Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Macja që ndryshoi ngjyrë të dielën

Macja që ndryshoi ngjyrë të dielën

Besa Kalaja

Me duar mbajtur për krevati, u ҁova. Rakia e mbrëmshme ma kishte marrë tërë energjinë e trupit. Po laja dhëmbët kur koka filloi të më kruhej keq, hyra dhe bëra një dush. Gjatë dushit e krova dhe e krova aq shumë kokën sa po më rridhte gjak. Mu desh që ta laja disi, por në disa fije floku më kishte mbetur e madje edhe tharë gjaku. Me gjasë e kisha kruar fort edhe natën. Nuk e ngacmova më pasi duart po më dridheshin nga inati. Që ta merrja veten me të mirë apo ndoshta edhe që ta ndëshkoja keq, shkova në kuzhinë dhe bëra një kafe të hidhët e të rëndë. Pa qenë fort i vëmendshëm po shikoja nga dritarja një mace që po ngjitej e zbriste në pemë. Aq zhdërvjelltë dhe aq shpejt sa nuk po arrija ta përcillja dot më me sy.  Më nuk po e dija a ishin lëvizjet e shpejta të maces apo mua po me merreshin mendtë. Zhdërvjelltësia e saj u bë një me marramendjen time. Hapa dritaren dhe i bërtisja maces apo asaj që unë para pak çastesh besoja se ishte mace.            

 -Hej ti, i thashë, mos luaj me mua sepse po të zura do të të mbys me gurë. Nuk u ndal, bile me bëhej se ajo po ngjitej e zbriste edhe më shpejt. Nuk mu durua, mbylla dritaren me vrull, xhami u thye, po vrapoja drejt derës. Në hyrje të shtëpisë nuk pashë asnjë gur me të cilin do të mund ta gjuaja. Për më keq, ajo u bë edhe më e shpejtë. Nuk ia dalloja më dot as ngjyrën…  Sa isha brenda më dukej e bardhë, tani dukej krejt e hintë. Nuk ishte koha të mendoja për ngjyrën e saj, më duhej ta largoja sa më shpejt që të ishte e mundur, sa ende nuk më kishin lënë mendtë.

Shkova te fqinji, trokita fort në derë, ai doli i përgjumur.                

 -Çfarë ka ndodhur?, më pyeti krejt i shkujdesur. E pashë drejt e në fytyrë, në atë fytyrë që nuk më thoshte asgjë, as e njohur nuk më dukej madje dhe pothuaj u bëra gati ta pyes: po ju kush jeni? Ndoshta edhe do ta kisha bërë, por nuk arrita ta pyes, sepse ai me një shkujdesje të çuditshme më rroku nga krahu dhe më tha që kishte përgatitur kafe dhe sandviç dhe unë pa telashe mund të haja me të. As gruan nuk e kam këtu më tha, duke ma bërë me sy. U shtanga në çast, nuk reagova, thjesht iu nënshtrova i tëri atij. Më shërbeu kafen në një filxhan të bukur dhe sandviçët më tha që i ka bërë vetëm me perime sepse kohëve të fundit, i ishte tekur që të ushqehej shëndetshëm. Më tha edhe se në frigorifer kishte lloj-lloj ushqimesh, si p.sh mishra e këso gjërash, që mund t’ua jepte të tjerëve, pasi nuk i hante më. Gjithë ky kujdes tha se i vinte, pasi kohëve të fundit po lexonte artikuj e artikuj mbi shëndetin. Mua sikur po më rrotullohej diçka në bark dhe nuk kisha as nevojën më të vogël që ta dëgjoja, përkundër faktit që s’më shpëtonte as edhe një detaj pa mu ngulitur në kokë.  

Sa fillova ta marr veten dhe të kujtohesha për çka kisha shkuar tek ai, më bëri një pyetje të pavend.

– Ka goxha kohë që ajo më nuk po vjen te ti, pse? Desha ta pyes cila është ajo, po koka nuk po më punonte.

– Ahaaa ajo. Ka gjetur një vend pune jashtë qytetit, i thashë. Sapo mendova se e nxora veten nga kjo situatë, ai më vuri dorën në krah dhe po më ngushëllonte. Dorën e kishte të fortë, të rëndë dhe me muskuj, mbuluar të tërën me tatuazhe. S’mund të ketë një njeri të dytë si unë që është mëshiruar nga një dorë kaq e vrazhdë.

Ha! Mos më shiko ashtu, më bërtiti sikur të donte të ma mbushte boshllëkun me sandviç. Nuk mundem i thashë me mundim, shumë gjëra edhe ato më të përditshmet po më ecin ters, më pështjellohen, ja si kjo macja sot. Më pyeti se çfarë kisha me macen, ma bëri me dije edhe se ajo e ka rrugën e saj e unë timen, madje me tha edhe se nuk po e kuptonte se ku po na bashkoheshin rrugët mua dhe asaj. 

