Jetlir Buja
Në njërën prej eseve në përmbledhjen me titull “Forma dhe Kuptimi” (1945), teoricieni dhe piktori austro-meksikan Wolfgang Paalen shkroi disa rreshta që provokuan të menduarit tim mbi temën që do të provoj ta trajtoj në këtë ese: “Pikturat nuk përfaqësojnë më. Sot, roli i pikturës është bërë ta këqyr spektatorin në sy dhe ta pyes: ti vetë, çka përfaqëson?”[1] Nëse nga këto dy fjali rrokim jo thjesht pikturën por krejt artet performative, dhe jo thjesht spektatorin por edhe kritikën për artin, atëherë bëjmë një hop të madh kuptimor drejt mungesës për të cilën do të flasim. Prandaj, ta riformulojmë për nevojën tonë: “Artet nuk përfaqësojnë më. Sot, është bërë rol i arteve ta këqyrin spektatorin e kritikun në sy dhe t’i pyesin: ju vetë, çka përfaqësoni?”
Por, mos lejoni që rreshtat e cituara e të riformuluara më sipër t‘ju mashtrojnë. Nuk do të trajtojmë surrealizmin siç bën Paalen, apo kritikën ndaj kësaj lëvizjeje, e madje nuk do të trajtojmë as postmodernizmin në artin kosovar. Në fakt, do të trajtojmë mungesën e kritikës së artit në Kosovë, pa e ekzaminuar drejtpërdrejt rolin e spektatorit. Pse veprat e artit në vendin tonë – pavarësisht llojit të artit, pavarësisht zhanrit, subjektit, etj. – nuk arrijnë t’ia shtrojnë spektatorit këtë pyetje domethënëse e provokuese: “ju, çka përfaqësoni?”
E kuptoj mirë që shqyrtimi i një mungese përbën detyrë mjaft të vështirë dhe e cila sapo shqiptohet jep një tingull paksa absurd, sidomos kur nuk bëhet fjalë për një subjekt konkret mungues siç do të mund të ishte një qenie njerëzore apo një gjësend material. Kritika e artit përbën subjekt dukshëm më abstrakt – ose të paktën, me kushte tjera ekzistence – çka e heq çdo paralele të mundshme mes detyrës time dhe asaj të një hetuesi policie.
Pra, qysh në fillim është e zorshme të kuptimësohet tematizimi i mungesës së diçkaje, çfarëdo mungese qoftë ajo, e lëre më të tematizohet në mënyrë kritike vetë mungesa e kritikës. Por, ma merr mendja se për të gjithë njohësit e kontekstit kulturor në Kosovë kjo merr vetvetiu kuptim meqenëse është një mungesë e vërejtshme, sa herë që një vepër arti nga artistë kosovarë del në dritë e sidomos sa herë që merr vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare.
Anatomia e mungesës
Për ironi, ati themeltar (thënë kushtimisht, meqë nuk besoj në këtë term) i Pavarësisë së Kosovës, i këtij vendi pa kritikë arti, është bash një kritik arti: Ibrahim Rugova (1944-2006). Pasi i kishte përfunduar studimet në Francë, ai iu rrek rrugës së parrahur të kritikës letrare në Kosovë duke u marrë me veprën e parë dhe shkrimtarin e parë të letërsisë shqiptare. Nuk ishte tamam i pari kritik letrar – Rexhep Qosja konsiderohet si i pari, nga shumëkush – por ishte i pari që e përjetoi thellësinë e gjithë asaj mungese, sidomos në Kosovë. Prandaj, duke e përjetuar veten si nismëtar në këtë drejtim, si duket kjo e cyti ta niste nga e para.
Kritika e Rugovës për Çetën e Profetëve (1685) dhe monografia për autorin e saj, Pjetër Bogdanin, mund të merren kësisoj si ‘belbëzimet’ e para të një vetëdijeje serioze mbi domosdoshmërinë e kritikës. Për ta përligjur tamam përmendjen e Rugovës dhe veçanërisht vetëdijen në fjalë duhet të ndalemi te një vepër tjetër e Rugovës që mban titullin domethënës “Kah teoria”. Sipas studiuesit Sabri Hamiti, titulli i kësaj vepre mund të kuptohet bash si një këmbëngulje në orientim nga Rugova.
