Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Mendjet më të ndritura

Mendjet më të ndritura

Stevan M. Weine

Si e ktheu Allen Ginsbergu çmendurinë në poezi revolucionare

Në një ditë nëntori të vitin 1949, në Institutin Psikiatrik të Shtetit të Nju Jorkut (IP) që ndodhet lart mbi Riverside Drive në Manhatanin e sipërm, shefit të shërbimit, Dr. Nolan Lewis, në konferencën javore iu prezantua një pacient njëzet e tre vjeçar me syze.[1]

Stafit të mbledhur në auditorium, terapisti i pacientit i dha një përmbledhje të shkurtër të historisë së rastit dhe trajtimit. Pacienti ishte rritur në një familje hebreje në Paterson, New Jersey nga një nënë e prekur nga skizofrenia dhe një baba që ishte mësues i anglishtes në shkollë të mesme dhe shkruante poezi. Pacienti ishte i shkëlqyeshëm në shkollë dhe në moshë të re u pranua në Universitetin e Kolumbias, ku studioi letërsi me Lionel Trilling dhe të tjerë profesorë nga më të mirët.

Pasi shkroi në mënyrë të pashpjegueshme fyerje antisemitike (“Fuck the Jews”) në murin e dhomës së tij të konviktit, ky i ri brilant u pezullua për një vit, por në fund diplomoi. Gjersa punonte në dy ese të papërfunduara dhe jetonte jashtë kampusit, ai shkroi poezi, iu shfaqën vegime të Zotit, u shoqërua me përdorues droge dhe ra brenda një bande kriminale. Pas një arrestimi skandaloz që bëri bujë deri në New York Times, u arrit një marrëveshje me prokurorin dhe ai u shtrua në IP për dhjetë muaj. Ai u diagnostikua me një çrregullim të rëndë mendor dhe mori trajtim në formën e psikoterapisë për të shmangur kolapsin e mëtejmë në psikozë, përdorim të drogës, homoseksualitet a kriminalitet. Në IP, infermieret u udhëzuan ta mbanin nën fre nga çdo kontakt homoseksual me pacientë të tjerë, ta inkurajonin të vallëzonte në festa dhe të siguroheshin se mos ishte psikotik.

Atë ditë nëntori, pacienti u shoqëruar nga një infermiere për në auditoriumin e IP-së dhe u ul përballë Dr. Lewis-it, i cili e intervistoi para audiencës.

Pacienti sillej sikur të kishte diçka për të dëshmuar – se nuk ishte i çmendur si nëna e tij, e cila ishte liruar së fundmi nga Spitali Shtetëror Pilgrim pas qëndrimit disa vjeçar dhe lobotomisë paraballore.

Ai ishte llafazan dhe i guximshëm, por bashkëpunues dhe i vetëdijshëm për audiencën përreth tij, kureshtar, pranues dhe i përgatitur për t’u gjykuar për prognozën e tij. Ishte madhështor, si shumë njerëz në grahmat e psikozës, por gjithashtu demonstroi talente dhe ambicie letrare që nuk shiheshin rëndom në mesin e pacientëve që paraqiteshin në konferencën e rasteve klinike.

Pas intervistës, pacienti, emri i të cilit ishte Allen Ginsberg, u ftua të ndajë poezitë dhe pikturat e tij me audiencën e departamentit të psikiatrisë. Kjo mund të kishte ngjarë në ndonjë spital psikiatrik në qendër të qytetit në Washington Heights, por prapë se prapë ishte Universiteti i Kolumbisë dhe qyteti i Nju Jorkut, dhe Ginsberg iu dedikua i tëri.

Gjatë qëndrimit të tij në spital, Ginsbergu kishte punuar një grup poezish “I panjohuri me qefin mbështjellë”, për një endacak të çmendur që bridhte nëpër shina hekurudhore dhe brigje ujore, duke thirrur dikë, në disa versione një fëmijë, që të shtrihej me të gjatë natës. Kur flet i panjohuri i mbështjellë me qefin, zëri i tij ka një ton monoton, edhe kërcënues edhe të dhembshur. Këto poezi ofruan personazhe më bindës dhe gjuhë më të ngarkuar emocionalisht sesa çdo poezi që ai kishte shkruar gjer tani.

