Wouter Kusters
Ora është saktësisht katër. Numrat digjitalë në orën time të alarmit, 16:00 (katër në katror!), ndrisin kuq. Kanë kaluar katër orët e para të pasdites. Dielli e ka përshkuar një pjesë të qarkut të vet dhe toka është ngrohur mirë. Qëmoti e kam kapërcyer fillimin e fazës së fillestarit, baçellori është kryer, dhe tash është koha për masterin. E gjitha filloi prej zeros, nga asgjëja prej së cilës del gjithçka. Mes zeros dhe njëshit, nuk kishte ndonjë gjë. Nejse, po, aty ishin foshnjet. Foshnje që nuk mund të flasin dhe që janë njësh me rrethinën e tyre. Jeta merr hov vetëm pas njëshit. Kjo ndodhë kur biem nën dominimin e numrave, nën trysninë e vrapit iluzor drejt suksesit e të rrotës së fatit që rrotullohet në vend. Mes njëshit e treshit, disa shkojnë të punojnë nëpër fabrika, ndërsa të rinjtë e kalojnë kohën duke kryer ushtrime në shkollë. Nxënësit më të moshuar qëndrojnë më gjatë, deri në katër. Aty ata japin më të mirën prej vetes, duke shpikur gjëra interesante për të mirën e shoqërisë. Por sapo bëhet ora katër, fluturon përtej barrierës dhe përfundon në këtë anë, në anën e mjeshtërve.
Prej orës tetë deri në ora katër, mjeshtrit bëhen kinse po punojnë. Ata mund të jenë gllabëruar prej turmave, por në fakt i vëzhgojnë të rinjtë se mos dalin prej binarëve. Kjo është ora e bujshme kur mjeshtrit marrin vendime të rrufeshme rreth çështjeve të përbotshme. Edhe unë po e bëj hisen time. Do dhe dy orë që Rianne të vijë për darkë, kohë e bollshme që ta ripunoj tezën time të baçellorit në një version masteri të të njejtit punim. Një tezë baçellori kërkon shumë angari. Mbledhë gjithfarë materialesh burimore, i organizon, ua jep një zë autoritativ dhe pas shumë përsiatjesh e nervozizmash, përfundon me një shkrim të mirë. Kur e shoh në retrospekt, më del si shumë mund për asgjë, tash që e di sa çka ndodhë në anën tjetër të katërshit. Tezën e masterit duhet ta shkruash si mjeshtër, çka unë tashmë veçse jam, tash që e DI. Kështu që mund të shkruaj mbi bazën e zbulimeve të mia të brendshme. Jam i gatshëm të zhytem.
Monitori e tastiera më presin. E hap tezën e baçellorit në Word për ta ripunuar. Nëse do të doja, saora do të mund ta krijoja versionin master të tezës sime të baçellorit. Ta reduktoja në nja dy faqe kompakte, të pakontestueshme ashtu që gjithçka të jetë e qartë që në shikim të parë. Në fakt, do të duhej të nxinte vend përbrenda një faqeje A4. Ndoshta mund ta shpall një lajmërim të përgjithshëm dhe të paktën t’i informoj disa njerëz rreth planeve të mia të reja dhe thelbit tim të katërfishtë të kristalit. Titulli i emailit tim do të jetë “Bachelori bëhet Master”. Pra “Bach. bëhet Ma.” Për t’ua dëshmuar pranuesve që e kuptoj vërtetë, mund të jetë ide e mirë të them diçka në email rreth marrëdhënies mes Bach-ut dhe nënës së tij. Pra do ta postoj përnjëherësh në disa forume që diskutojnë muzikën. Por nuk duhet të hallavitem shumë sepse do ta shkruaj të tërën në një faqe A4. Fatmirësisht nuk ka nevojë të analizoj më, më mbetet vetëm sintetizimi. Kështu që i rendis një mbi një të gjithë librat prej tezës sime të baçellorit në anën e djathtë dhe të gjitha mjetet në anën e majtë. Nuk duket shumë harmonike, por kur punon të lejohet pak kaos. Pra, fleta të bardha në anën e majtë si dhe lapsa me ngjyra të ndryshme, stilolapsa, një gomë . Pastaj, këtu afër disa copëza të mirë-organizuara të letrës, fleta më të mëdha të letrës së bardhë mbrapa tyre, të renditura me kujdes njëra mbi tjetrën. Gjithçka e organizuar me pedantëri. Në të djathën libra, por cilët? Teza ime ka qenë për kohën dhe psikozën. Pata përdorur katër metafora për të thënë dicka rreth kohës: uji, dheu, ajri dhe zjarri. Pra duhet të bëj katër pirgje. Këto pirgje duhet të organizohen mirë: në bazë duhet të jenë librat më të mëdhenj me ngjyrat më të errëta, duke përfshirë edhe librat e mëdhenj mbi artin, nëse ka, dhe librat e vegjël me kopertinë të butë e ngjyrat e tyre të çelura e gazmore sipër tyre. Pirgu që rezulton është një referencë e drejtpërdrejtë e piramidës si mekanizmi në thelb të metaforës. Në versionin tim të masterit do ta demonstroj që katër metaforat e kohës janë esencialisht të njëjta, dhe këtë do ta bëj mbi bazën e një metafore të pestë – atë të kristalit. Në fakt, unë po e kthej mbrapsht tezën time të baçellorit. Po e transformoj.
