Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Pesë ligjërata mbi teprinë: Mes përmbushjes dhe frustrimit (II)

Pesë ligjërata mbi teprinë: Mes përmbushjes dhe frustrimit (II)

Adam Phillips

Shkrimtari Thomas Mann kujton se si, kur ishte fëmijë, babai i tij e kishte shpikur një eksperiment përmes së cilit përpiqej t‘u japë mësim mbi oreksin atij dhe vëllezërve e motrave të tij. “Babai na siguroi të gjithëve”, shkruan Mann, “se një herë në jetë do ta kemi shansin të shkojmë e të hamë sa të duam ëmbëlsira në ëmbëltore. Një ditë, ai na mori e na çoi në parajsën e aromave të sheqerta, dhe na mundësoi që andrra të na bëhej realitet – por u befasuam se sa shpejt na i erdhi fundi dëshirës sonë, të cilën e mendonim si të pafund.” Këtu shohim se si rruga e teprisë edhe çon kah Pallati i Urtësisë; i riu Thomas Mann zbuloi bindshëm faktin se oreksi i tij ka një limit të natyrshëm; përderisa paramendohej, dëshira e tij rinore për ëmbëlsira mund të dukej e tepërt, por kur erdhi momenti i shuarjes së kësaj etjeje, siç thotë ai vet, ”shpejtë na i erdhi fundi dëshirës sonë”. Për ta kuptuar se vërtet të tepërt jemi gjithmonë vetëm në fantazitë tona, mjafton të provojmë t’i përmbushim lakmitë tona që mund t‘i kemi; në realitet oreksi ynë është tejet i ndjeshëm; siç themi ne psikanalistët, oreksi është vetërregullues. Do të thotë: e dimë vetë kur e teprojmë me diçka.

Megjithatë, ia vlen të pyesim pse në fantazitë tona vazhdojmë të jemi aq të tepërt; pse, së paku në fantazitë që kemi, orekset tona të tepërta, si dhe përmbushja e tyre, na tërheqin aq fort. Kur këngëtarin Neil Diamond e pyeten njëherë se si ndihej për faktin se është i pasur, ai u përgjigj: “E pamundur të hash drekë dy herë!”. Sa lehtë do të ishte po të besonim se teprimi është thjesht diçka që ne veçse e imagjinojmë; se po të ishim të pasur, po të mundnim të hanim aq sa të na donte qejfi, do të zbulonim pa problem kufijtë e arsyeshmërisë sonë!

Njeriu s’mund të hajë drekë dy herë, por mund të hajë një drekë dalëngadalë; e fëmijëve, siç e dimë, po t‘iu jepet veç pak mundësia, mund të hanë deri sa t’i mundojë lukthi, me çokollata për shembull. Padyshim, nuk na pëlqen ideja se mund të jemi për nga natyra të grykshëm, të tepërt; përkundrazi, konsiderojmë se tepria është shenjë se diçka nuk është në rregull. Oreksi i tepruar, mund të thuhet, është simptomë e diçkaje. E Thomas Mann-i na jepë një ide për atë se simptomë e çkaje mund të jetë tepria. Siç na tregoi, ”babai na premtoi se një herë në jetë do ta kemi shansin të hamë ëmbëlsira sa të duam”; po pse veç një herë në jetë? Asnjë eksperiment shkencor nuk ndërmerret vetëm njëherë për të vërtetuar një fenomen të caktuar! Duket sikur babai e paska ditur se njëherë mjafton. Athua eksperimenti ishte një sajim veç sa për ta vërtetuar autoritetin e babait – ose ndoshta vetë Mann-i mundohet që përmes këtij tregimi të sugjeroj se ekzistuaka vetëm një gjë më e tepërt sesa oreksi, së paku për një fëmijë, e kjo gjë na qenka besimi i verbët në autoritetin e babait? Sido që të jetë, ajo çka ky eksperiment na tregon është se sa shumë donin fëmijët të ishin ata që babai i tyre donte të ishin; dhe se, nuk është ajo se sa të pangopshëm ishin fëmijët, porse sa të dëgjueshëm dolën të jenë ata karshi babait të tyre. Historia do ta vërtetonte më vonë se në Gjermaninë e Thomas Mann-it, ishte oreksi i pangopur për autoritet ai që doli të jetë i tepërt; njerëzit s’lanë gjë pa bërë për Atdheun, për Führer-in.

