Adam Phillips
Kallja dhe Moskallja Pas Seksit
Një ndër misteret që ngjallë kureshtje të veçantë gjatë zhvillimit të njeriut është ai që ka të bëjë me faktin se, si ndodh që kalojmë nga qenie të etura për ushqim, në qenie të etura për seks. Mund të themi se të dy këto etapa lidhen me kërkimin e dashurisë, ose së paku kanë përmbushjen si qëllim final; e shikuar nga këndvështrimi Darvinian ato janë edhe parakushte për ekzistencën tonë: ushqimi ka të bëjë me mbijetesë, seksi me riprodhim. Sidoqoftë, duhet theksuar se sa e habitshme është që seksualiteti njerëzor duket të jetë i prirur drejt vetëshkatërrimit, dhe se si është pothuajse krejtësisht i paorientuar kah riprodhimi. Përderisa seksualiteti i shtazëve tjera është tërësisht i dominuar nga cikli i riprodhimit, i joni nuk është. Për më shumë, neve nuk ka gjë që na destabilizon po aq – asgjë s’na e bënë jetën më të vështirë nga adoleshenca e tutje – sesa dëshirat tona seksuale. “Sa tmerr të dëshirosh e të mos e kesh, sa tmerr ta kesh e të mos e dëshirosh”, kishte shkruar poeti W.B. Yeats. Rënia në dashuri e rënia në epsh na i ekspozojnë pakthyeshëm përmasat e teprimeve tona. Krejt letërsia perëndimore ka të bëjë me atë se sa larg shkojnë njerëzit për dashuri; dashuri për diçka ose dikë. Për dashuri ndaj dashurisë.
Për t’u veçuar është edhe fakti se qysh nga puberteti seksualiteti na shndërron të gjithëve në fantazues; qofshin ato fantazi pornografike apo romantike, tepër eksituese apo paksa të luajtura mendsh, fantazitë janë shpesh të tepërta në përmbushjen që duket se premtojnë. Pse priremi aq shumë drejt ekzagjerimit në botën e fantazive tona, edhe pse në të ashtuquajturin realitet jemi më të përmbajtur, për dallim edhe sillemi më mirë? Një përgjigje e thjeshtë ndaj kësaj pyetjeje do të ishte sepse në fantazitë tona – apo siç e quante D.H. Lawrence “seksi në kokën” tonë – gjithçka përkon tamam me atë se çfarë duam. Sepse kur fantazitë tona na kënaqin aq shumë, për së tepërmi, frustrimit nuk i mbetet vend; fantazitë, me fjalë tjera, nxjerrin në sipërfaqe frikën ndaj frustrimit. E prapëseprapë, kur është fjala te ushqimi ka një pikë përtej së cilës nuk e durojmë dot urinë, vdesim urie; pse mund të vuajmë nga mospërmbushja e epsheve seksuale, e megjithatë mbijetojmë?
Çka e bën apetitin për ushqim të dallojë nga apetiti për seks është fakti se të gjithëve na caktohet një person, thënë kushtimisht, që do të na ushqejë porsa të lindim; për dallim, nuk na caktohen, në çfarëdo kuptimi, persona që do të bëjnë seks me neve. Nëse kemi pasur fat e kemi gëzuar kujdes të mirë qysh herët nga prindërit tanë – thënë ndryshe, nëse kanë qenë mjaftueshëm prezent për ne e kemi mundur të llogarisim në mbështetjen e tyre – do ta kuptojmë gjatë adoleshencës se objektivat e dëshirës sonë seksuale, njerëzit dhe përvojat që i duam, dinë të jenë goxha të pakapshme. Kryesisht, kur kemi qarë nga uria na është dhënë të hamë. Por nuk është aq e thjeshtë kur e duam dikë, kur si të rritur ndjejmë epsh për dikë seksualisht. Kur e teprojmë së fantazuari – kur bëhemi fundamentalist të fantazisë – e mbajmë shpresën gjallë në një botë të paqartë e vazhdimisht të ndryshueshme.