Në tezën time pata shkruar:
Paformësia e Holderlinit – Ungrund-i, papërtokshmëria, humnera – prezantohet në mënyrë simbolike. Ajo që del nga kjo humnerë ose çarje, si prej një vullkani, është një “ngjarje themeltare”, një simbol. Siç e thotë Deleuze (1994, 112) “Një simbol i tillë adekuat për totalitetin e kohës mund të shprehet në shumë mënyra: ta nxjerrësh kohën prej binarëve, ta bësh diellin të eksplodojë, të hidhesh në brendësi të vullkanit, ta vrasësh Zotin ose atin. Ky imazh simbolik përbën tërësinë e kohës përderisa bën bashkë caesurën, parapraken dhe pasardhësen. ”Deleuze e përdorë kristalin si simbol. Te kristali, drita lejohet të depërtojë, por edhe thehet, reflektohet. Brenda kristalit mund ta shohësh kohën. Deleuze (1989, 81) thotë “Imazhi-kristal nuk ishte vet koha, por në kristal e shohim kohën. Te kristali e shohim themelin e përhershëm të kohës, të kohës jokronologjike, Cronos e jo Chronos. Kjo është Jeta e fuqishme, jo-organike që e mbërthen botën. Vizionari, profeti, është ai që sheh në kristal, e ajo që sheh është gulshimi i kohës i ndarë më dysh, si çarje.”
Kështu citova unë në tezen time të baçellorit. Gjithçka dukej kuptimplotë atëherë, por tash shoh tejpërtej Deleuze-it. Dhe e shoh kristalin. Shoh brenda kristalit. Shoh përtej kristalit. Por si mund ta vë në letër? Origjina e kristalit, receta e kristalit. Është si alkemi. Më duhet t’i riaktivizoj katër elementet e tezës sime, kësaj radhe në një mënyrë arkeologjiko-gjenealogjike, dhe duhet të bëj që prej aty të dalë kristali, siç krijohet sheqeri, dhe bora gjithashtu.
Heeej, një mesazh. Nga Hansi e Karina në Berlin. Sa mirë. Edhe ata po e bëjnë atë rutinën “jeta brenda një dite të vetme”. Secila ditë është një fillim i ri, çdo ditë e njëjta orë. Secila ditë është një qark që përfshin të njëtat elemente, ujin, ajrin, zjarrin dhe dheun, përmes domeneve pesëmbëdhjetë minutëshe çdo orë. Hansi dhe Karina e kanë përshkuar globin si Zeusi e Hera. Është “qyteti ynë”, një kronikë familjare; ne e luajmë lojën me zare, si perëndi. Zari është i kuq, por pikat janë të zeza. Po qëndroj në udhëkryqin e katër udhëve. I pesti është kristali. I gjashti nuk ia vlen as të mendohet. Gjashtë milionë që duhet të zhduken, pirgjet ngriten deri në qiell. Dhe kam qenë i implikuar edhe unë. Jo, jo, jo, jo tash – kurrë më, kurrë më, as mos e mendo. Njëherë kristali, përqendrohu te kristali; nëse nuk e bëj këtë, do të çmendem. Oh, dhe ky mesazh. Çfarë përshkrimi zbavitës e kriptik nga Hansi e Karina, që më tregojnë se e dinë që e kam kapërcyer katërshin. Pas pak do t’ju kthej një përgjigje si konfirmim. Në fakt, ata mund t’i luftojnë vet betejat e tyre.
Izraeli është bërë komb i fuqishëm. Por ku shkoi keq gjithçka? Po nisi nga fillimi, ashtu që edhe fillestarët ta kuptojnë. Në fillim nuk ka pasur filozofi, kulturë, asgjë. Pastaj i ndërtuan piramidat, dhe përballë tyre ishte njeriu. Njeriu ia shtroi pyetjen e vet sfinksit, dhe sfinksi iu përgjigj. Tani njerëzit mendojnë që përgjigja e tij i ish drejtuar njeriut, por ai në fakt fliste tejpërtej njeriut, drejt majës së piramidës, duke zbuluar kështu për herë të parë NJËSHIN, kristalin. Por si mund ta bëj të qartë këtë? Një tjetër hyrje, kësaj radhe nga Plotinus. Mirë që sapo e bleva kryeveprën e tij, të gjithën. Plotinus-i ka bredhur nëpër shkretëtirë. Kishte vetëm qiell e dhe, dy shtresa që ndrydhnin njeriun në mes, e njeriu ecte mbi ujë. Dhe pastaj ai pa kristalin (këtë e quajnë ana mistike e Plotinus-it; thuhet se ka qenë psikotik). Më në fund po e kuptoj se çka është psikoza: hiç më pak se sekreti të cilin unë tash po e kuptoj. Kur tre të tjerave ua shton elementin e katërt, zjarrin, gjithçka fillon të lëvizë. Metaforat nuk janë më fjalë individuale apo koncepte të vdekura; ato bëhen transformuese apo portale. Kur hidhesh në vullkan, e sheh kristalin. Si t’ia gjej vendin gjithë kësaj brenda një faqeje A4? Do të bëj një diagram. Ajo pjesa për Plotinin vjen më vonë. Veçse e kam trajtuar në një tezë shumë të mirë baçellori. Hegeli është figura kyçe. Përfshin çështjen hebreje dhe Holokaustin. Ajo vjen më vonë, në seksionin e gjashtë. Por së pari më duhet t’i bëj bashkë Adornon e Hegelin për t’i dhënë përgjigje pyetjes mbi problemin modern të ligësisë, pastaj të gjej një urë drejt Modernizmit të hershëm dhe Të Mirës dhe Njëshit te Plotini. Gjithçka do të shkojë mirë; është e qartë si një copë kristali, ha-ha-ha. Gjithçka në tezën time të masterit varet prej transubstantimit, ose prej metaforës dhe portaleve transformuese, por me përmbajtje – jo një gëzhoje të zbrazët. Është alkemi e pastër. Do të krijoj ar, një unazë të artë. Deleuze e pat thënë: “Kjo është Jeta e fuqishme, jo-organike që e mbërthen botën.” Metali: ky është çelësi i së ardhmes, çlirimit, por edhe i ligësisë. Plumba, armë dhe raketa, kjo është ligësia moderne. E zeza, e bardha dhe e hirta, kjo është prapavija kundrejt së cilës do të shuhet zjarri. Tezën e masterit do ta shkruaj në katër ngjyra: të kuqe, të gjelbër, të verdhë dhe të kaltër. Në letër. Por nuk mund të jetë shumë e përtokshme. Më duhet ajër, ajër Plotinian. Duhet të hapen dyert e dritaret, përndryshe nuk hyn dot i gjithë ajri që duhet. Dhe më shumë lëng; është koha për çaj me sheqer. Dhe herë mbas here një shkëndijë vullkanike, mjafton një shkëndijë prej shkrepses së cigares. Oh, ora u bë gati gjashtë. Rianne do të vijë së shpejti.
