Luce Irigaray
Seksualiteti femëror gjithmonë është konceptuar në bazë të parametrave mashkullorë. Prandaj, vënia e aktit klitoral “mashkullor” aktiv kundrejt atij vaginal “femëror” pasiv, që Frojdi – si shumë të tjerë – i shihte si etapa, apo alternativa, të zhvillimit “normal” seksual të grave, duket qartazi më shumë si diçka e kërkuar nga praktika e seksualitetit mashkullor. Kjo ndodh ngase klitorisi konceptohet si penis i vogël e i këndshëm për t’u masturbuar për aq kohë sa (për fëmijën djalë) ankthi i kastrimit nuk ekziston, dhe vagina vlerësohet për “strehimin” që i ofron organit mashkullor kur dorës së ndaluar i duhet një zëvendësuese për dhënie kënaqësie.
Në këtë kuptim, zonat erogjene të grave nuk përbëjnë asgjë më shumë sesa një seks klitoral që nuk krahasoret me të fismin organ fallik, asgjë më shumë sesa një vrimë-mbështjellëse që shërben për ta mveshur e masazhuar penisin gjatë marrëdhënies: një jo-seks, një organ mashkullor vetë-ngushëllues, i shembur përbrenda vetes.
Ky këndvështrim i relacionit seksual nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me gruan dhe kënaqësinë e saj. Për hise ajo e ka “mungesën”, “atrofinë” dhe “lakminë për penis”, penisi duke qenë i vetmi organ seksual që i njihet vlera. Kështu ajo provon me çdo mjet në dispozicion ta përvetësojë: përmes dashurisë së saj disi servile ndaj babait-burrit, përmes atyre që mund t‘ia ofrojnë asaj një të tillë, përmes dëshirës së saj për një penis-fëmijë, mundësisht të jetë djalë, përmes qasjes në vlerat kulturore ende të rezervuara si e drejtë vetëm për meshkujt dhe rrjedhimisht përherë mashkullore, e kështu me radhë.
Gruaja e jeton dëshirën e saj vetëm si pritshmëri që më në fund edhe ajo t’ia arrijë të posedojë diçka ekuivalente me organin mashkullor. Kësisoj, për shembull, autoeroticizmi i grave është shumë i ndryshëm nga ai i burrave. Për ta prekur veten, burrit i duhet një instrument: dora, trupi i një gruaje, gjuha . . . Kjo përkëdhelje e vetes kërkon të paktën minimumin e aktivitetit. Sa për gruan, ajo prekë veten dhe preket prej vetes pa pasur nevojë për ndërmjetësim, edhe para se të ketë mundësi që ta dallojë aktiven nga pasivja. Gruaja “e prekë veten” gjatë gjithë kohës, dhe madje askush nuk mund t’ia ndalojë këtë, sepse gjenitalet e saj janë të krijuara nga dy buzë në kontakt të vazhdueshëm. Prandaj, përbrenda vetes ajo përherë është dy – të pandashme në një-sha [të pakategorizueshme si njësi më vete] – që ledhatojnë njëra-tjetrën.
