Silvia Federici
Ata e quajnë dashuri. Ne e quajmë punë të papaguar.
Ata e quajnë frigjiditet. Ne e quajmë abstenim pa shkas.
Çdo abort është aksident pune.
Edhe homoseksualiteti edhe heteroseksualiteti janë kushte pune… por homoseksualiteti është kontrolli i prodhimit nga punëtori, jo fundi i punës.
Më shumë buzëqeshje? Më shumë para. Asgjë nuk do të jetë aq e fuqishme sa shkatërrimi i virtyteve qetësuese të buzëqeshjes.
Neurozat, vetëvrasjet, deseksuzalizimi: sëmundje profesionale të amvisës.
Shpesh vështirësitë dhe paqartësitë që gratë i shprehin kur flasin për pagat për punët e shtëpisë vijnë nga fakti se i reduktojnë këto paga në gjësend, në grumbull parash, në vend se ta shohin nga perspektiva politike. Dallimi mes këtyre dy qëndrimeve është i jashtëzakonshëm. Duke i parë pagat për punët e shtëpisë si gjësend në vend se si perspektivë, ne e shkëpusim rezultatin e përpjekjes sonë nga vetë kjo përpjekje, dhe e zbehim rëndësinë që ka për çmitizimin dhe përmbysjen e rolit që u është caktuar grave nga shoqëria kapitaliste. Kur i shohim pagat për punët e shtëpisë në këtë mënyrë reduktive, ne fillojmë të pyesim veten: Çfarë ndryshimi mund të sjellë në jetën tonë një shumë më e madhe e parave? Ne edhe mund të pajtohemi se kjo pagë do të përbënte ndryshim të madh për shumë gra të cilat nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të jenë amvise. Por për ato prej nesh të cilat kanë më shumë opsione – punë profesionale, një bashkëshort të ndritur, komunitet, relacione homoseksuale ose një kombinim të këtyre – nuk është se do të përbënte ndonjë ndryshim të madh.
Për ne duket se ka mënyra tjera drejt arritjes së pavarësisë ekonomike, dhe gjëja e fundit që duam është ta arrijmë këtë pavarësi duke u identifikuar si amvise, një fat me të cilin të gjithë mund të pajtohemi se është, si të thuash, më i zi se vetë vdekja. Problemi me këtë qëndrim është se ne mendojmë se kjo gjë vetëm do të na shtojë ca para në jetët tona të cilat veçse janë mut dhe pyesim çfarë pastaj? Ne bazohemi në premisën e gabuar dhe harrojmë se lufta për këtë pagë do t’i revolucionarizonte të gjitha marrëdhëniet tona familjare dhe shoqërore. Por nëse i shohim pagat për punët e shtëpisë nga perspektiva politike, e shohim se lufta për këtë pagë do ta prodhonte një revolucion në jetët tona dhe në fuqinë tonë shoqërore si gra. Është po ashtu e qartë se nëse mendojmë se nuk na duhen këto para, është sepse i kemi pranuar disa forma të prostitucionit ndaj trupit dhe mendjes sonë nga të cilat i fitojmë paratë për ta fshehur këtë nevojë. Siç do të përpiqem të tregoj, jo vetëm që paga për punët e shtëpisë është perspektivë revolucionare por po ashtu është e vetmja perspektivë revolucionare nga këndvështrimi feminist, dhe që përfshin të gjithë klasën punëtore.