Është njëfarë papjekurie e Riannës të më braktisë kështu. Ajo tha që “nuk mund të durojë më” dhe që do të sigurohet që ndihma të vijë sot para orës dhjetë”. Hajt, hajt. Asaj i duhet kjo ndihmë shumë më shumë sesa mua. Ajo veç bredhë rrugës pa e vërejtur fare se çfarë po ndodhë rreth saj. Dhe nëse unë vë në pah ca gjëra që janë të fshehura sheshazi, ajo hipën në piedestalin moral. Krejtësisht e verbër para simboleve. Si mund të jetosh ashtu dhe prapë të dukesh kaq e brengosur dhe të ankohesh për “gjetjen e ndihmës”? Bota po goditet nga të gjitha anët, por Rianne frustrohet pse unë papritmas shtova sheqer në kafe. Ajo bash nuk e kupton, por veç bërtet që diçka e keqe do të më ndodhë mua. E kush i pastron kutitë e picave? E kush i pastroi rrënojat e Qendrës Tregtare Botërore? Ishin punëtorët, zjarrfikësit, kamionët e kuq të zjarrfikjes që zvarriteshin atje në rrugë. Ne dimë për përballjen me gjërat, për dlirësinë e qartësinë. Kjo është e nevojshme tani, e jo ca kuti të pista të picave apo fjalë të vagullta për të kërkuar ndihmë. Rianne mund t’ia shkelë. Unë do t’i kthehem punës me letrën e bardhë aty ku e kam lënë. Më duhet të përqendrohem te kristali, te letra e bardhë. Kafe me sheqer, kripë e zemër bile, ha-ha. Por së pari, më duhet ta pastroj eksterierin tim me një dush.
Dushi siguron bazën. Në dyshemenë prej guri, tavanin e bardhë, kokën e dushit që nxjerrë ujë të dlirë. Ujë të lavdishëm – i kaltër, si ngjyra jote. E kam shkruar tashmë te libri im “Vetëm” – sytë e tu – po, po, po, gjithmonë e kam pasur pikë të dobët elementin ujë, ai rrjedhë gjithkah. Në ujë vërtetë mund të lëvizësh. Ja ku është liria. E vë një gisht në digë dhe shpërthejnë menjëherë. Kaltër-gjelbër, ngjyra e sirenisë. Qeniet njerëzore dhe krijesat e gjalla janë kombinime elementesh, njëjtë si unë. E shoh në perden e kaltër të dushit: një grumbull i tërë me peshq të cilëve nuk ua ndien fare për ajrin. E kam pasur një peshk të vogël në grep, por ajo më iku me not. Peshkatari vendosë mbi jetën dhe vdekjen e peshqve. Po u mbushe njëherë me ajër, nuk do të mund të notosh më kurrë pa e vrarë mendjen për të. Pse, ah, pse duhet të më mundojë kjo kaq shumë? Unë desha të notoj veç pak për qejf por u fundosa brenda saj. Një grep i pat ngecur në gojë. Ah sikur ta kisha ditur!