Ky autoerotizëm ndërpritet nga një depërtim i dhunshëm: ndarja brutale e dy buzëve nga penisi i dhunshëm, ndërhyrje që shpërqendron dhe devijon gruan nga ky “vetë-ledhatim” që i duhet nëse nuk do që ta zhdukë kënaqësinë e saj në marrëdhënie seksuale. Nëse vagina shërben gjithashtu, por jo vetëm, për të marrë përsipër rolin e dorës së djalit të vogël në mënyrë që të garantojë një lloj artikulimi midis autoerotizmit dhe heteroerotizmit në marrëdhënie (takimi me një krejtësisht tjetër gjithmonë shënjon vdekjen), si mund të menaxhohet ruajtja e autoerotizmit për gratë në reprezentimin klasik të seksualitetit? A nuk do të mbetet gruaja nën alternativën e pamundur midis një virgjiniteti defensivë, të mbyllur thellë përbrenda vetes, dhe trupit të hapur ndaj penetrimit, në këtë “vrimë” që përbën seksin e saj, trup i cili më nuk e njeh kënaqësinë e prekjes së vet? Vëmendja pak a shumë ekskluzive – e shumë shqetësuese – kushtuar ereksionit në seksualitetin perëndimor dëshmon se deri në çfarë mase imagjinarja që e qeverisë atë [seksualitetin] është e huaj për gratë. Në masë të madhe, ky seksualitet nuk ofron asgjë tjetër veçse imperativë të diktuar nga rivaliteti mashkullor: “më i forti” duke qenë ai i cili e ka penisin më të gjatë, më të madh, e më të ngjeshur, ose edhe ai që “shurron më së largu” (si në garën e djemve të vegjël). Apo mund të gjenden imperativë të diktuar nga jetësimi i fantazive sadomazokiste, të cilët diktohen nga relacioni i burrit me nënën e tij: dëshira për t’u futur me dhunë, të penetrojë, të marrë për vete misterin e mitrës ku ai vetë ishte ngjizur, sekreti i lindjes së tij, i “origjinës” së tij. Dëshira/nevoja, edhe për ta bërë gjakun të rrjedhë përsëri në mënyrë që të ringjallet një marrëdhënie shumë e vjetër me amnoren – intrauterine, sigurisht, por edhe parahistorike.
Gruaja, në këtë imagjinare seksuale, është pak a shumë vetëm objekt skenik ndihmës për realizimin e fantazisë së burrit. Që ajo mund të gjejë kënaqësi në atë rol, me prokurë, është e mundshme, madje e sigurt. Por, një kënaqësi e tillë para së gjithash është prostituim mazokist i trupit të saj ndaj një dëshire që nuk është e saja, dhe e lë atë në gjendjen tanimë të njohur të varësisë nga burri. Duke mos e ditur se çfarë do, e gatshme për gjithçka, madje duke kërkuar edhe më, aq sa ai do ta “konsiderojë” gruan si “objekt” të tijin ku ai i kërkon kënaqësitë e veta. Pra, gruaja nuk do ta shprehë atë që dëshiron; madje, ajo as nuk e di, apo nuk e di më, se çfarë do. Siç e pranon edhe Frojdi, fillimet e jetës seksuale të një vajze janë aq “të panjohura”, aq të “zbehura me kohë”, saqë na duhet të gërmojmë me të vërtetë shumë thellë për të zbuluar poshtë gjurmëve të këtij civilizimi, të kësaj historie, nën mbetjet e një civilizimi shumë më arkaik që të mund ta kemi sadopak idenë për seksualitetin e grave. Ai civilizim jashtëzakonisht i lashtë padyshim do ta ketë një alfabet krejtësisht tjetër, një gjuhë tjetër . . . Nuk do të supozohet më se dëshirat e grave e flasin të njëjtën gjuhë si ato të burrave, padyshim që dëshirat e grave janë përmbytur në logjikën që dominoi Perëndimin që nga koha e grekëve të vjetër.
Përbrenda kësaj logjike, mbizotërimi i vizuales dhe i veçimit e individualizimit të formës, është posaçërisht i huaj për eroticizmin femëror. Gruaja më shumë merr kënaqësi nga prekja sesa nga shikimi, ndërsa hyrja e saj në këtë ekonomi dominuese skopike përsëri shënjon dërgimin e saj në pasivitet: gruaja duhet të jetë objekti i bukur i soditjes. Përderisa trupi i saj e gjen veten të erotizuar kësisoj, e thirrur drejt lëvizjes së dyfishtë të ekspozimit dhe zmbrapsjes së dëlirë në mënyrë që t’i nxisë dëshirat e “subjektit”, organi i saj seksual përfaqëson tmerrin e asgjësë për t’u parë. Përfaqëson defektin e sistematikës së reprezentimit dhe dëshirës; “vrimën” në lentën e saj skopofilike. Në statujat greke është thuajse lehtë e dallueshme që kjo asgjë-për-t’u-parë duhet të përjashtohet, refuzohet, nga një skenë e tillë përfaqësimi. Gjenitalet e gruas thjesht mungojnë, janë të maskuara, të qepura pas “çarjes” së vet.