Një punë dashurie
Është me rëndësi ta kuptojmë se kur flasim për punët e shtëpisë nuk po flasim për një punë si punët e tjera, por po flasim për një nga manipulimet më të përhapura, një nga format më të fshehta dhe të mistifikuara të dhunës që i bëhet klasës punëtore nga kapitalizmi. E vërtetë, në kapitalizëm çdo punëtor manipulohet dhe shfrytëzohet, dhe relacionet e tij/saj ndaj kapitalit janë krejtësisht të mistifikuara. Paga jep përshtypjen e një marrëveshjeje të drejtë: ti punon dhe paguhesh, prandaj ti dhe shefi yt jeni të barabartë; përderisa në realitet paga në vend se të të paguajë për punën që bën, e fsheh të gjithë punën e papaguar që shkon në fitim. Por paga të paktën ta jep statusin e punëtorit, dhe mundeni të negocioni dhe të luftoni për kushtet dhe sasinë e rrogës si dhe të punës. Të kesh pagë do të thotë të jesh pjesë e një kontrate sociale, dhe nuk ka dyshime sa i përket kuptimit të kësaj kontrate: ti punon, jo sepse të pëlqen, ose pse të vjen natyrshëm, por sepse është i vetmi kusht që ta mundëson të jetosh. Por sado të shfrytëzuar të jeni, ju nuk jeni puna juaj. Sot jeni postier, nesër taksist. E vetmja gjë që ka rëndësi është, sa duhet të punosh dhe sa para mund të marrësh. Por në rastin e punëve të shtëpisë situata qëndron cilësisht më ndryshe.
Dallimi qëndron në faktin se jo vetëm që punët e shtëpisë u janë imponuar grave por janë kthyer edhe në atribute natyrale të fizikës dhe personalitetit tonë femëror, një nevojë e brendshme, aspiratë, e cila gjoja vjen nga brendësia jonë femërore. Puna e shtëpisë duhej të shndërrohej në një atribut natyror në vend që të njihej si kontratë shoqërore sepse që nga fillimi i skemës (planit?) së kapitalit për gratë kjo punë ishte e destinuar të ishte pa pagesë. Kapitalit iu desh të na bindte se kjo punë është e natyrshme, e pashmangshme dhe madje edhe përmbushëse në mënyrë që të na e imponojë si punë të papaguar. Në anën tjetër, puna e papaguar ka shërbyer si mjet i fuqishëm për përforcimin e idesë se puna e shtëpisë nuk është punë, duke i parandaluar gratë në këtë mënyrë që të reagojnë kundër kësaj, përveçse në kuzhinën e privatizuar – ose në përleshjet në dhomën e gjumit të cilën të gjithë e përqeshim, duke e reduktuar kështu edhe më shume protagonistin e kësaj lufte. Ne shihemi si kurva të bezdisshme, jo si punëtore që luftojnë për të drejtat e tyre.
Megjithatë, sa është e natyrshme të jesh amvise tregohet nga fakti që duhen të paktën njëzet vjet socializim – trajnim i përditshëm, i ushtruar nga një nënë e papaguar për të përgatitur një grua për këtë rol, për ta bindur atë se fëmijët dhe burri janë më të mirat që ajo mund të presë nga jeta. Prapë se prapë, rrallë ka sukses. Pavarësisht sa jemi të trajnuara mirë, të pakta janë ato gra që nuk ndjehen të mashtruara kur përfundon dita e nusërisë dhe e gjejnë veten para një lavamani të ndyrë. Shumë prej nesh ende jetojnë me iluzionin se po martohemi për dashuri. Shumë prej nesh jemi të vetëdijshme që po martohemi për para dhe siguri; por ka ardhë koha ta bëjmë të qartë se përderisa dashuria dhe paratë janë të pakta, puna që na pret është e madhe. Prandaj gjithmonë gratë në moshë na thonë ‘Shijoje lirinë tënde sa mundesh, blej çka të duash tani…’ Por fatkeqësisht është gati e pamundshme ta shijosh lirinë kur që nga fillimi i jetës tënde trajnohesh të jesh e bindur, e nënshtruar, e varur dhe, më e rëndësishmja, ta sakrifikosh veten e madje edhe të gjesh kënaqësi në atë punë. Nëse nuk të pëlqen, është problemi yt, dështimi yt, faji yt, abnormaliteti yt.