Rikujtojmë se të tepruarit në sferën e seksualitetit është shenjë e frikës që kemi ndaj mosmjaftueshmërisë në përgjithësi, është formë për ta mbajtur vetën të disponuar me jetën. Por, natyrisht, fantazitë romantike e seksuale, që na kënaqin e përmbushin aq shumë, nuk janë gjithmonë të dobishme. Fantazia ngjizet aty ku fillon mospërputhja mes asaj çfarë dëshirojmë dhe asaj që realisht ekziston e mund të dëshirohet, e si rrjedhojë të kihet. Siç thotë Anna Freud në frazën e saj të famshme, “Në ëndërr mund t’i përgatisim vezët bash ashtu siç na e do qejfi, por nuk është e mundur edhe t’i hamë.” Fantazitë na përmbushin aq shumë sa që mund të shndërrohen në strehë, në ikje nga realiteti; nëse lidhjet e përnjëmendta seksuale na qenkan aq të vështira për t’u patur ose për t’u mbajtur – nëse na frustruakan ose na kënaqkan për së tepërmi – në fantazitë tona raportet seksuale me të tjerët mund t’i terezisim siç të duam. Me fjalë tjera, fantazitë seksuale mund të na e bëjnë të qartë se s’është se jemi të pangopshëm për seks, porse, përkundrazi, ia kemi frikën hyrjes në lidhje me njerëz. Për më shumë, fantazitë tona, në të njëjtën kohë, edhe artikulojnë dëshirat tona – shpesh duke i maskuar ato – edhe na qetësojnë duke çuar sinjalin se realizimi i dëshirës është i pamundur. Pra, s’është që realiteti i dëshirës sonë na qenka i paarritshëm, dëshpërues, janë fantazitë, në përmasat e tyre të tepruara, që bëjnë që dëshira jonë të duket jorealiste.
“Dëshirojmë”, thotë Freud, “gjithmonë më shumë sesa kapaciteti që objekti i dëshirës sonë ka për të na përmbushur”. Me fjalë tjera, gjithmonë duam më shumë sesa që mund të kihet; e tendenca jonë zakonisht është ta fajësojmë botën që po na dëshpëron, në vend se ta shohim e ta pranojmë faktin se dëshirat tona janë shpesh aq jorealiste. Por pse dëshira po u dashka të jetë kaq e tepërt? Një shpjegim mund të jetë fakti se dëshpërimi na mbanë gjallë e në lëvizje të vazhdueshme; se duke dëshiruar vazhdimisht shpresojmë se një ditë do të përmbushemi plotësisht, gjë që s’ndodh kurrë; ose që punojmë vazhdimisht të mos ndodhë kurrë. Për shkak se jemi të frustruar s’ndalemi së dëshiruari. E kjo edhe e ka kuptimin e vetë; të dëshirosh gjithmonë më shumë nënkupton mosheqje dorë, sikur dorëheqja na qenka pikërisht ai tundim të cilit nuk duam t’i dorëzohemi; janë pra teprimet që dalin nga dëshirat tona seksuale, ngulmimet tona të pandërprera për dashuri dhe përmbushje, që bëjnë që të mos përfundojmë të pashpresë. Ose, ndoshta siç sugjeronte Freud, mes shumë të tjerëve, jemi qenie të dirigjuara vrullshëm e pashmangshëm nga seksualja. Dëshira për dashuri e seks nuk është asilloj dëshire që mund të ngopet. Ky nuk është problem për t’u zgjidhur, është vetë qëllimi, që vetëm duhet kuptuar.
