Rosi Braidotti
Nuk jemi të gjithë njerëz, ose jo njerëz në shkallë të njëjtë, jo nëse me “njeri” mëton t’i referohesh vizionit mbizotërues të Subjektit si i bardhë, mashkullor, heteroseksual, i urbanizuar, trup-aftë, që flet gjuhën standarde dhe që përkujdeset për gratë dhe fëmijët. Shumë prej nesh përkojmë në kategori ose grupe të tjera, më të margjinalizuara: jo të bardhë, jo mashkullorë, jo heteroseksualë, jo të urbanizuar, jo me trupa të aftë, nuk e flasim gjuhën standarde, nuk i kemi nën përkujdesje gratë dhe fëmijët. Vetë bota nuk është njerëzore, ajo gëlon me organizma dhe forma jete të ndryshme prej nesh por paralele me specien tonë. Ato që janë tjetërgjë përveçse njerëz, ose njerëz tjetërfare, nuk mund të deklarojnë besnikëri të plotë ndaj vizionit mbizotërues të subjektit njerëzor: në rastin më të mirë, përkatësia e tyre është e negociueshme.
Të “tjerët” janë radhitur me rregullsi të paqëndrueshme në hierarkitë e diferencave zhvleftësuese. Këta janë të tjerët e seksualizuar: gratë dhe LGBT-të; të tjerët racialë: vendasit [nativët], post-kolonialët dhe joevropianët; të tjerët e tokës ose të natyrësuar: kafshët, insektet, bimët dhe planeti; dhe të tjerët teknologjikë: makinat dhe rrjetet e tyre interaktive.
Nga ana e tij subjekti dominues përndiqet nga të “tjerët” e tij të strukturuar, edhe pse i mohon ata janë të domosdoshëm për vetë-prezantimin e tij. Ata e përplotësojnë këtë subjekt i cili e ndërton vetveten sa përmes asaj që e përjashton, aq edhe përmes asaj që e përfshin në përshkrimin e vetvetes, të agjencisë së tij dhe të të drejtave të tij. Prandaj të “tjerët” e zhvleftësuar janë reflektimi i të ngjashmëve të subjektit: të ndryshëm nga ai, vlerësohen më pak se ai. Në këtë kuptim, diferenca regjistrohet negativisht sipas përkufizimit standard të subjektit njerëzor: normaliteti është diferenca zero-gradë.
Marrë parasysh rëndësinë strukturore të këtyre të “tjerëve” si shtylla që mbështetin të “njëjtën” brenda pozitës dominuese të subjektit, vetë ekzistenca e tyre është burim i përhershëm ankthi sepse i nxjerr në pah marrëdhëniet komplekse dhe asimetrike të pushtetit që e përbëjnë pozitën dominuese të subjektit. Për shkak se ky sistem i “diferencës si përçmim” e përmbush një funksion strukturor dhe themeltar në proceset e formimit të subjekteve, ai gjithashtu ka pozitë strategjike meqenëse e ka fuqinë t’i sfidojë vetë themelet e marrëdhënieve vete – të tjerë.
Shumica e lëvizjeve çlirimtare të gjysmës së dytë të shekullit njëzet u shënuan nga “kthimi” i të “tjerëve”, shprehje kjo e shumimit të “diferencave” të cilat refuzonin të mbeteshin pengje të mënyrës dialektike të kundërshtimit të subjektit dominues, përbrenda së cilës mënyrë qenë kornizuar historikisht. Për shembull, lëvizjet e grave (të “tjerët” e seksualizuar) lanë gjurmë të pashlyeshme në materien shoqërore dhe simbolike të kulturës fallocentrike përmes sfidimit të shprehive fallocentrike të ndërveprimit shoqëror, të mendimit dhe reprezentimit kulturor, duke ekspozuar kësisoj strukturat mashkulloro-centriste të pushtetit. Subjektivitetet kryengritëse dhe ato që lindën nga bota post-koloniale (të “tjerët” racialë) e sfiduan botëkuptimin euro-centrist, duke i denoncuar strukturat materiale dhe simbolike të shtypjes dhe dominimit kolonial. Në botën e globalizuar, post-komuniste, konstruksioni social i “emigrantëve kërcënues dhe të tjerëve të huaj” është shtrirë në pjesë të tëra të reja të popullatës botërore, duke e zgjeruar procesin e racializimit negativ. Ai ka futur një nivel të ri frike në strukturën shoqërore dhe është mbështetur në regjime të përgjimeve konstante dhe të burgosjes së emigrantëve ilegalë, shpesh duke përdorur teknologjinë. Lufta kundër terrorit ka prodhuar imazhin e ri të armikut të njerëzimit: terroristin vendas i cili kurdo mund ta godas popullatën civile: sulmi katastrofik është e sigurt se do të ndodhë, është vetëm çështje kohe.