Këtij organi që nuk ka asgjë për të shfaqur gjithashtu i mungon edhe forma. Dhe nëse gruaja merr kënaqësi pikërisht nga kjo paplotësi e formës që ia lejon organit të saj ta prekë veten pa reshtur, pafundësisht, vetvetiu, kjo kënaqësi mohohet nga civilizimi që privilegjon fallomorfizmin. Vlera që i jepet të vetmes formë të përcaktuar e përjashton atë që vë në punë autoerotizmin femëror. I duhuri i formës, i individit, i organit seksual (mashkullor), i emrit të duhur, i kuptimit të duhur . . . ia zë vendin atij kontakti të së paku dy (buzëve) që mbajnë gruan në kontakt me veten, përderisa i ndanë dhe përçanë, por pa asnjë mundësi për ta dalluar atë që prekë nga ajo që preket.
Prej ku buron misteri që përfaqësojnë gratë në një kulturë që kërkon të numërojë gjithçka, të numërojë gjithçka sipas njësive, të inventarizojë gjithçka si individualitet? Gruaja nuk është as një e as dy. E thënë në mënyrë rigoroze, ajo nuk mund të identifikohet as si një person, as si dy persona. Ajo i reziston çdo definicioni adekuat. Për të nuk ka emër “të përshtatshëm”. Organi i saj seksual, që nuk është një organ i vetëm, llogaritet si hiç. Si negativi, pjesa e poshtme, e kundërta e të vetmit organ të dukshëm dhe morfologjikisht të emërtueshëm: penisit (edhe pse na i paraqet disa probleme rrugëtimi nga ereksioni në detumesencë).
Por, “trashësinë” e asaj “forme”, shtresimin e vëllimit të saj, zgjerimet dhe tkurrjet, madje edhe intervalet ndërmjet momenteve në të cilat e prodhon veten si formë – femërorja krejt këtë e mbanë të fshehtë. Pa e ditur se po e mban të fshehtë. Dhe nëse gruas i kërkohet ta mbajë gjallë, ta rigjallërojë, dëshirën e burrit, vetë kërkesa harron të thotë se çfarë implikon kjo si vlerë në dëshirën e saj. Dëshirë kjo për të cilën ajo nuk është e vetëdijshme, të paktën jo në mënyrë eksplicite, por një e tillë ku forca dhe vazhdimësia e saj janë në gjendje t’i ushqejnë në mënyrë të përsëritur dhe për një kohë të gjatë krejt maskaradat e “feminitetit” që priten prej saj.
Është e vërtetë që ajo ende e ka fëmijën, në raport me të cilin oreksi i saj për prekje, për kontakt, ka rrjedhë të lirë, përveç nëse tashmë kjo ka humbur, është tëhuajsuar nga tabuja ndaj prekjes e një civilizimi tejet obsesiv. Përndryshe, kënaqësia e saj tek fëmija do të gjejë kompensime dhe shmangie nga zhgënjimet që ajo shumë shpesh i hasë në vetë marrëdhëniet seksuale. Kështu, në një seksualitet të ndrydhur femëror amësia mbushë boshllëqet. Ndoshta burri dhe gruaja nuk përkëdhelin më njëri-tjetrin, përveçse nëpërmjet ndërmjetësimit që përfaqëson fëmija – mundësisht një djalë? Burri, i identifikuar me djalin e tij, rizbulon kënaqësinë e përkëdheljes së nënës; gruaja prek përsëri veten duke përkëdhelur atë pjesë të trupit të saj: të sajin klitoris-penis-bebe.