Për terapistin e tij në IP, kjo poezi ishte një zbulim personal për Ginsbergun. I panjohuri i mbuluar me qefin dukej i rrënjosur në përvojën prej pacienteje të nënës së tij psikotike, të cilën ai e kishte përshkruar në seancat e psikoterapisë – e frikshme dhe grabitqare, por gjithashtu e dashur dhe intesivisht tërheqëse.

Një tjetër poezi e lexuar atë ditë në IP, “Patersoni”, nuk mund të kishte qenë më ndryshe në mënyrën se si e portretizonte një njeri që “më me qejf do t’çmendej”[2]. Protagonisti refuzon zyrat, nëpunësit, tualetet, psikiatrinë, punonjësit dhe të gjitha përpjekjet e tilla për të strukturuar jetesën. Në vend të kësaj, ai zgjedhë çmendurinë, heroinën, marihuanën, peyotin[3], udhëtimin, madje edhe mjerimin. Ai e ngjason veten me një lloj  Krishti të egër modern amerikan, në “ekstazë të shëmtuar”, “duke bërtitur e kërcyer në sfond të orkestrës në të shkatërrueshmen sallë vallëzimi të botës”.

Kjo figurë ishte një amalgamë mitike e shumë miqve që Ginsbergu i kishte takuar gjatë atyre viteve në qytetin e Nju Jorkut—Lucien Carr, William Burroughs, Jack Kerouac, Neal Cassady dhe Herbert Huncke—të cilët përqafuan atë që së bashku e quajtën “vizioni i ri”. Këta ishin miqtë që psikiatrët e IP-së mendonin se po inkurajonin sjelljen devijante të Ginsbergut. Për tetë muaj ata e shtynë Ginsbergun të rrinte larg tyre dhe të ndiqte një rrugë më konvencionale nëse donte që të përmirësohej. Megjithatë, në “Patersoni”, Ginsbergu po e paraqiste çmendurinë si zgjedhje të qëllimshme dhe udhëtim emocionues që paraqiste vlerë shoqërore.

Pacienti ua tregoi pjesëmarrësve të konferencës disa nga pikturat që ai i kishte punuar në terapinë e artit në IP. Ishin tërheqëse, por jo aq mirë të kompozuara sa poezitë. Terapisti i tij vuri re se: “Pikturat janë të mëdha, mjaft shumëngjyrëshe, vizatime shumë primitive të simboleve fallike, simboleve vaginale, fytyrave. Të gërshetuara në të gjitha këto janë të tjera figura si terapisti, babai, nëna, etj. Piktura ka temë përsëritëse në secilën prej pikturave të tij, çdo pikturë është zakonisht një qark i rrethuar nga figura satelitore dhe simbole fallike”.

Më pas, pacientit iu kërkua me mirësjellje që të largohej nga dhoma ndërsa mjekët diskutonin rastin e tij. Dr. Lewis ndau vlerësimin e tij të zymtë. “Pacienti ishte një skizoid i rëndë, i cili mesiguri se një ditë me patjetër do të kalonte në skizofrenik, por ishte afër nivelit gjenial në krijim”. Në atë kohë, psikiatrikët vunë re se skizofrenia shfaqej me ritme më të larta në disa familje, ndoshta nëpërmjet gjeneve ose ndërveprimeve ndërpersonale[4]. Duke pasur parasysh sëmundjen serioze mendore të nënës së tij dhe shfaqjen e simptomave psikotike te Ginsbergu, Dr. Lewis kishte arsye për t’u shqetësuar.

Kur e shohim nga këndvështrimi i sotëm, mënyra se si Dr. Lewis mbrojti parashikimin e tij ngre shqetësime për ashpërsinë e tepruar në diagnozat psikiatrike, e cila prej kohësh ka qenë sfidë e madhe për psikiatrinë. Në një studim të njohur të vitit 1973 të quajtur eksperimenti Rosenhan, tetë njerëz pa ndonjë sëmundje mendore u udhëzuan të thonë se po dëgjonin zëra. Ata u pranuan në institucionet psikiatrike, ku u dhanë diagnoza të sëmundjeve mendore dhe u udhëzuan të merrnin ilaçe antipsikotike.[5] Kur Ginsbergu erdhi në IP, a mos ndoshta ishte diagnostikuar gabimisht?