Mund të themi, prandaj, se të tepruarit shpalos para së gjithash një problem me autoritetin; se vetëm fëmijët me prindër të dobët bëhen të tepërt, ose e teprojnë. Nga këndvështrimi psikanalitik mund të themi – madje duke marrë anën e atyre që trumbetojnë rend e ligj – se kur të rinjtë bëhen të tepërt ose e teprojnë me diçka, ata në mënyrë të pavetëdijshme – pra, pa e pasur idenë – janë në kërkim të prindërve të fortë, që dinë kur t’i frenojnë. Adoleshentët e parehatshëm, për shembull, mund të kuptohen si njerëz që kanë nevojë të sprovohen me atë se sa të besueshme, sa të qëndrueshme, e sa të rëndësishme janë në të vërtetë autoritetet. E megjithëse t’i kuptosh adoleshentët kështu është shpesh e dobishme – se fëmijët na qenkan të fuqishëm vetëm aq sa prindërit i lejojnë, dhe se s’ka gjë që i trembë fëmijët më shumë sesa kur ndihen fuqiplotë – megjithatë, ka diçka në këtë këndvështrim që duhet ta veçojmë. Tepria, siç e kam theksuar më herët, është diçka që bartet lehtë, është ngjitëse. Që do të thotë se gjithmonë i kundërpërgjigjemi një teprimi me një tjetër formë teprimi. Në rastin në fjalë, një besim i tepruar në autoritetin del të nënkuptojë zbutjen ose shuarjen e një tjetër teprimi, pangopësisë. Thënë troç, kjo i bie se pangopësia është thjesht nevojë për një autoritet mbikëqyrës, një nevojë prej grykësi për t’u frikësuar ose për t’u shantazhuar. Në këtë interpretim karikaturë mesazhi i një autoriteti duket se thotë: nëse e frenon lakminë, ose nëse heq dorë krejtësisht nga oreksi i tepruar, ne do të të duam dhe do të të mbrojmë; madje, në disa besime fetare, do të të shpërblejmë me përjetësi. E nëse nuk e bën asnjërën, as frenim as heqje dorë, atëherë prej nesh nuk do e marrësh asnjërën: as dashurinë, as mbrojtjen, as përjetësinë. Masa tejet dëshpëruese këto! Duket se jemi e vetmja kafshë për të cilën oreksi del të jetë i tepërt, e vetmja kafshë që han më shumë sesa që ka nevojë, kuptim ky i vetvetes me të cilin veçse jemi pajtuar. Shumica prej nesh tashmë jetojmë sikur jemi pajtuar, pak a shumë, me faktin se tepër shumë njerëz sot në botë vdesin urie, e tepër shumë hanë më shumë sesa që kanë nevojë.

Shumë prej teprive në botë mund të na shokojnë, por e vërteta është se adaptohemi goxha mirë me to. Sot e kësaj dite, tepria edhe merret si diçka e mirëqenë, edhe na tmerron, njëkohësisht. (Apo ndoshta duhet t’i dallojmë teprimet me të cilat adaptohemi shpejtë, prej atyre me të cilat nuk arrijmë ta bëjmë një gjë të tillë.) Mbi të gjitha, duhet ta pranojmë mundësinë se thjesht jemi të varur ndaj imazhit që kemi për vetveten si kafsha që e tepron; që jemi tej mase të mahnitur nga ky imazh për vetveten. A mbetet  diçka tjetër për të thënë përveçse lindim të pangopur, dhe se në një formë ose tjetër, kemi nevojë ta kontrollojmë vetveten? Është e qartë se disiplina, kontrolli dhe ndëshkimi na janë aq të nevojshme pikërisht për shkak se e teprojmë (dhe, natyrisht, për shkak se të tepruarit e tepria na sjellin një kënaqësi jo gjithmonë të dobishme); por, në anën tjetër, nëse rruga e teprisë po çuaka drejt Pallatit të Urtësisë, çfarë mësojmë nga teprimet s’është se paska diçka shumë të thellë te ne, me fjalë të tjera, thjesht kuptojmë se jemi qenie që lindim jashtë kontrollit, të uritur, dhe se herët a vonë na duhet ta përmbledhim vetën disi. Sepse është pikërisht oreksi, kushti kryesor i mbijetesës sonë, ai që në fund na bëhet i tepërt. Le të kthehemi në një fillim – jo fillim, porse në një fillim – dhe t’i shtrojmë disa pyetje të thjeshta.