Për t’ia vënë kapakun, katastrofa ekologjike ka shqiptuar fundin e mësymjes antropocentrike drejt nënshtrimit të asaj që dikur e quanim natyrë dhe të të tjerëve të natyrësuar: jo vetëm kafshët, insektet, por edhe bimët dhe në të vërtetë e tërë toka janë shfaqur si subjekte politike më vete. Sot njerëzve u duhet të negociojnë me forcat tokësore planetare për shkak të ndryshimeve klimatike dhe katastrofave të përsëritura mjedisore.
E fundit por jo më pak e rëndësishme, revolucioni global teknologjik e ka shndërruar sferën shoqërore në shoqëri rrjeti me qasje në internet 24/7. Ky nivel i lartë ndërmjetësimi ka ndryshuar mënyrën tonë të ndërveprimit si njerëz, e mos të flasim për marrëdhëniet tona gjithnjë e më intime me të tjerët teknologjikë: telefonat mobilë, tabletat dhe laptopët dhe rrjetet e shumëfishta sociale, janë bërë depo të jetëve tona personale, të kujtimeve tona e të ekzistencës tonë profesionale. Ky nivel kaq i pashembullt ndërmjetësimi e imponon me shumë urgjencë edhe zgjidhjen e problemit të qasjes dhe pjesëmarrjes në demokraci e cila mund të kërcënohet nga informatika e dominimit.
Ky kategorizim simptomatik i të tjerëve konstituivë përbën skelarinë e subjektivitetit. Të tjerët e seksualizuar, racialë, të natyrësuar dhe sot edhe ata të ndërmjetësuar teknologjikë, e derivojnë fuqinë e tyre krijuese por edhe atë përmbysëse pikërisht nga fakti se ata e përfaqësojnë dhe e shprehin pikëpamjen e atyre të “tjerëve” të përbuzur e megjithatë të domosdoshëm strukturalisht të cilët i përbëjnë kufijtë e vizionit dominues të subjektit. Në mënyrë subversive, ata janë edhe simptoma e krizës së subjektivitetit dominues edhe shprehja e formave tërësisht të reja të subjektit. Të “tjerët” edhe mund të jenë burimi primar për subjektin dominues, por ata janë edhe sfida e tij e vazhdueshme.
Përtej metaforave
Trupat dhe jetët e të “tjerëve” historikisht janë vënë në dispozicion të subjektit dominues dhe prandaj kanë qenë edhe të përdorshëm, kryesisht në kuptim të eksploatimit fizik dhe social. Mendoni vetëm për shtypjen e grave dhe të LGBT-ve, për dominimin kolonial dhe shterjen e burimeve të tokës. Megjithatë, statusi i tyre si të përdorshëm e ka edhe një dimension më simbolik: të tjerët janë zonë e fantazisë së preferuar dhe e projeksionit imagjinar, dhe si të tillë metaforizohen lehtë si objekte të dëshirës [desire], ose të dëshirueshmes [wishes] të subjektit dominues. Njohja me këta të tjerë është marrëdhënie e parehatshme e ngarkuar me marrëdhënie hierarkike pushteti: gratë dhe LGBT-të, vendasit dhe kafshët dhe mjetet mekanike ose teknologjike mund të shihen edhe si objekte mahnitjeje edhe si anomalie. Me fjalë të tjera, ata shërbejnë si të tjerë metamorfikë të cilët i pasqyrojnë shqetësimet dhe ankthet e vetë subjektit dominues. Ne njerëzit identifikohemi me ta, nga frika ose nga magjepsja.