Se çfarë nënkupton kjo për këtë trio dashurore është e njohur tashmë. Por ndalesa edipale duket se është ligj disi kategorik dhe i rremë, ndonëse siguron mjetet për të përjetësuar diskursin autoritar të baballarëve – kur ai përhapet në një kulturë në të cilën marrëdhëniet seksuale janë të pamundura sepse dëshirat e burrit dhe dëshirat e gruas janë të huaja për njëra-tjetrën. Dhe në të cilën [kulturë] të dy dëshirat duhet të provojnë të pikëprehen përmes mjeteve indirekte, qoftë përmes mënyrës arkaike të një lidhjeje shqisore me trupin e nënës, apo asaj prezente të shtrirjes aktive apo pasive të ligjit të babait. Këto janë sjellje regresive emocionale, shkëmbim fjalësh tepër të shkëputura nga arena seksuale për të mos u dëbuar nga kjo arenë: “nëna” dhe “babai” dominojnë ndërveprimet e çiftit, por si role shoqërore. Ndarja e punës ua pamundëson atyre të bëjnë dashuri. Ata prodhojnë ose riprodhohen. Pa pasur ide se si ta shfrytëzojnë kohën e lirë. Me aq pak sa kanë, me aq pak sa në të vërtetë duan të kenë, çfarë pritet të bëjnë ata me kohën e lirë? Çfarë zëvendësimi duhet të shpikin për resursin dashuror? Heshtje . . .
Ndoshta është koha t’i kthehemi atij entiteti të shtypur, imagjinares femërore. Pra, gruaja nuk paska organ seksual? Ajo ka të paktën dy, por ato nuk identifikohen si njësha [si njësi]. Në të vërtetë ajo ka shumë më shumë. Seksualiteti i saj, gjithnjë së paku i dyfishtë, shkon edhe më tej: është shumës. A është kjo mënyra se si kultura tash po kërkon ta karakterizojë veten? A është kjo forma se si tekstet e shkruajnë veten/shkruhen tani? Pa e ditur se çfarë censure po shmangin? Në të vërtetë, kënaqësia e gruas nuk ka nevojë të zgjedhë në mes të aktivitetit klitoral dhe pasivitetit vaginal për shembull. Kënaqësia e përkëdheljes vaginale nuk duhet të zëvendësohet me atë të përkëdheljes klitorale. Secila prej tyre kontribuon në mënyrë të pazëvendësueshme për kënaqësinë e gruas. Ndër përkëdheljet e tjera . . . përkëdhelja e gjinjve, prekja e vulvës, shpalosja e buzëve, ledhatimi i murit të pasmë të vaginës, prekja e lehtë e gojës së mitrës, e kështu me radhë, sa për të përmendur vetëm disa nga kënaqësitë veçanërisht femërore. Kënaqësi që disi keqkuptohen në dallimet seksuale siç ato imagjinohen – apo nuk imagjinohen, seksi tjetër duke qenë vetëm si plotësuesi i domosdoshëm i seksit të vetëm [primar].
Por gruaja ka organe seksuale pak a shumë çdokund. Ato gjejnë kënaqësi pothuajse gjithkah. Edhe nëse përmbahemi nga thirrjet që histerizojnë tërë trupin e gruas, gjeografia e kënaqësisë së saj është shumë më e larmishme, më e shumëfishtë në dallimet e saj, më komplekse, më subtile, sesa që imagjinohet zakonisht sipas një imagjinareje të përqendruar shumë ngushtë në ngjashmëri.
