Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Trupa dhe kënaqësi

Nëse shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte periudha kur u “zbuluan” të ashtuquajturat perversione dhe devijime seksuale dhe për herë të parë në histori u krijuan klasifikime e enciklopedi të të gjitha seksualiteteve të mundshme, duke i histerizuar trupat e grave e medikalizuar seksualitetet e parregullta, atëherë cila mund të thuhet se është historia e këtyre dy dekadave të para të shekullit njëzetenjë? Mund të thuhet se ende jetojmë përbrenda asaj historie, pavarësisht ndryshimeve të mëdha që janë arritur ndërkohë. Sot, homoseksualiteti në shumë vende të botës nuk shihet më si sëmundje, por siç thotë edhe M. Foucault, seksi ende shihet si e vërteta e individit. Të vërtetën e plotë të individit na e jep vetëm seksualiteti i tij, të ngurtësuar në trup e të esencializuar në qenie.

Përderisa ka pranueshmëri, por edhe refuzim, ndaj manifestimit të seksualiteteve të ndryshme dhe frikë nga kërcënimi i paramenduar ndaj strukturave shoqërore, seksi na shfaqet si fushëbetejë e dyfishtë e luftërave më të mëdha politike. Një, sepse është fushëbetejë e trupave individualë, e zgjedhjeve, lirive, përcaktimeve dhe morfologjive të tyre, dhe dy, sepse seksi është organizim dhe menaxhim popullsish, është biopolitikë e natalitetit dhe mortalitetit, e martesave dhe lindjeve, e likuiditetit shoqëror e politik të çifteve e familjeve. Me një fjalë, është vetë shteti dhe pushteti modern. 

Si pasojë e këtij pushteti të dyfishtë i cili vepron në forma që nuk perceptohen gjithmonë si shtrënguese, dhe kjo është një nga format thelbësore sesi ai vepron, ne formohemi si subjekte të tij seksuale e gjinore. 

Por ligjërimet tona mbi seksin, seksualitetin dhe gjininë kanë histori, ato mund të gjurmohen historikisht sesi janë krijuar, sesi kemi ardhur deri te konceptimet për to, nën ndikim të cilave forca dhe interesa kanë marrë formën të cilën ne sot në masë të madhe e marrim për të mirëqenë. Gjurmimi historik i historive të koncepteve, besimeve, bindjeve e botëkuptimeve specifike na i zbulon ato si të paqëndrueshme, të brishta e të ndryshueshme; na mundëson t’i problematizojmë, mos t’i shohim si të vërteta të përhershme, dhe t’i kuptojmë e shohim ndryshe nga ç’i kemi parë më parë, si hapje mundësish për kuptimësime të reja.

Qëllimi i teksteve që Britmi i sjell në këtë seri mbi seksin, seksualitetin dhe gjininë të quajtur “Trupa dhe Kënaqësi” është pra i dyfishtë: nën një, ta ndriçojmë sado-kudo historinë sesi jemi formuar dhe formohemi si subjekte seksuale dhe gjinore, dhe nën dy, t’u kundërvihemi subjektiviteteve kufizuese që imponohen nga seksualiteti politik dominues. 

Foucault propozon që rezistenca e jonë të jetë e bazuar në trupa dhe kënaqësi të cilat i kundërvihen shkencës së seksualitetit, ta mësojmë një lloj dije të re mbi trupin, ta përqafojmë joidentitetin dhe lumturinë e tij të paqartësisë. Autorë të tjerë në këtë seri si Luce Irigaray na ftojnë ta mendojmë gruan, seksualitetin dhe kënaqësinë e saj si të shkëputur nga dialektika e burrit, ta mendojmë atë në vetvete dhe jo thjesht në raport me kënaqësitë e tij. Felix Guattari e sheh gruan si formën përmes së cilës mund të bëhemi diçka tjetër nga ajo që na bën seksualiteti dominues, të bëhesh grua është të bëhesh subversiv, njëjtë siç është të bëhesh insekt te Franz Kafka apo të bëhesh breshka Dranje te Martin Camaj. 

Trupi karakterizohet nga shumëfishësia e shumëtrajtshmëria, format që ai mund t’i marrë janë forma të cilat e lejojnë të hapet e të marrë pjesë. Nuk janë forma përfundimtare, të mbyllura e fikse, janë forma që ia lejojnë të kapërcejë nga njëra tek tjetra me lehtësi, të kalojë në gjendje të ndryshme, të krijojë relacione e forma të reja ndërveprimi, ndonjëherë edhe kontradiktore, e prapë të mos jetë i njëjti. Trupi e nuk e duron dot një formë të vetme përfundimtare, lëvizja është gjendja e tij.

Teksti i parë që sjellim në këtë seri flet pikërisht për këto cilësi të trupit kur ai gjendet në gjendje të lirisë së joidentitetit. Michel Foucault i sjellë kujtimet dhe dosjen mjekësore-ligjore të një hermafroditi të cilit shkenca e shekullit të nëntëmbëdhjetë i tha se ajo nuk mund të jetë grua sepse sipas shkencës ai është burrë. Foucault thotë se në shekullin e nëntëmbëdhjetë shkenca erdhi në përfundim, pas një historie gati dyqindvjeçare, se njeriu duhet ta ketë një seks dhe vetëm një seks të vërtetë, se ai nuk mund të jetë edhe burrë edhe grua, apo thënë më drejtë as burrë e as grua. Në hyrjen e këtij libri të shkruar nga Foucault të cilën Britmi sot e sjellë të përkthyer në shqip, Foucault thotë se ne ende gjendemi përbrenda këtij normativiteti historik i cili seksin e sheh si çelësin e mistereve të individit dhe dogmën e seksit të vërtetë si normën dominuese.