Ndërkohë që janë të margjinalizuar në aspektin shoqëror, të tjerët e seksualizuar, racialë, të natyrësuar dhe teknologjikë janë edhe metafora të gjalla, referenca për vlera dhe kuptime alternative simbolike, emblema krejtësisht ikonike përbrenda gjuhës dhe kulturës. Me qenë i feminizuar, i racializuar apo i animalizuar janë kallëpe të përbuzjes së subjekteve njerëzore që kryesisht kodifikohen negativisht si në aspektin moral ashtu edhe në atë emocional: ato shprehin shkallë të të qenit më pak se njeri. Përkatësisht ato shënjojnë: humbjen e zotësisë në kuptim të potencës (të tjerët e seksualizuar), të superioritetit civilizues (të tjerët racialë) dhe të hierarkisë së specieve (si të tjerët e natyrësuar ashtu edhe të tjerët teknologjikë). Megjithatë, po të njëjtat cilësi negative ushtrojnë një tërheqje të çuditshme dhe fatale dhe mund të kthehen në zona fantazie dhe përvojash të dëshirueshme, veçanërisht nëse janë të kufizuara në kohë dhe hapësirë. Teoria feministe i përshkruan këto shprehi metaforike si një lloj “kanibalizmi metafizik” (Braidotti, 1991) që ushqehet mbi të tjerët e vet, të përjashtuar nga struktura si në kuptimin shoqëror ashtu edhe në atë simbolik, apo atë semiotik dhe material. Metaforizimi i të tjerëve të zhvleftësuar e shpreh dhunën ontologjike të subjektit dominues.
Arsyeja se pse të “tjerët” luajnë një këso roli në imagjinaren shoqërore është për shkak se ata ofrojnë hapësira formimi kundër-subjektivitetesh negative; ofrojnë pasqyrime imazhesh të privilegjuara negative, të shprehura shpesh si forma të tjerësh monstruozë dhe të huaj. Një lloj shëmbëlltyre “gotike” është e ndërlidhur me të tjerët e metaforizuar të zhvleftësuar, duke shprehur edhe njëherë paqartësinë strukturore mes tërheqjes dhe sprapsjes. Në sytë e subjektit dominues, kufijtë e të tjerëve janë porozë dhe fluidë, nuk janë të ngurtësuar në aspektin socio-simbolik si struktura të forta të vetes. Kësisoj, duke i turbulluar kufijtë e dallimeve, të tjerët e zhvleftësuar ose “monstruozë” e shprehin vështirësinë e mbajtjes nën kontroll të margjinave të dallimit midis kufijve të vetes dhe tjetrit. Në këtë kuptim, të tjerët e zhvleftësuar janë objekte horrori, sipas kuptimit të shprehjes së Kristevas, si turbullim i kufijve dhe shëmbëllim i magjepsjes kulturore me amorfen, me të patrajtën, dhe të pahijshmen.
Për pasojë, boshtet e ndërmjetësimeve teknologjike, seksuale, raciale, dhe natyrale shumë shpesh kapërcejnë tek njëra-tjetra dhe bëhen një, duke prodhuar reprezentime të grave dhe vendasve si kafshë, ose të robotëve dhe aparateve teknologjike si organizma të gjallë. Thënë ndryshe, të tjerët metamorfikë ofrojnë një repertor reprezentimesh fantastike të cilat kombinojnë kanibalizmin metafizik të proceseve metaforizuese me transformimin fantazmatik të vetes dhe tjetrit si figura dhe imazhe të riaranzhuara. Nga vepra klasike e Ovidit Metamorfozat e deri tek novelat grafike bashkëkohore, njeriu mashkull i bardhë, shkrihet dhe kalon me lehtësi e stil tek të tjerët e seksualizuar, racialë, të natyrësuar e të ndërmjetësuar teknologjikë, thuajse qasja ndaj një morie “trupa dublantësh” të ishte diçka krejtësisht normale. Duhet të besosh se të takon një privilegj i lartë ontologjik që ta mbështesësh një këso konsumimi imagjinar të trupave të tjerë.
Krijesat metamorfike janë “dublantë” ngatërrestarë ose simulakra që tërheqin dhe sprapsin njëkohësisht, që qetësojnë dhe shqetësojnë: janë objekte adhurimi dhe devijimi që prekin mbi struktura të thella të ndjenjës sonë të identitetit. Të bien ndërmend Virginia Woolf dhe Sylvia Plath të cilat panë të dilnin nga pasqyrat e tyre përbindësha të thellësive të brendshme të vetes së tyre. Vetë gratë dhe LGBT-të e përjetojnë shpesh diferencën si negative dhe e prezantojnë prodhimin e tyre kulturor si anomali ose monstruozitet.