“Ajo” është pafundësisht tjetër në vetvete. Kjo është padyshim arsyeja pse thuhet se ajo është lozonjare, e pakuptueshme, e trazuar, tekanjoze . . . të mos flasim pastaj për gjuhën e saj me të cilën “ajo” niset në të gjitha drejtimet duke ia pamundësuar “atij” që ta marrë vesh koherencën e çfarëdo kuptimi. Fjalët e saj janë kontradiktore, disi të çmendura nga këndvështrimi i arsyes, pa jehonë për këdo që i dëgjon me kornizë të gatshme, përbrenda një kodi hollësisht të përpunuar. Sepse edhe në atë që e thotë, nëse guxon ta thotë, gruaja është vazhdimisht duke e prekur veten. Ajo del prej vetes pakëz dhe lehtas me një shushurimë, me një pasthirrmë, një pëshpërimë, me një fjali të lënë përgjysmë . . . Kur kthehet, ajo vazhdon nga një pikë krejtësisht tjetër. Nga një kënd tjetër i kënaqësisë a dhimbjes. Duhet të dëgjohet me vesh tjetër, sikur të dëgjonim një “kuptim tjetër” përherë në proces të thurjes së vetes, një kuptim që përqafohet me fjalë, por edhe largohet nga fjalët për të mos u fiksuar, për të mos u ngurtësuar në to. Sepse nëse “ajo” thotë diçka, kjo nuk është, nuk do të jetë më tani e tutje, identike me atë që ajo mendon. Çfarë thotë gruaja nuk është kurrë identike me asgjë; përkundrazi, është mjaft afërndenjëse. E prekë atë. Dhe kur largohet shumë nga kjo afërsi e asaj që e thotë, ajo shkëputet dhe fillon prapë nga “zeroja”: nga trupi-seksi i saj.
Pra, është e kotë t’i kurthosh gratë në definicione të përpikta të asaj se çfarë nënkuptojnë ato, t’i bësh ta përsërisin veten në mënyrë që të qartësohen; ato tashmë veç janë diku tjetër prej makinës diskursive ku ju prisni t’i zini në befasi. Janë kthyer në veten e tyre. E cila nuk duhet të kuptohet njëjtë si kthim brenda vetvetes. Ato nuk e kanë brendinë që ju e keni, atë që ju supozoni se ato e kanë. Në veten e tyre do të thotë përbrenda intimitetit të asaj prekjeje të heshtur, të shumëfishtë, të shpërndarë. Po i pyete me ngulm se çfarë po mendojnë, ato thjesht mund të thonë: Asgjë. Gjithçka.
Pra, çfarë ato dëshirojnë është pikërisht asgjë, dhe njëkohësisht gjithçka. Përherë diçka më shumë dhe tjetër gjë prej asaj – organit seksual, për shembull – që ju ua jepni, dhe ua atribuoni. Shpesh dëshira e tyre interpretohet dhe ndjellë frikë, si një lloj urie e pangopur, grykësi që do t’ju përpijë në tërësi. Ndërsa në të vërtetë [dëshira e grave] më shumë se gjithçka tjetër përfshin një ekonomi të tjetërllojtë, e tillë që përmbysë linearitetin e një projekti, minon qëllimin-objekt të dëshirës, shpërndanë polarizimin drejt një kënaqësie të vetme, turbullon besnikërinë ndaj një diskursi të vetëm . . .
A duhet kjo shumëfishësi e dëshirës dhe gjuhës femërore të kuptohet si copëza, mbetje të shkapërderdhura të një seksualiteti të nëpërkëmbur? Të një seksualiteti të mohuar? Kjo pyetje nuk ka përgjigje të thjeshtë. Refuzimi, përjashtimi i imagjinares femërore sigurisht që vë gruan në pozicionin e përjetimit të vetes vetëm në mënyrë fragmentare, në kufijtë pak të strukturuar të ideologjisë dominuese, si mbetje, a tepricë, ajo çfarë mbetet nga pasqyra e vënë nga “subjekti” (mashkullor) për të reflektuar veten, për t’i bërë vetes kopje. Për më tepër, roli i “feminitetit” është përshkruar nga ky spekulim mashkullor dhe thuajse nuk përputhet fare me dëshirën e gruas, e cila mund të rikuperohet vetëm fshehtas, në strukje, me ankth e faj.
