Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Le të jemi të vëmendshëm

Le të jemi të vëmendshëm

Friedrich Nietzsche

Le të jemi të vëmendshëm se mos mendojmë se bota është qenie e gjallë. Kah do të zgjerohej? Me çka do të ushqehej? Si do të rritej e do të shumohej? E kemi një përfytyrim të natyrës së organikes; por nuk duhet ta riinterpretojmë atë që është tërësisht derivative, e vonshme, e rrallë, dhe aksidentale, të cilën e perceptojmë vetëm mbi cipën e tokës dhe ta shndërrojmë në diçka esenciale, universale dhe të përhershme, siç bëjnë ata njerëz që e quajnë universin organizëm. Kjo më bën të vjellë. Le të jemi të vëmendshëm madje se mos besojmë se universi është makinë: sigurisht se nuk është ndërtuar me një qëllim në mendje, e ta quash “makinë” është ta nderosh shumë lart.

Le të jemi të vëmendshëm se mos supozojmë se në përgjithësi dhe kahdo ka diçka aq elegante sa lëvizjet ciklike të yjeve tanë fqinjë; madje veç një hedhje shikimi drejt Rrugës së Qumështit ngjallë dyshime se mos vallë atje ka lëvizje shumë më të vrazhda e më kontradiktore, edhe yje me shtigje përjetësisht lineare. Rendi yjor në të cilin jetojmë është përjashtim; ky rend dhe kohëzgjatja relative që varet nga ai e kanë bërë të mundur edhe njëherë përjashtimin e përjashtimeve: formimin e organikes. E megjithatë, karakteri i përgjithshëm i botës është kaos për tërë përjetësinë – jo në kuptimin se i mungon pashmangshmëria, por se i mungon rendi, rregullimi, forma, bukuria, urtësia, dhe çfarëdo emrash të tjerë që u janë dhënë antropomorfizmave tanë estetikë. Gjykuar nga këndvështrimi i arsyes tonë, përpjekjet e pasuksesshme janë dukshëm rregulli, përjashtimet nuk janë qëllimi sekret; e tërë kutia muzikore e përsërit pafund motivin e saj e cila asnjëherë nuk guxon të quhet melodi – dhe në fund edhe shprehja “përpjekje e pasuksesshme” është tepër antropomorfike dhe e papranueshme.

Por si do të mund ta përbuznim apo lavdëronim ne universin? Le të jemi të vëmendshëm se mos i atribuojmë pandjeshmëri dhe paarsyeshmëri, ose të kundërtat e tyre: nuk është as i përkryer as i bukur, as bujar, as nuk dëshiron të bëhet ndonjëra prej këtyre; dhe as nuk përpiqet ta imitojë njeriun në kurrfarë mënyre. Asnjë prej gjykimeve tona estetike dhe morale nuk vlejnë për të. As nuk ka kurrfarë instinkti të vetëmbrojtjes apo çfarëdo instinkti tjetër; dhe as që i nënshtrohet ndonjë lloj ligji.

Le të jemi të vëmendshëm se mos themi që ka ligje në natyrë. Ka vetëm pashmangshmëri: s’është askush që komandon, askush që nënshtrohet, askush që mëkaton. Sapo ta kuptosh se nuk ka qëllime, e kupton që nuk ka as aksidente; sepse vetëm në një botë qëllimesh fjala “aksident” ka kuptim.

Le të jemi të vëmendshëm se mos themi se vdekja është e kundërta e jetës. Të gjallët janë vetëm një lloj i asaj që është e vdekur, madje lloj shumë i rrallë. Le të jemi të vëmendshëm se mos mendojmë se bota krijon përherë gjëra të reja. Nuk ekzistojnë substanca të përjetshme; materia është po aq gabim gjykimi sa edhe perëndia e Eleatikëve.

Por kur do të heqim dorë nga kujdesi dhe maturia jonë? Kur do të pushojnë së errësuari mendjet tona  gjithë këto hije të Zotit? Kur do ta përfundojmë çhyjnizimin e natyrës? Kur do të mund ta fillojmë “natyralizimin” e njerëzimit në kuptimin e një natyre të dëlirë, rishtas të zbuluar, të sapo shpëtuar?

Autor: Friedrich Nietzsche

Përkthimi: Përktheu nga anglishtja: Alban Bokshi.

Rreth artikullit: Marrë nga paragrafi 109 i librit Die fröhliche Wissenschaft (The Gay Science) i filozofit Friedrich Nietzsche.

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

2 Tetor, 2023
Postime të ngjashme
Ecja halucinative nëpër Paris që i frymëzoi Deleuze dhe Guattari
Në librin “Anti-Oedipus”, polemikën me ndikim kundër psikanalizës së organizuar, teoricienët francezë u mbështetën në rrëfimin e një episode skizofrenike të kompozitorit Jacques Besse. Në mëngjesin e vonë të së hënës së Pashkëve të vitit
Të tjerët metamorfikë dhe subjektet nomade
Nuk jemi të gjithë njerëz, ose jo njerëz në shkallë të njëjtë, jo nëse me “njeri” mëton t’i referohesh vizionit mbizotërues të Subjektit si i bardhë, mashkullor, heteroseksual, i urbanizuar, trup-aftë, që flet gjuhën standarde
A e përplotësojnë Sade dhe Masoch njëri-tjetrin?
Me [Marquis de] Sade-në dhe [Leopold von Sacher-] Masoch-un funksioni i letërsisë nuk është ta përshkruajë botën, meqë kjo është bërë tashmë, por ta përkufizojë pjesën plotësuese të botës që është në gjendje të nxërë
Kritikë e Fenomenologjisë Queer [Kuir]: Gjinia dhe Seksualja
Në Fenomenologjia Queer: Orientimet, Objektet, të Tjerët [Queer Phenomenology: Orientations, Objects, Others], Sara Ahmed (2006) trajton formimin e orientimit seksual dhe gjinisë përmes fenomenologjisë queer. Sipas Ahmedit, orientimi seksual dhe gjinia jane mënyra për të
Dhuna (jo)seksuale dhe kënaqësia sistemike
Është një fjalë e urtë, që i atribuohet Oscar Wild-it, e cila po bëhet gjithnjë e më relevante kohëve të fundit: “Gjithçka ka të bëj me seksin, përveç seksit. Seksi ka të bëjë me pushtetin”.