I. Cigarja e fundit
Ftoh fytin tim të ngrohtë me verë. Tymi i cigares ngrihet në rrathë të ngadaltë. E shoh tek zbehet në zhdukje. E zhytur në moment, në momentin tonë, harroj se edhe kjo do të zbehet në pafundësi. Harroj se edhe kjo nuk do të jetë gjë tjetër veçse një ngjarje e kaluar në historinë e botës. E dini, momentet e vogla ditore për të cilat askush nuk shkruan, momentet që askush as nuk i mendon. Momente që nuk llogariten si të mëdha apo heroike. Vetëm sekonda, minuta, orë të zakonshme që mbushin vite të jetës sonë, të të gjithë njerëzve pa përjashtim.
Momente që pluhurohen dhe zëvendësohen vazhdimisht nga ardhja e momenteve të reja. E ardhmja pret me durim për t’i gëlltitur në të tashmen, dhe pastaj përsëri në të kaluarën. Momente që hidhen pa mend në makinën e “të shkuarës”. E humbur në harresë, një pjesë e madhe e jetës sonë përbëhet nga këta mozaikë të pafund të kohës. Ndoshta një ose dy herë arrijmë të ndihemi vërtet të lavdishëm përpara se të zbehemi.
Dhe të mendosh se kjo më mbushte me ankth… Tani më qetëson. Aq plotësisht e gjallë brenda mishit tim, dhe brenda ngazëllimit e temperaturës së një mishi tjetër, vazhdoj të harroj se kjo që ndihet kaq e vërtetë do të avullojë dhe asgjë nuk do të mbetet prej saj. Por ku shkojnë momentet?
Sigurisht, duhet të shkojnë diku, pasi nuk ka asgjë që mund të hedhë poshtë ekzistencën e tyre. Vetëm në një cep të vogël të kafkës sime do të mbeten gjallë dhe të sigurt. Do të mbeten të çmueshme, edhe pse në mënyrë të pashmangshme, si një njeri i brishtë, truri im me të meta do ta ndryshojë historinë, do t’i rregullojë disa pjesë, do t’i harrojë disa budallallëqe, do t’i zbukurojë disa e kështu me radhë. Ndonjëherë do t’i urrejë dhe do të provojë çkado në këtë tokë të dhënë nga Zoti për të harruar.
Verë, drogë, dekadencë, poshtërim, kënaqësi në poshtërim vetëm për të harruar. Sado torturuese të jetë, nuk dua t’i harroj. Stabiliteti është përjashtim, jo normë.
Ndonjëherë habitem se sa shumë mbart brenda vetes. A është qesharake apo është vërtetë e tmerrshme që jam e tronditur nga aftësia ime për të mbajtur gjëra? Çdo ditë marrosem me jetëgjatësinë e qëndrueshmërisë sime, aftësinë time për të jetuar me gjërat, duke përfshirë kujtimet.
Jam kurioze. A thyhet ndonjëherë durimi? A ka një kufi, një vijë fundi? Duhet të ketë një kufi për çdo njeri. Unë pres që e imja të thyhet, por kjo nuk ndodh, nuk ndodh kurrë. Mendoja (ose shpresoja) se një ditë do të ndodhte diçka që do të shkatërronte aftësinë time për të duruar, dhe pastaj nuk e di se çfarë do të ndodhte. Ndoshta do të çmendesha. Por në vend të kësaj unë jam dënuar të jem e kthjellët, kur asgjë në jetë nuk është e kthjellët. Ku do të përfundonte? Deri kur mund të durojmë? Çfarë do të na ngopte? Ndoshta deri në çmenduri. Por unë ndihem e çmendur çdo ditë.
E di që jam një lloj e çmendure, po ashtu edhe njerëzit që më shoqërojnë në jetë. Por ndoshta deri në çmenduri të shurdhët, idiotike, absolute. Mirëpo për ne të dy, mes mishnave e afsheve tona, nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Do të ishte mashtrim, tradhti. Jo, jo nuk bën për ne… Për ne është e pamundur të çmendemi dhe ta shikojmë jetën në mënyrë pasive. Nuk kemi hesap ta anulojmë jetën.