Parashikimi ogurzi i Lewis-it, i cili ishte një prej psikiatërve më të mirë, në një nga institutet më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, nuk iu kumtua asnjëherë Ginsbergut. Përkundrazi, Ginsbergu u largua nga spitali duke besuar se ai ishte shpallur ‘me mendje të shëndoshë’ dhe se nuk kishte rrezik më të përfundonte si nëna e tij, e cila kishte kaluar pjesën më të madhe të njëzet viteve të fundit herë brenda e herë jashtë spitaleve psikiatrike shtetërore në Nju Xhersi dhe Nju Jork. Për Ginsbergun, ky ishte një lehtësim i jashtëzakonshëm.

Ai u largua prej aty “shumë i kënaqur” me konferencën. Atij i pëlqente të ishte para audiencës dhe «dukej i përmbushur nga reagimi i tyre pozitiv ndaj . . . poezisë dhe pikturave të tij”. Ai e dinte se nuk ishte piktor, por mendonte se poezia po i mbrothej. Gjersa ishte në IP, Ginsbergu shkroi poezi që përshkruanin çmendurinë ose si çlirimtare ose si të dëmshme. Iu deshën edhe shumë vite të tjera jetë e punë me tensionet midis këtyre dy këndvështrimeve mbi çmendurinë – dhe midis premtueshmërisë së poezive të tij të Institutit Psikiatrik dhe fatkeqësisë së parashikuar në formulimin e Dr. Lewis – që Ginsbergu t’i shtrojë hapur këto koncepte në poezinë e tij.

Në vitin 1955, pesë vjet pas lirimit të tij nga IP, Ginsbergu shkroi “Howl” (“Ulërimë”), një poezi që u bë gurthemel brezash për luftën e saj ndaj status quo-së kulturore, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe ndërkombëtarisht. Kjo poezi e katapultoi atë nga anonimiteti relativ në kryelajm. “Howl” është dëshmitare e vetë shpërthimit të tij: “Unë pashë mendjet më të mira të brezit tim të shkatërruara nga çmenduria.”[6] Në “Howl”, Ginsbergu më në fund arriti t’i kthejë versionet e shumta të çmendurisë që hasi përgjatë jetës së tij – atë të nënës së tij, miqve të tij, të shtrimit të tij në spitalin psikiatrik IP dhe të një bote të pasluftës të kthyer përmbys – në një thirrje letrare për armë në mbrojtje të shpirtit njerëzor kundër shtypjes shoqërore. “Howl” bëri bujë brenda natës, u bë fokus i një gjyqi të turpshëm të cilit iu dha shumë publicitet, dhe shumë vite më vonë edhe i një filmi artistik me protagonist James Franco-n. Edhe sot, mbetet një nga poezitë më të lexuara në Shtetet e Bashkuara.

Edhe “Kaddish for Naomi Ginsberg” (Kaddish për Naomi Ginsbergun) (1962), që konsiderohet si poezia më e mirë e Ginsbergut, trajton çmendurinë, megjithëse shumë ndryshe nga “Howl”. Ajo e përmban ritregimin e parë dhe të vetëm të Ginsbergut për shkatërrimin që shkaktoi sëmundja e rëndë mendore e nënës së tij. Ishte aq e dhimbshme për Ginsbergun saqë ai rrallëherë e lexonte atë në publik[7]. Është një nga rrëfimet më të hershme dhe më të fuqishme të shkruara në vetën e parë nga një familjar për skizofreninë, duke përcjellë njerëzoren e Naomit dhe luftën e saj për te gjetur kuptim dhe dinjitet, përkundër sëmundjes së rëndë mendore dhe trajtimeve shkatërruese.

