Felix Guattari
Të bëhesh grua[1]
Në fushën sociale globale, homoseksualitetet funksionojnë pak a shumë si lëvizje, si faltore me ceremonitë e veta, me ritet e veta të pranimit[2], me mitet e tyre të dashurisë, siç i quan Renee Nelli. Përkundër ndërhyrjeve të grupimeve që kanë natyrë pak a shumë korporatiste si Arkadia[3], homoseksualiteti vazhdon të mbetet i lidhur me vlerat dhe sistemet ndërvepruese të seksualitetit mbizotërues. Varësia e tij ndaj normës heteroseksuale manifestohet si politikë e sekretit, e një fshehtësie që ushqehet prej shtypjes dhe prej një ndjenje të marres që ende gjallnon në mjedise “të respektueshme” (sidomos në mesin e biznesmenëve, shkrimtarëve, njerëzve të shoubiz-it etj.) ku aktualisht mbretëron psikanaliza. Ajo e imponon një normë të shkallës së dytë, jo më morale, por shkencore. Homoseksualiteti nuk është më çështje morale, por çështje perversioni. Psikanaliza e shndërron në sëmundje, në një vonim zhvillimor, fiksim në fazën para-gjenitale, etj.
Në një nivel tjetër, më të vogël e më avangardë, gjendet homoseksualiteti militant, i llojit FHAR[4]. Homoseksualiteti e ballafaqon pushtetin heteroseksual në terrenin e vet. Tash është heteroseksualiteti ai që duhet ta arsyetojë veten; problemi zhvendoset, pushteti fallokratik vihet në pikëpyetje; në parim, kështu bëhet i mundur një bashkërendim i veprimeve të feministeve dhe homoseksualëve.
Megjithatë, ndoshta duhet ta veçojmë edhe një nivel të tretë, një nivel më molekular ku kategoritë, grupimet dhe “rastet e veçanta” nuk do të diferencoheshin në të njëjtën mënyrë, ku dikotomitë e qarta mes llojeve do të hidheshin poshtë, ku, përkundrazi, do të kërkonim të gjenim ngjashmëritë mes homoseksualëve, transvestitëve, të varurve nga droga, sado-mazokistëve, prostitutave, mes grave, burrave, fëmijëve, adoleshentëve, mes psikotikëve, artistëve, revolucionarëve, le të themi mes të gjitha llojeve të pakicave seksuale, kur e kuptojmë që në këtë domen mund të ketë vetëm pakica. Për shembull, mund të thuhet njëkohësisht 1) që të gjitha format e seksualitetit, të gjitha format e aktivitetit seksual në thelb janë jashtë kësaj dikotomie personologjike homo-hetero; 2) që, megjithatë, ato janë më afër homoseksualitetit dhe asaj që mund të quhet femërorja-në-bërje.
Në nivelin e trupit social, libido është e zënë ngushtë midis dy sistemeve kundërshtare: klasës dhe seksit. Nga ajo pritet të jetë mashkullore, fallokratike, t’i mëdyzojë të gjitha vlerat – dikotomitë i fuqishëm/i dobët, i pasur/i varfër, i dobishëm/i padobishëm, i pastër/i ndyrë, etj.
Anasjelltas, në nivelin e trupit seksual, libido është e angazhuar në të bërit grua. Më saktësisht mbërja-grua shërben [fillimisht] si pikë reference dhe në fund si test për llojet e tjera të mbërjes (për shembull: mbërja-fëmijë tek Schumann-i, mbërja-kafshë tek Kafka, mbërja-bimë tek Novalis-i, mbërja-mineral tek Beckett-i).