Pse, mund të pyesim, kur duam diçka, ose kur dashurojmë dikë – një copë ëmbëlsire, apo një person të caktuar – pse do ta donim atë copë, ose pse do ta dashuronim atë person shumë? Edhe anasjelltas, pse do të donim diçka, apo do dashuronim dikë pak, pak e hiç? Nuk duhet të na befasojë fakti se dilema të tilla sikurse parashtron pyetja e mësipërme fillojnë qysh në fëmijëri. Në fillet e jetës sonë, nënat tona, apo ata që kujdesen për neve, janë burim ushqimi për ne, si dhe i krejt asaj që ndërlidhet me ushqimin– rahati, siguri, afirmim, ngazëllim: një nanë që e ushqen një fëmijë është imazhi i dikujt që i kupton nevojat e një tjetri dhe, në rastin ideal, i dikujt që është i/e gatshme t’i përmbushë ato nevoja. Ta ushqesh njeriun është me e liru atë nga vuajtja, duke i adresuar kështu shqetësimet e brendshme të tij. Zakonisht, shumica e nënave dhe foshnjave e gjejnë rrugën e përbashkët drejt kësaj përvoje të mirë të të ushqyerit dhe përmbushjes së ndërsjellë të nevojave fizike e emocionale. Për dallim, pangopësia, e kuptuar si oreks ose dëshirë e tepërt, është diçka që vjen e shfaqet zakonisht te fëmijët më të rritur; të gjithë fëmijët, në fakt, fillojnë të shpërfaqin konflikte të brendshme lidhur me ngrënien gjatë procesit të tyre të rritjes. Në këtë kuptim, është normale për fëmijët të kenë “probleme” me ngrënien, e këto probleme gjithnjë kanë të bëjnë me ngrënie ose të tepërt, ose të pakët. Me u rritë njeriu nënkupton njohje të ëndjeve tona; fundja, është oreksi e janë dëshirat ato që na lidhin me të tjerët.

Për t’u kthyer te pyetjet tona: pse, nga këndvështrimi psikanalitik, kur duam diçka, ose e duam dikë – nënën ose një copë ëmbëlsire – pse do t’i donim shumë? Sepse druhemi se do t’i humbasim, e s’do të na kthehen më kurrë, prandaj fillojmë e besojmë se e vetmja mënyrë për t’i pasur do të ishte t’i “skajojmë” veç për neve, e kështu përgjithmonë; druhemi se po nuk i mbajtëm për vete, do të na ikin, do të na harxhohen, apo dikush mund të na i merr, kështu që më mirë të kemi shumë, shumë nanë për vete, shumë ëmbëlsirë për vete. Ose, mund të shndërrohemi në qenie të pangopura sepse ajo që veç e kemi nuk na qenka ajo që në të vërtetë duam ta kemi: nuk po më përmbush ajo që kam, prandaj filloj të besoj se më shumë është më mirë, se nëse një copë ëmbëlsirë nuk po funksionon bash, ndoshta zgjidhja është tre copë, kur në të vërtetë ëmbëlsira nuk është hiç ajo çka dua në këtë moment!

Të pangopur mund të bëhemi edhe nga lakmia: kur më bëhet e qartë se torta dhe nana që i dua aq shumë nuk më përkasin mua, e megjithatë jam i varur nga të qenit e tyre në dispozicionin tim; ose për shkak se, meqenëse nuk e duroj dot faktin që jam i varur nga to, vendosi t’i shkatërroj me lakminë time.  

Ka gjithmonë një besim magjik se nëse e shkatërrojmë atë që në fakt e duam, arrijmë ta shkatërrojmë edhe nevojën që kemi për atë gjë.   

Dhe në fund, pangopësia, ose edhe lakmia, janë mënyra për t’iu shmangur nevojës për të bërë zgjedhje: nëse paskam gjithçka, s’kam nevojë pse të zgjedhë atë që dua me të vërtetë! E të zgjedhësh atë që do, nënkupton të heqësh dorë nga disa kënaqësi, për disa të tjera.