  “Kaddish” dokumentoi jetët e Naomi dhe Allen Ginsbergut, por si poezi këtë e bën me risi të habitshme të ritmit, gjuhës, strukturës dhe imazhit, sidomos sa i përket mënyrës se si e përdorë “vargun e gjatë” të cilin Ginsberg e përshkruan si varg që mbërthen “rrjedhën e pathënë mendore imazh-fjalë”[8]. Sipas studiuesit të letërsisë Tony Triglio, “Kaddish” e rikonceptualizon lutjen tradicionale hebreje dhe ofron një gjuhë të re për profecinë, e cila buron prej luftës heroike të Naomit me çmendurinë dhe e shëlben atë[9].

Kjo poezi është gjithashtu një tour de force e çmendurisë si diagnozë sociale, siç do të shpjegohej më vonë nga teoricienët e antipsikiatrisë si R.D. Laing, i cili qe ndikuar nga “Kaddish” dhe “Howl”[10].

Por përkundër famës dhe namit të kësaj poezie, çmenduria që trajtohet në  “Howl” e “Kaddish for Naomi Ginsberg” dhe në shumë poezi të tjera, mbetet enigmë edhe sot e kësaj dite. Biografët, kritikët letrarë e lexuesit nuk e kuptojnë plotësisht kur supozojnë se çmenduria është një konstrukt kulturor.

Psikiatrët gati se kurrë nuk flasin për çmendurinë dhe kuptimet e saj dhe në vend të kësaj ata diagnostikojnë dhe trajtojnë sëmundjet mendore, siç është skizofrenia, të cilën e konsiderojnë një çrregullim me bazë neurologjike, ngjashëm me sëmundje të tjera mjekësore.

Ata kanë tendencën që diagnozat apo trajtimet e tyre të mos i shohin përbrenda kontekstit kulturor e historik ose të mos i marrin parasysh dimensionet fenomenologjike të përvojave të pacientëve të tyre. Ky libër synon të mbushë këto zbrazëti në të kuptuarit e çmendurisë dhe sëmundjes mendore në raport me poezinë dhe jetën e Allen Ginsbergut. Këtë e bën duke prezantuar dokumente që nuk janë publikuar më parë të cilat sjellin një perspektivë të re mbi përballjet e Allen dhe Naomi Ginsbergut me sëmundje mendore dhe psikiatrinë përgjatë një epoke tashmë të tejkaluar në psikiatrinë amerikane dhe duke i shqyrtuar ato nga një perspektivë multidisiplinare.

Më shumë se pesëdhjetë vite pas botimit të poezive dhe famës botërore, disa pyetje kyçe mbesin ende pa përgjigje. Çfarë është çmenduria që Ginsbergu e përshkruan në poezitë e tij dhe si është e mundur që ajo është herë aq mrekullisht çliruese (Howl) e herë aq tmerrësisht shkatërruese (Kaddish)? Si arriti Ginsbergu të marrë sëmundjen mendore dhe çmendurinë brenda vetes dhe përreth tij dhe t’i kthejë ato në poezi të fuqishme që kanë shërbyer si fitile të shpërthimeve kulturore? Këto pyetje kërkojnë përgjigje nëse duam të kuptojmë arritjet e Ginsbergut si poet dhe prijës subverziv dhe domethënien që ato kanë për ne sot. Sëmundjet mendore dhe çmenduria ende nuk janë eksploruar si duhet në tekstet ekzistuese studimore e biografike rreth Ginsbergut. Këtu përfshihen përvojat e tij të fëmijërisë pranë një nëne me sëmundje të rëndë mendore, përjetimi i vizioneve në moshën njëzetedy vjeçare dhe shtrirja në spital psikiatrik në moshën njëzetetre vjeçare, për çka dihet pak. Këto boshllëqe janë të habitshme sepse Ginsbergu, i cili zhvishte rrobat në publik gjatë leximeve të poezive, shpesh na kishte bërë të mendojmë se dimë gjithçka që mund të dihet rreth tij. Ai jepte përshtypjen se nuk mbante asnjë sekret dhe se poezitë e tij e përshkruanin saktë jetën e tij. 