Duket se ndodhemi gjithnjë në mes të dy anëve: ose mendojmë se disa njerëz, ose të gjithë njerëzit më pak ose më shumë fshehurazi, janë të obsesionuar pas seksit; ose mendojmë, ashtu siç çdo ekzagjerim na bën të mendojmë, se të qenit tepër i dhënë pas seksit është simptomë e diçkaje. Mund të pyesim, çka paskan bërë aq shumë, ata që bëjnë shumë seks? Ose, çkaje po përpiqen t’i shmangen ata njerëz që duan shumë seks, të cilët në këtë Epokën e Diagnozës edhe quhen të varurit nga seksi? A do të thotë shumë seks, shumë pak të ashtuquajtura lidhje? A janë të varurit nga seksi të trembur nga ajo që njohim si intimitet? Kur politika e së djathtës së krishterë e quante epideminë e Sidës ndëshkim që Zoti ua kishte bërë homoseksualëve, kjo nuk nënkuptonte vetëm ndëshkim për të qenit e tyre gay, por gjithashtu ndëshkoheshin sepse supozohej se të qenit gay nënkuptonte shumë seks. Përtej një limiti, përtej një mase të caktuar – masë kjo gjithnjë e padefinuar – shumë seks, në një formë ose tjetër, nuk qenka mirë. Në këtë botën tonë të stërmatjeve, shumë prej një gjëje gjithmonë kuptohet sikur mbetet pak prej një gjëje tjetër; shumë pak prej diçkaje më të mirë.
Në vija të trasha, të qepurit e tepërt pas seksit do të thotë interesim i pakët për të tjerët. Teprimi me seks dëmton njerëzit kur ata nuk kanë dhënë pëlqim të dëmtohen. Në anën tjetër, teprimi me seks i dikujt mund të nënkuptojë edhe se dikush po bëka seks më shumë se unë, më shumë sesa unë do të doja të bëja. Kur vjen puna te ekseset seksuale nuk është shumë e qartë nëse prapa virtytshmërisë tonë fshehet zilia, apo thjeshtë racionalizojmë frikën përmes moralit; do të na donte qejfi të jemi po aq të eksituar, promiskë, të shfrenuar, por tutemi të guxojmë të jemi të tillë. Dy “Fjalë të Urta nga Ferri” që vijnë menjëherë pas thënies “Rruga e teprisë çon kah Pallati i Urtësisë” nga poeti William Blake janë: “Maturia është një shërbëtore plakë e e pasur që joshet nga Paaftësia” dhe “Ata që veç dëshirojnë por nuk realizojnë sjellin keq”. Në përgjithësi, rrallëherë i kemi zili dikujt pse paska apetit të madh për ushqim, por apetitet seksuale të të tjerëve – sidomos në një shoqëri ku seksi nënkupton shëndet, vitalitet e rini – na prekin në palcë. Askund nuk e teprojnë njerëzit më shumë sesa atëherë kur flasin për teprimin. E megjithatë, njerëzit e teprojnë edhe më shumë kur flasin për teprimet e natyrës seksuale. Hija e njeriut që po kënaqet më shumë sesa ne është hija e të ngjashmit me ne, që na joshë e na tundon.
