Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Ta duash një burrë

Ta duash një burrë

Arbër Selmani

Ta duash një burrë është sikur ta sfidosh një stuhi

Rrallë vjen e hijshme, burri edhe më rrallë i hijshëm

Ke frikë prej tij, si prej saj.

Stuhisë

Pret t`i hapet e çara e zemrës dhe të shqetësohesh prej

Shiut

Krejt ujit, krejt likuideve, krejt vesës që vjen e fortë

Të duket se në vend të pikave, po bie në tokë një shkëmb i madh.

Do të vjellë ky burrë frazat e triumfit, si kjo stuhi që po e luhatë qytetin.

Bëhesh gati, burrit,

T’ia urresh peshën që pushon në karrigen e zemrës së tij,

Kur i hapet kjo zemër si të hapet një kanalizim rruge

Dekada të mbështjella në një bombolë gazi inatesh, dëshpërimesh, mallkimesh

Kacafytje që nisin nga hiçi,

Se sa burri përreth nesh është një stuhi e maskuar pas një fytyre me qime.

I takon krejt botës, në një pikë të takon edhe ty

Ky burrë që vërshon, që flaka i daltë

Po goja kurrë nuk i nxori mjaltë

Se ta duash një burrë siç pret ai, jetën duhet rrasur në baltë.

Diçka e mbinatyrshme, e lodhshme, e furtunshme, ta molisë shpirtin

Stuhia.

Por gati gati njëjtë ndihesh,

Ta duash një burrë,

të përcëllohesh në pikun e ankesave të tij.

të hash prej thasëve ku është ngarkuar një neurozë e shkalluar,

mbyllur në banjo, me duart mbi dy veshët, të ikësh prej tij si prej breshrit,

t’i mallkosh grekët që kaq shumë i dhanë autoritet dashurisë.

Miliona burra, edhe ata nëntokë, edhe ata mbi dhe,

krejt çka duan është të shpëtojnë prej vetmisë.

Laja këmbët, puthja ballin, mbushja barkun, jepja seksin

Duaja motrat, pauzoje larjen se ai është vonë për punë, recitoja manifestin e kuzhinës,

Falja vonesat, kujdes se e kripose si shumë atë dreq sallate, ajrose atelienë,

Lustroja këpucët, këndoja këngët që i pëlqejnë, përkëdhele maçokun e tij, shporre maçokun tënd

Hapja këmbët, mbyllja këmbët, hape gojën, gëlltitja dhëmbët e zi prej dërrmimit.

Ta duash një burrë, nuk na e mësuan kurrë

Nuk pati katedër, as shkollë, ishim shumë nxënës,

të etur të lexonim,

Të groponim

në teatrin ku gjithmonë denjësia e madhështia

i bien si fat, një burri.

Rraskapitëse, kur duhet ta ujisësh një burrë ma shpesh se dafinat

Një burrë, që nuk çel nur.

Ngope me shikime, thuaji se nuk do ta lësh për askë, dendja gojën me ëmbëlsira

Flakja armiqtë, shkoqitja këmishën e ngjitur trupit, merre e pija lëngun e thonjve

Ushtro terror të bukur mbi të, rriti fëmijët në pritjet e tij, bëja dimrin verë, turbulloja detin e zi ku është fundosur,

Matja pulsin e damarëve të fryrë, masazhoja krahun e lënduar, jepja shuplakën që do ta skuqë

Hapja këmbët, mbyllja këmbët, preja mollët dhe kumbullat, bekoja vetëm faktin që ekziston,

jepja trupin,

por stuhishëm, me copat e akullta të jetës që të kanë mbetur në fyt,

merre prapa dhe përqafoje se është tempulli yt.

Autor: Arbër Selmani

Rreth artikullit: Kjo poezi botohet për herë të parë në faqen e Britm i parë. 

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

6 Tetor, 2021
Postime të ngjashme
Vdekja e autorit
"Vdekja e autorit" është një ese e vitit 1967 nga kritiku letrar dhe teoricieni francez Roland Barthes. Eseu e Barthes-it argumenton kundër praktikës së kritikës letrare tradicionale për t'u mbështetur në synimet dhe biografinë e
Mendjet më të ndritura
Në një ditë nëntori të vitin 1949, në Institutin Psikiatrik të Shtetit të Nju Jorkut (IP) që ndodhet lart mbi Riverside Drive në Manhatanin e sipërm, shefit të shërbimit, Dr. Nolan Lewis, në konferencën javore
Mbi të vërtetën artistike
Aktorja e re me joshje zgjati dorën për “dorëputhje” e aktori, partneri i saj i cili duhej ta puthte atë dorë, s’i hiqte sytë lëkurës së çarë dhe thonjve të kafshuar, kyçeve të fryra nga
Epidemia e heshtjes
Babai e mbyti veten me konopin që e kish ble në pazar të Ulpianës për vetëm dy euro e gjysmë pasi ishte shty për nja pesë minuta me shitësin që e mbante pesë. Shitësin e
Taibi
Me të nisur vendosjen në Soliterin e Kuq, në Prijedor, në pranverën e hershme të vitit 1975 një grumbull i madh fëmijësh ulërinin në livadhin midis dy soliterësh, dy ndërtesa minatorësh. Bënin njeriun prej bore