Në vitin 1986, si student i mjekësisë në Universitetin e Kolumbias kur po përgatitesha për të hyrë në provimin e psikiatrisë, unë kisha një kureshtje të veçantë për pikëpamjet letrare mbi çmendurinë. E lexoja John Barryman-in, Sylvia Plath-in, William Blake-un, Ezra Pound-in, Robert Lowell-in, Antonin Artaud-në, Michael Foucault-në dhe shumë të tjerë. Në atë periudhë po rilexoja William Burroughs-in e Allen Ginsberg-un. Më vlonin në mendje pyetjet që kisha andaj mblodha guximin t’i shkruaja Ginsbergut, njërit prej heronjve të mi, dhe e pyeta se si i rehatonte pikëpamjet e ndryshme mbi çmendurinë në artin dhe jetën e tij. Për habinë dhe kënaqësinë time, Ginsbergu më thirri në telefon dhe më kërkoi të takoheshim të nesërmen. Ai më lejoi ta intervistoja dhe më ofroi qasje në arkivat dhe regjistrat e tij psikiatrikë dhe ato të nënës së tij, të cilat nuk i kishte parë askush jashtë spitalit psikiatrik. Gjatë takimeve të shumta përgjatë viteve që pasuan, Allen-i, siç më kërkoi ta quaja, më mentoroi dhe më inkurajoi ta ndiqja gjurmimin tim, duke e bërë kështu të mundshëm këtë libër. Në përputhje me kërkesën e tij dhe për të qenë konsistent me raportin që e mundësoi këtë libër, do t’i referohem kryesisht si Allen. Mendjet më të ndritura tregon se si poetika e Allenit përfshinte një rikrijim tërë-jetësor imagjinativ e plot shpresë të përvojave të shumta e të lloj-llojshme të sëmundjeve mendore dhe çmendurisë.

Ai u qasej të dyjave me një empati, inovacione gjuhësore dhe një ngulm të jashtëzakonshëm për t’u lidhur me kuptime dhe përvoja më të gjera të të qenit njeri. Në duart e Allenit, si poet dhe prijës subverziv , edhepse çmenduria është gjithmonë e lidhur me vështirësi e vuajtje, mbetet gjithmonë shpresa që këto përvoja mund të vihen në shërbim dhe të shpiejnë drejt ndryshimeve shëlbyese estetike, shpirtërore e shoqërore. Ai ishte i përkushtuar për të prirë të tjerët drejt mënyrave të reja të të qenit njeri dhe për të zbutur dhimbjen përmes poezisë dhe avokimit të tij revolucionar. Përballja me sëmundjet mendore dhe çmendurinë ishte një komponentë kyçe e këtij projekti. Çmenduria nuk është vetëm një gjendje individuale por edhe shoqërore, prandaj kërkon veprim në disa nivele. Poezitë e Allenit dhe intervenimet e tjera që lidhen me sëmundjen mendore kanë qenë frymëzim për teoricienët e antipsikiatrisë, për ofruesit e shërbimeve të shëndetit mendor dhe për artistët e tjerë të cilët shtrojnë pyetje të ngjashme sot kur duket se çmenduria po shpërthen gjithandej. Ai ishte edhe njeri dhe bashkë me këto arritje të Allenit vijnë edhe disa mangësi të rëndësishme të cilat lënë pasoja, që do t’i diskutoj gjithashtu.

Ky libër prezanton anë të tjera të Allen Ginsbergut, për ata që ndjejnë se tashmë e njohin por duan të dinë më shumë ama edhe për ata që njohin vetëm poezitë e tij më të famshme. Libri gjithashtu përfshin rrëfimin personal të periudhës kur njoha Allenin si student i ri, për qasjen që ai më ofroi te regjistrat psikiatrikë të tij dhe të nënës së tij dhe për ato që ai më mësoi.

Prej këtyre del në pah një pamje të re e Allen Ginsbergut bashkë me lexime të reja të disa prej veprave të tij më të famshme. Është një udhëtim nëpër botët e sëmundjeve mendore, çmendurisë, trajtimit psikiatrik dhe poezisë, prirë nga Allen dhe Naomi. Nuk pretendon të jetë një studim gjithpërfshirës e as të mbulojë tërë jetën e tij apo të gjitha poezitë e tij më të famshme.