Dimensioni metamorfik e luan edhe një rol tjetër, në kuptimin që monstruoziteti e imponon pranimin e shumëfishësisë [multiplicitetit] të gjendur përbrenda vetes. Është entitet pjesët e shumëfishta të së cilit as nuk janë tërësisht të integruara as tërësisht të shkëputura nga vëzhguesi njerëzor. Reprezentimi i trupave të tjerë si të çuditshëm ose monstruozë e luan kësisoj rolin paradoksal qetësues përbrenda imagjinatës bashkëkohore të mbushur me ankth. Siç thotë edhe fotografja Diane Arbus: anomalët veçse kanë kaluar nëpër aksidentin apo katastrofën e tyre, ata jetojnë me trauma dhe kanë kapërcyer në anën tjetër. Nëse jo krejtësisht mbijetues, ata të paktën janë të fortë në kapacitetin e tyre për të kaluar nëpër metamorfozë dhe prandaj për të mbijetuar e për t’u ballafaquar. Në anën tjetër, shumë njerëz në fillim të shekullit njëzetenjë mund të kenë dyshime serioze për aftësitë e tyre për t’u bërë ballë, e lëre më për t’u mbijetuar kompleksiteteve të botës së globalizuar bashkëkohore. Të tjerët monstruozë mund të na ofrojnë një çlirim të mirëseardhur emocional dhe një pushim nga ekonomia e përgjithshme politike e frikës, pikërisht duke e mishëruar tërësisht potencialin e tyre shkatërrues. Të tjerët monstruozë janë krijesa metamorfike që e luajnë një rol si të pasqyrave të kaleidoskopit dhe na bëjnë të vetëdijshëm për rreziqet që i ndërmarrim dhe i jetojmë në këto ditë njerëzore post-nukleare/ industriale/ moderne. Fuqia metamorfike e të tjerëve monstruozë shërben për t’i ndriçuar kufijtë e “tjetërsisë”, përderisa i zhvendos këta kufij. Efekti i tyre është katartik, sikur përbindëshi të ishte përbrenda trupave tonë, i gatshëm për të dalë.
Edhe pse shprehja “përbindësh” duhet të rezervohet për entitete të gjalla ose organike, do të argumentoja për një analogji strukturore mes përbindëshit organik dhe tjetrit teknologjik, veçanërisht nëse ai është i prezantuar përmes imazheve antropomorfike. Dublantët, robotët ose automatet e kanë të njëjtin efekt metamorfik mbi vëzhguesit njerëzor sikurse të tjerët e zhvleftësuar monstruozë organikë. Ata janë objekte magjepsjeje dhe terrori, neverie dhe dëshire. Si dublantë, ata përfaqësojnë rivendosjen e pjesëve organike, shpesh të organizuara në një renditje të re: organet ridizajnohen në mënyrë metamorfike përmes teprisë, mungesës, ose zhvendosjes nga lokacioni i tyre “natyral”. Shumë shpesh, riorganizimi i pjesëve organike të dublantit mekanik e shpreh një gamë fantastike dhe kreative të formave alternative trupore, të funksioneve trupore, të morfologjive dhe seksualiteteve. Si e tillë, makina teknologjike antropomorfike është objekt i fantazisë dhe parafytyrimeve imagjinare. Mund të jetë një përzierje e pjesëve njerëzore me ato jonjerëzore, gjysmë insekt dhe gjysmë metal, si në filmat më të tmerrshëm horrorë fantashkencorë.