Duhet ta pranojmë se kapitali ka qenë shumë i suksesshëm në fshehjen e punës sonë. Ka krijuar një kryevepër të vërtetë në kurriz të grave. Duke e mohuar pagën për punët e shtëpisë dhe duke e transformuar në akt të dashurisë, kapitali i ka vrarë disa zogj me një gur. Pikësëpari, ka arritur të marrë shumë punë pa pagesë, dhe është siguruar se gratë, në vend së të protestojnë kundër, do ta kërkonin vetë atë punë si gjënë më të mirë në jetë (fjalët magjike: ‘Po e dashur, ti je një grua e vërtetë’). Në të njëjtën kohë ka disiplinuar punëtorin mashkull, duke e bërë gruan e ‘tij’ të varur ndaj punës dhe pagës së tij, dhe e ka futur atë në grackë të këtij disiplinimi duke i dhënë atij një shërbëtore pasi ai vetë ka punuar aq shumë duke shërbyer në fabrikë ose zyrë. Në fakt roli ynë si gra është të jemi shërbëtoret e papaguara por të lumtura, dhe më së shumti të dashura, të ‘klasës punëtore’, domethënë ajo shtresë e proletariatit të cilit kapitali ishte i detyruar t’i jepte më shumë pushtet social. Në të njëjtën mënyrë si zoti që krijoi Evën për t’i dhënë kënaqësi Adamit, në po atë mënyrë kapitali krijoi amvisen për t’i shërbyer punëtorit mashkull fizikisht, emocionalisht dhe seksualisht – t’i rrisë fëmijët e tij, t’i ndreq çorapet e tij, ta shërojë egon e tij kur i shkatërrohet nga puna dhe relacionet shoqërore të cilat kapitali i ka rezervuar për të (të cilat janë relacione të vetmisë).
Është pikërisht ky kombinim i shërbimeve fizike, emocionale dhe seksuale që përfshihen në rolin që gratë kryejnë për kapitalin që krijon karakterin specifik të shërbëtores që është amvisja, shërbim që e bën punën e saj aq të rëndë por në të njëjtën kohë të padukshme. Nuk është rastësi që shumë burra fillojnë të mendojnë për martesë në momentin e parë që gjejnë punë. Kjo nuk është vetëm pse tani mund ta përballojnë ekonomikisht, por sepse e vetmja mënyrë për t’u mos u çmendur pas një dite të gjatë në linja montimi [assembly line] ose në tavolinë është të kesh dikë në shtëpi që kujdeset për ty. Çdo grua e di se kjo është ajo se çfarë duhet të bëjë nëse dëshiron të jetë grua e vërtetë dhe të ketë një martesë të ‘suksesshme’.
Edhe në këtë rast, sa më e varfër familja aq më i madh skllavërimi i gruas, dhe jo vetëm për shkaqe ekonomike. Në fakt kapitali ka një politikë të dyfishtë, një për klasën e mesme dhe një për familjen proletare. Nuk është rastësi që në familjen e klasës punëtore e gjejmë maçoizmin më të pasofistikuar: sa më shumë goditje që merr burri në punë aq më shume gruaja e tij duhet të trajohet t’i përvetësojë ato, aq më shumë ai lejohet ta rikuperojë egon e tij në kurriz të saj. E rrah gruan tënde dhe e shfryen tërbimin kundër saj kur je i frustruar ose i stërlodhur nga puna ose kur ke humbur një betejë (të shkosh në fabrikë është humbje në vetvete). Sa më shumë që burri shërben dhe nënshtrohet, aq më shumë ai nënshtron të tjerët … gruaja e tij duhet të mësojë të pres në qetësi kur ai nuk është në disponim, ta bëjë të ndjehet mirë kur ai është thyer dhe shan botën, të kthehet në anën tjetër të shtratit kur ai thotë ‘jam shumë i lodhur sonte’, ose kur ngutet aq shumë duke bërë dashuri saqë, siç thoshte një grua, më mirë ta bënte me një kavanoz majoneze. (Gratë në anën tjetër gjithmonë kanë gjetur mënyra sesi të luftojnë, të kthehen kundër, por gjithmonë në një mënyrë të izoluar dhe të privatizuar. Problemi, pra, qëndron në faktin sesi ta nxjerrim këtë luftë nga kuzhina dhe dhoma e gjumit në rrugë).