Të gjithë janë hebrenj; i gjithë uji është gjak. Jeta rrjedhë tutje me çdo curril uji që hyn në kanal. Si mund ta shpëtoj atë? Ajo nuk e di. Ajo është hebreje por shoqërohet me nazistë gjermanë. Për fat të mirë, unë lahem në të kaltër. Kjo është ngjyra e Atlantikut. Edhe NATO është e kaltër. Ajo veç duhet t’i zë besë. Tek e fundit, Amerika është aleatja e madhe e Izraelit, apo jo? S’ka të keqe këtu, një aleate e besueshme. Po deti është përplot dallavere jo-organike. Atyre nuk u pëlqejnë gocat e detit. Deti vazhdon të llomotisë, avujt intelektualë grekë sipër nuk lëvizin. Megjithatë, unë ende nuk e njihja gjarpërin. Ngjala elektrike, vetëtima. I thonë “të shohësh dritën” ose, ah sa zbavitëse, “gjarpëri që e kafshon bishtin e vet”. Por është zjarr: zjarri mund të bëjë dritë, por të djegë nëse e prekë. Këtu në dush është sigurt, të paktën njëherë për njëherë. Civilizimi e mban nën kontroll zjarrin. Rrjeti elektrik monitorohet prej punëtorëve. Por ka agjitatorë që bredhin të lirë. Sipas status kuosë, ne dominojmë mbi tokë dhe kafshët janë inferiore. Por tash duan ta zhdukin dallimin, ta lëshojnë ariun. T’i lënë të lira hordhitë lindore të Rusisë dhe t’u lejojnë të na i vërshojnë kishat tona nën pretekstin e kritikës shoqërore. T’u japim liri të plotë forcave të errëta. Nuk duhet të harroj ta zhvilloj këtë në faqen A4 të masterit: Heiderggeri është një agjitator pagan. Vet toka nuk ishte edhe aq keq; ishte gjaku që e bëri dheun moçal. Krejt çka u intereson atyre janë orkidetë që rriten aty. Bota është aq budallaqe. Nuk janë më shumë se pesë njerëz që qeverisin gjithçka. Bota është një kopësht me lule dhe nën madhështinë e luleve është jeta brutale e kërpudhave e insekteve. Pesë kopshtarët po luajnë Risk[1] për të përparuarit. Për momentin Sloterdijk është një prej tyre. Ai po i bllokon sensorët Europianë. Unë duhet të marr anën e Anglezëve dhe të mos luaj më me Gjermanët, përndryshe bëhet kijameti. Dhe, edhe nëse e sheh, prapë nuk mund të bësh asgjë. E çka tash? Më është bërë koka lëmsh. Fjalët më struken në gojë, gjuha i ikë ajrit. Ne e thithim ajrin, e përziejmë me gjak e lëndë të parë dhe prodhojmë jetë. Por pasiviteti u zhduk. Në secilin proces, unë veç rri në vend, gojëhapur e vështrues. Unë mund të bëj gjithçka e kjo më ndalë prej të bërit çkado. Përtej kornizës, sistemit, linjave. Mirëmbrëma Niçe. E shoh hijen tënde, hijen tënde por ndihma jote nuk ndihmon. E ke ditur prej fillimit, apo jo? Që kordoni i shtrënguar do të bëhej litar rreth qafës tënde. Unë mund të bëj veç një gjë: të vazhdoj t’i mëshoj punës në projektin tim. Më duhet ta përfundoj atë A4. Do ta kthej në deklaratë misioni, program, në thirrje për luftë të përbashkët. Nëse ndihma vërtetë vjen, do të jem në gjendje ta shpërndaj. Por jo përmes internetit. Gjithçka aty është helm. Më duhet të mbledh më shumë informacion rreth situatës aktuale. Por njëherë do të qetësohem dhe do të shikoj pak TV. Pas kësaj prapë do të kem kohë t’ia gjej vendin në A4.
Kur e kupton se çka po ndodhë, është aq e çuditshme. Ata që nuk dinë asgjë mendojnë se ekzistojnë vetëm njëzet apo tridhjetë kanale. Ta merr mendja që vërtetë ndodhë diçka kur shtypë butonat! Po, imazhi regëtin dhe një skenë tjetër del, por nëse shikon me kujdes e sheh se skena e ashtuquajtur “e re” është saktësisht e njëjtë me atë që sapo pe “në kanalin tjetër”. Është çmnduri e vërtetë! Nuk ka “telekomanda”! Ato janë veç lodra, zbavitje fëmijësh – pajisje të rreme me butona të rremë. Ato nuk bëjnë asgjë prej gjëje. Edhe ashtu imazhi ndryshon herë mbas here, pavarësisht se a shtypë ti butona apo jo. Ato nuk kanë kurrfarë efekti në program. Gjithë ato pajisje, telefona celularë, ekrane kompjuterësh, televizione: ato shfaqin vetëm atë që ti fshehurazi dëshiron ta shohësh, çfarëdoqoftë ajo. Pajisjet janë furacakë nga mbretëria e metalit. Ata duan që mendjet tona të krijojnë varësi në gjithë ato makina. Shikoji, ato janë metal, plastikë, parazite e viruse prej mbretërisë jo-organike. Por ato nuk mund të bëjnë asgjë vet; ti sheh vetëm atë që sheh vetja jote. Kur nuk u beson më, je i lirë. Hap e mbyll sytë dhe iluzioni zhduket. Penjtë që të lidhin me të tjerët shkrihen si sheqeri në ujë. Dhe ti mund të ngrihesh si burrë. Dhe kështu kthehet batica. Pajisjet konsumojnë elektricitet dhe energji, ato i përthithin ngjyrat e tua dhe të zbehin derisa më në fund dorëzohesh dhe bëhesh njësh me turmën. Ti plakesh, thinjesh, lëngon e vyshkesh, mësohesh me TV-në me ngjyra dhe bëhesh indiferent. Por në momentin që vetëdijesohesh për këtë, shpërthen një banket kaleidioskopik: për të parën herë i sheh ngjyrat ashtu siç do të duhej të shiheshin. Edhe këtë duhet ta përfshij në fletën time A4, duke mos harruar të përmend atë punimin e Goethe-s mbi teorinë e ngjyrave, dhe të hulumtoj mbi filozofinë e Kandinsky-t e mbase edhe të Rudolf Steiner-it, të cilin gjithnjë e më shumë po filloj ta vlerësoj si një “mjeshtër pikture”. Çfarë mrekullie, kjo aftësia për të shikuar televizion me ngjyra të vërteta përmes “syzeve të reja mendore” që shpërfaqin realitetin, ha-ha. Tash vërtetë po i japin zor, nuk po lënë gur pa lëvizur në ekran. Aman, sa shumë aksion e dhunë. Megjithatë, ka prapë boll të gjelbër e të kaltër, natyrisht, meqë është mbrëmje e hershme. E kuqja dhe e verdha janë më intenzive, kështu që ato vijnë më vonë. Shih, shih, paskan shtuar pak të kuqe. Mendoj që do t’i bashkëngjitem. Edhe unë do të hyj me të kuqe. Pooo, tash doli e kuqja. Edhe më kuq. Dhe tash të kuqen e kanë veshur njerëzit në lëvizje. Çfarë maskarade. Si një karneval i pafund. Dhe prej askundit, e fusin një të kaltër atje në qoshe.