Jetojmë sipas disa ekuacioneve me të cilat jemi edukuar: të kesh apetit të mirë për seks është baraz me gjallëri e shëndet, por, gjithashtu, meqenëse seksi mund të kënaq për së tepërmi ose të frustrojë për së tepërmi edhe ia kemi frikën, prandaj, seksi është edhe baraz me ndrojtje e shtrëngesë (kurrë s’ndihemi aq të lirshëm seksualisht sa do të mund të ishim). Por të kesh apetit të mirë për seks sjell me vete mundësinë e promiskuitetit, të pabesisë e të tradhtisë, e gjithë vuajtjen që pastaj këto sjellin me vete, prandaj seksi gjithashtu mund të bëjë kërdi e të sjellë kokëçarje të thellë. Kështu që, po, një seksualitet i çlirët është i barasvlefshëm me një jetë më të përmbushur, më të lirë, por në anën tjetër, një jetë në të cilën mund të bëhet shumë dëm. Teprimet në sferën e seksualitetit, siç e dimë të gjithë, sjellin me vete një mori të atyre që jemi mësuar t’i quajmë probleme. Siç edhe shprehemi, “u tepru shumë!”. Ndonëse herë pas here edhe arrijmë të mbajmë një qëndrim të pangarkuar karshi seksuales – kur për shembull themi mendjelehtësisht, seksi është lezet, o vëlla! – këto qëndrime i mbajmë sepse e dimë sa i ndërlikuar është, e sa riskante do ishte t’i kundërviheshim. “S’ka seks pa dashuri poaq sa s’ka seks pa refuzim dashurie”, kishte thënë një herë shkrimtari e kritiku Paul Goodman. Kur flasim për të ashtuquajturat seksualitete të tepërta, ose flasim si moralistë të sinqertë ose jemi tej mase mendjelehtë. Të mos na shpëtojë fakti se çfarëdo teprimi me një gjë – shembull i mirë këtu janë teprimet në sferën seksuale – shpesh bën që njerëzit të polarizohen, e të ngushtohen në mendje. Sikur na munguakan veglat, mjetet, sikur na munguaka fjalori për të folur rreth ekseseve tona; sikur vetë gjuha nuk qenka mjeti i përshtatshëm për të folur për teprinë.
Qëndrimet tona karshi teprimeve në sferën seksuale na e nxjerrin ose moralistin tolerant, ose moralistin jotolerant brenda nesh – të dyja këto qëndrime dogmatike. Ndoshta zgjidhja do të ishte të gjejmë mënyrën se si të mos e teprojmë kur flasim për atë që konsiderojmë të tepërt; ose t’ia lejojmë vetës dhe tjetrit të intrigohemi nga kureshtja mbi çështjen në fjalë, në vend se ta teprojmë me mënyrat tona të të shprehurit e reaguarit. Seksi si temë mund të shërbejë si pikënisje e mirë për një gjë të tillë.
“Sendërtimi i eksitimit seksual”, mënyra se si secili prej nesh nis e eksitohet seksualisht pra, siç shkruan psikoanalisti Robert Stoller, “është po aq i ndjeshëm, i ndërlikuar, i frymëzuar, i thellë, po aq i dallgëzuar, fascinant, mahnitës, e problematik, po aq i squllur në të pavetëdijshmen e i përndjekur nga gjenialiteti sa edhe sendërtimi i ëndrrave e krijimtaria artistike”. Mund të themi Stoller e teproi paksa në përshkrimin e tij, por është një lloj teprimi që në fakt zgjeron suazat përbrenda së cilave mund të bisedohet mbi çështjen, në vend se t’i ngushtojë ato, siç bëjnë diskutimet përbrenda kornizave ekstremiste të moralit. Ajo çka të paktën thotë ky përshkrim, është se eksitimi seksual – dëshira seksuale dhe jetimi i saj – është tej mase më interesant, më kompleks, e na thotë shumë më shumë për atë se kush jemi si qenie seksuale, sesa që na ka shkuar mendja ndonjëherë më parë. Duke krahasuar erotikën e jetëve tona seksuale me atë të veprave të artit, Stoller po na tërheq vëmendjen kah fakti se tekefundit s’është se ka shumë dallim mes një profesioni, një pasioni, e një obsesioni; të tre janë forma të teprimit, eksese, por artistët nuk i quajmë të varur nga arti, ose fetarët të varur nga Zoti. Me fjalë tjera, shprehja e seksualitetit tonë në gjithë ekstravagancën e tij, aq zellshëm të përshkruar nga Stoller, përkundër asaj se çka mund të mendojmë, ngjason më shumë me shprehjet kulturore që shoqëria në fakt i miraton e i çmon lartë. Stoller duket se po na fton të flasim për jetën seksuale ashtu siç kritikët e artit flasin për artin; e çfarë nënkupton kjo, sipas tij, është se duhet të përpiqemi të mendojmë më thellë lidhur me atë se çfarë në të vërtetë qenka seksualiteti ynë, çka është e çkaje i shërben, si dhe çka do të thotë përjetimi seksual – me fjalë tjera, të kuptojmë se çka po përpiqet të na tregojë seksualiteti, kur na kapërthen, për veten dhe për të tjerët – në vend se ta gjykojmë para kohe. Kur e teprojmë me reagimet tona e gjykojmë çështjen para se ta kuptojmë.