Ky mashtrim që fshihet pas emrit dashuri dhe martesë na prek të gjithëve, edhe nëse nuk jemi të martuar, sepse sapo punët e shtëpisë u natyralizuan dhe u seksualizuan plotësisht, duke u bërë atribut femëror, të gjitha ne si femra karakterizohemi prej tyre. Nëse është natyrale t’i bëjmë ca gjëra, atëherë të gjitha gratë pritet t’i bëjnë ato dhe madje t’ju pëlqejë – përfshirë ato gra që, për shkak të pozitës sociale, mund t’i ikin pak kësaj pune ose shumicës së saj (burrat e tyre mund të punësojnë shërbëtore ose psikologe dhe forma të tjera të relaksimit dhe argëtimit). Ne ndoshta nuk i shërbejmë ndonjë burri specifik, por të gjitha jemi në relacion shërbyes sa i përket të gjithë botës mashkullore. Kjo është arsyeja pse të quhesh femër është aq poshtëruese, aq degraduese. (‘Buzëqesh zemër, çfarë problemi ke?’ është pyetje që çdo burrë ndjehet se ka të drejtën t’ju pyes, qoftë ai burri juaj, njeriu që kontrollon biletën tuaj në tren, apo shefi juaj në punë.)
Perspektiva revolucionare
Nëse nisemi nga kjo analizë mund të shohim implikimet revolucionare të kërkesës për paga për punët e shtëpisë. Me këtë kërkesë përfundon natyra jonë dhe fillon lufta jonë, sepse me vetë faktin që kërkojmë paga për punët e shtëpisë e hedhim poshtë besimin se kjo punë është pjesë e natyrës tonë, dhe kështu refuzojmë pikërisht rolin femëror që kapitali ka caktuar për ne. Duke kërkuar paga për punët e shtëpisë në vetvete do t’i minojë pritshmëritë që shoqëria ka për ne, pasi këto pritshmëri – thelbi i socializimit tonë – janë të gjitha funksionale për gjendjen tonë pa pagë në shtëpi. Në këtë kuptim, është absurde të krahasohet lufta e grave për paga me luftën e punëtorëve meshkuj në fabrikë për më shumë paga. Punëtori me pagë duke luftuar për më shumë pagë e sfidon rolin e tij shoqëror por mbetet brenda tij. Kur ne luftojmë për paga ne luftojmë në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë kundër rolit tonë shoqëror. Në të njëjtën mënyrë kanë dallim përpjekjet e punëtorit dhe përpjekjet e skllavit për pagë kundër skllavërisë. Duhet të jetë e qartë, ama, se kur kërkojmë pagë nuk jemi duke protestuar që të mos hyjmë në relacione kapitaliste, sepse asnjëherë nuk kemi qenë jashtë tyre. Ne luftojmë ta thyejmë planin e kapitalit për gratë, i cili është moment thelbësor për ndarjet mes klasave, përmes të cilave kapitali ka mbajtur pushtetin e vet.
Paga për punët e shtëpisë pra, është kërkesë revolucionare jo sepse në vetvete shkatërron kapitalin, por sepse e detyron kapitalin t’i ristrukturojë relacionet sociale në kushte më të favorshme për ne dhe rrjedhimisht më të favorshme për unitetin e klasës. Në fakt, kërkesa për këtë pagë nuk do të thotë se nëse paguhemi ne do të vazhdojmë t’i bëjmë punët e shtëpisë. Është pikërisht e kundërta. Të thuash që duhet të paguhemi për punët e shtëpisë është hapi i parë drejt refuzimit të këtyre punëve, sepse kjo kërkesë e bën punën tonë të dukshme, dhe ky është kushti më i domosdoshëm për ta filluar luftën kundër tyre, edhe në aspektin e menjëhershëm si punë shtëpie por edhe në aspektin më tinëzar si diçka femërore.
Kundër çdo akuze për “ekonomizëm” duhet ta kujtojmë se paraja është kapital, pra është pushteti për të komanduar punë. Prandaj duke i ripërvetësuar paratë që janë fryti i punës tonë – i nënave dhe gjysheve tona – në të njëjtën kohë e minimizojmë pushtetin e kapitalit për të komanduar punë mbi ne. Dhe nuk duhet ta dyshojmë fuqinë që e ka kjo pagë për demistifikimin e feminitetit tonë dhe për ta bërë punën tonë të dukshme – feminiteti ynë si punë – meqë mungesa e kësaj page ka qenë shumë e fuqishme për formimin e rolit tonë dhe fshehjes së punës tonë. Të kërkosh pagë për punët e shtëpisë është ta bësh të dukshme që mendjet tona, trupat dhe emocionet tona së bashku janë shpërfytyruar për një funksion specifik, brenda një funksioni specifik, dhe pastaj na janë shndërruar në modele ndaj të cilave ne të gjitha duhet të konformohemi nëse duam të pranohemi si gra në këtë shoqëri.