Ua, tash duan të krijojnë të artën prej disa ngjyrave të ndryshme. Ah, sa keq, nuk funksionoi, u tret, u shndërrua në tekst. Terror metali. Po mbjellin tekst të vdekur brenda nesh. Këtë duhet ta luftoj: Do të stimuloj ngjyra lëvizëse. Prit pak, do të provoj një manovër tjetër. Duket çmenduri — mund të tingëllojë fëmijërore dhe marrëzi — ama funksionon, funksionon vërtetë! Do ta marr një fletë dhe do të punoj në të me flomastera dhe do të shihni se çfarë ndodhë në TV. Heeej, tash përsëri kaluan prej imazheve me ngjyra në zë dhe tekst. Ua, jashtë qenka errur dhe është bërë rrezikshëm. Sepse metalikët dhe të pajetët fshihen në errësirë dhe ka rrezik që ngjyrat të zhduken. Duhet ta ruajmë të ndritshmen. Këtu, brenda, gjithçka është akoma e ndritshme. Katër rrugë, katër ngjyra po ikin prej meje. Këtu, brenda, ende po rrezatoj ngjyra, fatmirësisht — por jashtë gjithçka është kalbje. E gjora Rianne, që ecën jashtë mes hijesh të zymta të përhime. Dhe Doreen-a. As atë nuk munda ta shpëtoj. Provova, por forcat kundërshtare ishin tepër të fuqishme. Gjithçka zbehet nëse e lan shpesh. Rutina mbytë ngjyrat. Dhe Ankie iku përgjithmonë. Por unë do ta ndjek. Ajo mund të jetë një perlë, një diamant i vjedhur në Antwerp, në kafenë e Belgjikës, në arrati prej Mossad-it, ha-ha. Por fillimisht më duhet ta ndjell deri këtu në “strehën time të sigurt”, tendën time beduine psikodelike. Ngjyrat rrezikojnë të shterren si toboganë të lëngshëm; ato kullojnë në hapësirë. Muret e mia e mbajnë ngjyrën brenda; unë rri brenda. Ky është i vetmi vend i sigurt që ekziston; nuk guxoj të dal më kurrë jashtë. Jashtë janë sistemet, rrjetet e bakrit, telat metalike. Ngjyrat janë të burgosura brenda vijave të zeza.
Ma sjellë ndërmend Kandinsky-n, ma kujton që duhet të mbaj kontakt me të, ta takoj. Ata kanë shkatërruar aq shumë prej nesh. Hapësira është pafundësisht e zezë gjatë natës; tash ne duhet ta ruajmë dritën e diellit nën tokë. Ritualet e lashta të mbjelljes, baza jonë organike biologjike. Bimët na ndihmojnë, ato e mbledhin dritën dhe na japin dritë. Më duhet të kujdesem shumë për bimet e mia. Lamtumirë, bimë që jeni jashtë, rrini aty ku jeni sonte, duke u valëvitur. Përderisa ka gjelbërim që gjarpëron nëpër qytet, ne mund të luajmë ‘primate house’, duke kërcyer prej një rrethi drite tek tjetri. Dhe mjerë ata që rrëzohen – do të lagen deri në asht. Majmunët, gjitarët, të gjithë të projektuar dhe të planifikuar përmes ADN-së, një eksperiment i nisur nga bimët. Tashmë ka kaluar ora nëntë, hapësira mbi tokë tashmë është pushtuar prej rrjetit të metalit. Ka ende robotë e fashistë që ecin jashtë. Po, dhe aty-këtu ndonjë Blade Runner[2] – ata luajnë me zjarr. Jam plakur për këto gjëra. Vërtetë duhet të dalësh jashtë me një pistoletë laserike për të çarë rrugën mes gjithë atij metali gëlues. A thua do të më shpëtojë ndokush?
Zilja e derës. Erdhën më në fund. Mirë, qenka një grua e zezë me flokë kaçurrela. Dhe burri që është me të duket i këndshëm. Po, sigurisht, këta specimenë specifikë mund të hyjnë. Po, po i prisja. “A doni t’i hiqni palltot?” Po, e dija që do të merrja ndihmë. Dhe jo, nuk më prishë punë nëse m’i bëjnë disa pyetje. Duan të më bëjnë për vete, që të marr anën e tyre. Kam përshtypjen që ana e tyre është ana ime, kështu që jam i qetë. Do të m’i shtrojnë disa pyetje për të vlerësuar statusin tim, për të parë nëse jam infiltruar tashmë në sistem. Jo, por megjithatë le të bëjnë një kontrollë para se të më pranojnë në grupin e tyre. Mbase nuk e besojnë; natyrisht se nuk duan ndonjë parazit a virus por vetëm vizionarë të vërtetë. Burri futë disa parametra të rrjetit në laptopin e tij dhe unë e shoh që kjo aventurë do të shkojë mbarë. Ai nuk e përdorë Explorer-in; ai punon me një sistem alternativ i cili nuk është komprometuar akoma. Nuk është bardh e zi, por një e kaltër e kthjellët, e këndshme. Ky djali është haker goxha i mirë, ekspert. Dhe jo, nuk më pengon fare nëse gruaja shikon përreth nëpër shtëpinë time.