Automatoni e ofron veten për përdorime të tilla fantazmatike dhe prandaj luan rol paradoksal në kuadër të praktikave shkencore dhe kulturore. Në njërën anë e ilustron fuqinë e racionalitetit shkencor për t’i zotëruar jetën dhe gjërat e gjalla, në anën tjetër e sfidon të kuptuarit racional. Përderisa është tërësisht vetvetja, dublanti teknologjik është pashmangshëm edhe tjetri. Rrjedhimisht është i pozicionuar në mënyra që janë analoge me të “tjerët” klasikë të modernitetit: të tjerët seksualë, etnikë, dhe natyralë. Si i tillë e mishëron paradoksin e një singulariteti të pathjeshtueshëm që shërben si model i shprehjes për vetitë më unike njerëzore, ndërkohë që i shndërron ato në funksione të jashtme të pavarura nga subjekti. Si dublant frankenshtajn, automatoni është sajesë, përzierje e pjesëve dhe organeve të shkëputshme, një kolazh ose montazh copash. Si i tillë është i karakterizuar nga paqartësia dhe polivalenca dhe është i lidhur me monstruozen përmes një përzierjeje të së mahnitshmes me të llahtarshmen të cilën e shkakton nga të qenit figurë aq skajore kufitare. Tjetri teknologjik është monstruoz sepse i bën kufijtë të paqartë, i ngatërron zhanret, i zhvendos pikat e referencës ndërmjet normales – në kuptimin e dyfishtë të normalitetit dhe normatives – dhe të “tjerëve” të vet. Ai mbetet në ne, vendoset në pjesët e thella të psikes tonë dhe vepron prej brenda.
Mbërjet nomade
Në kuadër të kontekstit bashkëkohor global, vepra e Oliver Laric e shpreh dhe eksploron sfidën që të tjerët metamorfikë hibridë, anomalë, monstruozë e paraqesin për pozitat e subjektit dominues dhe shprehitë e tij shekullore të metaforizimit. Larici e shpreh një ndjeshmëri të re politike dhe kulturore që fton për shkëputje aktive nga ato shprehi të vjetra të këqija që kanë patologjizuar dhe kriminalizuar të tjerët metamorfikë dhe na fton që ta rimendojmë dhe të mendojmë më shumë për marrëdhënien tonë me tjetërsinë. Në reflektimet e mija mbi këtë temë (Braidotti 2002; 2006; 2013) kam thënë që nuk duhet t’i konsiderojmë të tjerët e ndryshëm të devalvuar dhe monstruozë si shenja përbuzjeje, por si pozitivitet i diferencave të tyre. Të tjerët janë shfaqja e mundësive të njëmendta që na orientojnë kah alternativat dhe zhvillimet pozitive, sipas mënyrës së tyre – secili prej tyre singularitet kompleks që i reziston edhe metaforizimit edhe kanibalizmit metafizik. E rithënë në gjuhën e subjektivitetit nomad (Braidotti 1994; 2011a; 2011b), kjo do të nënkuptonte që imagjinarja bashkëkohore metamorfike i shpreh njëkohësisht dy prirje kontradiktore. Si reagim ose si reaksion negativ, në njërën anë i shpreh frikën dhe ankthet e pozitës së subjektit dominues mashkullor, të bardhë, heteroseksual, i urbanizuar pronë-zotërues, që e flet gjuhën standarde, në një periudhë historike kur po shemben privilegjet e tij shoqërore dhe simbolike. Në anën tjetër, si aktiv, ose si veprim afirmativ dhe fuqizues e shpreh veçantinë e të “tjerëve” dhe subjektivitetin e tyre pozitiv. Këtë ndërrim cilësor perspektive është çfarë unë i quaj procese të mbërjes[1] së subjekteve nomade.
Poenta dhe sfida kulturore është që të thyhen shprehitë e vjetra të këqija metamorfike dhe dialektika që i mbështet ato ashtu që të zhvillohen forma të përfaqësimit dhe ndërveprimit me të “tjerët” në mënyrë afirmative dhe fuqizuese, e jo në aso eksploatuese dhe konsumeriste. Subjektet nomade janë subjekte në proces të cilat kanë hequr dorë nga mënyra dialektike e marrëdhënieve me të tjerët duke i dhënë përparësi kritikës së modelit të dikurshëm dominues të subjektivitetit dhe duke vënë në qendër kësisoj diskursin e subjektit sundimtar. Në vend se ta vendosin barrën e të vërtetës mbi të tjerët konstitutivë, dhe mbi të tjerët e pavlefshëm, subjektet nomade e sulmojnë diskursin e Sundimtarit dhe e ekspozojnë dobësinë e tij strukturore dhe varësinë e tij mu ndaj të tjerëve të cilët ai i shtyp dhe i konsumon. Kjo është çfarë është në pyetje në teorinë nomade të mbërjes.