Të themi se duam pagë për punët e shtëpisë është ta ekspozojmë faktin se puna e shtëpisë është gjithmonë para për kapitalin, se kapitali ka bërë dhe bën para nga gatimi, buzëqeshja, dhe seksi ynë. Në të njëjtën kohë, tregon se ne kemi gatuar, buzëqeshur dhe qirë gjatë gjithë këtyre viteve jo pse ka qenë më e lehtë për ne se për këdo tjetër por sepse nuk kemi pasur zgjedhje tjetër. Fytyrat tona janë shpërfytyruar nga aq shumë buzëqeshje, ndjenjat tona janë zbehur nga aq shumë dashuri, dhe mbi-seksualizimi jonë na ka lënë komplet të deseksualizuara. Paga për punët e shtëpisë është vetëm fillimi, por mesazhi është i qartë: prej tani e tutje detyrohen të na paguajnë sepse ne si femra nuk garantojmë më asgjë. Ne duam ta quajmë punë atë që është punë në mënyrë që eventualisht ta rizbulojmë se çfarë është dashuria dhe ta krijojmë atë që do të jetë seksualiteti ynë të cilin nuk e kemi njohur kurrë. Dhe nga pikëpamja e punës ne mund të kërkojmë jo vetëm një pagë por disa, sepse ne jemi detyruar t’i bëjmë disa punë në të njëjtën kohë.
Ne jemi shërbëtore të shtëpisë, prostituta, infermiere, psikologe; kjo është esenca e bashkëshortes ‘heroike’ e cila festohet për ‘Ditën e Nënës’. Ne themi: boll festuat shfrytëzimin tonë, heroizmin tonë të supozuar. Prej tani e tutje kërkojmë para për çdo çast të tij, në mënyrë që ta refuzojmë një pjesë të tij dhe përfundimisht ta refuzojmë të tërin. Në këtë aspekt asgjë nuk mund të jetë më efektive sesa të tregojmë që virtytet tona femërore kanë një vlerë parash të llogaritshme, deri më sot vetëm për kapitalin, i cili rritej në përputhje me disfatën tonë; tani e tutje kundër kapitalit për ne në përputhje me organizmin e pushtetit tonë.
Lufta për shërbime sociale
Kjo është perspektiva më radikale që mund ta përqafojmë sepse edhe pse ne mund të kërkojmë gjithçka, kujdes ditor, pagë të barabartë, lavanderi falas, nuk do të arrijmë kurrë ndonjë ndryshim të vërtetë nëse nuk sulmojmë rolin tonë femëror në rrënjët e tij. Lufta jonë për shërbime sociale, d.m.th. për kushte më të mira të punës, gjithmonë do të jetë frustruese nëse së pari nuk e bëjmë të qartë se puna që ne bëjmë është punë. Nëse nuk luftojmë kundër së tërës nuk do të arrijmë kurrë t’i fitojmë momentet e vogla. Do të dështojmë në përpjekje për lavanderi falas nëse së pari nuk luftojmë kundër faktit që nuk na është lejuar të dashurojmë përveçse me çmimin e punës së pafundme, e cila ditë pas dite e sakaton trupin tonë, seksualitetin tonë, marrëdhëniet tona sociale. Do të dështojmë nëse së pari nuk i shpëtojmë shantazhit nga i cili nevoja jonë për të dhënë dhe për të marrë dashuri kthehet kundër nesh si detyrim pune për të cilën ne vazhdimisht ndjejmë inat ndaj burrave, fëmijëve dhe miqve tanë, dhe ndjehemi fajtore për atë inat. Edhe nëse marrim një punë të dytë prapë nuk ndryshon asgjë, sikurse është dëshmuar nga vite e vite të punës femërore jashtë shtëpisë. Puna e dytë jo vetëm që e rritë eksploatimin tonë por edhe e riprodhon rolin tonë në forma tjera.