Ku janë rrobat e mia që m’duhet t’i marr me vete? Në rregull, mirë, varet se sa gjatë do të jem jashtë shtëpisë. Kjo po fillon të më pëlqejë. Nuk pyes se ku po shkojmë; dua të befasohem. Jo, nuk janë aty, të gjitha rrobat e mia janë në këtë grumbullin këtu. Më duhet t’i zgjedh vetëm ato që dua, dhe ajo do ta bëjë gati valixhen. Sa mirë, apo jo? Si ekskursion shkolle? A dua të marr diçka tjetër? Sigurisht. Po, mund të llogaris që ata kanë gjithçka që më nevojitet atje, por prapë se prapë. I besoj Nokias time, që më ka shërbyer mirë. Dhe do të doja të marr edhe ca ushqim mendor me vete, që ta kem. Jo, jo, sigurisht se jo të gjithë bibliotekën. Veç katër libra. Nuk prishë punë, apo jo? Plotini do të vijë me mua padyshim, me atë kopertinën e gjelbër të çelët, qindra faqe urtësi. Çfarë vizionari i jashtëzakonshëm ka qenë ai. Dua të sjell vetëm gjenitë e vërtetë. Asnjë prej atyre agjitatorëve që nxjerrin gjithfarë dokrrash për nja dy ngjarje të çuditshme nga shekulli i kaluar. As Heidegger, as Sloterdijk, as Deleuze. Vetëm mendje të shëndosha, të respektueshme që kanë ditur se ç’është E Mira. Oh, preferohet një libër i hollë? Në rregull pra, ai vëllimi i vogël i Suhrkamp-it për Kantin, me kopertinë të verdhë të çelët. E pranoj se është i rrezikshëm, por s’besoj se prishë punë. Aty përfshihet gjithçka prej Plotinit, por e shpjeguar ndryshe. Gjermanishtja e gjorë. Nëse injoron gjithë gjepurat e dy shekujve të fundit, e sheh se çfarë shkrimesh të bukura ka Gjermanishtja. Në rregull, veç edhe një libër tjetër. Diçka relaksuese? Mirë, po e marr Ylberin e Gravitetit të Thomas Pynchon. Ky është një përkthim i librit tim Çmenduri e pastër. Paranojë e pastër, ama për finokët.
Oh, a po nisemi tash? Në rregull, pra. Jo, sigurisht se nuk do të harroj të mbath këpucët. A është larg? A është jashtë? Nuk dua të dal jashtë. A nuk ka ndonjë “dalje sekrete”? Jam stërmunduar deri tash. Lejomëni t’i sjell njerëzit këtu, me ngjyrat e tyre të zbehta. Kjo është superfuqia ime: të ringjall ngjyrën e njerëzve. Jashtë ka dhunë. Eh, në rregull, nëse atje ka të tjerë të stërmunduar si unë, atëherë pajtohem të vij.
Sa shumë drita vezulluese ka jashtë. Vërehet që është një mbrëmje e veçantë. Sikur një festival dhe një luftë të jenë ngjeshur së bashku. Një ambulancë, një polic, një vajzë mantelbardhë. Shumë e pazakontë, por mjaft e këndshme. Çfarë mirëpritje e ngrohtë. Duken miqësorë, plot pritshmëri. Epo, nuk e kam ndërmend t’i zhgënjej. Do të kenë çka të shohin. E di si funksionon; mund të hipi vet në ambulancë. Jo, nuk ka nevojë të më lidhin. Mund të më lidhësh po deshe, por unë veç do të shtrihem këtu. Do t’i le të më llastojnë pak. Më presin kaq shumë gjëra.
Vazhdon vozitja ndërkohë që unë rri i shtrirë. Shoh përtej dritareve të vogla dhe vërej tek ikin me shpejtësi shtëpitë e ndërtesat. Sa mirë që më në fund mund ta shoh botën nga brenda. Gjithmonë kam qenë jashtë ambulancave, jashtë furgonëve të verdhë. Për një kohë të gjatë, kam pasur qasje te e kuqja. Të kuqen e njihja deri në palcë, atë këngën e moçme për komunizmin, rezistencën, emancipimin, por edhe për dashurinë e zemrën që gjakon. Edhe e kaltra është e njohur. Në publik, të gjithë veprojnë kaltër. Kërkojnë prezencë më të madhe të policisë, “më shumë të kaltër në rrugë”. Mund të jetë një gjë e mirë; e kam të vështirë të gjykoj. Por gjithçka sillet rreth të verdhës, natyrisht. E verdha duhet të mbulohet, është ngjyra e çmendurisë, është kërcënuese kur e sheh nga jashtë. Është ngjyra e shkretëtirës. E verdha e pastër është si skarë, nxehtësi pa lagështi. Na duhet e kaltra, përndryshe vyshkemi. Unë përvete kam mbledhur boll të kaltër e të kuqe sa të vozitem i qetë në të verdhën pa vdekur. Ata më kanë gjetur dhe tash do të më mbështesin në luftë. Ose ndoshta jo. Kjo s’është e mundur, a? Çka nëse e gjithë kjo është një lojë e madhe? A po pezmatohem për këtë gjë, atë dhe atë tjetën? A mund të jetë e gjithë kjo një luna park, dramë teatri, festë fëmijësh? Ata kanë përgatitë diçka të mirë për mua, do të më befasojnë dhe të më bëjnë kokrrën e budallës. Ndoshta u tregova shumë pompoz me ato librat për psikozat. Do të ma dëshmojnë që gjithçka është një maskaradë. Maskat janë të ndërkëmbyeshme. Jo, nuk është e mundur. Realiteti ekziston sepse diçka si e kuqja ekziston gjithmonë. Gjaku është i vërtetë, turpi nuk mund të fshihet. Po, është një lojë rolesh, ama është lojë serioze. Të gjithë duhet ta besojnë dikur, dhe tani e kam unë rendin të kryqëzohem. Kjo është gjurulldia që dëgjova. Komshiu nuk ishte duke përgatitur çkadoqoftë; ai po më tregonte se më mbështetë, se po përgatiste një kryq të bukur ku do të kryqëzohesha unë. Po, edhe vetë ishte varur në atë kryq. Nuk ishte shtruar kot në spital për dy javë, apo jo? Ajo kishte qenë patrolla e detyrës për të dhe tani më ka ardhur rendi mua. “Në shërbimin tuaj!” siç thoshte Pim Fortuyn. Pim-i kishte realizuar një truk të çmendur magjie, pa kryq fare, për ta ndihmuar Islamin në një mënyrë dinake. Dhe tani e kam radhën unë. Të gjelbrën e kam pasur gjithmonë armë sekrete. Aty ka edhe bimë dhe koloni myshqesh. Nëse veç përpiqesh të kuptosh!