Lakmojmë, jemi të pangopur, pra, sepse kemi frikë të humbasim atë për të cilën edhe kemi nevojë; sepse frikohemi, gjithashtu, se ajo për të cilën paskemi nevojë nuk është gjëja e duhur për ta dashtë: sepse frikohemi, po ashtu, edhe nga varësia nga diçka apo dikush që fundja nuk na takon neve; në fund, nuk ngopemi dot sepse frikohemi të zgjedhim.

Kur lakmojmë, thotë psikanalisti Harold Boris, ndodhemi në një gjendje mendore në të cilën “dëshirojmë e shpresojmë të kemi gjithçka gjatë gjithë kohës”; lakmia “do gjithçka, asgjë më pak nuk mjafton”, dhe kështu “mbetet e papërmbushur”. Duke bërë kështu një dallim të dobishëm mes oreksit  e lakmisë, ai sqaron se oreksi “është për nga natyra i ngopshëm. I qepet pas asaj që e do, por gjithashtu reagon ndaj asaj që i jepet. Ia del me atë që arrin ta sigurojë, duke mos lejuar që diçka më e mirë t’ia zë vendin asaj që është e mirë . . . Lakmia, përkundrazi,. . .nuk ngopet dot.” Prandaj, oreksi i tepruar që e quajmë tërpi është në fakt një formë dëshpërimi.

Na kanoset mospërmbushja, lakmojmë, atëherë kur humbasim besimin te apetitet tona, kur ajo që na nevojitet nuk është në dispozicion; s’ka ma! Nga ky këndvështrim, nuk është se oreksi na qenka i tepërt; më saktë, është frika nga frustrimi që mandej bëhet e tepërt. Tepria është shenjë e frustrimit; e teprojmë vetëm në ato raste kur jemi të frustruar e nuk e dimë se për çka, si dhe në rastet kur jemi të përthekuar nga një frikë që nuk i bëjmë dot ballë.  

E pse, në anën tjetër, po të donim diçka, ose po të dashuronim dikë, do ta bënim një gjë të tillë veçse në masë shumë më të vogël, pak e hiç? Me fjalë të tjera, cila do të ishte arsyeja pse do të përfundonim në njerëz anoreksik, metaforikisht, ose në kuptimin e plotë të fjalës? Çka do të na shtyente t’i refuzojmë bash ato gjëra që na mbajnë gjallë? Më kujtohet kur e pata pyetur një nëntëvjeçar në terapi pse, siç thoshte nëna e tij, “kurrë nuk e përfundon pjatën”? Më tha, me goxha ndjeshmëri, “nëse e përfundoj, nuk më mbetet asgjë”, pastaj heshti për pak çaste, dhe shtoi se “mandej do t’mbesë i uritur përgjithmonë.” I thash, “Domethënë të hash i bie sikur paske mbytur nanën?”, dhe u përgjigj, duke u zgërdheshur, “Sikur ta kem mbytur njëherë e përgjithmonë”. Për këtë djalë, të hante  mjaftueshëm nënkuptonte të hante tejmase; e të hante  shumë ndërlidhej, në mendjen e tij, me humbjen e nanës. Gjithmonë i thoshte nanës së vet që t’ia ruante ushqimin që nuk e përfundonte “për nesër”.

Së këndejmi, edhe kur hamë pak e hiç, veprojmë asisoj për të njëjtat arsye sikur kur hamë shumë. Sipas psikanalistit D.W. Winnicott, fëmija “përdor dyshimet lidhur me ushqimin për t’i fshehur dyshimet që ka për dashurinë”; pra dyshimet rreth dashurisë lidhen me dyshimet rreth disponueshmërisë së resurseve. Është e qartë se një fëmijë që ka dyshime mbi atë se a ka mjaftueshëm prej asaj që i nevojitet – e këso dyshime kanë të gjithë fëmijët në një masë – do të përpiqet ta zvjerdhë vetën nga nevojat e tij, të bëhet i vetëmjaftueshëm, i pavarur nga të tjerët. Por edhe në këtë rast, tepria – kësaj here privimi i tepruar – lindë nga një frikë vdekjeprurëse. Teprimet, qofshin ato apetite të mangëta apo të skajshme, janë përpjekje për t’iu gjetur zgjidhje vetanake ndjenjave të pafuqisë.