Të bërit grua mund ta luajë këtë rol ndërmjetësues, rolin e ndërmjetëses karshi mbërjeve të tjera të seksuara (sexed becomings), për shkak se nuk është shumë larg binarizmit të pushtetit fallik. Për ta kuptuar homoseksualin, ne i themi vetes se ai është disi “si grua”. Dhe një pjesë e vetë homoseksualëve bashkëngjiten në këtë lojë pak a shumë normalizuese. Prandaj, çifti femërore/pasive, mashkullor/aktiv mbetet pikë reference e obliguar nga pushteti me qëllim që t’ia mundësojë vetes ta përcaktojë, lokalizojë, territorializojë, kontrollojë intensitetin e dëshirës. Jashtë këtij mëdyzimi ekskluziv nuk ka shpëtim: alternativa është hedhja në të pakuptimtën, në burg, në çmendi, në psikanalizë, etj. Vetë devijantët, format e ndryshme të margjinalizimit, janë të koduara që të shërbejnë si norma sigurie. Gratë, shkurt, janë të vetmet garantuese zyrtare të mbërjes trup i seksuar[5]. Një burrë i cili e shkëputë veten nga tipat fallikë të cilët janë qenësorë për të gjitha kombet e fuqishme, do t’i hyjë udhës së mbërjes-grua në bazë të modaliteteve të ndryshme të mundshme. Për më tepër, vetëm me këtë kusht ai do të mund të bëhet kafshë, kozmos, shkronjë, ngjyrë, muzikë.
Homoseksualiteti, nga vetë natyra e gjërave, nuk mund të shkëputet nga mbërja-grua – këtë nuk mund ta bëjë as homoseksualiteti jo-edipal, jo-personologjik. E njëjta vlen edhe për seksualitetin fëmijëror, seksualitetin psikotik, seksualitetin poetik (për shembull: përkimi, në veprat e Allen Ginsberg, i mutacionit thelbësisht poetik me mutacionin seksual). Më përgjithësisht, çdo organizim “disident” i libidos së këndejmi duhet të jetë i lidhur drejtpërdrejt me mbërjen trup femëror, si rrugë shpëtimi nga sociusi shtypës, si një qasje e mundshme tek një “minimum” i mbërjes seksuale, dhe si bova e fundit karshi rendit të vendosur. E theksoj pikën e fundit për shkak se mbërja-femërore e trupit nuk duhet të mendohet si diçka që i takon kategorisë grua e cila ekziston në çift, familje etj. Një kategori e tillë ekziston vetëm në një fushë specifike e cila e definon atë. Nuk ekziston diçka e tillë si gruaja në vetvete, as poli amnor, as femërorja e përjetshme… Dikotomia burrë/grua shërben si themel për rendin shoqëror, para se të ndërhyjnë konfliktet e klasave dhe kastave (shoqërore). Anasjelltas, çdo gjë që thyen normat, çdo gjë që shkëputet nga rendi i vendosur, është e lidhur me homoseksualitetin, ose me mbërjen-kafshë, ose mbërjen-grua, etj. Çdo semiotizim në shkëputje nënkupton një seksualizim në shkëputje. Prandaj, mendoj unë, ne nuk duhet të pyesim se cilët shkrimtarë janë homoseksualë, por se çka është homoseksuale tek një shkrimtar i madh – edhe nëse ai është në fakt heteroseksual.
Mendoj se është e rëndësishme të shkatërrojmë nocione “të mëdha” si grua, homoseksual… Gjërat nuk janë kurrë aq të thjeshta. Kur reduktohen në kategoritë bardh-zi, mashkull-femër, aty ekziston një motiv i pathënë, një veprim binar-reduktues që synon t’i nënshtrojë. Për shembull, një dashuri nuk mund të kufizohet në një kuptim të vetëm. Dashuria te Prusti kurrë nuk është veçanërisht homoseksuale. Ajo gjithmonë ka një komponentë skizoide, paranojake, një bërje-bimë, bërje-grua, bërje-muzikë.