Kahdo që kthehemi shohim se punët që gratë kryejnë janë vetëm zgjatime të gjendjes së amvisës në të gjitha kuptimet e saj. Domethënë, jo vetëm që ne bëhemi infermiere, shërbëtore, sekretare – të gjitha këto funksione për të cilat jemi të mirë-trajnuara në shtëpi – por jemi të lidhura nga e njëjta nyjë e cila e pengon luftën tonë në shtëpi: izolimi, fakti që jetët e njerëzve tjerë varen nga ne, ose pamundësia për të parë se ku fillon dhe ku mbaron puna jonë, ku mbaron puna jonë dhe ku fillon dëshira jonë. A është kafeja që i sillni shefit tuaj dhe biseda që bëni me të për problemet e tij martesore punë sekretarie apo favor personal? A është fakti që duhet të brengosemi për pamjen tonë në punë kusht i punës apo është rezultat i kotësisë [vanity] femërore? (Deri vonë stjuardesat në Amerikë janë peshuar vazhdimisht dhe janë detyruar të jenë në dietë konstante – një torturë të cilën të gjitha gratë e njohin – nga frika se mos pushohen nga puna). Siç thuhet shpesh – kur e kërkojnë nevojat e tregut të punës praninë e saj – një grua mund të bëjë çdo punë pa humbur feminitetin e saj, që thjesht do të thotë se pa marrë parasysh se çfarë bëni prapë se prapë jeni një bushtër.
Sa i përket propozimit për socializim dhe kolektivizim të punëve të shtëpisë, dy shembuj mjaftojnë ta theksojmë kufirin mes këtyre alternativave dhe perspektivës tonë. Është një gjë ta hapim një çerdhe në mënyrën sesi ne duam dhe të kërkojmë që shteti të paguajë dhe është krejt tjetër gjë t’i dërgojmë fëmijët tanë tek Shteti dhe t’i kërkojmë Shtetit t’i kontrollojë, t’i disiplinojë, t’ju mësojë ta nderojnë flamurin amerikan jo për 5 orë, por për 15 ose 24 orë. Është një gjë ta organizojmë mënyrën sesi hamë si komunitet (vetë, ose me të tjerët) dhe të kërkojmë nga Shteti të paguajë, dhe është e kundërta t’i kërkojmë Shtetit t’i organizojë vaktet tona. Në rastin e parë fitojmë paksa kontroll mbi jetët tona, në rastin e dytë ia dorëzojmë Shtetit kontrollin mbi ne.
Lufta Kundër Punëve të Shtëpisë
Disa gra thonë: si do ta ndryshojë sjelljen e burrave tanë ndaj nesh paga për punët e shtëpisë? A nuk do t’i presin ata të njëjtat detyra si më parë, madje edhe më shumë tani që paguhemi për to? Por këto gra nuk e shohin se ata presin aq shumë nga ne pikërisht sepse nuk paguhemi për punën tonë, sepse ata supozojnë se kjo ‘është punë grash’ e cila nuk kërkon shumë përpjekje prej anës sonë. Meshkujt janë në gjendje t’i pranojnë shërbimet tona dhe të gjejnë kënaqësi në to sepse supozojnë se është lehtë për ne, se ne kemi qejf sepse e bëjmë për dashurinë që kemi ndaj tyre. Ata në fakt presin që ne të jemi mirënjohëse sepse duke u martuar ose duke jetuar me ne ata na kanë dhënë mundësinë ta shprehim veten si gra (d.m.th. t’ju shërbejmë atyre), ‘je me fat që ke gjetur një burrë sikur unë’. Vetëm kur burrat ta shohin punën tonë si punë – dashurinë tonë si punë – dhe më së shumti vendosmërinë tonë t’i refuzojmë të dyjat, vetëm atëherë do ta ndërrojnë qëndrimin e tyre ndaj nesh. Kur qindra dhe mijëra gra në rrugë të thonë se janë punë të vështira dhe të urryera pastrimi i pafund, të qenit vazhdimisht në gatishmëri emocionale, qirja me urdhër për shkak të frikës nga humbja e punës, të cilat na i çojnë dëm jetët tona, vetëm atëherë burrat do të ndjehen të frikësuar dhe të kërcënuar.