“Së pari parafjala “Kah” e vënë para “Teorisë”, në një titull që është më shumë metodik se sa ekspresiv, në radhë të parë tregon një orientim këmbëngulës të autorit, të merret kryekëput me probleme teorike të letërsisë, por jo edhe të vërë pikën fundore në çështjet që studion dhe diskuton.”[2]
Duke i orientuar lexuesit e tij “kah teoria”, Rugova njëkohësisht na e zbulon edhe orientimin e përkundërt dominues që ishte etabluar në atë kohë, atë që letërsinë e shihte të palidhur me teorinë, ose pa teori të sajën në vetvete. Pra, ne arrijmë të kuptojmë përmes kësaj thirrjeje “për kërkim e diskutim” për letërsinë pikërisht pozicionin letrar që po mësyhej të përmbysej: atë kah mungesa e teorisë, ku nuk kishte (sic) “kërkim” e “diskutim” të mirëfilltë për veprën letrare matanë ideologjisë. Përkundër që socrealizmi ishte hequr, teoricienët marksistë të artit si György Lukács vazhdonin të kishin ndikim të madh mbi mënyrën e konceptimit të kritikës së artit në Kosovë. Nëse jo në ndarjen që Lukács e bënte mes realizmit kritik dhe realizmit socialist, atëherë domosdo në mënyrën sesi konceptohej roli i kritikës. Sa për ilustrim, në një prej veprave të tij Kuptimi i Realizmit Bashkëkohor, Lukács shkruante si vijon:
“Arsyeja e superioritetit (të realizmit socialist ndaj realizmit kritik) janë njohuritë të cilat ideologjia socialiste, perspektiva socialiste, i bën të qasshme për shkrimtarin: ato njohuri i mundësojnë atij të japë një raportim më të thellë e gjithëpërfshirës të njeriut si qenie sociale sesa çdo ideologji tradicionale.”[3]
Në Kosovë, siç e dimë, tashmë ishin përkthyer shumë prej veprave të shkrimtarëve të asaj që Lukács e quante “realizëm kritik”: James Joyce, Samuel Becket, Marcel Proust, Franz Kafka, Thomas Mann, etj. Por, kjo qasje e të shkruarit nga “brenda” në mënyrë që shkrimtarët të brumoseshin me “njohuritë” e nevojshme politike u ndje fort në vepra të ndryshme si, “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (Rexhep Qosja), “Gjarpërinjtë e gjakut” (Adem Demaçi), “Era dhe Lisi” (Besim Sahatçiu), “Lepuri me pesë këmbë” (Rifat Kukaj), etj. Të gjitha këto vepra bartnin mesazhe të qarta politike por nuk përftuan kritikë, apo të paktën as ndonjë reagim të bujshëm shoqëror.
Siç e thamë, doktrina e realizmit socialist në Jugosllavinë komuniste ishte hequr prej 1952-së duke i dhënë një liri shumë më të madhe mundësisë së zhvillimit të arteve dhe kritikës mbi to. Sidoqoftë, kjo liri nuk u përdor. Vendin e narrativës së realizmit socialist u dyndën që ta zinin narrativa të tjera, siç ishte ajo nacionaliste, narrativa fetare e të tjera. Sidoqoftë, vetë arti në veprën artistike nuk ia doli që të cyste kritikën, përkundër përpjekjeve, dhe me kalimin e viteve dhe dekadave të heshtjes kjo u shndërrua në një traditë heshtjeje.
Orientimi kah ‘teoria’ nuk ndodhi.
Arti kosovar për spektatorin ndërkombëtar
Çlirimi i artit nga shtrëngimet politike e morale pas vitit 1999 nuk ndërroi gati asgjë për kritikën e artit. Edhe pse sot ekzistenca e mëvetësishme e letërsisë dhe çdo arti tjetër është përgjithësisht e pakontestueshme, duket sheshit jo thjesht mungesa e teorizimit mbi të por edhe mungesa e çfarëdo reagimi të fortë, qoftë edhe të çorganizuar nga spektatorët. Arti jo që nuk përfaqëson më, por ka shkëputur çfarëdo mundësish komunikimi me spektatorin kosovar. Rënia e komunizmit duket se artit i solli një mëvetësi aq radikale sa efektivisht i hoqi statusin e një eventi social, për ta bërë një event të thjeshtë privat. Humbja e tiparit thelbësor të artit, komunikimit, çoi në kërkesën arbitrare për t’i rikthyer kritikës së artit tiparin e funksionalitetit.