Por nëse imagjinarja femër do ta poziciononte veten, po arriti ta fus veten brenda lojës jo më si mbetje, mbeturinë e pambledhur, megjithatë, a do ta përfaqësonte veten ajo në formën e një universi të vetëm? A do të ishte vëllim në vend se të jetë sipërfaqe? Jo. Jo përderisa kuptohet përsëri si privilegjim i amënores mbi femëroren. I amësisë fallike. E mbyllur në posedimin ziliqar të produktit të vlerësuar prej burrit. Rivalizim i burrit në vlerësimin e tij për tepricën e prodhimit. Në këtë garë për pushtet, gruaja humbet veçantinë e kënaqësisë së saj. Duke e mbyllur veten si vëllim, ajo heqë dorë nga kënaqësia që merr nga buzët e saj të paqepura: ajo padyshim që është nënë, por ama nënë e virgjër; ky rol i ishte caktuar asaj shumë kohë më parë nga mitologjitë. Duke iu dhënë asaj një pushtet i caktuar social, deri në atë masë saqë ajo është reduktuar, me bashkëfajësinë e saj, në impotencë seksuale.
(Ri-)zbulimi i vetes, për gruan, mund të nënkuptojë vetëm mundësinë për të mos sakrifikuar asnjërën nga kënaqësitë e saj për një kënaqësi tjetër, për të mos e identifikuar veten me asnjërën prej tyre në veçanti, për të mos qenë kurrë thjesht një. Një lloj universi në zgjerim, të cilit nuk mund t’i vihen kufij dhe që megjithatë nuk do të ishte inkoherencë – e as perversion polimorf i fëmijës në të cilin zonat erogjene do të rrinin në pritje për t’u rigrupuar nën primatin e fallusit. Gruaja përherë mbetet disa, por ajo nuk shpërbëhet ngase tjetri është tashmë brenda saj dhe është në mënyrë autoerotike i njohur për të. Kjo nuk është si të thuash se ajo e përvetëson tjetrin për vete, se e redukton atë në pronë të saj. Pronësia dhe prona janë padyshim të huaja për femëroren. Të paktën seksualisht. Por jo afërsia. Afërsia është aq e theksuar tek ajo saqë krejt format e diskriminimit në bazë të identitetit, dhe kështu krejt format e pronësimit, i bën të pamundura. Gruaja merr kënaqësi nga ajo që e ka aq pranë sa nuk mund ta ketë [posedojë] atë, e as veten. Ajo vetë hyn në shkëmbim të pandërprerë të vetes me tjetrin pa asnjë mundësi për ta identifikuar asnjërin. Kjo vë në pikëpyetje krejt ekonomitë mbizotëruese: përllogaritjet e tyre pengohen në mënyrë të pariparueshme nga kënaqësia e gruas, pasi që ajo rritet pafundësisht nga kalimi i saj brenda dhe përmes tjetrit.
Megjithatë, në mënyrë që gruaja të arrijë në pikën ku merr kënaqësi si grua, kërkohet domosdoshmërish thellim në analizimin e sistemeve të ndryshme të shtypjes që rëndojnë mbi të. Dhe kërkesa për t’u zmbrapsur në një zgjidhje të vetme të kënaqësisë rrezikon ta bëj atë ta humbasë procesin e kthimit prapa përmes praktikës sociale që kënaqësia e saj e kërkon.
Sepse gruaja tradicionalisht është vlerë që i hyn në punë burrit, vlerë këmbimi midis burrave; me fjalë të tjera, një mall. Si e tillë, ajo mbetet ruajtëse e substancës materiale, vlera e së cilës përcaktohet, për sa i përket standardit të punës dhe nevojave/dëshirës së tyre, nga “subjektet”: punëtorët, tregtarët, konsumatorët. Gratë shënjohen në mënyrë fallike nga baballarët, bashkëshortët, blerësit. Dhe kjo markë përcakton vlerën e tyre në tregtimin seksual. Gruaja kurrë nuk është gjë tjetër veçse vendndodhja e një shkëmbimi pak a shumë garues midis dy burrave, përfshirë garën për ta poseduar nënën natyrë.
