Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Pesë ligjërata mbi teprinë: Të tepërt për vetveten (IV)

Pesë ligjërata mbi teprinë: Të tepërt për vetveten (IV)

Adam Phillips

Jo rrallë e kemi ndjenjën se jeta është e papërballueshme. Jo rrallë edhe ndjejmë sikur medoemos duhet t’ia dalim disi; se me gjithë kërkesat e saj, duhet t’i krijojmë resurset vetanake për t’u përballur me të. Karshi vështirësive e streseve të përditshmërisë, njerëzit sot shpesh e lehtë vijnë në përfundim se nuk po ia dalin dot; se në një formë ose tjetrën, nuk po ia dalin të përballen me stërmundimet e zakonshme: shumë frustrim, shumë ndjenja jo të mira, shumë pak dashuri, shumë pak sukses, etj. Një prej shprehjeve të zakonshme që dëgjohen gjatë seancave të psikoterapisë është, “Ndoshta po e teproj kur them se…, por…”; e një prej ankesave kryesore sot e kësaj dite është ajo që ka të bëjë me tepër, ose shumë pak, ndjeshmëri në jetë. Dua të propozoj këtu se jemi thjesht të tepërt për vetveten, porse kjo gjendje e të qenit të tepërt për vetveten tonë është sinjal i rëndësishëm që na përçohet. Propozimi im, prandaj, është gjithashtu se njeriu s’mund të reagojë për së tepërmi ndaj diçkaje, s’mund të jetë tepër i tepërt. Se kur reagimet tona ndaj situatave ose njerëzve i quajmë të tepërta, ajo çfarë duam të themi është, zakonisht, se po reagojmë më shumë sesa që do të donim ndaj diçkaje. Thënë ndryshe, nganjëherë e cilësojmë vetveten ose të tjerët si të tepërt si mënyrë për t’i zhvlerësuar ose zbutur të vërtetat që i tregojmë, ose të cilat të tjerët na i tregojnë. Është e pamundur të reagojmë për së tepërmi.

Një prej shembujve më të famshëm të Freud-it për reagim të tepruar është i ashtuquajturi  lapsusi frojdian (ose shkarja, rrëshqitja gjuhësore frojdiane), që i referohet atyre momenteve kur nga goja na shpëton një fjalë përmes së cilës themi më shumë sesa që duam të themi. Një person që vinte tek unë në psikoanalizë njëherë më tha , “A nuk besoni që Fraud (angl. mashtrimi) mbivlerësohet paksa”; natyrisht, donte të thoshte Freud, dhe u skuq. Të turpëruarit, skuqja, janë shenjë se qenka tepruar, janë reagim i trupit ndaj një ekspozimi të tepërt të vetvetes. Në atë moment, përmes atij lapsusi ai edhe tha atë çfarë donte të thoshte, e gjithashtu diçka më shumë sesa që donte. Kur na rrëshqet gjuha në një lapsus frojdian përpiqemi t’i fshehim gjurmët duke thënë se gabuam sepse paskemi thënë më shumë sesa që donim të thonim, por ama e vërteta është se përmes këtyre rrëshqitjeve shpesh duam të themi më shumë sesa veç fjalët që në fakt nxjerrim nga goja. Ky person ishte i mendimit se Freud-i (teoria e tij) ishte një mashtrim, porse ai dhe teoria e tij poashtu ia vlenin të merreshin parasysh; e gjithashtu se mashtrimi si i tillë, në vetvete, na qenka i mbivlerësuar. Kur ngatërrohemi në lapsuse frojdiane e themi diçka që na duket thamë më shumë sesa deshëm, shpesh del se, në fakt, paskemi thënë mjaftueshëm, aq sa duhet; se duke “gabuar” në të shprehur sjellim në bisedë elemente/aspekte që ia vlejnë të përfshihen, të diskutohen.  S’mund të zgjedhim të mos bëjmë rrëshqitje në të shprehur, të mos bëjmë shkarje frojdiane; por e vërteta është se edhe kur e përdorim gjuhën me plot vetëdije, shpesh themi përmes fjalëve që zgjedhim më shumë sesa që fillimisht kishim për qëllim të themi. Nëse për shembull të them se jam admirues i madh i punës tënde, po të them njëkohësisht se edhe ti edhe unë jemi të mëdhenj; kur them “Shihemi nesër!”, supozojmë se deri nesër nuk do të ketë të papritura.. Gjuha, pa të cilën s’mund ta imagjinojmë jetën, na është e tepërt në kuptimin se na befason: në gjuhë dëgjojmë e themi gjëra që jo gjithmonë duam t’i dëgjojmë apo t’i themi; të cilave jo gjithmonë duam t’u kushtojmë vëmendje.