Por kjo është gjëja më e mirë që mund të ndodhë nga pikëpamja e tyre, sepse duke ekspozuar mënyrën sesi kapitali na ka mbajtur të përçarë (kapitali i ka disiplinuar ata përmes nesh dhe neve përmes tyre – njëri tjetrin, kundër njëri tjetrit), ne – patericat e tyre, skllavet e tyre, zinxhirët e tyre – e hapim procesin e lirisë së tyre. Në këtë kuptim pagat për punët e shtëpisë janë shumë më shumë edukative sesa që provojnë të vërtetojnë se ne mund të punojmë po aq mirë sa ata, që ne mund të punojnë njëjtë si ta. Ia lëmë këtë përpjekje të vlefshme ‘gruas karrieriste’, gruas e cila i shpëton shtypjes së saj jo përmes fuqisë së unitetit dhe përpjekjes, por përmes pushtetit të padronit, pushtetit për të shtypur – zakonisht gra të tjera. Dhe ne nuk kemi pse ta vërtetojmë se mund ta ‘thyejmë barrierën e kollareve blu’. Shumë prej nesh e kanë thyer atë barrierë kohë më parë dhe e kemi parë se kostumi i zyrës nuk na jep më shumë pushtet sesa përparësja; ndoshta edhe më pak, sepse tani duhet t’i veshim të dyjat dhe kemi më pak kohë dhe energji të luftojmë kundër tyre. Gjërat që duhet t’i vërtetojmë janë kapaciteti ynë për ta ekspozuar punën që veçse jemi duke e bërë, atë se çfarë është duke na bërë kapitali neve dhe fuqinë tonë në luftën kundër tij.
Fatkeqësisht, shumë gra – veçanërisht gratë beqare – i frikësohen perspektivës së pagës për punët e shtëpisë sepse frikësohen të identifikohen qoftë edhe për një sekondë me amvisen. Ato e dinë se kjo është pozita më e pafuqishme në shoqëri dhe kështu nuk duan ta kuptojnë se edhe ato janë amvise. Kjo është pikërisht dobësia e tyre, një dobësi që mbahet dhe riciklohet përmes mungesës së vetë-identifikimit. Ne duam dhe duhet të themi se të gjitha jemi amvise, të gjitha jemi prostituta dhe të gjitha jemi lezbike, sepse përderisa nuk do ta shohim skllavërinë tonë nuk mund ta shohim përpjekjen tonë kundër saj, sepse përderisa mendojmë se jemi disi superiore, më ndryshe se amvisja, ne po pranojmë logjikën e padronit e cila është logjikë e ndarjes, dhe për ne logjikë e skllavërisë. Ne jemi të gjitha amvise sepse pavarësisht ku jemi ata gjithmonë mund të llogarisin më shumë punë prej nesh, më shumë frikë nga ana jonë t’i shtrojmë kërkesat tona dhe më pak presion mbi ta për para, meqë mendjet tona janë drejtuar dikah tjetër, drejt atij burrit në të tashmen tonë ose në të ardhmen i cili ‘do të kujdeset për ne’.
Ne po ashtu mashtrojmë veten nëse mendojmë se mund t’u ikim punëve të shtëpisë. Por sa prej nesh, pavarësisht se punojmë jashtë shtëpisë, u kemi shpëtuar atyre? Dhe a mund ta shpërfillim me të vërtetë idenë e jetesës me një burrë? Çka nëse humbasim punën? Apo kur të plakemi dhe humbasim edhe atë pak pushtet që rinia (produktiviteti) dhe atraktiviteti (produktiviteti femëror) na lejon? Por përsa u përket fëmijëve? A do t’i biem pishman ndonjëherë që kemi zgjedhur mos t’i bëjmë, që madje as nuk kemi mundur ta shtrojmë atë pyetje realisht? Dhe a mund t’i lejojmë vetes marrëdhënie gay? A jemi të gatshme që potencialisht të izolohemi dhe të përjashtohemi? Por a mundemi vërtetë t’i lejojmë vetes relacione me burra? Pyetja është: pse janë këto alternativat tona të vetme dhe çfarë lloj lufte do të na ndihmojë të lëvizim përtej?