“Kritika letrare tani mungon, sepse ajo tashmë nuk ka funksion, nuk i shërben një qëllimi, nuk i shërben askujt, as lexuesit, as veprës letrare, as autorit të shkrimit letrar themelor, vetëm atyre që e shkruajnë atë.”[4] – thoshte Mehmet Kraja në vitin 2012, kryetar i tanishëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke vërejtur radikalitetin e kësaj mëvetësie.
Përkundër mungesës së kritikut dhe përgjithësisht edhe spektatorit të artit, arti megjithatë nuk ka munguar. Shumë e shumë vepra arti – posaçërisht në kinematografi, por edhe në letërsi e pikturë – morën vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe fituan çmime prestigjioze përgjatë këtyre dy dekadave. Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) njoftonte që filmat e mbështetur prej saj kishin fituar afër 200 çmime ndërkombëtare.
“Vitet e fundit kinematografinë kosovare e ka përcjellë një sukses i madh në arenën ndërkombëtare duke numëruar afër 200 çmime nga festivalet ndërkombëtare. Filmat që kanë marrë më së shumti çmime janë: ‘Agnus Dei’ nga Agim Sopi, ‘Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj, ‘Burrnesha’ nga Laura Bispuri, ‘Tri Dritare dhe një Varje” nga Isa Qosja, ‘Heroi’ nga Luan Kryeziu, ‘Babai’ nga Visar Morina, ‘Shok’ nga Jamie Donoughue, ‘Bota’ nga Iris Elezi dhe Thomas Logoreci etj.”
Asnjë prej këtyre filmave nuk përftoi vëmendje të madhe në nivel kombëtar, aq sa të hapte mundësinë për kritikë filmi.
Këtë vit një film i titulluar “Zgjoi” me regjisore Blerta Bashollin fitoi një numër të madh çmimesh ndërkombëtare dhe ishte afër të nominohej edhe për Çmimin e Filmit më të mirë në Gjuhë të Huaj në Oscars. Po e përmend në veçanti këtë film sepse i gjithë ndërtimi i tij shpërfillte kritikun dhe spektatorin kosovar, siç e kam evidentuar në një kritikë dedikuar posaçërisht kësaj çështjeje:
“…ajo që është e kuptueshme është se filmi nuk na dedikohet neve, shikuesve kosovarë, por ajo që nuk ka asnjë kuptim është pse na përzë kaq brutalisht?! Duke mos njohur kontekstin lokal, pra duke mos rrokur të metat e disa prej ngjarjeve të lartpërmendura, shikuesit jokosovarë do ta shijojnë më shumë filmin se të gjithë ne që jemi pjesë e rrëfimit të tij.”
Parë nga e gjithë ajo që u tha më lart, kritika e mësipërme ndaj filmit në fjalë më duket padrejtësisht e ashpër por megjithatë na e ilustron një zhvillim domethënës si rrjedhojë e mungesës së kritikës: shpërfilljes së plotë të saj (madje, jo vetëm të saj por edhe të spektatorit të filmit dhe lexuesit të kritikës).
Absurdja
Nëse i rikthehemi fjalisë së cituar në paragrafin e parë të këtij artikulli, atëherë mund të themi që Zgjoi jo që nuk përfaqëson publikun kosovar e as që i pyet ata se çka përfaqësojnë por edhe i sheh si jomeritorë për ta shikuar. Një shpërfillje pra që tingëllon si hakmarrje, duke qenë se shpërfillësi i parë është spektatori me kritikën.