E në qoftë se kjo qëndron, ose së paku diçka prej saj është e vërtetë, atëherë është e qartë se kur i ndëshkojmë njerëzit për teprimet e tyre, po i ndëshkojmë edhe për pafuqinë e tyre. Ndoshta duke e tepruar me diçka përpiqemi ta zhbëjmë pafuqinë tonë njerëzore karshi vështirësive të jetës, ta tejshkojmë faktin që shpesh bëhemi edhe të pandihmueshëm? Le të sjellim ndërmend se kur i ndëshkojmë njerëzit, ndihemi goxha të fuqishëm! Por një gjë që shpesh na shpëton së vërejturi është fakti se sa rrallë funksionon ndëshkimi në të vërtetë.

Ajo që mësojmë nga të tepruarit në jetë ka të bëjë gjithmonë me frustrimet tona, përmes frustrimit kuptojmë se sa të vështirë e kemi ta izolojmë atë gjënë që me të vërtetë na nevojitet; e mos të harrojmë që kapitalizmi na ka bërë fobik ndaj frustrimeve tona. Kurdo që kemi ose bëjmë diçka për së tepërmi, kjo disi nënkuptohet në kapitalizëm, na qenka sepse na munguaka diçka tjetër që vërtet na nevojitet; kurdo që kemi ose bëjmë pak prej diçkaje tjetër, problemi na qenka se paskemi shumë prej asaj që nuk na nevojitet. Themi se po “vdesim urie” edhe kur presim gjatë për të ngrënë, por edhe kur ajo çfarë hëngrëm nuk na mjafton! Tepria, me fjalë të tjera, gjithmonë ndërlidhet me një lloj privimi, një lloj mungese. Kështu, për dallim nga ajo që mund të na duket, nuk janë medoemos veprimet ose sjelljet e tepërta në vetvete që na ngjallin urrejtje, urrejtje kjo që mund ta shprehim, për shembull, përmes frikës se fëmijët tanë do të na bëhen anoreksik, ose përmes paragjykimeve ndaj personave në peshë, apo përmes gërdisë  nga fakti se në një botë ku njerëzit vdesin urie ka kuzhinierë me famë botërore; gjasat janë më të mëdha që urrejtja jonë ndaj teprimeve të të tjerëve, sikurse ndaj skajshmërisë së një gjendjeje, vjen nga fakti se na kujtohet se sa shumë mungesë e privim ka në jetën tonë, e në atë të njerëzve të tjerë.

Lajmi i keq që na vjen nga lakmia e çfarëdo tjetër teprimi, nuk është se jemi kafshë të pangopshme që duhet ta kontrollojmë vetën, porse jemi kafshë të frustruara që nuk arrijmë t’i identifikojmë gjërat në jetë për të cilat kemi nevojë, e që, njëkohësisht, se jemi edhe kafsha që tmerrohet nga frustrimi. Se të tepruarit duket të jetë mënyra më e mirë që kemi arritur ta zbulojmë për t’iu kundërvënë gjendjes së frustrimit; ose, shikuar ndryshe, kur e teprojmë me veprimet tona e mbajmë gjallë iluzionin se i kemi hequr qafe frustrimet, se në njëfarë mënyre kemi harruar madje se paskemi qenë të frustruar ndonjëherë!

Varësia ndaj diçkaje është poashtu frustrim i paformuluar.

Do të ishte ngushëllim i mirë sikur të mendonim se vetëm po të kuptonim se cilat janë nevojat tona të vërteta, dhe si t’i përmbushim ato, nuk do të kishim më nevojë të jemi kafshët që megjithatë jemi: në një anë të pangopshëm në ëndjet tona, e në anën tjetër, të tepërt në refuzimet tona ndaj po këtyre ëndjeve. E megjithatë, duket se do të mbesim përherë të kufizuar në aftësinë tonë për t’i njohur nevojat tona; dhe se gjithmonë do të përballemi me mangësi resursesh (e padyshim, kur veprojmë nga lakmia do të harrojmë gjithmonë se në botë gjithçka, e sidomos ushqimi, është i kufizuar). Gjithsesi, është mirë për veten tonë nëse mundohemi të kuptojmë më saktë cilat në të vërtetë mund të jenë nevojat tona, e gjithashtu mirë do të ishte të jemi sa më të shkathtë në krijimin e resurseve shtesë. Por një gjë tjetër që duket poaq e vërtetë është frika e tepërt ndaj ndjenjave të frustrimit; pse, si të shpjegohet ndryshe sasia e ushqimit që njerëzit në vende të pasura gllabërojnë, duke tejkaluar çdo nevojë– madje, duke shndërruar ngrënien e ushqimin në një kult? Athua sepse jemi bërë, ose më mirë, jemi inkurajuar t’ia kemi frikën frustrimit? Sikur përmbushja e dëshirave, e ëndjeve, na gjallëruaka më shumë, sikur qenka më interesante, sikur na shpaluaka më shumë sesa frustrimi! Vërtet të kënaqur mund të jemi vetëm pasi të kemi qenë vërtet të frustruar. Oreksi i tepruar, varësitë e lakmitë janë veçse mënyra për ta maskuar atë për të cilën me të vërtetë kemi uri. Ashtu siç përgjigjet “Artisti i Uritur” i Kafkës – një artist që mbijeton duke agjëruar për publikun i cili e paguan për shfaqjet e tij – kur e pyesin se pse ka zgjedhur të “vdes urie” në publik, s’mund të mos e bëja, thotë ai, “sepse nuk e kam gjetur ende ushqimin që më pëlqen. Po ta gjeja, më besoni, do ta gllabëroja po ashtu sikur bëni ju, e do të fryhesha me të.”