Orgazma është një nocion tjetër i ekzagjeruar, që ka sjellë shkatërrim të pallogaritshëm. Moraliteti seksual dominues kërkon nga gruaja një identifikim gati histerik të orgazmës së saj me atë të burrit, një shprehje simetrie, nënshtrim para fuqisë së tij fallike. Gruaja ia ka borxh burrit orgazmën e saj. Kur e “refuzon”, ajo merr përsipër fajin. Sa shumë drama budallaqe bazohen në këtë temë. Dhe qëndrimi moralizues i psikanalizës dhe seksologëve në këtë pikë nuk ndihmon aspak. Në fakt, ndodh shpesh që gra të cilat, për arsye të ndryshme, janë frigjide me partnerë meshkuj, e arrijnë lehtësisht orgazmën përmes masturbimit ose seksit me një grua tjetër. Por skandali do të ishte shumë më i madh nëse çdo gjë do të ishte e ditur botërisht.
Të marrim një shembull të fundit, lëvizjen e prostitutave. Të gjithë, ose gati se të gjithë, në fillim brohoritën “Urra, prostitutat po rebelohen me të drejtë. Ama prit njëherë, duhet ndarë e mira nga e keqja. Në rregull prostitutat, ama tutorët, njerëzit nuk duan t’ia dinë për ta.” Dhe kështu, prostitutave u thuhej se ato duhet ta mbrojnë veten, se po shfrytëzohen etj. Krejt kjo është absurde. Para se të shpjegojmë diçka, çfarëdo qoftë ajo, ne duhet së pari të kuptojmë se çfarë ndodhë mes prostitutës dhe tutorit të saj. Aty është trekëndëshi prostitutë-tutor-para. Por aty është gjithashtu një mikropolitikë e tërë e dëshirës, jashtëzakonisht komplekse, e cila shpaloset në secilin pol të këtij trekëndëshi dhe në karaktere të ndryshme si klienti dhe polici. Sigurisht që prostitutat kanë shumëçka për të na mësuar rreth këtyre pyetjeve. Dhe, në vend se t’i përndjekim, do të ishte më mirë t’i subvenciononim siç bëjnë me laboratorë kërkimorë. Jam i bindur, personalisht, se me studimin e të gjitha këtyre mikropolitikave të prostitucionit, do të mund të hidhnim dritë mbi fusha të tëra të mikropolitikave martesore e familjare – marrëdhëniet financiare mes burrit e gruas, prindërve e fëmijëve, dhe në fund mes psikanalistit dhe pacientit (Të gjithë duhet ta mbajmë mend se çfarë kanë shkruar anarkistët e fundshekullit mbi këtë temë.)
[1] Shën. i përkth. shqip: Për të ruajtur rrjedhën e fjalive në gjuhën shqipe, koncepti “becoming” (të bëhesh), si “becoming-woman/feminine/sexed”, etj., i cili është thelbi i të kuptuarit të kësaj eseje, është përshtatur në forma të ndryshme gjatë përkthimit varësisht nga konteksti i fjalisë, si p.sh.: të bëhesh grua, mbërja–grua/kafshë/bimë, etj., femërorja–në-bërje, etj.
[2] Shën. i përkth. shqip: Ritet e pranimit janë ceremoni që shënojnë hyrjen e një personi në një rol ose status të ri në jetë siç është hyrja në moshën madhore, në pozitë udhëheqëse ose pranimi si pjesëtar i një grupi, duke kaluar kështu nga një pozitë shoqërore në një tjetër.
[3] Arcadie – ishte një organizatë “për homofilët” e themeluar nga André Baudry në Paris në vitin 1954. Përveç që ishte zëri i vetëm publik i personave gay në Francën e viteve të 50-ta e 60-ta, ajo shërbeu edhe si një qendër sociale e intelektuale.
[4] FHAR – Front Homosexuel d’Action Révolutionnaire (Shqip: Fronti Homoseksual për Veprim Revolucionar) ishte lëvizje parisiene e themeluar në vitin 1971, si rezultat i bashkimit mes lëvizjes së feministeve lezbike dhe aktivistëve gay.
[5] Becoming-sexed body