Të bërit nomad realizohet në një sekuencë kohore që nuk është as lineare dhe as sekuenciale, sepse nuk është e bazuar mbi një Vete të fiksuar, të centralizuar që e mbikëqyr shpalosjen e tyre. Përkundrazi, ato bazohen mbi një vizion jo-unitar, shumështresor, dinamik të subjektit. Për shembull, të bëhesh grua/kafshë/insekt është proces, është ndjeshmëri dhe afekt që rrjedh brenda dhe nga secili, duke u aktualizuar në forma të reja të marrëdhënies etike dhe estetike. Nuk ka të bëjë me metaforat, por me zhbërjen e kufijve të tjetërsisë bazuar në përvojë-dije duke i lejuar të tjerët që ta shprehin singularitetin dhe veçantinë e tyre jashtë çdo skeme dialektike të thjeshtëzimit dhe konsumimit metafizik. Mbërjet janë itinerare pa caqe apo destinacione fikse, por janë të shënjuara nga takime të vazhdueshme me tjetrën si peizazh shumështresor dhe shumëdrejtimësh. Në takim të vazhdueshëm me të tjerët e ndryshëm, të jashtëm, subjektet nomade e shtyjnë vetveten deri në kufij. Subjekti nomad si entitet jo-unitar është njëkohësisht vetështytës dhe i prirë kah e jashtmja. Të gjitha mbërjet janë minoritare, që do të thotë se ato pashmangshëm dhe domosdoshëm lëvizin në drejtim të të “tjerëve” të dialektikës klasike por jo me qëllimin që t’i konsumojnë. Në të vërtetë i zh-vendos ato dhe përfshihet me të tjerët e tij/saj të jashtëm në një bllok konstruktiv, “simbiotik” të mbërjes, i cili e anashkalon ndërveprimin dialektik. “Mbërja” është sfidë e vazhdueshme dhe opozitë ndaj identiteteve dominuese unitare, dhe është jashtë kundërshtive dialektike dhe modeleve teleologjike.
Në mënyrë alternative, këto modele të mbërjes nomade mund të përfytyrohen si modalitete të njëpasnjëshme të zbërthimit [dekonstruktimit] afirmativ të pozitës së Subjektit dominues (mashkullor/i bardhë/heteroseksual/që flet gjuhën standarde/pronëzotërues/i urbanizuar, etj.). Ose ndryshe, si shprehje e veçantisë së atyre që deri me tani kishin qenë të reduktuar në të tjerë të zhvleftësuar. Mbërja nomade e afirmon fuqinë për t’i shprehur mundësitë e shumëllojshme të ndërveprimit me të tjerët, dhe nivelet apo fazat e ndryshme të mbërjes e ndjekin një itinerar që përbëhet nga fshirja dhe ribërja e kufijve të dikurshëm në mes të vetes dhe të të tjerëve. Të bëhesh:grua/insekt/i pavërejtshëm/molekularë janë hapa zbërthyes [dekonstruktues] përgjatë kufijve që dikur e ndanin subjektin dominues në mënyrë dialektike nga të tjerët. Prandaj, është e pamundur të ndahet mbërja-grua/kafshë/insekt/tokë nga shumëfishësia e mbërjeve të tjera: ato e formojnë një itinerar zigzagesh përgjatë shumë kufijve të të “mbërit-nomad”. Ato janë ndryshime cilësore që kalojnë përmes të tjerëve dhe vazhdojnë të lëvizin në drejtim të “mbërjes-i pavërejtshëm” dhe “mbërjes tokë”. Ato nuk janë faza apo periudha të mbërjes sistematike, lineare apo teleologjike, por në vend të kësaj secila plato [plateau] e shënjon një bllok ose moment të qëndrueshëm dhe të kufizuar të transformimeve të aktualizuara në mënyrë imanente.