Vitet e para të jetës i kalojmë duke parë, dëgjuar e duke prekur më shumë sesa duke folur; gjuha na vjen goxha vonë. E ashtuquajtura jetë e hershme kalohet ndër vite të tëra që, thënë butë, janë përplot ndjenja të fuqishme. Kritiku Lee Edelman përmes një shprehje provokative por edhe të dobishme, “fytyra fashiste e bebës”, arrin të kap diçka esenciale kur vije fjala te ndjenjat aq të forta që kanë fëmijët e vegjël, si dhe ndikimin që ato ndjenja kanë te njerëzit përreth. Sikur vajtimi i një foshnjeje të mos ishte i tepërt për të rriturit – i tepërt në kuptimin se duhet të merremi me të, t’i përgjigjemi ose ta ndalim disi – foshnja nuk do të mbijetonte. Të gjithë prindërit dikur fillojnë e ndihen të rraskapitur prej fëmijëve të tyre; ndjejnë se fëmijët po u kërkojnë më shumë sesa që ata janë në gjendje të japin. Një prej arsyeve pse të qenit prind është e vështirë është se prindi duhet të pajtohet me faktin se do ta frustrojë fëmijën e tij, ta bëjë të vuaj më shumë sesa do: e kjo rrjedhimisht nënkupton se çdo prind duhet ta përballojë faktin se do të urrehet nga fëmijët, e urrejtja mes prindërve e fëmijëve gjithmonë ka diçka prej të tepërtës, ekstremes.

Të gjithë e kemi përjetuar kur kemi qenë fëmijë se çka do të thotë të jemi të tepërt për dikë tjetër; se çka do të thotë ta bëjmë dikë të ndjejë diçka kundër vullnetit të tyre. Para se të kesh fëmijë, thoshte novelisti Fay Weldon, ke të drejtë të mendosh për vetveten se je njeri i mirë; pasi të kesh fëmijë e kupton si e pse fillojnë luftërat. Të gjithë nisim në këtë jetë duke u bërë të tepërt për tjetrin; jo vetëm kjo, e mbështjellë në përvojën e të qenët të tepërt për të tjerët është edhe përvoja e vetënjohjes. Mësojmë se kush jemi përderisa njëkohësisht jemi të tepërt për të tjerët. Para se ta mësojmë e stërmësojmë gjuhën që na kufizon në të shprehur e që poashtu nuk është e pakufishme në teprimet që na mundëson, veç jemi mësuar të jetojmë si nevojtarë të skajshëm. Nëse kur jemi të tepërt për prindërit – qoftë edhe veç ndonjëherë si fëmijë – nënkupton se jemi të tepërt për vetveten, shtrohet pyetja, çfarë mund të bëjmë?

Një sjellje të tjetrit e quajmë të tepërt kur bën një dëm që në sytë tonë është i panevojshëm, ose kur shkakton vuajtje që për ne është e paarsyeshme. Fëmija që ndihet se është i tepërt për prindërit e tij – siç ndodh me të gjithë fëmijët – e përjeton vetveten si keqbërës. E meqenëse mbijetesa e këtij fëmije varet nga prindërit e tij, ose atyre që kujdesen për të, ky vetëpërjetim si keqëbërës e sjellë fëmijën para një ndjenje rreziku për jetë. Kjo është arsyeja pse për fëmijën – sikur edhe për të rriturin më vonë – është aq e vështirë ta pranojë vetveten si të tepërt, dhe ta sheh teprimin (në sjellje, veprim, apo në të shprehur) si diçka tjetër pos problem në jetë. E prapëseprapë duhet cekur se prindërit janë aty për tu kapluar nga, e për ta përthithur, sjelljen e tepruar të fëmijës (dhe anasjelltas). Në fakt, njerëzve ua rrokë se qenkan në një lidhje vetëm atëherë kur fillojnë e bëhen problem për tjetrin (ose thënë paksa ndryshe, nëse do të kesh lidhje me dikë, bëhu problem për të). Si të mos kuptohet të qenët i tepërt për të tjerët e për vetveten si diçka prej të cilës njeriu duhet të lirohet? Si ka mundësi të jetë diçka në vetvete e dobishme kur i bën njerëzit që i do të vuajnë? Ndoshta një mënyrë se si mund të fillojmë t’i adresojmë këto pyetje është me një tjetër pyetje: së pari, pse ekzagjerojnë njerëzit?