Një mut jetë po na vjen. Çfarë të bëjmë? Të durojmë (apo të presim?). Të durojmë deri në frymën tonë të fundit, deri në cigaren e fundit
II. Kujdes nga lavirja e shenjtë.
Shpesh ndjej kënaqësi të përzier me neveri kur jam me një mashkull. Sa herë jam në shtrat me ta më duhet të përdor fantazinë si mjet i ikjes nga mërzia. Sot pata takim. Dielli me binte mu në rreze të kokës e në të njëjtën kohë ajri i janarit më jepte herë pas herë ethe të pakontrollueshme. Dora mekanikisht arrinte te xhepi i shqyer e nxirrte cigaret një pas një. Si të thoshte, ja çfarë vesi i kotë të merresh me veten.
Ka kohë që jam e vetëdijshme, madje më shumë se sa që duhet, si të më ketë mbirë një kokë e re pa marrëzitë e mija. Megjithatë s’mund të ndalem. Kam kohë që jam në vëzhgim. Ka një kohë të gjatë që ndihem si një dhelpër e egër qe fshihet pas gjetheve, me një vëzhgim lëshuar botës si në tronditje, por gati për të sulmuar. Unë jam një kafshë që duhet t’i mësosh gjuhën, përndryshe qëndroj në gatishmëri dhe shpesh e egër. Këtë s’e bëj me qëllim. E njoh vetëm natyrën dhe jo njerëzit prandaj shpesh i sulmoj.
Meshkujt janë të pështirë për shkak se vazhdimisht duhet të mbash mend sa të thyeshëm janë. Dhe sa mjeshtërisht duhet të barazojnë dobësitë e tyre. Domethënë, vazhdimisht duhet ta ruash hapin, ose përndryshe e mbajnë dobësinë e tyre kundër teje. Nganjëherë më kap cinizmi i hatashëm kur ndjej ultësinë e një mashkulli dhe bëhem paskajshmërisht e ligë. Ose kur ndjej hatërmbetje ndaj qenies time, më kaplon sarkazma dhe pastaj bëhem absolutisht e padurueshme. Ndjej kënaqësi të pakonsiderueshme kur shtyp një njeri më të varfër në shpirt se unë.
Dhe herëve të tjera, më besoni, nuk e di nga ç’dreq më kap një lloj mërzie drejtuar askujt për asgjë. Më kap ajo gjendja e shpirtit që i thonë melankoli, ai sentimentaliteti i tepruar i budallait, dhe kështu shoh bukuri dhe dhimbje në gjithçka. Më mirë të çoroditem me një njeri, me një objekt ose fatkeqësi, sesa këto ulërimat e natës që më kapin pashmangshëm drejtuar kurrçkafit, Universit. Më duket se po qaj pa zë.
Kur dal netëve të errëta ndihem totalisht e plasaritur dhe gati për t’u shqyer nga kërkesat e natës. Domethënë ndihem totalisht e çmendur, qenia e liruar, dhe pres të qihem fort në qysh të rrugës. Pastaj shkëputem me egërsi dhe vazhdoj ecjen. Kur ecja ajri i ngrohtë më zinte frymën, ecja lehtësisht, pa kurrfarë rëndese, ndjeja forcën në hapat e mi. Ndjeja pushtetin tim mbi kaluesit e çastit. Pastaj dehesha nga ky pushtet hyjnor që ndjeja.
Këta duan vetëm të bëjnë seks, ashtu si truthatë edhe seksin e kanë të thatë. Pështyjnë mbi shenjtërinë e seksit. Fantazia ime ultimative ishte të bëja seks që mposhtë vdekjen. Seks që transcendenton dhe kalon gjithçka. Seks të rrezikshëm nga i cili mund të mos kthehesh. Kurrë nuk kam bërë dashuri ashtu siç e kam imagjinuar, në ekstazë, duke të transportuar në një mbretëri tjetër… Duke humbur ndjenjën e vetvetes, duke kapërcyer vdekjen… Duke humbur trupin dhe duke hyrë në një masë gjigante përbërësish me personin tjetër. Duke qëndruar të ngrirë në kohë për orë të gjata. Duke e harruar botën e jashtme. Është sikur bashkë me tjetrin t’i thoni botës mallkuar qofsh. Mallkuar qofshin banalitetet tuaja, mallkuar qofshin preokupimet tuaja të pafundme, kjo është e vetmja gjë që ia vlen në jetë, nuk e keni kuptuar akoma? Qëndrimi në gjoksin e të dashurit tuaj për orë të tëra është ajo që e bën jetën të vlejë. Jo produktivitet pa mendje…por dashuri.