Ambulanca merr hov. Hajt, vozisni më shpejt, mua ma mban. Vozisim nëpër terr. Sa shumë tokë kemi humbur. Shikoj prej dritares dhe shoh rrënojat dhe mbetjet e asaj që dikur ka qenë qyteti ynë i dashur, por pjesa më e madhe e tij tani i përket armikut. Këtu brenda, në zemër të së verdhës, buzëqeshja e lehtë e “infermieres” e mbushë ambulancën me dritë të butë. Edhe pse po bie shi rrëke në qytetin e hirtë, të ftohtë e të djegur, ne arritëm. Ngadalësojmë, dhe tani po hyjmë diku brenda. A mund të dal vet? Po, mund ta bëj. Kalojmë nëpër një derë dhe pastaj nëpër tjetrën, nëpër korridore, brenda një labirinti. Njerëzit e verdhë shkojnë dhe unë e gjej veten në shoqërinë e një grupi të ri prej katër personash. Kjo më ngjeth mishtë. Duhet të ketë ndodhur ndonjë gabim. Këto janë skemat e liga të kundërshtarit: të vrazhda, verbuese, të lëmuara. Duket se kjo është ndalesa e fundit, Kopshti Zoologjik i Banhof-it, stacioni ku përfundojnë të gjitha stacionet; zbritja, fillimi i funeralit. Pra më kanë dorëzuar te fashistët. Rashë në kurthin e tyre me sy çelë. Këta katër, dy femra dhe dy meshkuj, kanë veshje tejet finoke. Lëkura e tyre është prej metali plastik, surratet e tyre prej plasteline që ndërron formë si në filma të vizatuar. Po, duken si njerëz por në fakt janë gëzhoja organike të zbrazura. Dhe ja ku vijnë edhe dy të tjerë, dy meshkuj. Më duhet të ulem, por nuk dua. Ata ende janë në këmbë, apo jo? Papritmas, më vjen një lodhje e madhe. Jam i rraskapitur dhe në moshë, e ndjej mjekrrën time të shkurtër, flokët e mi të harlisur, dhe trupin tim sakat përballë fytyrave të tyre të lëmuara, frizurave të tyre perfekte dhe shikimeve të tyre plot gjallëri vezulluese që kënaqen me zgjidhjen e problemeve. Unë kam ardhur prej larg, kaq larg, prej kohëve të lashta ndërsa ata sapo janë sjellë këtu si zëvendës. Ata nuk dinë gjë akoma. Ende janë në shkollë; jetojnë në injorancë.
Unë kam ecur nëpër Jerusalem, kam përshkuar Romën dhe Athinën, kam biseduar me njerëz të urtë, kam mbajtur fjalime në forume e agora, në arena. E kam mbajtur veten mes turmave e bandave. Kam ndërruar veshje, trupa, gjuhë e kombësi. Unë endem mes njerëzve si Çifuti Endacak. Detyra ime është ta shpëtoj atë, Annie Frank-un, sepse vullkani na e jep zjarrin, por edhe merr jetë. Deleuze e anashkaloi këtë, prandaj ai duhet shkarkuar. Secila lëvizje sjellë vdekje, secili moment ndahet në të mirë e në të lig. Ata që e kuptojnë këtë e tërheqin të ligën siç tërheqë magneti cifla hekuri. Më sillet përreth si vorbull, më hyn brenda me çdo frymëmarrje. Unë e thith të ligën në formën e saj të pastër, në katran e nikotinë dhe e pështyj me fragmente. Ne jemi mbetjet e djegies, e zezë karboni ngjitur bashkë. Ata nuk më kuptojnë dhe vazhdojnë të presin. Më pyesin për emrin; duan të më kthejnë në tekst të shkruar, të më shtrijnë nëpër rreshta të zinj, siç shtypet një mizë. Ky është truku i tyre i përjetshëm: të të japin një emër dhe pastaj të të shkatërrojnë. Unë nuk kam emër; ky është shpëtimi im i vetëm. Më ofrojnë një pilulë. A është pilulë e kaltër apo e kuqe? Nuk ju zë besë. Ata duan të më helmojnë. Më duhet ta përpiloj një listë për ta nxjerrë veten prej këtu. Çfarë duan prej meje? Nuk u lejohet të më vrasin. Nuk mund ta bëjnë këtë, është e ndaluar. As që duan ta bëjnë këtë sepse nuk kanë armë. I vetmi metal që shoh janë çelësat. A duan të marrin çelësat e mi? Cili është çelësi? Nuk ka çelës. Nokia! Më duhet ta thërras dikë, të kërkoj ndihmë. Rianne, çfarë dreq marifeti është ky? Nuk më lejojnë të bëj thirrje. Më thonë se ka ardhur koha. Por, koha nuk ekziston. Ajo vjen prej djallit, prej mekanizimit, prej kohës së orëve, vija të zeza që përdoren për të kapur ngjyrat organike. Nuk është në rregull. Tani e kuptoj që e kam veç një rrugë për të dalë