Nëse ke frikë se askush nuk do të ta vërë veshin, nëse ke përshtypjen se harrohesh shpejtë, ose nuk arrin të zësh vend në mendjen e tjetrit, lind nevoja për një masë ekstreme në mënyrë që tjetri të të kushtojë vëmendje. Gjasat që të ulem në autobus i kam më të mëdha nëse i kërkoj tjetrit të ma lëshojë ulësen po i thash se kam probleme me zemër, sesa po t’i them se nuk rrijë dot në këmbë! Ekzagjerimi është përpjekje për t’u futur në imagjinatën e tjetrit, për të marrë vëmendje. Njerëzve rrallë ju mbetet tjetër pos të teatralizojnë derisa ta bëjnë tjetrin të mendoj për ta. Ekzagjerojmë atëherë kur diçka brenda nesh ka nevojë të njihet, e na nevojitet tjetri të na ndihmojë ta kuptojmë se çfarë na qenka kjo gjë.  Jemi të tepërt për vetveten sepse brenda vetes tonë ngërthehen shumë më shumë gjëra – ndjejmë shumë më shumë – sesa që mund të kontrollojmë. Njerëzit nuk reaguan për së tepërmi kur vdiq Princesha Diana; përmes vdekjes së Dianës ata kuptuan se sa të kapërthyer ishin vetë ata nga dhimbja, se sa humbje kishin pësuar secili në jetën e vet, e se si ndiheshin për fatin e një gruaje në kulturën tonë. Në të vërtetë, dhimbja më shumë sesa seksualiteti na rikujton se sa të tepërt jemi për vetveten tonë, sa të forta janë malli e dashuria jonë. Si ta dimë, kush mund të na thotë, nëse po e teprojmë me reagimin tonë ndaj vdekjes së dikujt, madje se mbajtja jonë zi për vdekjen e dikujt na qenka e tepërt dhe se u dashka të marrë fund?

Jemi të tepërt për vetveten – në pangopjen e dëshirat tona, në dhimbjet e detyrimet tona, në dashuritë e urrejtjet tona – sepse nuk arrijmë t’i gjejmë vend në idenë që kemi për vetveten shumë ndjenjave që na kaplojnë. Në fakt, duke insistuar se jemi ose bëhemi të tepërt për vetveten, apo të tjerët, mashtrohemi duke menduar se e dimë se kush jemi, kur në fakt krejt çka mund të dimë është se jemi injorantë karshi vetvetes. Të tjerët i quajmë të dhunshëm jo kur ushtrojnë ndonjë farë dhune që me të vërtetë tejkalon, ose do të duhej të tejkalonte,  përmasat e së lejueshmes, por thjesht pse tjetri është më i dhunshëm sesa që ne duam të jetë. Kur njerëzit e teprojnë na tregojnë se deri ku mund të shkoj njeriu: mund të mendojmë se ata që torturojnë njerëz, që marrin pjesë në spastrime etnike, ata që vrasin vetën dhe të tjerët për besimet e tyre, janë thjesht përjashtimet që justifikojnë rregullën (për mos t’i bërë këto gjëra); jo, përkundrazi, këto veprime na demonstrojnë faktin se, shumë më shumë se përjashtime, ato janë pikërisht gjërat që disa njerëz të caktuar në kohë dhe situata të caktuara duan t’i bëjnë me plot vetëdije. Sjellja e tepërt na thotë më shumë sesa që duam të dimë lidhur me atë se kush jemi në të vërtet ne njerëzit, çfarë mesazhe kemi për t’i dhënë njëri tjetrit, dhe se deri ku mund të shkojmë me veprimet tona.