Poezia e Allenit shprehë një përkushtim për çlirimin personal, seksual, social dhe politik si përgjigje përballë kërcënimeve ndaj lirisë që ishin prezente në botë në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Ajo që Allen është përpjekur të bëjë përmes shkrimeve dhe aktivizmit të tij frymëzon edhe sot e kësaj dite, dhe ky libër tregon ato që kanë dalë – në aspektin kulturor, intelektual, terapeutik dhe politik – prej qasjes poetike, pragmatike dhe shpresëdhënëse të Allenit ndaj çmendurisë – dhe sa shumë na mbetet për të mësuar. 

Si rast studimor i një prej artistëve më të famshëm të mesit të shekullit të njëzetë që është përqendruar te çmenduria, ky libër eksploron marrëdhëniet komplekse mes sëmundjes mendore, psikiatrisë, traumës, poezisë dhe profecisë. Ai ofron gjithashtu edhe një njohuri historike mbi paternalizmin, dështimet në trajtim, lëshimet etike dhe kufizimet e psikiatrisë amerikane të viteve të 40-ta dhe të 50-ta të shekullit të njëzetë.

Në këtë libër unë sjell përvojën dhe ekspertizën time si profesionist i shëndetit mendor, hulumtues i psikiatrisë dhe studiues kulturor. Do të prezantoj teori dhe dije empirike prej fushave të ndryshme duke përfshirë psikiatrinë, historinë traumatologjinë dhe studimet kulturore e letrare. Psikiatrët që punojnë me pacientë ndonjëherë ofrojnë interpretime si shpjegime provizore për sjelljen, motivimet ose përvojat për të cilat nuk ka dëshmi të plota. Edhepse Alleni nuk ka qenë kurrë pacienti im, me raste unë do të ofroj interpretime të bazuara në bisedat dhe përvojat e mia të drejtpërdrejta me Allenin dhe analizën që i kam bërë ditareve, letërkëmbimeve, intervistave dhe poezive të tij, dhe do t’i njoftoj lexuesit për këtë gjë.

Sikur edhe artistë dhe mendimtarë të tjerë të famshëm para tij, veçanërisht William Blake dhe Arthur Rimbaud, Alleni ka marrë frymëzim, ide dhe teknika prej përballjeve të tij me sëmundjet mendore dhe trajtimin psikiatrik. Që nga fëmijëria e tij, Allen ka qenë i ekspozuar ndaj sëmundjes së rëndë mendore të nënës së tij dhe trajtimit psikiatrik joadekuat që i është dhënë asaj, dhe si i ri ai është përballur edhe me problemet e veta të shëndetit mendor dhe trajtimin psikiatrik e psikoterapeutik. 

Duke nxjerrë prej këtyre përvojave jetësore, poezia e Allenit i dha jetë, eksploroi dhe shtjelloi një çmenduri që për të ishte shumë më shumë se sa thjeshtë një sëmundje mendore:

Ajo ishte një forcë jetësore çrregulluese dhe potencialisht edhe shëlbyese. Çmenduria përmblidhte brenda vetes shumë përvoja, duke përfshirë vështirësi, vuajtje, devijime, marrëzi, ekstazë, vizione, frymëzim, çlirim e më shumë.  Përmes poezisë dhe udhëheqësisë së tij subverzive , Alleni e ofroi veten si një dëshmitar të denjë të fuqisë çliruese por edhe dëmtuese të çmendurisë. Ai u bë edhe një avokues i fuqishëm për një transformim të vetëdijes, kulturës dhe shoqërisë që do të mund të sillte ndryshime të ngjashme me aspektet shëlbyese të çmendurisë dhe të ushqente një esencë të çmuar të të qenit njeri, atë që në “Fusnotë për Howl” ai e quan “mirësia inteligjente mbinatyrore tej-rrezatuese e shpirtit”[11].