që këtu. Tingëllon mizore, por nuk kam tjetër mundësi. Më duhet ta projektoj fatin tim si kurban i përjetshëm te dikush tjetër, t’ua lë barrë. Unë ngritem në këmbë dhe përmes syve përçoj të gjitha mendimet e mia për të errëtën, vdekjen dhe fajin e dhunën te personi i fundit që ka hyrë, ai që duket të jetë shefi i të gjashtëve. Më duhet t’i bind pesë të tjerët që të dalin në anën time dhe t’i bëj që shefin e tyre ta kthejnë në “numrin gjashtë” (06!), numri i Çifutit. Më duhet të bëhem gjerman dhe t’i urdhëroj që ta shndërrojnë këtë burrë në Çifut. Jo, nuk po kryen punë, diçka nuk është në rregull, ata po më ngrehin e po më shtyjnë drejt derës së hapur të qelisë. Unë rezistoj pak por e kuptoj që, edhe këtë herë, janë bashkë kundër meje. Unë klith me lutje për mëshirë, emëroj shpejt sa më shumë lokacione kampesh përqendrimi që mundem, me shpresën për mëshirë. Ata më shtyjnë përtokë, më shtrëngojnë. Koha ndalet për një moment. Nuk mund të marr frymë, nuk mund të lëviz. Pastaj më lëshojnë. Ikin dhe dera mbyllet.
E kuptoj që kam shkuar tepër larg dhe tani më duhet ta paguaj çmimin. Çfarë ngazëllimi kam përjetuar, por kam luajtur tepër me themelet. Kam shkelur bazën e ligjeve njerëzore. Marrëveshja e heshtur është që të mos dëmtojmë të tjerët dhe të mos prekim fuqinë e ligësisë, e lëre më ta përdorim atë pavend. Dhe unë e kam bërë këtë. E kam rrjepur nëntokën e njerëzimit dhe kam përfunduar në botën e magjisë së zezë. Shumica dërrmuese e njerëzimit janë trajnuar dhe bindur për të qenë qenie njerëzore. Të gjithë ata njerëz, njerëz mes njerëzve. Por unë jam çliruar dhe kam përfunduar në shoqërinë e shquar të profetëve dhe magjistarëve. Pol Pot-i, huliganët e tifozerisë F-Side të Amsterdamit, Xhengiz Kani, Gilles Deleuze dhe Roger Zelazny. Tani e di atë që e kanë ditur ata: e gjitha është një lojë – LOJA – një maskeradë. Një lojë rregullat e së cilës nuk duhen treguar kurrë, sekreti i madh, dhe unë kam kërcënuar ta bëj pikërisht këtë, pa pishman, e kjo ua aktivizoi alarmet. Unë tërhoqa vëmendje të tepërt. Shtëpitë, bankat e tempujt rrezikonin të rrënoheshin. Willem Holleeder[3] ishte një “F-akt anësor”, Ajax-i dhe Herkuli kishin mbështetur tempujt grekë. Ata kishin pritur ardhjen e barbarëve dhe tani ne kishim ardhur. Të gjithë janë hebrenj, përveç nëse kthehesh në kohë dhe bëhesh parafisnor. Përveç nëse i kthen stigmatat[4] në tatuazhe. Por ata duan të më shtyjnë prapë brenda kollosekut, të më shndërrojnë në Atë Që Nuk Duhet Parë Kurrë. Ata duan të më shndërrojnë në ligësi të pastër, në ligësinë që nuk mund të shkatërrohet, që më së shumti mund të burgoset, të dominohet dhe të kontrollohet. Kështu që, ja ku jam, në bunker, nën piramidë, i vëzhguar prej kamerave. Ata kanë provuar në çdo mënyrë të më nxjerrin nga udha ime dhe të më shtyjnë drejt humnerës. Por unë e kam menduar mirë e mirë, dhe kur nuk ka ndonjë kufi, rënia është e pafund. Ky është lokacioni i fundit, ku nuk e merr vesh nëse je gjallë apo i vdekur, nëse je ti brenda qelisë apo është qelia brenda teje.
[1] Risk është lojë strategjike që përfshin diplomaci, konflikt dhe pushtim e cila luhet me dy deri në gjashtë lojtarë. (shënim i përkthyeses)
[2] Në filmin me të njejtin emër, Blade Runner është një person në të ardhmen distopike (ku dizajni i robotëve është avancuar aq shumë sa ata vështirë dallohen prej njerëzve) i cili ka për detyrë t’i identifikojë robotët në mesin e njerëzve dhe t’i shkatërrojë ata. (shënim i përkthyeses)
[3] Gjatë periudhës së cilës i referohet ky fragment, Willem Holleeder ka qenë një prej kriminelëve më famëkeq në Holandë
[4] Sipas doktrinës katolike, stigmata janë plagë, vrraga dhe dhimbje që paraqiten në lokacionet e plagëve të Krishtit dhe dëshmojnë për një lidhje shpirtërore mes personit dhe Krishtit.