm për njerëzit e maturuar. Bëhet fjalë për median, manipulimin
Aktet Performative dhe Kushtetuimi i Gjinisë: Ese në Fenomonologji dhe Teori Feministe
Filozofët rrallë mendojnë për aktrimin[2] në kuptimin teatror, mirëpo kanë zhvilluar ligjërime mbi ’aktet’ që përmbajnë kuptime të afërta semantike me teoritë e performancës dhe aktrimit. Për shembull, ‘aktet e fjalës’  të Xhon Sërlit (John