Më tutje, adoleshenca – si fazë kur fëmijët fillojnë të kenë kapacitetin fizik për të vrarë dhe për tu riprodhuar – është periudha kur fillojmë e ambientohemi në mënyrë më të vetëdijshme në format e teprimit që pastaj bëhen pjesë e asaj se kush jemi si individ; dhe, natyrisht, se kush do të jemi. Adoleshentët janë më të tepërt në krahasim me fëmijët që dikur ishin, dhe njëkohësisht, në krahasim me të rriturit që supozohet se do të jenë. Së paku për njerëzit modernë, adoleshenca duket të jetë një fazë prej së cilës është zor të dilet. Bile një prej problemeve kryesore që adoleshentët kanë sot është fakti se të rriturit nuk reshtin së iu paturi zili; e po t’i hidhet një sy del se ajo që të rriturit e sotit lakmojnë te adoleshentët është pikërisht sjellja e tyre e tepruar. Idealizimi bashkëkohor i adoleshentëve na tregon diçka rreth mënyrës se si përpëlitemi ne të rriturit me ndjenjat tona të komplikuara lidhur me të qenët të tepërt për vetveten.

Fshehurazi besojmë se adoleshentët po e jetojnë jetën më mirë, me më shumë intensitet e pasion, thënë shkurt po kënaqen më shumë, sesa ne; ama publikisht flasim se si adoleshentët duhet të disiplinohen më shumë. Flasim për reduktimin e therjeve, krimeve të ftohta, por jo për frikën që duhet të ndjejë një njeri për ta mbajtur një thikë, e as për ndjenjën e fuqishme e gjallëruese që mbajtja e thikës i sjellë një të riu. Flasim për shtatzëninë e adoleshenteve, por jo për ngazëllimin e fortë që zbulimi i seksit dhe mundësia të eksperimentohet me të sjellë me vete. Nuk flasim as për frikën,hutimin e dhimbjen që seksualiteti sjellë si rrjedhojë e kënqjes ose mosknaqjes së tepërt që shkakton; si rrjedhojë e faktit që seksualiteti në vetvete është pjesë esenciale e identitetit tonë, cilido qoftë ai. Nga të rriturit adoleshenca gjithmonë asocohet me teprim: izolim i tepruar, socializim i tepruar, disponim tejet i ndryshueshëm, shumë drogë e shumë alkool. Adoleshenti duket se i kundërpërgjigjet eksesit me ekses; mërzitja e tepërt çon te zbavitja e tepërt, deiluzionimi i tepërt çon te idealizmi i tepërt, paqartësia e tepërt çon te mbajtja e bindjeve të forta. E pra qysh të fillojmë e të kujdesemi për vetveten mbas aq shumë kohe të kaluar nën kujdesin e të tjerëve? Të mos harrojmë se qeniet njerëzore janë kafshë tejmase të varura, me nevojën për tu mbështetur te prindërit më gjatë sesa cilido gjitar tjetër. E çfarë mund të bësh, kur përveçse i varun në prindër, edhe fillon të kuptosh se je i tepërt për ta, kur ky fakt bëhet i painjorueshëm për të dyja palët? Nëse në adoleshencë rruga e teprisë çon kah Pallati i Urtësisë, atëherë pallati i urtësisë na qenka mosha madhore.

Adoleshentët nuk është se me sjelljet e shprehitë e tyre reagojnë ndaj fazës së pubertetit dhe botës që i rrethon, aq sa as prindërit e adoleshentëve nuk është se e tepruakan në stërzmadhimet plot zemërim, gëzim e dëshpërim karshi fëmijëve të tyre. Ajo çfarë adoleshentët dhe prindërit e tyre që dikur ishin vetë adoleshentë përjetojnë, është thjesht një gjendje të dyfishtë pafuqie, pafuqia që lind nga pasja e përvojës, dhe pafuqia që lind nga mungesa e përvojës. Adoleshentët janë të tepërt për prindërit e tyre aq sa janë të tepërt për vetveten. Ndërsa, prindërit janë thjesht njerëz që kanë kaluar më shumë kohë duke qenë të tepërt për vetveten. E them këtë të fundit sepse edhe të rriturit, natyrisht, s’janë hiç më pak teprues në sjelljet e tyre sesa adoleshentët. Kampet e koncentrimit nuk u mbajtën nga adoleshentët; adoleshentët nuk janë alkoolikë ose milionerë kryesisht sepse s’kanë pasur kohë të mjaftueshme për tu bërë të tillë. Pra sjellja e tepruar nuk është diçka që kapërcehet me kohë duke u rritur, përkundrazi veçse piqemi më thellë në të.