Tregimi fillon në kapitullin e parë me vdekjen e Naomit në Spitalin Shtetëror Pilgrim dhe pamundësinë e Allenit për të marrë pjesë në varrimin e saj, çka më vonë e shtyri atë të shkruajë “Kaddish”-in i cili i ishte mohuar asaj. Në kapitullin e dytë unë kontaktoj Allenin për të mësuar më shumë rreth përvojave të tij me çmendurinë dhe kështu zbuloj një ngjarje traumatuike të cilën ai nuk e kishte diskutuar hapur më parë. Kapitulli i tretë rrëfen historinë e sëmundjes së rëndë mendore të Naomit dhe përfshirjen e ndërlikuar të Allenit në përkujdesjen e saj dhe inkuadrimin e tij të mëvonshëm në bandën Nëntokësore në Nju Jork që kish krijuar një “vizion të ri” për shoqërinë.  Kapitulli i katërt rindërton një narrativë të detajuar kronologjike të vizioneve Blake-iane që kish përjetuar Alleni në vitin 1848 dhe përpjekjet e tij për t’i përdorur ato në shkrimin e poezisë vizionare. Kapitulli i pestë trajton qëndrimin dhjetë-mujor të Allenit në Institutin Psikiatrik të Shtetit të Nju Jorkut dhe ndikimin e shumëanshëm të kësaj përvoje në jetën dhe poezinë e tij. Në kapitullin e gjashtë, mësojmë për ndryshimet jetësore dhe punës letrare të Allenit përgjatë pesë viteve të ardhshme të cilat sollën te shpërthimi i tij në skenë përmes poezisë “Howl”. Kapitulli i shtatë shqyrton poezinë e tij “Kaddish” dhe përvojat jetësore e kuptimet sociale mbrapa kësaj elegjie të fuqishme për Naomin dhe reflektimet mbi çmendurinë e saj. Kapitulli i tetë eksploron se si pasi që e zuri vendin e vet si poet, Alleni nuk lejoi të definohej prej çmendurisë por vazhdoi të frymëzohet prej mësimeve të nxjerra dhe i zbatoi ato në mënyra novatore në aktivitete të reja publike. Kapitulli i nëntë trajton poezitë e mëvonshme të Allenit “White shroud” (Qefini i bardhë) dhe “Black shroud” (Qefini i zi) që i rikthehen “Kaddish”-it dhe flet për përkushtimin jetësor të Allenit në mbështetje të personave me sëmundje mendore. Epilogu reflekton mbi rëndësinë që ka edhe sot e kësaj dite përfshirja e Allenit me sëmundjet mendore, çmendurinë dhe psikiatrinë dhe gjithashtu diskuton disa prej të metave të Allenit të cilat u bënë kontraversale në publik kur ai ishte në të gjashtëdhjetat.

Një jete dhe një arti që i sillet përreth çmendurisë nuk mund t’i qasesh dot duke ofruar thjeshtë shpjegime; ajo që duhet të bëjmë është të hyjmë në misterin e poezisë që del prej përvojave jetësore me sëmundje mendore, trajtime psikiatrike, trauma, konflikte familjare, spiritualitet dhe sfida sociale. Qëllimi i këtij libri është që t’ju shpiejë atje dhe të zbulojmë një vend ku poezia dhe kapërcimet artistike vijnë prej brishtësisë, rrezikimit, luftës dhe qëndresës.

Për Krishtin, nuk e di se si e mora këtë sëmundje. Të përket ty ta kuptosh.

Nëna që të do, Naomi

Për Allen Ginsbergrun nga e ëma e tij Naomi, e shkruar në Ndërtesën 12 të Spitalit Shtetëror Pilgrim, Nju Jork, 1947


[1] Instituti Psikiatrik i Shtetit të Nju Jorkut, dosja mjekësore e Allen Ginsbergut, 1949–1950.

Të gjitha citimet e mëvonshme nga kjo kartelë mjekësore janë shënuar në tekst.

