Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Humbja

Koha për bashkësitë politike që kanë kaluar nëpër luftë është vet qenia e tyre, çdo gjë merr kuptim vetëm përmes saj. T’ua mohosh historinë këtyre grupeve dhe bashkësive, është t’ua mohosh vet qenien e tyre, është t’ua pamundësosh çdo përpjekje për kuptim përbrenda kohës së tyre. Në këtë mohim zhbëhen historitë e grupeve, historitë familjare e personale, zhbëhet vuajtja, përjetimi, kujtesa, dhimbja, zhbëhet ajo që në një kohë dhe hapësirë e ka formësuar një bashkësi politike përtej çdo pike kthimi prapa. Zabel Essayan thotë se ajo që i përjashton njerëzit nuk është humbja që përjetojnë, por mohimi i zisë për humbjen. Zhbërja e historisë është veprim politik që depolitizon dhe izolon, ku humbja e zija për humbjen shndërrohet në çështje intime të subjekteve, secilit veç e veç e përvete, duke zhbërë kështu karakterin social e politik të zisë.

Si mund të flitet për paqen mbi mohimin e qenies së grupeve politike? Apo ndoshta nuk duhet të flasim fare për paqe? Të mos flasësh për paqe nuk do të thotë të flasësh për luftë, por domethënë të hapësh mundësi për kuptime të reja, për interpretime të reja, për krijimin e hapësirave për politikë tjetër nga ajo sunduese, për bashkëjetesë që nxjerr në pah kohën si të përbashkëtën tonë, koha si dhimbje dhe si potencial, ku historia nuk kuptohet si e kaluara që nuk kthehet më, por si frymë e së tashmes nga e cila projektohet e ardhmja dhe veprimi politik.

Ky numër shkrimesh i kushtohet humbjes dhe zisë, jo si vajtim pambarim dhe i pashpresë, por si agjenci dhe potencial politik për të ardhmen. A mundet dhimbja të përmbajë potencial për të qenë produktive? Dhimbja është gjithmonë produktive, ajo gjatë tërë kohës prodhon gjendje, efekte, rezultate, pasoja. Vet dhimbja është gjendje e caktuar, pasojë e veprimeve mbi trupa. Por dhimbja nuk mund të jetë gjendje e përhershme, ajo gjithmonë kërkon të çlirohet, të shpërthejë, të gjejë rrugët e saj. Mënyrat sesi i gjen ajo rrugët e saj janë të shumta dhe ato shndërrohen në produktive kur ka afirmim të jetës përbrenda humbjes, kur dhimbja shndërrohet në vrullin tonë për jetë, në dëshirim për jetë, për ta mbrojtur e rritur jetën si e brishtë dhe e kushtëzuar nga varësia ndaj njëri-tjetrit.

Shkrimet që Britmi i boton sot lëvizin mes personales e publikes, mes privates e kolektives, por të gjitha puqen në një pikë: çfarë të bëhet me dhimbjen dhe si ta orientojmë atë drejt angazhimit politik e social? Siç pyetet në esenë “Shpirt mortal, shpirt moral”: “Çfarë do të thotë kur përvoja më private, më e thellë, kataklizmi që i jep formë jetës, është gjithashtu përvoja më intime e mijëra të tjerëve – beteja, rrethime, geto, kampe refugjatësh?” Qofshin personale e private apo publike e kolektive, këto shkrime mund të përmblidhen nën titullin e përbashkët të “Humbjes” e cila është eseja e parë që botojmë sot, ese që e shtjellon teorikisht e filozofikisht potencialin e melankolisë së humbjes për t’u shndërruar në projekt politik afirmativ. 

Ky është kontributi ynë modest në “ballafaqimin me të kaluarën,” që në shqip e ka kuptimin e plotë dhe të duhur të konfrontimit e jo të shmangies apo të mbajtjes së saj atje në kohën e shkuar, ashtu siç e përçon togfjalëshi origjinal në anglisht “trajtim i të kaluarës.” Ne nuk duam ta trajtojmë të kaluarën por duam ta sjellim atë në të tashmen, jo për ta tejkaluar e as për të shikuar vetëm “kah e ardhmja”, por siç interpretohet këtu Walter Benjamini, për të vendosur një marrëdhënie aktive dhe të hapur me historinë, për të nxitur tension aktiv midis të shkuarës dhe të tashmes, midis të vdekurve dhe të gjallëve.