Le të sfidojmë paratë me dashuri, le të rrimë në shtrat me orë të tëra, le të qihemi si derrat, le të jemi të kotë për shoqërinë. Le të mos prodhojmë asgjë, mos t’u japim atyre asgjë, le të qëndrojmë. Si dy grimca, le të qëndrojmë. Pse askush nuk është i aftë për këtë?
III. Virozat
Bota është plotë me viruse, me qarkullime të lëngjeve, me sëmundje, baktere. Bota nuk është park i bukur me lule ku ti bën piknik me dashurinë tënde. Bota është lëng që qarkullon e rrotullohet. Bota është një baktere tek tjetra. Nëse dëshirojmë të duhemi, si mund të duhemi pa sëmundjet tona? Bataille thotë nuk dua të më duash nëse nuk e di që jam i sëmurë. Si të ngjizemi? Të dua vetëm nëse edhe ti je i pështirë, i neveritshëm, i llahtarshëm. Kur fantazoj të ngjizem me dikë e të bëhem një lëmsh i madh, fantazoj për këtë lloj dashurie ku dy të sëmurë i vërsulen njëri tjetrit. S’ka të bëjë asgjë me pastërtinë e më të bukurën e me të bardhën. Edhe pse jam e bindur se në atë llum ekziston një lloj pastërtie. Kur të dua dhe të rrjepë nga të gjitha shënimet e jashtme, t’i dua virozat, të pasmet, barkun, leshin, mutin. Penisin apo vaginën në formën e vet.
Si mund ta kemi menduar ndonjëherë një botë të liruar nga viruset, sëmundja, beteja, përçmimi, vdekja? Si mund të kemi menduar ndonjëherë, dhe ta kemi lejuar këtë mendim, se bota mund të lejojë diçka (të bukurën) por jo diçka tjetër (të shëmtuarën)? Nuk e duam botën të plotë, ashtu siç është, dhe ndonëse ajo vazhdimisht na tregon, ne prapë si të çoroditur shohim vetëm një imazh. E duam botën me kushte. Epo njerëz për çdo botë me ylbere ekziston një botë e mbuluar me mut.
Në momentin që bakteret e tua hyjnë në mua, dhe të mijat në ty, jemi ngjizur përjetësisht. Sëmundja jote ka hyrë përfundimisht në mua, dhe nuk largohet më. Mund ta bart te tjetri, por ti aty do të mbetesh. Dhe fekalet tona kur lundrojnë në kanalizim kanë mbetje të njëri-tjetrit. Kushedi nga kanali i Prishtinës deri tek ai i Varshavës mikroorganizmat e mi me mikroorganizmat e kujt do të duhen.
Pra edhe kur të qes nga bytha, nuk të kam hequr përfundimisht. Trupi mban, kujton, duron, dhunon, dëshiron, deri në momentin e fundit. Edhe në momentin e fundit prapë nuk kam shpëtim nga kjo botë sepse natyra e bën të veten, dekompozohem, bëhem pjesë e dheut, u kontribuoj natyrës dhe insekteve, e kërpudhat lulojnë mbi mua. Gjithmonë prej një qelize në tjetrën.
A shpërbëhemi ndonjëherë me të vërtetë? A mund të shpëtojmë nga ekzistenca ndonjëherë? Mos e qani ekzistencën njerëzore ju filozofë pesimistë, sepse jo vetëm që dukeni jashtëzakonisht egocentrik, duke e vënë ekzistencën njerëzore si më të vlefshmen, por ka edhe një milion lloje të ekzistencave të tjera që ju nuk i keni parasysh. Andaj ju lutem, na lini të qetë, na lini të qetë të ëndërrojmë, na lini të qetë të kutërbojmë, na lini të pshurremi e masturbojmë me Diogjenin mbi krye, na lini të duhemi me gjithë pisllëqet tona. Sepse ekzistenca nuk është “kjo” apo “ajo”, ekzistenca të dashur miq, është shumë më e tokëzuar sesa mendojmë, ekzistenca është dhe, pleh. Edhe dashurinë e mbaj aty ku trupi im dhunohet verbërisht secilën herë e më shumë. Të pranosh dashurinë=të pranosh një dhunim të vrullshëm. Gjithë këto qeliza në bashkëjetesë, asgjë nuk është e ndashme nga pjesët tjera. Asgjë nuk ndahet. Të gjithë jemi një lëmsh i madh i qelizës, qeliza është gjithçka.