Prapë më shkeli syrin kur më tha kap gjeje një grua të bukur, se nuk e paskam vërejtur më parë që ti qenke edhe i hijshëm. Këtë pjesë nuk e kuptova a e tha me shaka sepse s’më kujtohej kur për herë të fundit isha parë në pasqyrë për bukurinë time. Aty këqyresha vetëm kur frikësohesha se mos flokët më ishin çaraveshur apo kur më dilte ndonjë puçërr në fytyrë dhe nuk mund ta duroja apo edhe atëherë kur pasqyra qëllonte të ishte varur në ndonjë kënd që nuk mund ta shmangia, por e parakaloja me shpërfillje të plotë. E pashë drejt në sy, po zgërdhihej. Në një situatë të tillë, njeriu nuk mund ta dijë nëse tjetri e ka më të vërtetë apo po bën shaka me ty.

-Ja kështu, i thashë, sa për gruan mbeta, jo sot po nesër, ta shohim si do të shkojë puna me macen, pastaj i vjen radha edhe asaj pune, të premtoj se në baza ditore do të merrem me të.  Fytyra nga e qeshur iu vrenjt menjëherë, aq sa pata frikë prej tij.

-Unë e pata me qëllim të mirë, më tha, nuk kemi nevojë të bëjmë shaka me këto gjëra. Edhe pyetjen që ma kishte bërë pak më parë për atë gruan, më tha se ma kishte bërë shumë seriozisht, pasi ajo i kishte pëlqyer vërtet. Më tregoi edhe një gjë që mua nuk më pëlqeu aspak, për herë të parë mu duk se u bëra i vetëdijshëm për bukurinë e gruas që vinte te unë të shtunave mbrëma. Ai ma tha se e dinte orën e saktë dhe ditën kur ajo vinte dhe se asnjëherë nuk e humbi shansin që ta përcillte nga dritarja.

-Edhe dje ishte e shtunë. Prita në dritare, por ajo nuk erdhi. E lëshoi kokën në krahun tim, ma përkujtoi se nëse ndihesha keq mund të shkoja tek ai dhe se vetëm ai e dinte se çfarë mund të përjetonte një burrë kur humbet të shtunat e papërsëritshme . U mundova ta largoja nga vetja duke i thënë se unë nuk po ndihesha keq dhe se ishte ai që tani po ma përkujtonte që tek unë vinte një grua çdo të shtunë mbrëma.

E pyeta se mos kishte gurë në oborrin e tij. Qeshi si i marrë. Më pyeti për çfarë më duhen. I thashë se doja të trembja macen që po më endej në pemë.

Pema ra në tokë, pasi aq shumë herë i kisha rënë me sëpatë, macja me nguli thonjtë në fytyrë.

Autor: Besa Kalaja

Rreth artikullit: Pjesë nga dorëshkrimi në botim i përmbledhjes me tregime nga Besa Kalaja.

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

7 Tetor, 2021
Postime të ngjashme
Taibi
Me të nisur vendosjen në Soliterin e Kuq, në Prijedor, në pranverën e hershme të vitit 1975 një grumbull i madh fëmijësh ulërinin në livadhin midis dy soliterësh, dy ndërtesa minatorësh. Bënin njeriun prej bore
Tri gjendje të një trupi në derdhje
Ftoh fytin tim të ngrohtë me verë. Tymi i cigares ngrihet në rrathë të ngadaltë. E shoh tek zbehet në zhdukje. E zhytur në moment, në momentin tonë, harroj se edhe kjo do të zbehet
Epidemia e heshtjes
Babai e mbyti veten me konopin që e kish ble në pazar të Ulpianës për vetëm dy euro e gjysmë pasi ishte shty për nja pesë minuta me shitësin që e mbante pesë. Shitësin e
Mendjet më të ndritura
Në një ditë nëntori të vitin 1949, në Institutin Psikiatrik të Shtetit të Nju Jorkut (IP) që ndodhet lart mbi Riverside Drive në Manhatanin e sipërm, shefit të shërbimit, Dr. Nolan Lewis, në konferencën javore
Të shkruash është si të kultivosh parazitë në trurin tënd
Michel Houellebecq: “Të shkruash është si të kultivosh parazitë në trurin tënd”[1] - Mirëmbrëma, Michel Houellebecq. Mirë se erdhët në Kopenhagë! - Mirëmbrëma. - Është kënaqësi dhe privilegj t’ju kemi këtu. - Ju gjetët një