[2] Allen Ginsberg, Përmbledhje poezish, 1947–1997 (Nju Jork: HarperCollins, 2006), 48

[3] Peyote është një kaktus i vogël, pa trung, që përmban alkaloide psikoaktive, drogë psikodelike. (shënim i përkthyeses)

[4] Assen Jablensky, “Koncepti diagnostik i skizofrenisë: Historia e saj, Evolucioni, dhe Perspektivat e Ardhshme”, Dialogje në Neuroshkencën Klinike 12, nr. 3 (2010): 271–87.

[5] D. L. Rosenhan, “Rreth të qenit të shëndoshë në vende të çmendura,” Science 179, nr. 4070 (1973): 250–58.

[6] Ginsberg, Përmbledhje poezish, 134

[7] Jerry Aronson, regj., Jeta dhe kohërat e Allen Ginsbergut, 1994.

[8] Richard Eberhart, Allen Ginsberg dhe Jerome Kaplan, Nga Ginsbergu për Eberhartin: “Një Letër rreth “Howl”, 1956: Një shpjegim i Allen Ginsbergut rreth botimit të tij “Howl” dhe artikullit të Richard Eberhart për New York Times “Ritmet e Bregut Perëndimor”, bashkë me komentet prej dy poetëve dhe gravura relievi nga Jerome Kaplan (Lincoln, MA: Penmaen, 1976).

[9] Tony Triglio, Poetika Budiste e Allen Ginsbergut (Springfield: Shtypshkronja e Universitetit të Illinois-it, 2007).

[10] Instituti i Arteve Bashkëkohore, Allen Ginsberg dhe R. D. Laing, Allen Ginsberg me R. D. Laing (Londër: ICA Video; Northbrook, IL: Koleksioni Roland, 1986).

[11] Ginsberg, Përmbledhje poezish, 142.

FILLO BASHKËPUNIM ME BRITMI

Regjistrohu. Ne do të ju kontaktojmë!

Duke u regjistruar, ju konfirmoni se keni lexuar kushtet e përdorimit. Për më tepër lexoni rregullat tona të privatësisë.

Ky botim përkrahet nga European Endowment for Democracy (EED). Përmbajtja e tij nuk pasqyron domosdoshmërish opinionin zyrtar të EED. Përgjegjësia për informacionin dhe pikëpamjet e shprehura në këtë publikim i takon tërësisht autorit(ve). This publication has been produced with the support of the European Endowment for Democracy (EED). Its contents do not necessarily reflect the official opinion of EED. Responsibility for the information and views expressed in this publication lies entirely with the author(s).

Autor: Stevan M. Weine

Përkthimi: Përktheu nga anglishtja Florie Xhemajli dhe Rrezarta Isma

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

1 Shkurt, 2024
Postime të ngjashme
Pesë ligjërata mbi teprinë: TEPRIA (I)
Asgjë nuk i bën njerëzit më të tepërt sesa kur flasin rreth teprimit. Shpesh ose jemi tepër kundërshtues, ose entuziazmohemi e ndizemi për së tepërmi kur dëgjojmë, për shembull, ndonjë lajm për orgjitë e fundit
Pesë ligjërata mbi teprinë: seksualiteti mes teprimit dhe vetnjohjes (III)
Kallja dhe Moskallja Pas Seksit Një ndër misteret që ngjallë kureshtje të veçantë gjatë zhvillimit të njeriut është ai që ka të bëjë me faktin se, si ndodh që kalojmë nga qenie të etura për
Ta duash një burrë
Ta duash një burrë është sikur ta sfidosh një stuhi Rrallë vjen e hijshme, burri edhe më rrallë i hijshëm Ke frikë prej tij, si prej saj. Stuhisë Pret t`i hapet e çara e zemrës
Letërsia dhe Çmenduria
Nuk ka shoqëri pa çmenduri. Jo se çmenduria është e pashmangshme apo domosdoshmëri e natyrës, porse ndarja gjendet në të gjitha kulturat. Me këtë dua të them se një kulturë dallohet jo thjesht në raport
Taibi
Me të nisur vendosjen në Soliterin e Kuq, në Prijedor, në pranverën e hershme të vitit 1975 një grumbull i madh fëmijësh ulërinin në livadhin midis dy soliterësh, dy ndërtesa minatorësh. Bënin njeriun prej bore