Si mundet ky objekt transaksioni ta kërkojë të drejtën e kënaqësisë pa e larguar veten nga kjo tregti? Në raport me mallrat e tjera në treg, si mund ta ruante ky mall një marrëdhënie tjetër përveçse asaj të një xhelozie agresive? Si mundet substanca materiale të kënaqet me veten pa nxitur tek konsumatori ankthin e humbjes së terrenit ku ushqehet? Si mundet që ai shkëmbim – i cili në asnjë mënyrë nuk mund të përkufizohet me termat “e duhura” për dëshirën e gruas, të shfaqet si diçka tjetër veçse si një mirazh i pastër, thjesht marrëzi, lehtë e fshehur nga një ligjërim më i arsyeshëm dhe nga një sistem vlerash dukshëm më të prekshme?
Zhvillimi i një gruaje, sado radikal të jetë ai, nuk do të mjaftonte për ta çliruar dëshirën e saj. Dhe deri më sot asnjë teori a praktikë politike nuk ka rezultuar të ketë ofruar zgjidhje, apo ta ketë marrë mjaftueshëm parasysh këtë problem historik, edhe pse marksizmi e ka proklamuar rëndësinë e tij. Por, thënë të drejtën, gratë nuk përbëjnë një klasë, dhe shpërndarja e tyre në klasa të ndryshme e bën betejën e tyre politike komplekse, e kërkesat e tyre kontradiktore.
Megjithatë, na mbetet edhe gjendja e moszhvillimit që vjen nga nënshtrimi i grave nga kultura që i shtyp, i shfrytëzon, i shndërron në medium këmbimi, me shumë pak fitim për to. Me përjashtim të kuazi-monopoleve të kënaqësisë mazohiste, fuqisë punëtore shtëpiake dhe riprodhimit. Pushtete skllevërish? Megjithatë, pushtete jo edhe aq të papërfillshme. Sepse kur bëhet fjalë për kënaqësinë, padroni nuk është se shërbehet domosdoshmërish mirë. Pra, ta përmbysësh marrëdhënien, veçanërisht në ekonominë e seksualitetit, nuk duket objektivë e dëshirueshme.
Por nëse gratë duan ta ruajnë dhe zgjerojnë autoeroticizmin e tyre, homoseksualitetin e tyre, përsëri kjo heqje dorë nga kënaqësia heteroseksuale a nuk do të korrespondonte me shkëputjen nga pushteti që tradicionalisht u përket atyre? A nuk do të përfshinte kjo një burg të ri, një manastir të ri, të ndërtuar me vetë-dëshirë? Për t’i ikur proletarizimit të tyre në tregun e këmbimit, gratë duhet patjetër të kalojnë nëpër fazat e pashmangshme të goditjes taktike ku ato mbajnë veten larg burrave për aq kohë sa të mësojnë se si ta mbrojnë dëshirën e tyre, sidomos përmes ligjërimit, të zbulojnë dashurinë e grave të tjera si strehë nga zgjedhjet arrogante të burrave që i vënë ato në pozitën e mallrave rivale, të krijojnë për vete status social i cili imponon njohjen e tij, të sigurojnë vet jetesën për t’i shpëtuar pozitës së prostitutës. Por nëse synimi i tyre do të ishte vetëm të ndryshonin rendin e gjërave, edhe nëse supozohet se kjo është e mundur, në planin afatgjatë historia do ta përsëriste veten, do të kthehej në të njëjtën gjë: në fallokratizëm. Kjo nuk do të linte hapësirë që as seksualiteti, as imagjinata, e as gjuha e grave të zinin vend (vendin e tyre).