Sot e kësaj dite rasits shpesh që disa meshkuj të vijnë e të kërkojnë t’i nënshtrohen terapisë psikoanalitike për problemet që kanë me përkushtimin/detyrimet. Vetë fjala “detyrim” (angl. commitment) ngërthen në vete një dykuptimësi; të detyrohesh ka kuptimin edhe të një urdhërese penale për të dërguar/detyruar dikë në burg ose në spital mendor e, gjithashtu, të një detyrimi që ndërmerr një person me vullnet të lirë, ose përkushtim. Njerëzit u detyrohen partnerëve të tyre, po gjithashtu detyrohen të shkojnë në spital. Këta meshkuj me të ashtuquajtura probleme përkushtimi zakonisht ose bëjnë shumë seks, janë më promiskë sesa që duan të jenë, ose bëjnë më pak, janë më të ndrojtur, pra, sesa që duan të jenë. Por çka do të mësonim nga teprimet, skajshmëritë në sjelljen e tyre seksuale, po të hiqnim dorë për një moment nga paragjykimi mbizotërues se qenkan thjeshtë Meshkuj të Përdalë (kur kallen pas seksit) ose Meshkuj të Pavërtetë (kur nuk kallen pas seksit)? Një psikanalist në rastin e një të kalluri pas seksit ka një mundësi: mund të përpiqet të gjejë një mënyrë, nga intuita e bagazhi i tij profesional, që ta drejtojë këtë mashkull të sillet më mirë. E nëse zgjedhë këtë ndërhyrje, do të duhej ta dijë paraprakisht se çfarë do të nënkuptonte sjellje më e mirë për të tillë mashkull; e sipas të gjitha gjasave ajo çfarë psikanalisti do të ofronte si zgjidhje do të ishte thjesht konform me një prej shumë normave kulturore mbizotëruese. Nëse psikanaliza si ndërhyrje terapeutike do të funksiononte, ky mashkull do të dilte më i kujdesshëm, do të lëndonte më pak tjetrin, do të bëhej më i përgjegjshëm e më i vëmendshëm ndaj kuptimit si dhe ndaj pasojave të veprimeve të tij. Edhe pse, në fjalët e William Blake, “Ata që veç dëshirojnë e nuk realizojnë sjellin keq”, ky mashkull mund të mësojë nga psikanaliza e tij se t’i realizosh shumë dëshirat gjithashtu mund të sjellë keq! Natyrisht, ky është një përshkrim në vija shumë të trasha i procesit psikanalitik të vetëdijesimit të njeriut për veprimet e tij si dhe pasojat që dalin nga ato. Ajo çfarë po synoj të nxjerr në pah përmes kësaj karikature të një ndërhyrjeje terapeutike është fakti se, të provosh të shërosh promiskuitetin e tepërt, në një anë, ose stërmaturinë, të përmbajturit e tepërt, në anën tjetër, në çështje seksuale, mund të ketë si rezultat një konformizëm gjithashtu të tepruar. Ky mashkull, i njërit apo tjetrit ekstrem, ndodh që gëzon mbështetje, bëhet madje i pëlqyeshëm për ata që ndajnë me të pikëpamjen e tij morale mbi atë se çfarë janë, e si duhet të jenë, të themi, raportet mes gjinive. Pse, çfarë do të ishte alternativa? Nëse nuk i rregullojmë, nuk i disiplinojmë ose nuk i dënojmë ekseset seksuale, çfarë na mbetet të bëjmë? Unë do të thoja se duhet të mendojmë mirë para se t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, sepse vet dëshira për ta njohur e për ta kuptuar një sjellje të tepruar, të keqe, ngërthen në vete një lloj pjesëmarrjeje, një lloj bashkëfajësie. Edhe kuptimi, edhe kureshtja, madje edhe empatia, mund të jenë të tepërta, dhe mund ta rëndojnë edhe më shumë problemin në fjalë.