Gjithashtu për tu veçuar është fakti se reagojmë për së tepërmi kryesisht ndaj gjërave më të zakonshme në botë: ndaj lindjes dhe vdekjes, ndaj urisë dhe seksit, ndaj dashurisë dhe humbjes, si dhe, natyrisht, ndaj plakjes. Sa më shumë që mendojmë për rrugën e teprisë – për atë se sa të tepërt me të vërtetë jemi në teprimet tona – pyetja bëhet jo, pse jemi kafshë që e teprojmë kaq shumë?, por: qysh të mos jemi kur e dimë se me çka na duhet të përballemi në jetë?

Ndoshta “tepria” është fjalë që e përdorim kryesisht për ta ngushëlluar veten në kuptimin se krahas këtij vetëpërshkrimi mbahet gjallë besimi se jemi diçka më shumë sesa veç njerëz që e  teprojmë me gjithçka. Nëse situata na qenka e atillë që fillojmë si foshnja të jemi të tepërt, qoftë edhe vetëm herë pas here, e bëhemi adoleshentë- definitivisht të tepërt për të tjerët, aq sa na duhet t’i lëmë të tjerët mbrapa, e pastaj shndërrohemi në të rriturit- pashmangshëm të tepërt për vetveten, çka na mbetet të bëjmë? Një gjë që mund të bëjë njeriu është të gjejë dikë për të cilin nuk je edhe aq i tepërt, e ky, nëse nuk është një institucion ose lider, ndodhë që duhet të jetë një zot.


Adam Phillips, psikanalist e shkrimtar, ka mbajtur dikur postin Psikoterapeut Kryesor për Fëmijë në Spitalin Charing Cross, në Londër. Aktualisht psikanalist në klinikë private, ai ligjëron në Departamentin e Anglishtes në Universitetin e York-ut. Phillips ka qenë redaktor i përgjithshëm i serisë së përkthimeve të reja të veprave të Sigmund Freud-it (Penguin Modern Classics) si dhe është autor i disa librave si Unforbidden Pleasures, Missing Out, In Writing, One Way or Another, On Balance, etj.

# Pesë ligjërata mbi teprinë

Autor: Adam Phillips

Përkthimi: Përktheu nga anglishtja Sokol Ferizi

Marrë nga: Ese nga libri “On Balance”, Farrar, Straus and Giroux, 2010. Titulli origjinal i eseut: "On Being Too Much of Ourselves"

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

14 Shkurt, 2022
Postime të ngjashëme
Patriarkati, Civilizimi dhe Zanafillat e Gjinisë
Qytetërimi, në thelb është histori dominimi ndaj natyrës dhe gruas. Patriarkati nënkupton sundimin mbi gratë dhe natyrën. Për rrjedhojë, logjikshëm shtrohet pyetja në janë sinonime të dy këto institucione që në bazë? Është filozofia ajo
Pesë ligjërata mbi teprinë: Mes përmbushjes dhe frustrimit (II)
Shkrimtari Thomas Mann kujton se si, kur ishte fëmijë, babai i tij e kishte shpikur një eksperiment përmes së cilit përpiqej t‘u japë mësim mbi oreksin atij dhe vëllezërve e motrave të tij. "Babai na
Pesë ligjërata mbi teprinë: seksualiteti mes teprimit dhe vetnjohjes (III)
Kallja dhe Moskallja Pas Seksit Një ndër misteret që ngjallë kureshtje të veçantë gjatë zhvillimit të njeriut është ai që ka të bëjë me faktin se, si ndodh që kalojmë nga qenie të etura për
A e përplotësojnë Sade dhe Masoch njëri-tjetrin?
Me [Marquis de] Sade-në dhe [Leopold von Sacher-] Masoch-un funksioni i letërsisë nuk është ta përshkruajë botën, meqë kjo është bërë tashmë, por ta përkufizojë pjesën plotësuese të botës që është në gjendje të nxërë
Deluzioni si dobi
Shumëkush mendonte se babai im jetonte vetëm. Ai nuk jetonte vetëm. Jetonte me Zotin dhe me aktoren franceze Catherine Deneuve. Ata ekzistonin jashtë tij, por disi ia projektonin zërin e tyre në mendje.  Përgjatë adoleshencës