Subjekti nomad e shpreh figurën e të kuptuarit të subjektit si i lokalizuar, posthuman, kulturalisht i ndryshëm, të liruar nga barra e dialektikës. Ky figurim e transmeton dëshirën tonë të përbashkët për ta eksploruar dhe legjitimuar agjencinë politike, duke marrë si dëshmi historike rënien e identiteteve të palëkundshme dhe metafizikisht të fiksuara. Kritika dhe kreativiteti duhet t’i bashkojnë forcat për ta plotësuar deficitin imagjinar dhe për të skicuar forma të reja të ndërveprimit me tjetërsinë. Teoria kritike është edhe kërkimi edhe krijimi i mënyrave të reja të të menduarit. Na duhen sisteme të të menduarit, si dhe paradigma të reja kulturore dhe estetike që mund të na ndihmojnë të mendojmë rreth ndryshimit, transformimit, tranzicioneve jetësore në mënyrë afirmative. I çmoj projektet kreative, joreaksionare, të çliruara nga forcat shtypëse të qasjes tradicionale dialektike.
I nënkuptuar përbrenda subjektit nomad është besimi në rëndësinë politike të ushtrimit estetik të imagjinatës, si një mënyrë për të dalë nga shprehitë e vjetra të këqija të mendimit që është ushqyer mbi të tjerët e zhvleftësuar metamorfikë. Praktikat artistike mund të jenë më efektive, tani dhe këtu, sesa sistemet teorike. Nomadizmi në pyetje këtu i referohet asaj ndërgjegjeje kritike e cila refuzon të sistemohet përbrenda mënyrave të koduara shoqërore të të menduarit dhe sjelljes. Çështja kryesore në pyetje është ndërlidhja në mes të identitetit, tjetërsisë, subjektivitetit dhe pushtetit. Subjekti nomad e kombinon vijimësinë me lëvizshmërinë. Ai synon ta rimendojë marrëdhënien subjekt-tjetër pa iu referuar besimeve humaniste, pa kundërshti dualiste, në vend të këtyre duke i lidhur trupin dhe mendjen në një tërësi të re ndryshimesh intensive dhe zakonisht jokalimtare. Sfida politike është si ta respektojmë larushinë kulturore pa rënë në relativizëm apo dëshpërim politik. Relativizmi është rreziku që i gërryen bazat për koalicione politike apo aleanca të mundshme. Për shkak se subjekti nomad është i prirë kulturalisht, ai është formë subjektiviteti që nuk mund të shkëputet nga kulturorja apo estetikja thjesht sepse kjo nënkupton krijimin e alternativave të qëndrueshme dhe horizonteve shoqërore të shpresës për subjektet bashkëkohore. Çështja kryesore për ripërkufizimin e subjekteve bashkëkohore në proces, si entitete të përgjegjshme të zonjat për meta-stabilitet dhe bashkëjetesë paqësore me të tjerët njerëzor dhe jonjerëzor në botën e globalizuar bashkëkohore, është kreativiteti konceptues dhe perceptues.
Referencat
Arbus, Diane (1972) Diane Arbus New York: Millerton.
Braidotti, Rosi (1991) Patterns of Dissonance: an Essay on Women in Contemporary French
Philosophy. Cambridge: Polity Press.
Braidotti, Rosi (1994) Nomadic Subjects. Embodiment and Sexual difference in
Contemporary Feminist Theory. New York: Columbia University Press, 1994, pp. 326.
Braidotti, Rosi (2002) Metamorphoses: Towards a Materialist Theory of Becoming.
Cambridge: Polity Press, 2002, pp. 317.
Braidotti, Rosi (2006) Transpositions: On Nomadic Ethics. Cambridge: Polity Press, 2006,
Braidotti, Rosi (2011a) Nomadic Subjects. Embodiment and Sexual Difference in
Contemporary Feminist Theory. New York : Columbia University Press, 2011 a, pp. 334.
Braidotti, Rosi (2011b) Nomadic Theory : the Portable Rosi Braidotti. New York : Columbia
University Press, 2011 b, pp. 416.
Braidotti, Rosi (2013) The Posthuman. Cambridge : Polity Press, 2013, pp. 229.
Teksti origjinal
[1] “Mbërja” këtu është krijuar si fjalë për ta përkthyer konceptin filozofik të “becoming”. M-ja si parashtesë ndaj fjalëve në gjuhën shqipe shërben për të krijuar fjalë që shprehin procese, si p.sh.: bart/mbart, plakje/mplakje, apo mbërthehem, mbërdhezem (skuqem), etj. Prandaj edhe këtu bërja është bërë mbërje për ta shprehur procesin që e ngërthen koncepti i “becoming”, në vend të “duke u bërë” apo “në bërje” mund ta kapim idenë shumë më mirë përmes fjalës-koncept “mbërje”.