Në vitin 2018, një prej artistëve më me nam nga Kosova, Sislej Xhafa, vendosi ta mbante ekspozitën e parë në vendlindjen e tij të titulluar “love you, without knowing” (ju dua, pa e ditur). Kjo ishte ndoshta një ndër përpjekjet më të fundit për t’u rikthyer kah publiku kosovar. Ekspozita me të gjitha 15 veprat që ndodheshin në të i dedikoheshin këtij publiku, dhe i cili sërish nuk ia doli mbanë të krijonte një reagim të artikuluar për të. Përtej komplimenteve nga pjesëmarrësit në ekspozitë – e ripërsërisim, Xhafa po e mbante ekspozitën e parë në vendlindje, pas dy dekadash përvojë – jehona e vetme u prodhua nga disa aktivistë për të drejtat e kafshëve që protestonin ndaj mënyrës sesi po mbaheshin tetë lopë në izolim brenda dhe anash Galerisë Kombëtare.
Drama e një prej regjisorëve më të famshëm të Kosovës, Jeton Nezirajt, e titulluar “Bordel Ballkan” është shfaqur shumë e shumë herë tash e më shumë se shtatë vjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kjo dramë që bazohet në Orestian e Eskilit përmban mesazhe të qarta politike, të lidhura hapur me politikën ditore kosovare dhe personazhe të saj. Në vitin 2017, Sarah Hehir – dramaturge britanike – kishte shkruar një kritikë në të cilën shprehte bindjen se drama do të shkaktonte zemërim të jashtëzakonshëm në Kosovë.
“Me lëvizje të guximshme, “Bordel Ballkan” është e garantuar se do të provokojë zemërim. Ekspozimi i palëkundur kritik që i bën Neziraj korrupsionit, absurdes dhe qesharakes është edhe i guximshëm edhe turpërues: asnjë grup s’shpëton pa u prekur.” – thoshte ajo.
Por, nuk ndodhi kështu. Veç një organizatë e veteranëve të luftës (OVL-UÇK) i kushtoi një reagim dramës e në të cilin denonconte paraqitjen e shqiptarëve (edhe të shqiptarëve) si kryes të krimeve të luftës, ashtu si kombet tjera që përbënin ish-Jugosllavinë. Sidoqoftë, përkundër temave tepër të ndjeshme dhe paraqitjes së guximshme, por edhe popullaritetit që mori, as “Bordel Ballkan” nuk ia doli të nxiste kritikët.
Tash së voni, ndërkohë, më 3 prill të këtij viti, Laura Collins-Hugjes nga The New York Times i kushtoi një artikull dramës së Jeton Nezirajt “Bordel Ballkan”, e riaktualizuar në kohën e invazionit rus në Ukrainë.
“Dhimbja sjellë dhimbje të reja në këtë cikël të mallkuar të dhunës dhe hakmarrjes, ku zemërimet e një brezi dorëzohen te brezi tjetër në një shoqëri të shkatërruar nga dhimbja dhe që jeton në rrënojat e saj të gjata e të shëmtuara.” – shkruante ajo.
Por, shoqëria kosovare përsëri nuk u provokua duke qenë në mënyrë absurde e fascinuar me realitetin që e rrethon. Nëse kjo tregon ndonjë patologji më të madhe shoqërore ose jo, është çështje që do të vërtetohet nga vitet apo dekadat e radhës. Megjithatë, janë disa fjalë nga Manifesti i Surrealizmit prej Andre Breton e të cilat duket se mund të ndihmojnë në kuptimësimin e këtij absurdi:
“Nën pretendimin për civilizim dhe progres, ne kemi ndaluar nga mendja gjithçka që me të drejtë a pa të drejtë cilësohet si besëtytni, apo fantazi; i ndaluar është çdo lloj i kërkimit i të vërtetës që nuk bëhet në përputhje me praktikat e pranuara.” [5]
[1] “Paintings no longer represent. Today it has become the role of the painting to look at the spectator and to ask him: what do you represent?”
[2] http://rugovaudate.blogspot.com/2005/11/ibrahim-rugova-kritik-letrar.html
[3] Lukasz, Gyorgy, The Meaning of Contemporan Realism, 1963, Merlin Press, fq. 115
[4]Kraja, Mehmet, “Mbi kritikën letrare dhe demonët e saj” (Fjalë e mbajtur në tribunën për kritikën letrare, në kuadër të takimeve letrare “Azem Shkreli”, më 23 maj 2012, në Pejë)
[5] https://www2.hawaii.edu/~freeman/courses/phil330/MANIFESTO%20OF%20SURREALISM.pdf