Por çka nëse përmbushja e një oreksi ose dëshire është diçka shumë më e pakapshme sesa duket të jetë në këtë rast, madje, shtrohet pyetja: çka nëse na u është mbushur koka me ide e imazhe të gabuara  lidhur me atë se çka na qenka përmbushja e plotësimi i dëshirave tona; ide e  imazhe këto  që na shpërqendrojnë nga ajo që me të vërtetë duam? Nëse qëllimi i seksit, për shembull, nuk do të ishte përmbushja e nevojave, do të na sillte sigurisht më shumë kënaqësi.


Adam Phillips, psikanalist e shkrimtar, ka mbajtur dikur postin Psikoterapeut Kryesor për Fëmijë në Spitalin Charing Cross, në Londër. Aktualisht psikanalist në klinikë private, ai ligjëron në Departamentin e Anglishtes në Universitetin e York-ut. Phillips ka qenë redaktor i përgjithshëm i serisë së përkthimeve të reja të veprave të Sigmund Freud-it (Penguin Modern Classics) si dhe është autor i disa librave si Unforbidden Pleasures, Missing Out, In Writing, One Way or Another, On Balance, etj.

# Pesë ligjërata mbi teprinë

Autor: Adam Phillips

Përkthimi: Përktheu nga anglishtja Sokol Ferizi.

Marrë nga: Ese nga libri “On Balance”, Farrar, Straus and Giroux, 2010. Titulli origjinal i eseut: "Enough is Enough"

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

13 Dhjetor, 2021
Postime të ngjashëme
Pesë ligjërata mbi teprinë: fanatizmi si strehë nga vetja (V)
Siç shkruan poeti John Milton në poezinë e tij Parajsa e Humbur, Adami e Eva pasi që kafshojnë mollën e ndaluar, që të dy i gjejmë duke "vajtuar pasojat e teprimit". Duke e quajtur Rënien
A e përplotësojnë Sade dhe Masoch njëri-tjetrin?
Me [Marquis de] Sade-në dhe [Leopold von Sacher-] Masoch-un funksioni i letërsisë nuk është ta përshkruajë botën, meqë kjo është bërë tashmë, por ta përkufizojë pjesën plotësuese të botës që është në gjendje të nxërë
Mendjet më të ndritura
Në një ditë nëntori të vitin 1949, në Institutin Psikiatrik të Shtetit të Nju Jorkut (IP) që ndodhet lart mbi Riverside Drive në Manhatanin e sipërm, shefit të shërbimit, Dr. Nolan Lewis, në konferencën javore
Patriarkati, Civilizimi dhe Zanafillat e Gjinisë
Qytetërimi, në thelb është histori dominimi ndaj natyrës dhe gruas. Patriarkati nënkupton sundimin mbi gratë dhe natyrën. Për rrjedhojë, logjikshëm shtrohet pyetja në janë sinonime të dy këto institucione që në bazë? Është filozofia ajo
Pesë ligjërata mbi teprinë: Të tepërt për vetveten (IV)
Jo rrallë e kemi ndjenjën se jeta është e papërballueshme. Jo rrallë edhe ndjejmë sikur medoemos duhet t'ia dalim disi; se me gjithë kërkesat e saj, duhet t'i krijojmë resurset vetanake për t'u përballur me