Ndoshta veç e keni vërejtur se njeriu ka pak të reja për të thënë kur flitet për atë se si të shërohen teprimet seksuale – si të normalizohen apo disiplinohen ato; sjelljet e tepërta seksuale, ose ekstremi tjetër i mungesës eklatante të tyre, te kjo kategori meshkujsh nuk sjellë asgjë të re në Pallatin e Urtësisë. Madje edhe për psikanalistin që udhëhiqet nga qëllimi për të kuptuar, gjasat janë se do të kuptojë vetëm përbrenda suazave të asaj për të cilën ka njohuri, ose që veç e njeh. “Letërsia”, pat thënë poeti Ezra Pound, gjë që do të mund ta thuhej për cilindo art – “është lajm që mbetet risi.” Nëse jeta seksuale, duke përfshirë erotikën, do të shihej si një lloj vepre arti, atëherë në vend se të synohej konformizmi, alternativa do të kishte me qenë të mbaheshin veshët lart për atë që është e re, befasuese, e papritur. Nuk hyjmë në lidhje me të tjerët për t’i përmbushur nevojat tona, hyjmë në lidhje për të mësuar se cilat na qenkan nevojat tona. Të gjeturit e formave gjithnjë më të mira për ta përshkruar seksualitetin tonë mundëson që ky i fundit të mbetet risi. S’mund të jesh ai që i di të gjitha për seksin. Supozimet tona shpesh të pavetëdijshme rreth seksualitetit e seksuales na pengojnë të mendojmë diçka të re mbi to.
Ndoshta seksualitetet ekstravagante – si dhe esktravaganca në të ashtuquajturat seksualitetete normale – po na tërheqin vëmendjen kah diçka që nuk e kemi menduar kurrë më parë për vetveten. Kur shprehim seksualitetin tonë zëshëm jemi sikur ata njerëzit që duhet të bërtasin, të insistojnë, njerëz që detyrohen të kërkojnë vëmendje sepse askush – bile as vetvetja – s’ka arritur të dëgjojë atë që po kërkon të shprehet (folësi që shpesh e dëgjojmë më së paku është vetja jonë). Insistojmë vetëm atëherë kur dyshojmë në bashkëpunimin e tjetrit, kur na duket se nuk po e marrin vesh atë që duam të themi. Ekzagjerimet në jetën tonë seksuale hedhin dritë mbi atë se sa enigmatik në të vërtetë është intimiteti ynë – dhe se sa shumë e përdorim seksualitetin tonë për të thënë diçka për një tjetër aspekt të vetvetes. Kur themi se seksualiteti na qenka diçka në përgjithësi i tepërt, duhet të pyesim, i tepërt në krahasim me çka? Krahasuar me të qenit fer, krahasuar me të qenit të arsyeshëm, krahasuar me dëshirën për ta njohur vetveten? Ndoshta pyetja nuk është: si të bëhemi më pak të tepërt? Por, cilat teprime na sjellin jetën që duam ta jetojmë? Dhe, natyrisht, si ta marrim vesh cilat na qenkan këto teprime e cila na qenka kjo jetë që duam ta jetojmë?
Adam Phillips, psikanalist e shkrimtar, ka mbajtur dikur postin Psikoterapeut Kryesor për Fëmijë në Spitalin Charing Cross, në Londër. Aktualisht psikanalist në klinikë private, ai ligjëron në Departamentin e Anglishtes në Universitetin e York-ut. Phillips ka qenë redaktor i përgjithshëm i serisë së përkthimeve të reja të veprave të Sigmund Freud-it (Penguin Modern Classics) si dhe është autor i disa librave si Unforbidden Pleasures, Missing Out, In Writing, One Way or Another, On Balance, etj.