Halil Matoshi
Ikona e gjithkohshme e pafajësisë Xhevdet Bajraj “Djali ishte gjashte vjeҁ, vajza tetë dhe qanin”.
Poezinë e Bajrajt “Djali ishte gjashte vjeҁ, vajza tetë dhe qanin” e shquen fryma e revoltës së heshtun, e cila përmes verbit poetik arrinë “me e fsheh” dhunën e zhveshun -prej spotit – mëton ndreqjen e botës përmes artit (kemi artin për mos me dekë nga e vërteta, Nietzche).
Poeti ironizon me prodhuesit e shamisë së zezë të pushkatimit, pra vetë idenë e mbylljes së syve dhe, me të mbyllur sytë (mos me pa, vështrue krimin) hapet ni dritare e vagullt ose ni portë e fsheht, ajo e fëmijërisë nëpër të cilën personazhi fluturon larg në të kaluemën, në gjithkohësi dhe dyzash rri këtu, në ngjarje – në spot. Ni fëmijë që i hedhet babës përmbi, me e mbrojtun me forcën e brishtë të pafajësisë nga dhuna, âsht piknisht ikonë poetike e Bajrajt.
Paul Riceur tu e folë për ikonën dhe fotografinë thotë se lidhja mes “fjalëve” dhe “të shohësh sikur…” âsht psikolinguistike. Çasti i ndjeshmërisë së metaforës tek Aristoteli paraqitjes si karakteri i gjallë i metaforës si fuqi e saj “që ta qet para syve”. Riceur thotë se bash sikur ikona në kultin bizantin, ikona verbale përbâhet nga shkrimja e kuptimit dhe ndjeshmërisë. Akti i leximit vërteton se kuptimësia e gjuhës poetike nuk âsht shkrimje e kuptimit dhe zânit, porse shkrijme e kuptimësisë në një mori fotografish të evokueme ose të nxituna dhe mu kjo shkrimje krijon “kuptimësinë ikonike”. Marcus B. Hester, sipas Riceur, me fotografi nënkupton përshtypjen e ndjeshmënisë të evokueme në kujtime.
Kjo poezi âsht e nji ndjeshmënie të naltë dhe qëndron e pezullt në murin e historisë si një ikonë e paprekun nga flakët, në Kishën e djegun.
DJALI KISHTE GJASHTË VJET
VAJZA TETË DHE QANIN
E nxorën nga automobili me dhunë
Njëri mbante automatikun si bishën që vështirë ndalet
Të tjerët e goditnin me shkopinj gome kërbaç djalli
Gruaja mori fëmijët në prehër dhe qante
Djali i kishte gjashtë vjet vajza tetë
Dhe klithnin deri në kupë të qiellit
Askund zot për ta askund mëshirë
Fëmijët herë vështronin babanë herë nënën
Atëherë djali hapi portën dhe vrapoi
Nëpër fëmijërinë e tij të vrarë ra mbi babanë
Shkopinjtë e zinj mbetën në ajër si degë të shtrira të vdekjes
Kalimtarët e rastit zunë të afrohen ngadalë
Policët pështynë dhe ikën duke sharë në gjuhën e tyrë
Djali i kishte gjashtë vjet vajza tetë
Nëna e tyre njëzetetetë dhe të gjithë qanin.
Xhevdet Bajraj